Category Page: Arsimore

    Mbështetja e të rinjve në arsimin e lartë, në Fondacionin ALSAR jepen bursa për studentë të ekselencës të universiteteve publike

    Fondacioni ALSAR zhvilloi këtë të martë, të 30 shtatorit, aktivitetin e tretë në radhë në nisje të kësaj jave.

    Ai i përkiste fushës së arsimit, dhënies së bursave për studentë të ekselencës të universiteteve publike.

    Projekti u konkretizua në ambientet e fondacionit, ku u pritën përfituesit e bursave, vajza e djem të etur për të studiuar në nivele të larta.

    Bursat u dhanë për 31 studentë, përgjithësisht të Universitetit të Tiranës, e një prej tyre përfitoi dhe një kompjuter portativ, laptop.

    Zhvillimin e projektit e bëri të mundur organizata humanitare IHH me qendër në Holandë, përfaqësues të së cilës morën pjesë në veprimtarinë dhuruese.

    Në kuadër të aktivitetit të tij arsimor, Fondacioni ALSAR është tashmë në vitin e 12-të të mbështetjes së studentëve të ekselencës me bursa studimi.

    Nxënësve në Çërravë të Pogradecit u dhurohen çanta dhe mjete shkollore

    Ndërthurja e aktivitetit humanitar me atë arsimor është një praktikë e konsoliduar e Fondacionit ALSAR posaçërisht në ditët dhe në javët e para të fillimit të vitit të ri shkollor.

    Në bashkërendim me partnerë të huaj realizohen shpërndarje të mjeteve shkollore, më së pari çanta, atje ku çmohet e nevojshme për nxënësit e ulur në bankat e shkollës.

    Një veprimtari e tillë dhuruese u zhvillua këtë të hënë në dy shkolla 9-vjeçare në njësinë administrative Çërravë të Pogradecit.

    Çanta dhe mjete shkollore u dhuruan për nxënës të shkollës “Islam Ibi”, në Çërravë, dhe të shkollës “Neim Muçelli”, në Pretushë.

    Ndihmën e mundësuar nga enti humanitar IHH me qendër në Holandë e përfituan 250 nxënës.

    Në vijimësi të kontributit të vazhdueshëm ndër vite me ndihma në këtë zonë, shpërndarja u realizua në koordinim me njësinë administrative të Çërravës.

    Në Fondacionin ALSAR rinisin kurset, një mundësi për mësimin e gjuhëve të huaja dhe edukimin etiko-moral

    Tanimë me një traditë të gjatë dhe të konsoliduar, kurset pranë Fondacionit ALSAR kanë hapur dyert për dhjetëra nxënës e nxënëse.

    Në kuadër të aktivitetit arsimor të ALSAR-it, kurset sigurojnë mësim të gjuhës turke dhe angleze, si dhe edukim të karakterit etiko-moral, duke u ardhur kështu në ndihmë ndjekësve të tyre në tre lëndë të ndryshme.

    Mësimdhënia cilësore dhe mjetet bashkëkohore didaktike ua bëjnë të lehtë kursantëve përthithjen e dijeve.

    Kurset e zhvilluara në ambientet e Fondacionit ALSAR vijojnë përgjatë gjithë vitit shkollor në orare që nuk pengojnë ndjekjen e shkollës.

    Nisja në tetor e vitit akademik do të sjellë në kurse dhe studentë të Universitetit të Tiranës. Regjistrimi në kurse i mundësohet çdo të interesuari.

    Formimi i duhur i brezit të ri është një shqetësim i përhershëm i ALSAR-it, dhe në këtë kontekst ofrohen këto kurse si kontribut i përvitshëm arsimor.

    Pranë nxënësve dhe jetimëve në vitin e ri shkollor, shpërndahet ndihmë në çanta dhe mjete kancelarike

    Mijëra nxënës në të katër anët e vendit kanë nisur vitin e ri shkollor, rrugëtimin e gjatë të marrjes së dijeve e të përgatitjes për t’u bërë nesër pjesëtarë të denjë të shoqërisë.

