Tag Archives: Humanitare

Realizohet projekti humanitar i dhurimit dhe mbjelljes së fidanëve në njësinë administrative Çërravë të Pogradecit dhe në fshatin Mënik të Tiranës

Fondacioni ALSAR e ka nisur vitin e ri kalendarik me një aktivitet humanitar në ndihmë të komuniteteve lokale.

Në njësinë administrative të Çërravës në Pogradec janë dhuruar për komunitetin dhe janë mbjellë 50 fidanë arre.

Pjesëmarrës aktivë në veprimtarinë e zhvilluar këtë të hënë të parë të janarit të 2026-s kanë qenë kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, administratori i njësisë administrative, z. Olger Ibi, dhe punonjës të Fondacionit ALSAR.

Mbjellja e këtyre fidanëve i shërben përmirësimit të cilësisë së jetës së banorëve të zonës, duke ndikuar për një mjedis më të gjebër dhe më tërheqës.

Bashkëpunimi mes Fondacionit ALSAR, Bashkisë Pogradec dhe Njësisë Administrative Çërravë mundësoi zhvillimin si duhet të veprimtarisë.

Në veprimtarinë tjetër të së njëjtës ditë, në fshatin Mënik, në periferitë e Tiranës, u dhuruan dhe u mbollën në kuadër të realizimit të të njëjtit projekt 36 fidanë limoni.

Veprimtaritë u mbështetën dhe u zhvilluan falë kontributit të WEFA-s, organizatës së ndihmave me qendër në Gjermani.

Fondacioni ALSAR, në bashkëpunim me Fondacionin “Arben Tafaj”, mbajti sesionin shkencor, “Arben Tafaj dhe Shoqata ‘Tirana’ – Një rrugëtim ndërepokal dhe një kujtesë e pashlyer”

Fondacioni ALSAR mbajti sot, të enjten e 4 dhjetorit, një sesion shkencor të kushtuar ish-kryetarit të Shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, të ndarë nga kjo jetë një vit më parë.

Sesioni shkencor u organizua në bashkëpunim me Fondacionin “Arben Tafaj”, të krijuar nga familjarë të të ndjerit.

Tema e sesionit shkencor përkonte me titullin e librit, “Arben Tafaj dhe Shoqata ‘Tirana’ – Një rrugëtim ndërepokal dhe një kujtesë e pashlyer”, të saponxjerrë nga shtypi nga Botimet ALSAR.

Salla “Balsha”, në Hotel “Tirana International”, u mbush me të interesuarit për sesionin shkencor, personalitete, ish-shtetarë, të angazhuar në aktivitet social, të afërm të të ndjerit, qytetarë të Tiranës, etj.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili tha:

“Të nderuar pjesëmarrës në këtë sesion shkencor!

Na ka mbledhur këtu përkujtimi i figurës së një qytetari të denjë të Tiranës, të ikur papritmas nga kjo jetë një vit më parë. Boshllëku i krijuar nga ky largim i beftë ndihet ende qartë, si të kishte ndodhur dje ajo ngjarje lënduese për zemrën dhe shpirtin e çdo njohësi nga afër, e të afërmve të gjakut dhe të shoqërisë së gjerë.

Arben Tafaj la shenjë me aktivitetin social dhe përkushtimin e veçantë për komunitetin e tiranasve. U bë i dashur në të gjallë për ata që e rrethonin, si i afrueshëm, i sjellshëm, i gatshëm për të ndihmuar dhe vepruar, i papërtuar dhe i kudogjendur.

Kujtesa na e sjell atë të qeshur e energjik, të butë në fjalë e të vendosur, të respektueshëm e të vlefshëm për miqësi. Shoqata ‘Tirana’ i detyrohet së tepërmi Arben Tafajt për statusin

që i siguroi, për praninë e kurdohershme në hapësirën ku pulsonte jeta shoqërore e kryeqytetit, për meritat e fituara nëpërmjet protagonizmit pozitiv të tij.

