Veprimtari kulturore me rastin e 8 marsit

Me rastin e festës së Nënës, Departamenti i Arsimit i Fondacionit ALSAR në bashkëpunim me një grup studentesh vullnetare, organizoi më 8 mars 2018 një aktivitet edukues dhe argëtues, me dhe për fëmijët e kurseve dhe nënat e tyre.

Një moment i veçantë në këtë veprimtari festive ishte dhe programi artistik i përgatitur nga fëmijët, ku nën interpretimin e vargjeve poetike plot ndjenjë e emocion i dhuruan nënave të tyre ndjenja gëzimi e krenarie.

Gjatë aktivitetit për të pranishmit u shfaq edhe një film dokumentar kushtuar festës së nënës, i cili ndër të tjera përçonte mesazhin se nëna nuk meriton të respektohet e të kujtohet vetëm një herë në vit, ose një herë në muaj apo një herë në javë, por çdo ditë, “8 mars për nënën duhet të jetë e tërë jeta e saj”.

Çdo njëri nga fëmijët, kishte përgatitur nga një kartolinë për nënën; në kartolinë kanë shkruajtur një urim dhe një premtim! Është vënë re interesi, angazhimi dhe mbi të gjitha dëshira e fëmijëve për të përgatitur këtë “Dhuratë për Mamin”! Secili kishte një urim të ndryshëm, secili kishte një premtim të ndryshëm, secili kishte një ide për ta zbukuruar kartolinën ndryshe, por në sytë e të gjithëve lexohej e njëjta dëshirë nga të gjithë: “Të dhuronin Dashuri për nënën”!

Gëzuar Festën Nëna të Dashura e të Shtrenjta. Kjo festë përcjell mesazhin më të mirë që t’i respektojmë nënat tona, t’i falenderojmë ato për kujdesin, mundin dhe sakrificën ndaj nesh. T’i bëjmë të ndihen çdo ditë e më krenare e t’iu tregojmë sa shumë i duam.
soap 2 day