Takime, bashkëbisedime dhe dhurata në vizitën në jug të ambasadorit turk në Tiranë dhe të kryetarit të Fondacionit ALSAR

Përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Republikës së Turqisë në vendin tonë, z. Murat Ahmet Yörük, vizitoi jugun e Shqipërisë në ditët e para të tetorit. Ai u shoqërua në këtë vizitë nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i përzgjedhur për kontributin disavjeçar të këtij enti joqeveritar në jug, për iniciativat e shumta humanitare dhe arsimore në ndihmë të komunitetit atje, më së shumti në Konispol dhe në Borsh.

Vizita e parë u krye në Konispol, ku bashkisë së qytetit iu dhurua një mjet transporti për bartjen e nxënësve të periferive për në shkollë. Dhurata, e propozuar nga Fondacioni ALSAR dhe e siguruar e re nga TİKA, u dorëzua nga ambasadori turk, z. Murat Ahmet Yörük.

Kryetari i bashkisë së Konispolit, z. Shuaip Beqiri, do t’u uronte fillimisht mirëseardhjen vizitorëve, për të falënderuar më pas shtetin turk, qytetin e Afjonit, të binjakëzuar me Konispolin, Ambasadën e Republikës së Turqisë, TİKA-n dhe Fondacionin ALSAR për ndihmën e vazhdueshme për atë zonë, për përkujdesin e pandërprerë për konispolasit.

Në bashkëbisedimin me mysafirët, ai shprehu dëshirën, i nxitur nga kërkesat e banorëve, që turqishtja të bëhet lëndë me zgjedhje në shkollën e Konispolit dhe që të mundësohet ardhja e një pedagogu nga Turqia.

Kryetarit të bashkisë iu dhuruan nga ambasadori turk dy vëllimet e botimit të ALSAR-it, “Qytetërimi osman”, ndërkohë që nga kryetari i Fondacionit ALSAR mori dhuratë një tjetër botim, “Historija e Tiranës”. Nga ana e tij, z. Shuaip Beqiri u dhuroi z. Murat Ahmet Yörük dhe z. Mehdi Gurra një punim artistik me vallen çame.

Vizita u bënë në një prej kopshteve për fëmijë të qytetit dhe në shkollën e mesme të bashkuar “Bido Sejko”, që prej kohësh e kanë ndier ndihmën e Fondacionit ALSAR, pajisur prej tij me orenditë dhe mjetet e nevojshme.

Këtu, si ndërshtënie, vlen të vihet përsëri në pah kontributi i ALSAR-it për Konispolin gjatë aktivitetit pesëvjeçar në jug, me renditjen e nismave dhe ndihmave të dhëna: (1) binjakëzimi me qytetin e Afjonit në vitin 2016, (2) sigurimi i pompave të ujit për qytetin, (3) si dhe për fshatin Shalës dhe zonat e banuara përreth, (4) dhurimi i një ambulance të pajisur me mjetet e nevojshme për ndërhyrje kirurgjikale brenda saj, (5) dhurimi i një kamioni për pastrimin e qytetit, (6) dhe i dhjetë kazaneve të plehrave me logon e qytetit, (7) pajisja me orenditë dhe mjetet e duhura të kopshteve dhe shkollave, (8) hapja për pesë vite e kurseve të turqishtes pa pagesë, (9) sigurimi i 32 bursave për ndjekësit e studimeve në Turqi, (10) çuarja e nxënësve të qytetit në ekskursion në Turqi, (11) dhurimi i literaturës për intelektualët e qytetit, (12) shpërndarja e ndihmave ushqimore për familjet në nevojë, (13) shpërndarja e mishit të kurbanit, dhe (14) dhe pagesa mujore si ndihmë për jetimët e qytetit.

Duke iu kthyer vizitës, një takim u krye në Sarandë me kryetarin e bashkisë, z. Adrian Gurma. Tema e bisedës u soll rreth forcimit të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave në turizëm dhe ekonomi, si dhe te gjetja e mundësive për të binjakëzuar Sarandën me qytete bregdetare në Turqi.

Dhuratë e ambasadorit turk për drejtuesin e pushtetit lokal në Sarandë, z. Gurma, ishte botimi “Qytetërimi osman”. Botime të ALSAR-it iu dhuruan prej kryetarit të fondacionit, z. Gurra.

Vizitë u bë në Borsh në shkollën “Qazim Pali”, e ndihmuar gjithashtu nga Fondacioni ALSAR. Në vizitën në kalanë dhe në xhaminë e vjetër të Borshit ra në sy nevoja për ndërhyrje restauruese. Z. Mehdi Gurra e rishprehu këmbënguljen në idenë që restaurimin e xhamisë ta marrin përsipër TİKA dhe Diyanet-i turk.

Kryefjalë në të gjitha takimet në jug qe falënderimi nga drejtuesit lokalë dhe të institucioneve shkollore për ndihmën e dhënë, nevoja për vazhdimin e dhënies së saj, dhe çuarja më tej e bashkëpunimit.

Slide Slide Slide
soap 2 day