Mbështetja e të rinjve në rrugën e dijes është një veprimtari gjithëvjetore e Fondacionit ALSAR, konkretizuar me realizime projektesh në mjedise të universiteteve publike.
Në kuadër të dhënies së bursave të ekselencës për studentë të këtyre universiteteve, një aktivitet i këtillë arsimor u zhvillua këtë të hënë, më 30 mars, në qytetin e Vlorës.
Për dhjetë studentë të Universitetit “Ismail Qemali” u dha kësti i dytë i bursave të ekselencës. Me këstin e dhënë sot u plotësua kjo mbështetje financiare për studentë të shkëlqyer të këtij institucioni universitar për këtë vit akademik.
Një ceremoni të thjeshtë pati në mjediset e bibliotekës së universitetit, e bashkë me të dhe një bisedë me studentët pjesëmarrës.
Drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku, u foli të rinjve për aktivitetin e fondacionit në tre fusha, humanitare, arsimore, kulturore, për përkrahjen e brezit të ri, për rëndësinë e arsimimit dhe të përgatitjes së duhur për të nesërmen, për ndikimin e leximit në formimin e përgjithshëm, etj.
Teksa e bëri të qartë angazhimin e Fondacionit ALSAR për t’u qëndruar pranë të rinjve e për t’i ndihmuar në përpjekjet për shkollim, z. Rusheku u bëri një ftesë të hapur studentëve të paraqesin pranë fondacionit projekte studimore që mund të kërkojnë mbështetje për t’u çuar më tej. “Fondacioni ALSAR është një derë e hapur për ju,” u tha ai djemve e vajzave në bashkëbisedim.
Zarfet me këstin e dytë të bursës së ekselencës u dhanë nga përfaqësuesi i Fondacionit ALSAR për çdo student përfitues.



































