Fondacioni ALSAR po e thellon dhe më tej në këtë Ramazan traditën e bukur të shtrimit të iftareve. Njëkohësisht, e bashkëshoqëron shtrimin e iftareve dhe dhurimi i paketimeve me ushqim të parapërgatitur për iftar.
Agjërues në qytete apo lokalitete të ndryshme të vendit, banorë, njerëz në nevojë, janë mbledhur dhe mblidhen në tryezat e shtruara në frymën e solidaritetit dhe të socializimit, aq të prekshëm gjatë këtij muaji.
Në saje të kontributit të WEFA-s, organizatës së ndihmave ndërkombëtare me qendër në Gjermani, projekti i iftareve ka gjetur zbatim këto ditë në tre qytete, Peshkopi, Elbasan dhe Tiranë.
Një numër i përgjithshëm prej 500 personash kanë mundur të shijojnë iftarin e përbashkët apo të marrin paketime me ushqim të parapërgatitur.
WEFA, prej shumë kohësh partnere dhe bashkëpunuese me Fondacionin ALSAR, mundësoi dhe realizimin e disa aktiviteteve të tjera humanitare në Ramazan.











































