Zhvillohet ceremonia e dhënies së bursave të ekselencës për studentë të universiteteve publike

Fondacioni ALSAR ka zhvilluar një veprimtari mjaft kuptimplote në Ditën e Mësuesit, më 7 mars.

Në kuadër të aktivitetit arsimor të fondacionit, në ambientet e hotelit “Tirana International” është mbajtur një takim me studentë të ekselencës të universiteteve publike, shoqëruar dhe nga ceremonia e dhënies së bursave për vitin akademik 2023-2024.

Të pranishmit i përshëndeti fillimisht kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, që në fjalët e thëna theksoi angazhimin e institucionit të drejtuar prej tij në ndihmë të arsimimit të brezit të ri.

Studentëve në sallë iu drejtua me një fjalë atasheu i Arsimit pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, z. Metin Bulut.

Rëndësia e shkollimit për një të ardhme të mirë individuale dhe shoqërore dhe mbështetja e vazhdueshme e Turqisë në fushën e arsimit për të rinjtë e të rejat e vendit tonë përbënë thelbin e asaj çfarë tha z. Bulut.

Një tjetër folës në takim ishte përfaqësuesi i zyrës së koordinimit për çështjet fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, z. Bilal Yavuz.

Ashtu si dhe te parafolësit, kryefjalë e tij ishte edukimi i rinisë, shkollimi serioz. Ai preku, përmes interpretimit të një karakteri fetar, temën e shfrytëzimit si duhet të kohës nga të rinjtë, fokusimin në gjërat me vlerë dhe që i shërbejnë mbarëvajtjes së tyre.

Në sallë u dallua dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të organizatës së ndihmave me qendër në Gjermani, HASENE, me kontributin e së cilës u mundësua një dhurim librash për studentët.

Bursat u dhanë në ceremoni për 80 studentë të universiteteve publike, të Tiranës, Korçës dhe Shkodrës.

soap 2 day