Tag Archives: aktivitet humanitar

Veshmbathje për fëmijë jetimë, veprimtari humanitare e mbështetur nga IHH me qendër në Holandë

Nën kujdesin e Fondacionit ALSAR, fëmijët jetimë janë përfitues të vazhdueshëm të ndihmave të ndryshme, të mundësuara nga projekte të realizuara në bashkëpunim me organizata, shoqata dhe fondacione partnere.

Nga një projekt i tillë përfituan këtë të hënë 50 fëmijë jetimë, ndihmuar me veshmbathje.

Përmes projektit të veshjeve për jetimët, të organizatës së ndihmave humanitare me qendër në Holandë, IHH, çdo fëmijë jetim mori dhuratë një palë pantallona, një bluzë apo triko, dhe një palë çorape.

Jetimët u çuan dhe në një qendër tregtare për t’i zgjedhur veshjet e tyre.

Në ceremoninë e shpërndarjes, zhvilluar në mjediset e Fondacionit ALSAR, ishin të pranishëm dhe përfaqësuesit e IHH-së me qendër në Holandë.

Projekti i realizuar është veç një nga dhjetëra projekte ndihme për jetimët që realizohen përgjatë gjithë vitit.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar femijet jetim veshmbathje” alias=”postim-alsar-femijet-jetim-veshmbathje”]

Fondacioni ALSAR dhuron fidanë për gjelbërimin e Tiranës

Kontribues në përmirësimin e cilësisë së jetesës në kryeqytet, në gjelbërimin e hapësirave, të mjedisit tonë rrethues, Fondacioni ALSAR ka dhuruar 100 fidanë, destinuar për t’u mbjellë buzë një rruge të re.

ALSAR e organizoi ceremoninë e dhurimit në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, në një akt tjetër kontributi për kryeqytetin.

Dhuruar në kuadër të nismës “Dhuro për Tiranën”, pemët e reja janë mbjellë në praninë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, dhe të kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Në ceremoninë e dhurimit dhe të mbjelljes kanë qenë i pranishëm dhe personeli i Fondacionit ALSAR, së bashku me studentë nën kujdesin e ALSAR-it.

Erion Veliaj shprehu mirënjohjen për Fondacionin ALSAR në emër të banorëve të kryeqytetit, duke e vlerësuar lart këtë kontribut të përsëritur për gjelbërimin e Tiranës.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, e çmoi nismën e Bashkisë për ta bërë Tiranën sa më të gjelbëruar dhe shprehu kënaqësinë që institucioni i drejtuar prej tij i është bashkuar me kohë nismës.

Një Tiranë e gjelbëruar u siguron qytetarëve të saj ajër dhe mjedis më të pastër, jetë më të bukur dhe më të lumtur. ALSAR prej vitesh kontribuon për një Tiranë të tillë.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar mbjellim peme” alias=”postim-alsar-mbjelim-peme”]

Aktiviteti humanitar i ALSAR-it në 2021-shin, dhjetëra projekte, mijëra të ndihmuar

I përkushtuar në përmbushjen e objektivave në të tre komponentët e veprimtarisë së tij, Fondacioni ALSAR i kushtoi rëndësi të veçantë dhe gjatë 2021-shit, si në çdo vit tjetër, aktivitetit humanitar, për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë, për t’ua lehtësuar jetën dhe për t’u dhënë shpresë për një të ardhme më të mirë.

Kujdes dhe ndihmë maksimale u tregua dhe u dha për fëmijët jetimë. Familjet e tyre përfituan po ashtu ndihma të ndryshme. Ndihma ushqimore dhe materiale përfituan shtresa në nevojë, familje të varfra, familje të të verbërve, të sëmurë në fazë terminale.

“Ditët e solidaritetit me fëmijët jetimë”, “Përkujdesja sociale ndaj fëmijëve jetimë, një kontribut i shquar në ndihmë të shoqërisë”, “Ditët e solidaritetit human me njerëzit në nevojë”, “Ditët e solidaritetit human gjatë Ramazanit”, “Solidaritet në ditë feste”, “Dora e ngrohtë e bamirësisë në stinën e dimrit”, ishin moto dhe projekte që e nxitën dhe e udhëhoqën punën e ALSAR-it në ndihmë të të pamundurve, të të papasurve, të nevojtarëve.

