Përgjatë një jave të pasur kulturore dhe të paraqitjes me dinjitet dhe sukses të Botimeve ALSAR në Panarin e Librit 2024 në Tiranë, në ditën e parafundit të saj u zhvillua dhe një aktivitet i plotë me studentë të universiteteve në Maqedoninë e Veriut.
Një vizitë në ambientet e Fondacionit ALSAR dhe të konviktin e tij, një takim dhe bisedë pasuese, si dhe një darkë e shtruar në mbarim të ditës, e mbushën të shtunën e 16 nëntorit.
Të ardhur në kryeqytetin e Shqipërisë në një vizitë kulturore, në kuadër të Panairit të Librit, të rinjtë dhe të rejat nga Maqedonia e Veriut patën mundësinë të njihen me veprimtarinë tredrejtimëshe të Fondacionit ALSAR, si një prej enteve më të spikatura të shoqërisë civile.
Nën shoqërimin dhe drejtimin e koordinatorit dhe të përfaqësuesit të Shtëpisë Botuese Logos-A, z. Taxhudin Shabani, studentët patën mundësinë gjatë vizitës të dëgjojnë gjëra të dobishme në një takim të organizuar enkas për ta në mjediset e konviktit të Fondacionit ALSAR.
Drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku, u uroi së pari atyre mirëseardhjen, për të vijuar me një përshkrim të institucionit dhe të aktivitetit të tij të gjerë humanitar, arsimor dhe kulturor.
Z. Rusheku u tregoi mysafirëve në moshë të re nga Maqedonia e Veriut simbolikën e 16 nëntorit në epokën e re të shoqërisë shqiptare, të nisur me të hyrë vitet ’90 të shekullit të kaluar. Me këtë datë – tha ai për studentët – kujtohet rikthimi i lirisë së besimit në vendin tonë pas një periudhe të gjatë ateizmi të imponuar shtetëror, pasi më 16 nëntor 1990 u rihap Xhamia e Plumbit në Shkodër.
Ai vuri në pah rëndësinë e atij zhvillimi të para më shumë se tridhjetë viteve, ndërsa shoqëria shqiptare po futej në një tranzicion të vështirë e me sfida jetike përpara. Tek u foli studentëve për punën e Fondacionit ALSAR në tre shinat e veprimtarisë së tij, z. Rusheku nënvizoi bashkëpunimin mjaft të mirë me institucione në Maqedoninë e Veriut, duke veçuar mes tyre Shtëpinë Botuese Logos-A.
Diskutimin me karakter kulturor, rreth librit, me përfshirjen e studentëve dhe në kontekstin e një formati që ka fituar vazhdimësi, të përsëritur periodikisht, e ku flitet me pasion rinor dhe libërdashës, e drejtoi koordinatori, z. Taxhudin Shabani.
Darka e shtruar për 50 studentët e universiteteve të ndryshme në Maqedoninë e Veriut mbylli aktivitetin disaorësh.