ZHVILLOHET PANAIRI “HARMONIA E KULTURAVE ”

Fondacioni “ALSAR”, me rastin e ditës botërore të diversitetit kulturor zhvilloi në mjediset e Hotel “Tirana International”, ceremoninë e hapjes së panairit “Harmonia e kulturave” një veprimtari kjo e realizuar në bashkëpunim me studentët e huaj që studiojnë në vendin tonë, tashmë e shndërruar në një traditë që ndiqet e pasurohet ndër vite.

Në këtë veprimtari gjatë fjalës së tij përshëndetëse Kryetari  i Fondacionit “ALSAR”, Z.Mehdi Gurra ndër të tjera u shpreh se “Është viti i tretë që organizojmë këtë aktivitet. Në Shqipëri ka shumë studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët me kontaktet që kanë vendosur me bashkëmoshatarët e tyre nëpër universitete nuk ndihen të huaj. Ato janë integruar në shoqërinë shqiptare dhe si të gjithë studentët vendas edhe ata po vazhdojnë kryerjen e studimeve”, “Kjo veprimtari synon të nxisë, kultivojë dhe zhvillojë kulturën kombëtare te të rinjtë, si dhe të promovojë rritjen e ndërgjegjësimit për marrëdhëniet ndërmjet kulturave,duke e konsideruar diversitetin kulturor si “Trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit” dhe ruajtjen e tij – një aksion konkret dhe etik të pandashëm nga respekti për dinjitetin njerëzor. Kulturat ndihmojnë popujt të jetojnë në harmoni”. tha Gurra.

 

Zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Z.Sinan Cem Baş, i pranishëm në panairin “Harmonia e Kulturave”, u shpreh se, “është një pamje e mrekullueshme kjo që po shikojmë sot këtu, ku ka studentë nga vende të ndryshme të botës. Nga pikëpamja gjeografike Shqipëria është një vend i vogël, por duke parë diversitetin e bashkëjetesës e shumë elementëve të ndryshëm në këtë vend, nuk është në dorën tonë që të mos mrekullohemi nga kjo pamje. Cilësia më e mirë që i simbolizon shqiptarët është tolerance dhe bashkëjetesa që kanë midis tyre. Në Shqipëri disa terma si racizmi apo terma të tjerë negativë nuk ekzistojnë. Në këtë pikëpamje, dua të theksoj se Shqipëria është shumë më përpara se disa shtete evropiane”,

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Z.Abaz Hado, në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitet shprehu mbështetjen për organizimin e aktiviteteve të tilla.“Sot ne jemi në një vorbull të rëndësishme të emigracionit dhe të lëvizjeve të kulturave të ndryshme, shpërngulje masive të njerëzve për arsye të ndryshme, por që vendosen në disa sisteme të tjera, të cilat pasqyrojnë atë kulturë dhe trashëgimi që sjellin me vete këto lëvizje të kulturave të ndryshme. E parë në aspektin e shkëmbimeve kulturore mes shteteve të ndryshme edhe Shqipëria është bërë pjesë integrale e kësaj lëvizjeje, duke shkëmbyer jo vetëm emigracion, por edhe kultura të shteteve të ndryshme, nëpërmjet studentëve që vijnë këtu”, tha Hado.

Ne kete veprimtari  përshëndeti edhe  Dr. Halil Hyseni, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se stendat e vendeve të ndryshme në këtë panair, janë një mundësi që studentët dhe të rinjtë të prezantojnë kulturën e tyre nga vendet që përfaqësojnë, dhe të gjejnë pikat e lidhjes mes tyre. “Njerëzimi ka një gjë të përbashkët, krijimin e paqes dhe harmonisë midis popujve dhe sa herë që institucionet dhe organizatat e ndryshme përpiqen dhe realizojnë krijimin e lidhjeve ata bëjnë të mundur krijimin e urave dhe bëjnë vërtetë një gjë shumë të mirë, që krijojnë mundësinë e lidhjes dhe komunikimit”, u shpreh Z.Hyseni.

Në panairin “Harmonia e kulturave” organizuar nga Fondacioni “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR), të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Turqia, Italia, SHBA-ja, Spanja, Egjipti, Kanadaja, Irlanda, Polonia, Holanda, Kuvajti dhe Palestina prezantuan kulturat e vendeve të tyre në stenda promovuese.
Studentët prezantuan vendet historike të shteteve që përfaqësojnë, kulturën, artin, veshjet tradicionale, monumentet historike, etj.

Gjatë veprimtarisë u shfaq edhe dokumentari “Harmonia e kulturave”. Në përmbyllje të kësaj veprimtarie studentëve përfaqësues iu akorduan çertifikata vlerësimi dhe mirënjohjeje.

soap 2 day