Tag Archives: Kulturore

Java kulturore turke në Tiranë, hapet me një ceremoni ekspozita në Bibliotekën Kombëtare

Kulturës turke i është dhënë gjatë kësaj jave një hapësirë e gjerë në kryeqytetin e Shqipërisë, për të bërë të njohura elemente të çmuara të thesarit të saj.

Një varg aktivitetesh kanë nisur e po ndiqen nga dashamirës e njohës të kulturës së pasur turke, me ndikim të fortë në Ballkan, e posaçërisht te shqiptarët, si bashkudhëtarë në një kohë të gjatë historike.

Me këtë rast, të enjten u hap në qendrën “Sotir Kolea”, të Bibliotekës Kombëtare, ekspozita e titulluar, “Copëza nga kultura turke”.

Drejtues të institucioneve turke dhe shqiptare, njerëz të kulturës, punonjës të mjeteve të informimit, nxënës dhe të interesuar ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës. Fondacioni ALSAR e ndoqi veprimtarinë kulturore nëpërmjet pranisë së përfaqësuesve të tij në ceremoni.

Fjalët e zëvendësministrit turk të Tregtisë, z. Mahmut Gürcan, dhe të ambasadorit të Turqisë në vendin tonë, z. Tayyar Kağan Atay, kishin në themel të tyre shprehjen e rëndësisë së zhvillimit të aktiviteteve të tilla në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ekspozita, e cla do të qëndrojë e hapur deri të dielën, më 15 shtator, u mundëson vizitorëve informacion të dobishëm në shqip dhe turqisht mbi kulturën turke, të ilustruar në një sërë këndvështrimesh.

Java e Kulturës Turke përmban dhe aktivitete muzikore në Tiranë dhe Durrës.

Fondacioni ALSAR vlerësohet dhe nderohet në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencën dhe Teknologjinë e Qëndrueshme

Në mjediset e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës nisi këtë të mërkurë Konferenca Ndërkombëtare mbi Shkencën dhe Teknologjinë e Qëndrueshme (ICONST 2024).

Atë e organizon Universiteti “Aleksandër Moisiu”, në partneritet me disa universitete dhe institucione të tjera, vendase dhe të huaja, nga Turqia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova.

Konferenca nisi me ceremoninë hapëse dhe me një fjalë përshëndetëse të rektorit të universitetit mikpritës.

I pranishëm në punimet hapëse të saj ishte dhe drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku.

Në konferencë u çmua kontributi i spikatur i Fondacionit ALSAR në mbështetje të iniciativave kërkimore-shkencore në kuadër të veprimtarisë së tij arsimore dhe kulturore, dhe u dha një pllakatë mirënjohjeje me këtë rast. Pllakata iu dorëzua përfaqësuesit të fondacionit, z. Saimir Rusheku.

Fondacioni ALSAR prej një kohe të gjatë ka fituar reputacionin e një enti që e mbështet pa rezerva aktivitetin akademik.

Konferenca i zhvillon punimet në tre ditë, deri më 6 shtator, me një gamë të gjerë tematike.

Përfundojnë ditët plot me veprimtari në kampin veror në Turqi, përvojë e mrekullueshme për djemtë dhe vajzat e kurseve të gjuhës turke

Përgjatë një jave, në ditët në mbarim të gushtit, ndjekësit e kurseve të gjuhës turke të organizuara nga Fondacioni ALSAR iu bashkuan kampit veror në Turqi, një aktiviteti të gjerë dhe dinamik me të rinj e të reja nga vende të ndryshme, nga Ballkani e më tej.

Në qëndrimin e tyre në dy qytete, në Edirne dhe Çanakala, 90 kursistët e kurseve të turqishtes në Tiranë, Kukës dhe Konispol, patën mundësinë të njihen me kulturën turke, me ngjarje madhore në historinë e Turqisë, të shohin nga afër objekte të traditës e të ndalojnë në vende ku përkujtohet epopeja çlirimtare e popullit turk.

Drejtues institucionesh hapën dyert për pjesëmarrësit në kampin veror, i mirëpritën dhe iu përgjigjën me tërë gatishmërinë interesit rinor për të ditur sa më tepër për funksionimin institucional.

Qendra rinore e Edirnesë u shndërrua në një vendpritje të dashur, në një hapësirë tërë jetë ku koha rrodhi shpejt. Vizitat në mjediset arsimore qenë me interes për ata që e mendojnë veten e tyre në to në të ardhmen në rrugën e dijes.

Ditët ishin të mbushura me veprimtari të shumëllojshme, me takime, lojëra, etj., në ndërveprim dhe shoqëri me bashkëmoshatarë.

Kampi veror në Turqi do të mbetet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve, posaçërisht të atyre nga vendi ynë, si një eksperiencë me gjithçka të bukur brenda saj.

Ndjekësit e kurseve të gjuhës turke nisen për në Turqi, aktivitete të larmishme i presin përgjatë një jave

Këtë të dielë të fundit të gushtit u përcollën për në Turqi ndjekësit e kurseve të gjuhës turke të organizuara nga Fondacioni ALSAR.