    Aktiviteti mësimor përbën për shumë prej familjeve të tyre dhe një sfidë ekonomike, në nevojën për t’u siguruar fëmijëve mjetet e domosdoshme për ndjekjen e duhur të shkollës.

    Dhe si në çdo shtator, Fondacioni ALSAR u gjendet pranë fëmijëve dhe të rinjve me ndihma të prekshme, të dobishme, duke u dhuruar çanta dhe mjete shkollore.

    Një veprimtari e këtij lloji u zhvillua në fillimin e kësaj jave, me përfitues 500 nxënës dhe jetimë.

    Falë kontributit nga WEFA, organizata e ndihmave humanitare me qendër në Gjermani, kjo ndihmë u shpërnda në shkollën 9-vjeçare “Selman Meta” në Bërzhitë dhe në mjediset e Fondacionit ALSAR.

    Çantat dhe mjetet kancelarike i përfituan si dhuratë 245 nxënës në shkollën “Selman Meta”. Shpërndarjen e ndihmës e mundësoi bashkëpunimi me drejtorinë e shkollës.

    E njëjta ndihmë, në çanta dhe mjete kancelarike, u dha në sallën e konferencave të Fondacionit ALSAR për 255 fëmijë jetimë.

    Dhënia e ndihmës shkollore u krye në kuadër të aktivitetit humanitar dhe arsimor të Fondacionit ALSAR.

    Përfundon shkolla verore, shpërndahen dhuratat

    Fondacioni ALSAR u ka mundësuar fëmijëve të kalojnë së bashku ditë të gëzuara në shkollën verore.

    Projekti i realizuar në kryeqytet ka një histori të shtrirë në vite dhe përsëritet me sukses në çdo stinë vere.

    Fëmijët marrin dije të vlefshme dhe njëkohësisht zbaviten nën vëmendjen e mësimdhënësve dhe nën kujdesin e personelit të fondacionit.

    Shkolla verore e këtij viti nisi më 16 qershor dhe përfundoi më 11 korrik. Ajo mblodhi në paraditet e javëve fëmijë të moshave nga nëntë në pesëmbëdhjetë vjeç.

    Fëmijët u aktivizuan në aktivitete të ndryshme, në marrje mësimesh, në punë dore dhe ngjyrosje, e po ashtu u qerasën në orët e shkollës.

    Përfundimin e saj e shoqëroi dhënia e dhuratave për më të mirët, një tabletë për vendin e parë, një aparat mini foto çasti për të përzgjedhurin në vendin e dytë, dhe kufje për vendin e tretë.

    Edukim etik dhe moral për fëmijët në kurset verore të ALSAR-it

    Kujdesi i Fondacionit ALSAR për fëmijët në aspektin arsimor vijon gjatë verës me hapjen e kurseve verore. Për një periudhë tremujore u mundësohet atyre një kalim cilësor i kohës, në një ndërthurje të mësimdhënies dhe zbavitjes.

    Të hapura nga 1 qershori në 31 gusht, në kurset verore jepen dije që i shërbejnë formimit etik, moral dhe besimor të fëmijëve. Veçoritë edukative të këtyre kurseve i bëjnë ato tërheqëse për t’u ndjekur, edhe pse janë në kohë pushimesh.

    Kurset verore kanë një shtrirje gjeografike në dhjetë qytete, përzgjedhur për realizimin e këtij projekti arsimor. Në numër, janë 60 kurse, me një numër të konsiderueshëm fëmijësh, ndjekës të tyre.

    Projektin e hapjes dhe të zhvillimit të kurseve verore e mbështesin në realizim organizata partnere të ALSAR-it, kontributi i të cilave ka vlerësimin e duhur.

    Ashtu si shumë projekte të tjera, dhe i kurseve verore ka krijuar një traditë, të vijuar dhe të forcuar në çdo vit kalendarik. Fondacioni ALSAR i mëshon formimit dhe edukimit sa më të mirë të fëmijëve si një garanci për të ardhmen e duhur shoqërore të vendit.