Aktiviteti humanitar u përqendrua te ndihma humanitare për të prekurit nga përmbytjet, te ndihma humanitare për familje në nevojë, ndihma në përmirësimin e kushteve të jetesës për familje në nevojë, ndihma me fidanë ullinjsh dhe arrash për familje të fëmijëve jetimë, ndihma ushqimore për të sëmurë rëndë, ndihma në veshmbathje për nevojtarë, ndihma financiare për fëmijët jetimë, ndihma në artikuj higjienikë dhe në aparatura mjekësore, dhurimi i mishit të kurbanit, shpërndarja e pakove me ushqime në zona të ndryshme të vendit, ardhja në ndihmë me mish “Adak”, dhënia e batanijeve dhe lëndës drusore për ngrohje në të hyrë të dimrit, etj.

Intensitet i madh aktiviteti e shoqëroi muajin e Ramazanit, me ndihmat e shumta të dhuruara, ushqimore, financiare, në veshmbathje, me shtrimin e iftareve. Banorë fshatrash dhe qytetesh, besimtarë, nevojtarë, fëmijë jetimë dhe familje në nevojë, e ndienë pranë solidaritetin human të Fondacionit ALSAR dhe të partnerëve të tij ndërkombëtarë. Për të përmendur si shembull, vetëm gjatë muajit të Ramazanit u shpërndanë 8050 pako me ndihma ushqimore, u shtruan iftare apo u dha i paketuar ushqimi i iftarit për 7500 persona, dhe u dhuruan veshmbathje për 432 fëmijë jetimë.

Gjeografia e ndihmave përfshiu Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Kavajën, Dibrën, Krujën, Lushnjën, Elbasanin, Librazhdin, Gramshin, Mallakastrën, Pogradecin, Klosin, Belshin, Përrenjasin, Maliqin, etj., dhe rrethina të tyre.

E tërë kjo ndihmë e dhënë u bë e mundur me mbështetjen e organizatave dhe fondacioneve partnere, të donatorëve të ndryshëm, që meritojnë pa dyshim falënderim për kontributin e dhënë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer. Disa prej tyre kanë sigurisht kontribut më të madh, të shtrirë në kohë, e disa më të vogël dhe sporadik, por çdonjëri bashkëpunëtor i ALSAR-it vlen të përmendet këtu, duke nisur nga WEFA, HASENE, IHH me qendër në Holandë, UKIM, UK Islamic Mission, ATİB, HAYRAT, TİKA, Organizata Botërore Islame e Bamirësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve dhe Ambasada e Shtetit të Kuvajtit, Konfederata Sindikale Turke HAK-İŞ, Rumeli Vakfı, ADEMDER, IHH me qendër në Belgjikë, Avrupa Yardım Vakfı, AYDER, Qendra Islame Shqiptare në Londër, IGMG Hasene Hilfs-und Sozialverein, EMIN, Global One.

Si dhe në vitin paraardhës, aktiviteti humanitar i ALSAR-it u vështirësua nga kufizimet e vëna prej pandemisë, sidoqoftë pa u ndaluar apo zvogëluar. Të vendosur në përmbushjen e misionit të vënë vetes që në ditën e parë e krijimit të fondacionit, drejtuesit dhe punonjësit e ALSAR-it punuan pareshtur për ta çuar ndihmën te çdo nevojtar. “Alternativa e së Ardhmes” u erdhi në ndihmë gjatë vitit 2021 me projektet e saj mijëra njerëzve, shprehu solidaritet me ta dhe ua pakësoi sadopak hallet. Në më tepër se një dekadë e gjysëm, ky është një aktivitet humanitar i pandërprerë për asnjë çast, për asnjë ditë!