Nxënës, studentë, jetimë, të interesuar për mësimin e turqishtes, të tërë ndjekës të kurseve në tre qytete, në Tiranë, Kukës dhe Konispol, do të bëhen pjesë e një kampi veror në Turqi me një pjesëmarrje të gjerë. Ata do t’u bashkohen bashkëmoshatarëve, nxënësve, të ftuarve të tjerë nga Ballkani, kontinenti ynë, e me gjerë.

Të nisurit nga Tirana, 90 djem e vajza, do të jenë pjesë e aktiviteteve të shumta kulturore të parashikuara për pjesëmarrësit në kampin veror, do të vizitojnë institucione në qytete të ndryshme dhe do të priten nga funksionarë të tyre.

Ata do të ndjekin programe dhe aktivitete në Edirne, Çanakala, Stamboll, etj., do të njihen me kulturën e pasur turke, e do të kenë mundësi ta shohin nga afër funksionimin e sistemit arsimor turk.

Nga qëndrimi me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme do të krijojnë lidhje e shoqëri të reja.

Ky udhëtim u mundëson atyre një përjetim të veçantë, një përvojë të paharrueshme, një javë të pasur me aktivitet, që do t’ua bëjë më të dashur edhe gjuhën turke.

Programi zhvillohet me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TİKA, të Ministrisë të Kulturës dhe Turizmit në Turqi, dhe nën përkujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë.

Botimet ALSAR: dhjetë libra me rrëfenja kur’anore, histori me ilustrime për pejgamberë, njerëz dhe ngjarje

Në serinë e botimeve tona, sjellim për lexuesit dhjetë libra me tregime për të dërguarit e Zotit.

Janë histori kur’anore të thjeshtuara, të shoqëruara me ilustrime, për një lexues ende të parritur mirë. Botimi u kushtohet fëmijëve, me tekste tërheqëse dhe të lexueshme lehtësisht prej tyre.

Dhjetë librat janë përkthime nga boshnjakishtja. Rrëfenjat ngjallin kureshtjen e të vegjëlve dhe u japin mësime të çmueshme, ndërsa ilustrimet i bëjnë më të përthithshme historitë.

Tregimet fillojnë me Ademin, njeriun e parë mbi tokë, dhe përfundojnë me Muhammedin, a.s., vulën e profetëve. Mes tyre do të lexohet për Nuhun, Hudin, Salihun, Lutin, Shuajbin, Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Musain, Davudin, Sulejmanin, Junusin, Zekerijain, Jahjën dhe Isain, duke përmendur veç një pjesë të të përmendurve e të të treguarve në Kur’an.

Libri i katërt është i tëri për Jusufin, a.s., si një prej historive më të bukura njerëzore, përçuese e përfundimeve dhe mësimeve të jashtëzakonshme morale, nga nevoja për durim në çdo gjë te domosdoshmëria e mbështetjes së plotë tek Zoti dhe vullneti i Tij.

Jeta e Profetit Muhammed, a.s., më shembullorja e një njeriu ndonjëherë në këtë botë, zë hapësirën e tre librave të fundit. Mjedisi, rritja dhe pjekja e tij, nisja e misionit profetik dhe përmbushja e detyrës së caktuar nga lartësitë hyjnore, përshkruhen me aq hollësi sa për një botim të tillë me specifikat përkatëse.

Botimet ALSAR, kujdesur për çdo nivel lexuesi, u japin rregullisht gjëra të reja të vegjëlve. Dhjetë librat, si rrëfenja kur’anore, i sugjerohen çdo prindi të angazhuar seriozisht për rritjen e fëmijëve të tij me frymën e besimit.

Aktivitet kulturor në Konispol, dhurohen 300 tituj librash dhe materialet e ekspozitës “Çamëria”

Vetëm pak javë pasi Fondacioni ALSAR mbajti në Konispol simpoziumin shkencor për 80-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, është kthyer sërish atje për realizimin e një projekti kulturor.

Këtë të mërkurë u zhvillua një aktivitet dhurues, ndihmues për gjallërimin e jetës kulturore të Konispolit. Një ceremoni iu kushtua dhurimit të 300 titujve të librave, dhënë në dy kopje, dhe materialeve të ekspozitës “Çamëria”. Po ashtu u dhuruan dhe 20 mbajtëse të materialeve të ekspozitës, së përuruar fillimisht një muaj më parë në sheshin me të njëjtin emër.

Fondacionin ALSAR e përfaqësoi në këtë aktivitet drejtuesi i tij, z. Mehdi Gurra. Ai u prit nga kryetari i Bashkisë së Konispolit, z. Ergest Dule. Të pranishëm në ceremoni ishin dhe punonjës të bashkisë.

Librat dhe materialet e ekspozitës pasurojnë nga pikëpamja kulturore institucionin bashkiak, lokalitetin, dhe u shërbejnë qytetarëve të Konispolit.

Ato janë një tjetër kontribut i Fondacionit ALSAR për Konispolin, në radhën e aktiviteteve të vazhdueshme kulturore, arsimore dhe humanitare për të.

Në vlerësim të këtij kontributi të gjatë, një certifikatë mirënjohjeje u dha me këtë rast për Fondacionin ALSAR.

soap 2 day