Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, priti për një vizitë pjesëmarrësit aktivë në veprimtarinë humanitare të shpërndarjes së fidanëve të agrumeve për familje të fëmijëve jetimë.
Vizitorët i shoqëronte koordinatorja e TİKA-s në Tiranë, Emine Gizem Başkan. Studentët turq ishin gjithashtu në shoqërinë e drejtuesit të tyre dhe të agronomit të ardhur nga Turqia.
Të rinjtë aktivistë, të ardhur në kuadër të programit të shkëmbimit të përvojave, mësuan nga mikpritësi, z. Gurra, për aktivitetin e gjerë shumëvjeçar të Fondacionit ALSAR. Ai u foli atyre për vëmendjen e madhe që i kushton fondacioni brezit të ri, formimit dhe përgatitjes së duhur të tij.
Në bisedën e lirshme me vizitorët u fol për veprimtaritë humanitare, për angazhimin në ndihmë të shoqërisë dhe të shtresave në nevojë. Me entuziazmin karakteristik të moshës, studentët e dëgjuan me kujdes fjalën e kryetarit të ALSAR-it dhe përfituan prej saj.
Vizita u mbyll me dhënien e dhuratave dhe bërjen e fotografive të përbashkëta.