Në kuadër të ngjarjeve të 15 korrikut 2016, pranë pllakadës përkujtimore të 251 dëshmorëve të grushtit të shtetit të mbetur në tentativë në Republikën e Turqisë me iniciativën e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë u mbajt një ceremoni përkujtimore.
Në këtë organizim drejtuesi i Fondacionit ‘ALSAR’ z.Mehdi Gurra mbajti një fjalë mbi refleksionet dhe ndjenjat e përjetuara përgjatë natë së grushtit të shtetit në Turqi ku u shpreh se: ”15 korriku i 2016-s do të mbetet njolla më e errët në historinë e Turqisë moderne, nata kur një tufë puçistësh ngritën armët kundër popullit të tyre, në një tentativë të dëshpëruar për të rrëzuar nga pushteti qeverisësit legjitimë.
Zjarri i puçistëve la të vdekur 251 njerëz, të rënë dëshmorë në përpjekjen vigane për të frenuar çmendurinë e një grushti komplotuesish. Mijëra të tjerë morën plagë në një betejë të pabarabartë, në një përplasje mes civilëve patriotë, njerëzve të thjeshtë të Turqisë, që më në fund kishin vendosur t’i thonin jo një grushti shteti, dhe qindra tradhtarëve që në përdorim kishin një arsenal luftarak, avionë, helikopterë, anije, tanke, makina të blinduara, armë. Turqia kishte parë dhe më herët grushte shteti, një traditë e shëmtuar në republikën e dalë nga hiri i Perandorisë Osmane, por asnjëherë vendi nuk kishte njohur një zgjim të tillë qytetar, të simbolizuar në heroizmin e njeriut të dalë para tankut të puçistëve.
Të infiltruar në forcat e armatosura, në forcat policore, në sistemin e drejtësisë, gati në çdo qelizë të shtetit turk, kërkuan të çojnë në fund atë natë punën e nisur prej disa vitesh. Organizata okulte kishte vendosur të hiqte mantelin e “fetarisë” dhe të vishte rrobën puçiste!
FETO damkosi kështu përgjithmonë veten!
Armiqtë e popullit të vet goditën institucionet kryesore të vendit, qëlluan mbi qytetarët, morën peng njerëz dhe institucione, ushtruan terror, bastisën godina, zvarritën të pafajshëm, derdhën gjak.
Por më kot! Pika e kthesës atë natë të zezë ishte thirrja nëpërmjet televizionit e presidentit Recep Tayyip Erdoğan për popullin turk, për të dalë në rrugë e sheshe dhe për t’iu kundërvënë puçistëve.
Lumi i njerëzve shpërtheu atë çast, për të mos u ndalur për ditë e javë të tëra. Davaja e puçistëve ishte e humbur prej atij momenti. Një gjë e paimagjinueshme kishte ndodhur, e paparë më parë. Populli kishte frenuar një grusht shteti!
Me gjakun e qindra dëshmorëve, me sakrificën e mijëra të tjerëve, me guximin dhe vendosmërinë e një populli të tërë, u ruajt ardhmëria e Turqisë. Motoja, “Një popull, një flamur, një atdhe, një shtet,” mori kuptim më tepër se çdo herë. Angazhim të pasosur ka patur prej asaj kohe në Turqi për t’i shëruar plagët dhe për t’i mbyllur rrugën çdo përpjekjeje të ngjashme.
Vendi ia ka dalë të mëkëmbet dhe të lërë pas atë kujtim të hidhur, pa humbur asnjëherë vigjilencën dhe pa ndalur luftën ndaj mbetjeve të organizatës terroriste që organizoi grushtin e dështuar të shtetit. Dështimi i atij puçi qe një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët të cilët tek Turqia shohin vendin vëlla dhe partnerin strategjik. Ata vuajtën siç vuajtën turqit, u gëzuan siç u gëzuan turqit kur makthi mbaroi dhe dielli lindi përsëri.
Një Turqi e qëndrueshme dhe e begatë është siguri për shqiptarët në Ballkan; duke e ditur këtë, këta të fundit i shohin në dritë të syrit zhvillimet atje, me shpresën se puçi i shtatë viteve më parë nuk do të mund të përsëritet më. Emrat e 251 dëshmorëve në këtë pllakë përkujtimore kanë një domethënie që vlen në çdo vend: një popull i vendosur për të mbrojtur të ardhmen e vet nuk lejon askënd ta nëpërkëmbë e t’i marrë lirinë! Fondacioni “ALSAR”, një kontribues i përhershëm i forcimit të marrëdhënieve miqësore shqiptaro-turke, i kujton me nderime dhe sot të rënët dëshmorë të shtatë viteve më parë, siç ka bërë për çdo mot që nga 2016-ta. Çdo punonjës i “ALSAR”-it përkulet me nderim në përkujtim të 251 martirëve turq! Urimi i vetëm i çdonjërit prej tyre është: kurrë mos ardhtë më një 15 korrik i tillë për popullin mik turk!”
Në përshëndetje të këtij organizimi përkujtues mbi fitoren e demokracisë ndaj grushtit të shtetit Fondacioni ‘ALSAR’ për të gjithë të pranishmit e ndodhur në ambientet e Liqenit Artificial të Tiranës shpërndau embëlsira dhe ujë.