Vijojnë botimet tona: një libër mbi alkiminë e shpirtit në epokën e tejmodernizmit nga studiuesi Nexhat Ibrahimi

Produkt i aktivitetit botues të Fondacionit ALSAR në këto ditë përcëlluese gushti, ku thuajse gjithçka ka ndalur, por jo ai, është dhe libri i një studiuesi të mirënjohur të përtej kufirit e që meriton respekt pa kufi për punën e palodhur krijuese.

Kontribues këmbëngulës në pasurimin e kulturës islame shqiptare, i pandalur në të shkruar, autor i dhjetëra librave të botuar, studiuesi Nexhat Ibrahimi i paraqitet libërdashësit shqiptar me një tjetër vepër.

“Alkimia e shpirtit në epokën e tejmodernizmit” sapo e ka parë dritën e botimit dhe shpejt do të jetë në duart e lexuesve.

I mbushur me referenca kur’anore dhe me poshtëshënime, libri luan rol dëftues, përkujtues, këshillues. Si në rastin, për shembull, kur trajtohet “fjala”: “Frytet e fjalës së sinqertë, fjalës së mirë, fjalës së butë, fjalës së ëmbël, fjalës së respektit, dhe pasojat e fjalës së rrejshme, fjalës së keqe, fjalës shpifëse, kanë përfundime të ndryshme. Fjala e sinqertë çon në xhenet, kurse fjala e rrejshme çon në xhehenem” (fq. 31).

Nxitur nga ajete të Kur’anit në shtjellimin e idesë së tij për veprën, autori nënvizon, mes rreshtash, se, “Muslimani e ka për detyrë të jetë në anën e atyre fjalët dhe veprat e të cilëve janë korrekte. Të tillë ka mjaft në mesin e atyre që njohim dhe në mesin e atyre që nuk njohim, të afërm e të largët, të pasur e të varfër, zejtarë, bujq, meshkuj e femra” (fq. 173).

Në një tjetër rast, në një tjetër faqe dhe mbi një tjetër temë, por brenda së njëjtës strukturë mendimi, në vëmendje është edukimi. “Mirëpo, edukimi islam i fëmijëve duhet të jetë i hershëm, që nënkupton, edukimi duhet të jetë i pranishëm te prindërit e fëmijës së porsaardhur” (fq. 248).

Libri do ta bëjë menjëherë për vete lexuesin me lëndën e vet tërheqëse, pjesëza të së cilës i cituam pikërisht për këtë. Përtej titullit filozofik, leximi do (duhet) të rrjedhë i pandërprerë.

Nexhat Ibrahimi është në fushën e tij studimore dhe krijuese me këtë vepër, ndërsa e veçanta e librit është botimi nga Fondacioni ALSAR.

soap 2 day