Turqia në luftë me flakët, lutjet tona janë për të

Turqia ne flake

Vendi mik, partneri ynë strategjik, është prej ditësh nën pushtetin e flakëve. Zjarre masive kanë shpërthyer prej më pak se një jave në një pjesë të territorit të Turqisë, përgjithësisht përgjatë bregdetit të Egjeut dhe Mesdheut. Nga Manavgati në Marmaris, flakët kanë djegur shtëpi e kanë marrë jetë njerëzish. Një tragjedi e përmasave të jashtëzakonshme!

Pamje gati apokaliptike, rrëqethëse, përcillen nga mjetet e informimit: pyje, banesa e jetë të shkatërruara, përcëlluar nga zjarre të përhapura me furi prej të nxehtit ekstrem dhe erës së fortë.

Lufta me flakët është sfida e këtyre ditëve për popullin turk dhe qeverinë turke. Pjesa më e madhe e tyre janë vënë nën kontroll, ndërkohë që vazhdon e papushimtë përpjekja për të shuar çdo vatër zjarri. Presidenti Erdoğan ka premtuar mbështetje të plotë për të dëmtuarit, rindërtim të gjithçkaje të djegur, pyllëzim në tokat dhe pyjet e bëra shkrumb.

Dhe në këtë moment fatkeqësie, dhimbjeje e sfide për Turqinë mike, dhimbje ndiejmë edhe ne. Shpirtërisht jemi me popullin turk, e ndajmë me të dhimbjen dhe vuajtjen. Njëkohësisht, jemi të bindur se një popull i tillë i mësuar me sakrifica do t’ia dalë dhe kësaj sfide.

Fondacioni “ALSAR” shpreh ngushëllimet e sinqerta për jetët e humbura dhe dëmet materiale, duke u lutur që ky makth disaditor për Turqinë të marrë fund sa më parë.

Lutjet tona janë për Turqinë, për popullin turk!

soap 2 day