Fondacioni ALSAR zhvilloi këtë të premte, në ditën e parafundit të nëntorit, një aktivitet kulturor në Korçë, me studentë të këtij qyteti.
Me praninë e kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, si dhe të punonjësve të tjerë të entit, takimi me të rinj e të reja të zonës pati një të ftuar të veçantë, kryetarin e shoqatës ADEMDER me qendër në Turqi.
Drejtuesi i institucionit homolog dhe bashkëpunues në tre fushat kryesore të veprimtarisë, prof. dr. Ahmet Şimşirgil, do t’u drejtohej studentëve me një fjalë dobiprurëse, duke u ndalur së pari në misionin, programin dhe aktivitetin e shoqatës ADEMDER në Turqi. Ai foli për marrëdhëniet historike midis dy popujve, për bashkëjetesën shekullore, për vlerat e përbashkëta dhe rëndësinë e kësaj trashëgimie nga pikëpamja e perspektivave të së ardhmes.
Mysafiri u ndal në rolin e elementit shqiptar në Perandorinë Osmane, në specifikat dhe në integrimin e tij brenda sferës së gjerë perandorake, me përfaqësues dhe në strukturat qeverisëse, të denjë dhe me peshë në rolin historik. Ilustrimi me shifra dhe me shembuj personalitetesh, duke përmendur ndër ta dhe emra me lidhje të fortë me Korçën, si Koçi Bej dhe Iljaz Bej Mirahori, e bëri fjalën mjaft interesante për t’u ndjekur.
Ndalesa në burimet e fuqisë së Perandorisë Osmane, trajtesa e zhvillimit historik të saj, shtrirja dhe qytetërimi që i ofroi njerëzisë, me një fokus të posaçëm në rajonin ballkanik dhe në trevat shqiptare, përbënë një pjesë të mirë të ligjërimit të folësit. Prof. Dr. Ahmet Şimşirgil e vuri theksin te spikatja e drejtësisë dhe barazisë së etnive, si dhe te e drejta e përfshirjes në ushtrimin e sundimit territorial, gjithnjë i përqendruar në historikun e Perandorisë Osmane.
Një hapësirë kohore iu kushtua pyetjeve të studentëve dhe intelektualëve në sallën e mbushur të takimit, të interesuar për të folur e dëgjuar, mes të tjerash, mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, mbi aktin e Pavarësisë, e mbi rolin e Perandorisë Osmane në zhvillimet e referuara.
Për studentët e pranishëm, rreth 100, u dhuruan botime të Fondacionit ALSAR, tituj dhe literaturë prej nga mund të përfitojnë së tepërmi në rrugëtimin e tyre në kërkim të dijes. Një fotografi e përbashkët e të pranishmëve lajmëroi mbarimin e aktivitetit kulturor.
Takimi qe një tjetër dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Fondacionit ALSAR për Korçën me veprimtari humanitare, arsimore dhe kulturore.