Zv.Kryetari i Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Turqisë (YOK), Prof.dr. Rahmi ER zhvilloi më datë 29 korrik 2019 një vizitë në selinë e Fondacionit “ALSAR.
Ai u prit nga Z. Mehdi Gurra kryetar i Fondacionit ALSAR, i cili pas urimit të mirëseardhjes e njohu mikun e nderuar me misionin dhe vizionin e institucionit që drejton, duke i bërë një përshkrim të hollësishëm veprimtarisë arsimore, kulturore dhe humanitare të fondacionit “ALSAR” në shërbim të shoqërisë shqiptare.
Në fokus të këtij takimi të zhvilluar në një frymë të ngrohtë dhe miqësore, biseda u përqëndrua edhe në fushat ku mund të zhvillohet marrëdhënia e bashkëpunimit ndërinstitucional ku ndër të tjera u theksua çështja e akordimit të bursave të studimit gratis dhe pranimin e kandidatëve nga Shqipëria të propozuar nga Fondacioni “ALSAR”, që dëshirojnë të studiojnë në fakultete e degë të ndryshme të universiteteve turke, në kushte optimale arsimimi të standardeve bashkëkohore e ndërkombëtare.
Prof.dr. Rahmi ER nga ana e tij vlerësoi rolin dhe kontributin e Fondacionit “ALSAR” në këtë drejtim, duke u ndalur veçanërisht në veprimtarinë e tij arsimore përmes projekteve të akordimit të bursave të studimit, organizimit të konferencave dhe kurseve të mësimdhënies së gjuheve të huaja.