Arben Tafaj përmblodhi brenda vetes dhe i shfaqi si duhet cilësitë më të mira të një tiranasi të dhënë pas traditës dhe përqafues të së resë, të angazhuar për ta ruajtur mirë të parën dhe të kujdesur që e dyta të mos fshijë çfarë gjen përpara. Pikëpamja e tij e palëkundur, për të cilën u kujdes dhe që të materializohej për aq sa e lejonin rrethanat, ishte se Tirana duhej të ruante më së pari vlerat e njohura si qytet, e pastaj të përthitheshin çfarë siguronin pozicioni dhe funksioni si kryeqytet i Shqipërisë.

E kuptojmë tani se ndërthurja tek ai e veprimtarisë shoqërore dhe politike dhe sjellja me masë në çfarë tha dhe bëri e shndërruan atë nga një njeri aktiv në një personalitet me dinjitet e të meritueshëm për kujtesë! Ngulitja e emrit të Arben Tafajt në një fondacion, të themeluar nga familjarë të tij, është nderimi më i mirë për të.

Zonja e zotërinj!

Ky sesion shkencor, i organizuar në bashkëpunim me Fondacionin ‘Arben Tafaj’, i kushtohet të ndjerit, për gjthçka dha për qytetin, për kryeqytetin dhe për qytetarët.

Organizimi i Fondacionit ALSAR pason aktivitetin e mbajtur po nga ky ent në mesin e janarit të këtij viti, në të dyzetat e ndarjes nga kjo jetë të Arben Tafajt. Në atë aktivitet pata treguar për projektin e diskutuar me të më herët për përgatitjen e një libri për veprimtarinë njëzetvjeçare të Shoqatës ‘Tirana’. Ndërsa ALSAR-i e shprehu përkushtimin për ta mbajtur fjalën e dhënë edhe tani, pa praninë e tij fizike në këtë botë, mungoi interesimi nga shoqata për ta realizuar botimin. Gjetja e gjuhës së përbashkët dhe vullneti i dyanshëm me Fondacionin ‘Arben Tafaj’ çuan fatmirësisht në konkretizimin e idesë.

Nuk ka dyshim se çdo njeri në këtë sallë do të donte të thoshte diçka për Arben Tafajn, por ngaqë organizimi ka specifikën e një sesioni shkencor, kjo është e pamundur. Këtë radhë fjalën do të mund ta marrin vetëm të parashikuarit për të folur.

Bashkëpunimi mes nesh, individual dhe institucional, ishte kurdoherë i mirëpritur dhe frytdhënës. Ne bëmë më të mirën dhe kontribuam modestisht, e sinqerisht, sa herë që bashkuam energjitë në aktivitete të përbashkëta për Tiranën.

Ky sesion shkencor dhe botimi që do të dhurohet janë homazhi ynë, i Fondacionit ALSAR, për të munguarin fizikisht dhe të pranishmin fuqimisht me kujtimin e mirë, për të pazëvendësueshmin Arben Tafaj!

Organizimin e një aktiviteti të ngjashëm i sugjerojmë dhe Shoqatës ‘Tirana’, ku mund të japë dhe çmime në shenjë vlerësimi dhe nderimi për ish-kryetarin e saj.

Lusim Zotin t’ia ketë pranuar ndër punët e mira të ndjerit kontributin shoqëror!

Qoftë i xhenetit!

Sesionit shkencor i uroj punime të mbara!”

Një fjalë përshëndetëse mbajti për të pranishmit z. Ilir Tafaj, kryetari i Fondacionit “Arben Tafaj”.

Prof. dr. Fatmira Rama mbajti ligjëratën, “Shoqata ‘Tirana’ në kontekstin historik dhe kontributi i shquar i drejtuesit të saj, Arben Tafaj”.

Pas saj ligjëroi z. Naim Hasa, temë e fjalës së të cilit ishte, “Arben Tafaj – një lider komunitar dhe një model qytetar në promovimin e harmonisë dhe zhvillimit shoqëror”.

Kumtesa e fundit u mbajt nga z. Alban Rreli, nën titullin, “Arben Tafaj, një misionar i vlerave”.

Botimi i Fondacionit ALSAR, “Arben Tafaj dhe Shoqata ‘Tirana’ – Një rrugëtim ndërepokal dhe një kujtesë e pashlyer”, u dhurua për të pranishmit në përfundim të sesionit shkencor.

Aktivitet humanitar për fëmijë jetimë, jepet ndihmë financiare dhe materiale

Fondacioni ALSAR ka zhvilluar në këtë nisje të muajit të fundit të vitit një aktivitet humanitar për fëmijë jetimë.

