Zhvillohet në Kukës ceremonia e inaugurimit të Qendrës Rinore Ndërkulturore Shqiptaro-Turke.

Këtë të mërkurë, më 20 mars, ka hapur dyert në qytetin e Kukësit një qendër multifunksionale në shërbim të të rinjve, që do t’u mundësojë atyre të zhvillojnë aktivitete të ndryshme dhe të shfrytëzojnë një bibliotekë me libra në shqip dhe turqisht.

Qendra Rinore Ndërkulturore Shqiptaro-Turke ka marrë jetë falë punës së përbashkët të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TİKA, dhe Fondacionit ALSAR.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të qendrës rinore ishin ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, nënkryetari i TİKA-s, z. Mahmut Çevik, koordinatori i kësaj agjencie në Tiranë, z. Mustafa Ata, këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Turqisë, z. Metin Bulut, kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, z. Albert Halilaj.

Aktivitetin e ndoqën mësues, nxënës dhe prindër të qytetit të Kukësit.

Folës në ceremoni, nënkryetari i TİKA-s, z. Mahmut Çevik, dhe ambasadori turk në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, theksuan miqësinë e gjatë të dy popujve, bashkëjetesën shekullore, dhe sipërmarrjet e TİKA-s në shumë fusha të jetës në Shqipëri, posaçërisht në atë kulturore.

Kjo qendër do të kontribuojë për kulturën e bashkëjetesës,” tha mes të tjerash z. Çevik.

Mbështetjen e dhënë nga Turqia, dhe nga TİKA konkretisht, e nënvizuan kryetari i Bashkisë së Kukësit, z. Albert Halilaj, dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, të cilët shprehën dhe falënderimet me këtë rast.

TİKA mundësoi rikonstruksionin dhe pajisjen e qendrës me mjetet e duhura.

Fondacioni ALSAR, me prani të kahershme në Kukës me veprimtari humanitare, arsimore dhe kulturore, ka hapur në këtë qytet që në vitin shkollor 2017-2018 kurset e gjuhës turke për nxënës të shkollave publike.

Dy institucionet, ALSAR dhe TİKA, kanë konsoliduar ndër vite bashkëpunimin, me aktivitete të përbashkëta në ndihmë të komuniteteve lokale dhe shtresave në nevojë.

soap 2 day