Botues të literaturës islame nga 30 shtete të botës, mes tyre dhe nga Shqipëria, u mblodhën në Stamboll për themelimin e një unioni dhe për mbajtjen e simpoziumit të parë. Pas një pune përgatitore njëvjeçare, takimi u mbajt më 18-19 shtator në Universitetin “Sabahattin Zaim” (İZÜ, İstanbul Sabahattin Zaim Üniversitesi). Mbështetje për mbajtjen e takimit themelues dhe simpoziumit dhanë Ministria e Kulturës dhe Turizmit e vendit pritës, Grupi Albayrak dhe TİKA.
Fondacionin ALSAR, si një botues me rritje të shpejtë e me ndikim të shtuar, dhe si të vetmin pjesëmarrës nga Shqipëria, e përfaqësoi në këtë takim themelues kryetari i tij, z. Mehdi Gurra.
Punimet e simpoziumit përgjatë dy ditëve u përshkuan nga diskutimet mbi gjendjen dhe nivelin ku gjenden sot në botë botimet e literaturës islame dhe mbi të ardhmen e tyre. Lufta ndaj islamofobisë dhe projektet e përbashkëta të botuesve patën kohën dhe vendin e tyre po ashtu në diskutime. Njëkohësisht u bë dhe zgjedhja e organeve drejtuese të Unionit Ndërkombëtar të Botuesve të Literaturës Islame.
Në ditën e parë të punimeve u lexuan përshëndetjet e kryetarit të Parlamentit të Turqisë, z. Mustafa Şentop, dhe të zëdhënësit të Presidencës së Republikës së Turqisë, prof. dr. İbrahim Kalın. Temë e trajtuar në sesionin e parë të simpoziumit, të drejtuar nga dr. Adnan Ismaili, drejtor i Shtëpisë Botuese Logos-A, me qendër në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, ishte, “Roli i sektorit botues në luftën ndërkombëtare kundër islamofobisë”. Objektivat e Unionit Ndërkombëtar të Botuesve të Literaturës Islame, projektet e përbashkëta, mënyra e veprimit dhe struktura administruese e unionit, ishin çështje të diskutuara në tre sesionet në vazhdim. Diskutimet mbi statutin, zgjedhja e anëtarëve të bordit dhe përvijimi i ecurisë së veprimit u bënë në ditën e dytë.
Në fjalën e tij në punimet e simpoziumit, kryetari i Fondacionit ALSAR shprehu kënaqësinë për krijimin e një unioni të tillë që do t’i shërbejë shkëmbimit të përvojave, ndërveprimit dhe koordinimit të veprimtarisë botuese të literaturës islame. Z. Gurra vuri në dukje rëndësinë e vështrimit perspektiv, të analizimit të kujdesshëm të zhvillimeve në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, veçanërisht në fushën teknologjike, për t’iu përgjigjur si duhet atyre. Ai propozoi mbajtjen çdo vit të një takimi me radhë në një prej vendeve të përfaqësuara në union. Tjetër propozim i tij ishte botimi në shumë gjuhë, posaçërisht në ato të pjesëmarrësve në union, i botimeve përmbledhëse mbi historinë islame të vendeve të përfaqësuara aty.
Botuesit nga Ballkani u vendos t’i përfaqësojë në kryesinë e unionit drejtori i Shtëpisë Botuese Logos-A, z. Adnan Ismaili, i zgjedhur dhe anëtar bordi. Detyra e kryetarit të bordit drejtues të Unionit Ndërkombëtar të Botuesve të Literaturës Islame iu dha rektorit të Universitetit “Sabahattin Zaim”, prof. dr. Mehmet Bulut.
Mbledhja e botuesve të literaturës islame në botë nën një strehë të përbashkët synon t’i japë hov bashkëpunimit në rritjen sasiore dhe cilësore të aktivitetit botues, të ndihmojë që literatura islame të arrijë më lehtë te lexuesi anembanë botës, të mbështesë kërkimin shkencor në fushën islame, dhe të rrisë nivelin e botuesve në këtë lëmë.