VEPRIMTARI KULTURORE ME RASTIN E FESTËS KOMBËTARE TË TURQISË

Me rastin e festës kombëtare të Turqisë, u zhvillua sot në sallën e konferencave të fondacionit ALSAR, një veprimtari kulturore e organizuar nga grupi i fëmijëve që frekuentojnë qendrën e kurseve të gjuhëve të huaja.

Në këtë veprimtari, na nderoi me pjesëmarrjen e tij ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë shkëlqesia e tij Z. Murat Ahmet Yörük i cili në fjalën e tij përshëndetëse për fëmijët pjesëmarrës që kishin përgatitur programin artistik tha se shqiptarët ndodhen gjithmonë në zemrën e turqve.

Duke ju drejtuar fëmijëve të pranishëm ambasador turk tha: “Ju jeni shumë të vlefshëm për ne, mos e harroni asnjëherë se edhe ju jeni bijtë tanë. Në të vërtetë ju jeni përfaqësuesit konkretë të marrëdhënieve të vërteta miqësore dhe vëllazërore të cilat janë të pranishme prej qindra vitesh mes turqve dhe shqiptarëve. Për këtë arsye festat tuaja janë festat tona dhe festat tona janë festat tuaja, prandaj uroj që edhe në periudhat në vijim të vazhdojmë të festojmë festat tona kombëtare me të njëjtin entuziazëm dhe të njëjtën lumturi”.

Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, ambasadori Yörük u shpreh se mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk ka kufij gjeografikë, por “duhet të dini se zemra e Turqisë rreh në Shqipëri, po ashtu edhe zemra e Shqipërisë rreh në Turqi.”

Fëmijët gjatë performancës se tyre artistike në këtë veprimtari, prezantuan në gjuhen turke një program me materiale artistike e letrare të përzgjedhura, dedikuar kësaj feste.

Të pranishmit ndër të tjera, u njohën edhe me mbarëvajtjen e kurseve të gjuhës turke, të cilat ofrohen falas dhe zhvillohen nën drejtimin e profesorit të dërguar nga Ministria e Arsimit e Republikës së Turqisë.

Kryetari i fondacionit Alsar Z. Mehdi Gurra gjatë fjalës së tij përshëndetëse i shprehu ambasadorit të Republikës së Turqisë në vendin tonë shkëlqesisë së tij Z. Murat Ahmet Yörük urimet më të përzemërta ku ndër të tjera tha : “Me rastin e festës kombëtare të Republikës së Turqisë, iu shpreh Ju shkëlqesi ambasador, dhe nëpërmjet jush popullit vëlla turk përshëndetjet dhe konsideratat më të larta, duke iu uruar suksese të mëtejshme në rrugën drejt progresit e prosperitetit tuaj kombëtar”.

soap 2 day