[rev_slider slidertitle=”postim alsar ndihma e reja 2021 1″ alias=”postim-alsar-ndihma-2021-e-reja-1-1-1-1″]

Në Librazhd me projektin e HAYRAT-it, dhurohen 500 fidanë arrash për familje të fëmijëve jetimë

Në kuadër të aktivitetit të vazhdueshëm humanitar në ndihmë të shtresave në nevojë të shoqërisë sonë, Fondacioni ALSAR organizoi sot, më 19 janar, shpërndarjen e fidanëve të arrave në Librazhd për familje të fëmijëve jetimë.
Dhurimi i fidanëve u bë me mbështetjen e HAYRAT-it, organizmit të ndihmave me qendër në Turqi.
500 fidanë arrash iu dhuruan 20 familjeve të fëmijëve jetimë. Çdonjë prej tyre mori 25 fidanë, një numër i konsiderueshëm për të vënë bazat e një ekonomie të shëndoshë të vogël familjare.
“Projekti i fidanëve” i HAYRAT-it, në mbështetje të jetimëve, është një dritë shprese për ta, si një burim të ardhurash të vazhdueshme, për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt.
Përfituesit në Librazhd nga ky projekt u shprehën mirënjohjen dhuruesve për solidaritetin e treguar dhe për ndihmën materiale të dhënë.
ALSAR-i dhe HAYRAT-i bashkëpunojnë prej kohësh për realizimin e projekteve të ngjashme humanitare, duke dërguar ndihma atje ku nevoja është më e ngutshme.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar ndihma librazhd” alias=”postim-alsar-ndihma-librazhd2″]

Ndihma dimërore, nevojtarë marrin dru për ngrohje

Në vazhdën e veprimtarive humanitare në ditët e fundit të vitit, për familje në nevojë janë shpërndarë sasi të konsiderueshme lënde drusore për ngrohje.

Aktiviteti humanitar u zhvillua në kuadër të projektit të ndihmës dimërore, realizuar në partneritet mes Fondacionit ALSAR dhe WEFA-s, organizatës ndërkombëtare të ndihmave me qendër në Gjermani.

Shpërndarja e lëndës drusore për ngrohje u bë në Tiranë, Gramsh, Kukës, dhe përfituese ishin 200 familje në nevojë.

Ndihma me dru për ngrohje për nevojtarët pasoi ose bashkëshoqëroi dy veprimtari të tjera humanitare të mbështetura nga WEFA në këto ditë solidariteti human me shtresat në nevojë, atë të dhënies së ndihmës financiare të zekatit për fëmijë jetimë dhe të dhurimit të pakove me ushqime për familje në kushte jo të mira ekonomike.

Fondacioni ALSAR u shpreh mirënjohjen organizatave partnere për bashkëpunimin në realizimin e projekteve humanitare në ndihmë të shtresave në nevojë.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar ndihma familjet 1 1″ alias=”postim-alsar-ndihma-familjet-1-1″]

ALSAR dhe WEFA pranë familjeve në nevojë, u vijnë në ndihmë me pako ushqimore

Për tre ditë me radhë, nga e hëna në të mërkurën e javës së fundit të dhjetorit, punonjës të Fondacionit ALSAR dhe të WEFA-s, organizatës ndërkombëtare të ndihmave me qendër në Gjermani, kanë shpërndarë pako me ushqime për familje në nevojë në zona të ndryshme të vendit.

Në kuadër të projektit të ndihmës dimërore, të mbështetur nga WEFA, pako ushqimore janë shpërndarë për 250 familje në nevojë, jetimësh apo ndryshe, në Tiranë, Gramsh, Lurë dhe Kukës.

Shprehje e solidaritetit human me shtresat në nevojë, ndihma në ushqime ua lehtëson sadopak gjendjen këtyre familjeve në këtë stinë dimri.

Karakterizuar nga përkushtimi i vazhdueshëm për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë, Fondacioni ALSAR realizon në vijimësi projekte ndihme në bashkëpunim me organizata partnere.

Një e tillë, WEFA, mbështeti një numër aktivitetesh humanitare gjatë këtyre ditëve, në ndihmë të fëmijëve jetimë dhe të familjeve në nevojë.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar ndihma familjet 1″ alias=”postim-alsar-ndihma-familjet-jetim-1″]

soap 2 day