Ndihma e dhënë për ta ishte financiare dhe materiale, e shpërndarë në mjediset e brendshme të fondacionit.

Për 44 jetimë janë dhënë zarfe me ndihmë financiare, pako me ushqime, veshmbathje dhe çanta shkollore.

Aktiviteti i përkiste dhënies së ndihmës periodike gjashtëmujore, mundësuar nga kontributi i organizatës humanitare UKIM (UK Islamic Mission), me qendër në Britaninë e Madhe.

Një pjesë e mirë e aktivitetit humanitar të Fondacionit ALSAR u dedikohet jetimëve, dhe realizimi i shumë projekteve bëhet i mundur nga bashkëpunime afatgjata dhe serioze me ente partnere jashtë vendit.

Mbështetja për familjet e jetimëve, shpërndahet mish “Adak”, bëhen vizita në shtëpi

Aktiviteti i tretë humanitar në radhën e zhvillimit të projekteve në gjysmën e parë të nëntorit për jetimë dhe familje jetimësh ishte ai i shpërndarjes së mishit “Adak”.

Familje jetimësh të Tiranës e morën pranë ambienteve të Fondacionit ALSAR ndihmën me mish “Adak”.

Kontributin mbështetës nga HASENE, organizata e ndihmave humanitare me qendër në Gjermani, e përfituan 100 familje jetimësh.

Veç dhurimit të kësaj ndihme, e të ndihmës me pako ushqimore më herët, përfaqësuesit e HASENE-së dhe punonjës të Fondacionit ALSAR bënë vizita në familje jetimësh në Tiranë dhe Elbasan.

Ata panë nga afër kushtet e jetesës, u interesuan për përditshmërinë, për mungesat dhe nevojat e familjeve të vizituara.

Aktivitetet u përkisnin ditëve të solidaritetit human, me fokus ekskluziv takimin me jetimët dhe zhvillimin e projekteve për ta.

Ditë me aktivitet humanitar, dhurohen pako me ushqime për familje jetimësh

Fondacioni ALSAR ka zhvilluar në tre ditët e para të kësaj jave nëntori aktivitete humanitare në ndihmë të jetimëve dhe familjeve të tyre.

Projektet për jetimët kanë përfshirë dhe shpërndarjen e pakove me artikujt bazë ushqimorë; një ndihmë konkrete dhe lehtësuese për shumë familje.

Realizimi i projektit të dhurimit të pakove ushqimore është bërë në ambientet e jashtme të Fondacionit ALSAR.

Ndihmën ushqimore e kanë përfituar 240 familje jetimësh të kryeqytetit, mirënjohëse për këtë kontribut humanitar.

HASENE, organizata e ndihmave humanitare me qendër në Gjermani, e mbështeti shpërndarjen e pakove.

Përfaqësues të HASENE-së, të ardhur enkas në Tiranë, morën pjesë aktivisht në zhvillimin e projektit.

ALSAR kujdeset në mënyrë të pandërprerë që t’u qëndrojë pranë jetimëve dhe familjeve të tyre, duke i ndihmuar nëpërmjet projekteve të realizuara në bashkëpunim me ente partnere.

Pako me ushqime për jetimë, zhvillohet aktiviteti humanitar i dhënies së ndihmës periodike

Në kuadër të realizimit të projekteve humanitare të kushtuara ndihmës për fëmijët jetimë, Fondacioni ALSAR bëri javën e kaluar shpërndarjen e një sasie me pako ushqimore.

Pranë ambienteve të fondacionit u krye shpërndarja e ndihmës në ushqime për 50 jetimë, e marrë prej tyre dhe familjarëve që i shoqëronin.

Aktivitetin e mundësoi EMİN, organizata e ndihmave humanitare me qendër në Gjermani.

Shpërndarja i përkiste ndihmës periodike ushqimore të dhënë nga ky ent për fëmijët jetimë nën kujdesin e ALSAR-it.

Aktivitetet humanitare për jetimë kanë vazhdimësi të rregullt dhe realizohen nga Fondacioni ALSAR me mbështetjen e organizatave dhe shoqatave partnere.

soap 2 day