Fondacioni “ALSAR” në bashkëpunim me Agjencinë “TIKA” e Turqisë ka realizuar shpërndarjen e kontigjentit të dytë të ndihmave në pako ushqimore nga i cili përfituan 3500 familje të fëmijëve jetimë në mbarë vendin , në ditët e solidaritetit human ndaj familjeve e shtresave sociale në nevojë me rastin e muajit të begatë të Ramazanit. Duke u perpjekur kështu për të trokitur në derën e shtëpisë se çdonjërit prej tyre, qoftë edhe në një distancë të largët gjeografike, për të kontribuar sadopak në lehtësimin e vështirësive të tyre ekonomike.
TIKA ka ofruar gjithsej 3500 pako me ushqime për familjet në nevojë në Shqipëri, ndërsa në aktivitetin e realizuar me date 24 maj 2018 janë shpërndarë rreth 1000 pako me ushqime për fëmijët jetimë
Në ceremoninë e shpërndarjes së ndihmave për fëmijët jetimë në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në fjalën e tij tha se me ambasadën turke dhe Agjencinë TIKA”kemi qenë gjithmonë bashkë.”
“Kemi qenë bashkë kur ka pasur përmbytje, kur kemi ndërtuar kopshte, kemi qenë bashkë kur kemi mbjellë pemë. Kemi qenë bashkë kur kemi ndërtuar kënde lodrash dhe më vjen mirë që jemi përsëri bashkë në këtë aktivitet solidariteti me rastin e muajit të Ramazanit, për të gjithë familjet dhe fëmijët në nevojë në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.
Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha gjatë aktivitetit se Turqia gjithmonë është pranë njerëzve në nevojë.
“Siç e dini muaji i Ramazanit është muaji i solidaritetit, vëllazërisë dhe për të qenë bashkë. Gjithashtu muaji i Ramazanit është muaji i ndihmës, solidaritetit dhe i zgjatjes së dorës për ata që janë në nevojë dhe muaji që i bën njerëzit më të mirë. Ne sot jemi këtu për t’iu zgjatur dorën e ndihmës vëllezërve tanë shqiptarë në këtë muaj të bekuar. Ju nuk jeni asnjëherë vetëm, shteti dhe populli turk janë gjithmonë pranë jush”, tha ambasadori Yörük.
Kryetari i Fondacionit “ALSAR”, Z.Mehdi Gurra, u shpreh se deri tani kanë bërë të mundur shpërndarjen e ndihmave për jetimët në disa qytete të Shqipërisë.
Ai, duke folur në këtë ceremoni tha se “Prej vitit 2008 jemi munduar të mbështesim dhe ndihmojmë familjet në nevojë dhe fëmijët jetimë. Shpresoj se kjo ndihmë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”. “Fondacioni ynë në muajin shenjtë të Ramazanit është angazhuar për të ndihmuar 7500 familje. Deri tani kemi bërë të mundur ndarjen e ndihmave për jetimët në qytetet Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Pogradec, Bilisht, Korçë, Ersekë, Fushë-Krujë, Laç, Lezhë, Shkodër dhe Koplik. Në ditët në vijim do të jemi në qytetet e Bulqizës, Peshkopisë dhe Kukësit”, tha Gurra.
Pjesë e aktivitetit ishin edhe koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Z.Necip Özay Özütok, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, si dhe prindër të fëmijëve jetimë.