Tag Archives: Kulturore

Botimeve tona u shtohet një përmbledhje poetike

Vargut të gjatë të titujve të Botimeve ALSAR i është bashkuar dhe “Drurët flenë jashtë në natën e botës”.

Autor i kësaj përmbledhje poetike është Hamit Aliaj, tashmğ i ikur nga kjo botë. Kjo vepër poetike është e para e botuar jo në të gjallë të tij, ndërsa ka lënë pas dhe shumë botime të tjera të të njëjtit zhanër.

Në parathënien e gjatë të Mehmet Elezit bëhet e ditur se libri del në 70-vjetorin e lindjes së autorit dhe përfshin 268 poezi të reja, të shkruara në vitet e fundit.

Vargu i Hamit Alisë sfidon çdo provincializëm,” lexohet në rreshtat e saj, “kumtet mbarënjerëzore të poezisë së tij trondisin.”

E shkruar me emocion, parathënia e paraqet autorin si të fortifikuar në poezinë e tij të pacenueshme. I takon lexuesit tani të japë vlerësimin e tij.

Vepra vjen natyrshëm dhe qëndron mirë në larmishmërinë tematikore të botimeve tona.

Në 80-vjetorin e gjenocidit ndaj çamëve, ALSAR boton punimin e një studiuese turke

Kalvari i vuajtjeve të përjetuara nga çamët në pjesën e parë të shekullit të kaluar, do të kulmonte me gjenocidin ndaj tyre.

Në 80-vjetorin e masakrave gjenocidale ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë, Botimet ALSAR i sjellin publikut punimin e studiueses së ndjerë turke, Berna Türkdoğan Uysal.

Botuesi i paraqet në faqet e para të librit arsyet e botimit të punimit, “Gjenocidi çam”, ndryshe, në turqisht, “Çamerya soykırımı”. Aty thuhet:

Historia njerëzore është e mbushur me padrejtësi dhe vuajtje bashkësish e popujsh. Epokat ia kanë lënë vendin njëra-tjetrës, pa ndryshuar shumë gjë në thelbin e funksionimit të jetës mbi tokë, ku e mira dhe e keqja ecin në paralel, shkëmbehen dhe mbizotërojnë.

Çamët janë nga të vuajturit, të përndjekur, të vrarë dhe të dëbuar nga trojet e tyre. Me kokën pas, në të shkuarën e trishtë dhe me shumë dhimbje, jetojnë një të tashme të re që mban përbrenda brengën e patretur, ende në kërkim të së drejtës të shkelur.

Përndjekja ndaj çamëve dhe mizoria mbi ta përngjason me kalvarin e vuajtjeve të tatarëve të Krimesë. Në një shkrim të botuar më 2 qershor 2016 në të përditshmen ‘Dita’, me titull, ‘Fati i tatarëve të Krimesë dhe fati i çamëve tanë’, autori, Shaqir Vukaj, ish-ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse, shkruan se, ‘Fati i tatarëve të Krimesë mund të krahasohet shumë mirë me fatin e çamëve tanë, që u dëbuan nga tokat e tyre me pretekstin e bashkëpunimit me pushtuesit. Por në qoftë se tatarët e Krimesë më në fund fituan disa nga të drejtat që ua kishin mohuar dhe u lejuan të kthehen në tokat e tyre, çamët tanë edhe sot… vazhdojnë të persekutohen…’.

Tetëdhjetë vjet nga gjenocidi ndaj çamëve, dhe njëqind e dhjetë vjet nga masakra e Panaritit, çështja çame nuk njeh përparim, nuk sheh zgjidhje. E shpërfillur, e pangritur me të njëjtën forcë dhe pandërprerë, peng i vullneteve shtetërore, ajo mbahet në këmbë në saje të shpresës, asnjëherë të vdekur.

Në këtë përvjetor të gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë, zgjodhëm të sjellim një punim të një autoreje turke, të ikur nga kjo botë vetëm katër ditë pasi e botoi atë në turqisht. Punimi jep këndvështrimin e saj, të dobishëm për shqyrtim, e gjithsesi të vlefshëm për ta bërë sa më të njohur çështjen çame në Turqi.

Referencat e përdorura nga autorja janë një burim nga ku mund të përfitohet material për analizë të mëtejshme dhe më të thellë. Përtej tekstit, bibliografia e botimit përbën pasuri më vete; një shteg për t’u shkelur në synimin e rrëfimit të së vërtetës për publikun.

Fondacioni ALSAR, në strategjinë e botimeve të veta, synon gjithmonë të sjellë gjëra të reja, vepra e studime që nuk e kanë parë dritën e botimit në shqip, apo që janë harruar nga koha dhe vëmendja e pakët, për t’i shërbyer kulturës dhe historisë së vendit tonë. Punimi i përkthyer nga turqishtja dhe i nxjerrë nga shtypi në këtë përvjetor u shërben lexuesve dhe studiuesve, si lëndë e mirë mbi çështjen çame, me përfitim në aspektet rrëfyese dhe referuese.”

Botimi i përmban të dy tekstet, përkthimin në shqip dhe origjinalin në turqisht.

Orë argëtuese për fëmijët e kurseve të fundjavave

Në vargun e veprimtarive të zhvilluara në mbarimin e javës së kaluar me fëmijët e kurseve të mësim-edukimit ishte dhe dërgimi i një numri të tyre në një qendër zbavitjeje në kryeqytet.

Dhjetëra fëmijë shfrytëzuan mundësinë për të kaluar orë të gëzueshme, për të luajtur e për të ngrënë së bashku.

Ambienti i përzgjedhur mundësonte hapësirë të gjerë dhe një larmi ushtrimesh dhe lojërash.

Në aktivitetin argëtues morën pjesë 85 fëmijë, të destinuar për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin e për të përjetuar momente të lumtura.

Aktiviteti u organizua nga Fondacioni ALSAR dhe u mbështet nga IHH, me qendër në Holandë.

Dy përfaqësues të saj ndoqën fundjavën e kaluar zhvillimin e kurseve të mësim-edukimit në disa qytete të vendit; një inspektim së bashku me ALSAR-in dhe me disa veprimtari brenda.

Një titull i ri nga Botimet ALSAR , “Shkodra – Histori që gjallon me reliket e saj”

Në vazhdën e botimeve të këtij viti, ALSAR nxori nga shtypi një vepër kushtuar qytetit
me shumë histori, kulturë e traditë.
“Shkodra – Histori që gjallon me reliket e saj”, e autores Zenepe Dibra, del në dy vëllime.
Siç e lë të kuptohet dhe titulli, historia e Shkodrës tregohet nëpërmjet relikeve, të
gjendura në përgjithësi në arkivat e familjeve shkodrane.
Në kapitujt e veprës tregohen relike të gjenezës dhe identitetit, të personaliteteve, të
grave shkodrave, relike dokumentare të artit dhe muzikës, fetare, të persekutimit
komunist, të fjalimeve të personaliteteve, etj.
Libri ngjall interes nga pikëpamja e trashëgimisë historike dhe kulturore pasi shumë prej
këtyre relikeve nuk gjenden në muzetë e vendit dhe të huaja.
Autoren e karakterizon një aktivitet i gjerë hulumtues dhe botues. Pjesëmarrëse dhe
referuese në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, ajo ka me autorësinë e saj një
varg artikujsh shkencorë dhe botimesh.

Fondacioni ALSAR dhe Instituti Junus Emre në Prishtinë organizojnë paraqitjen e librit, “Kontributi i Turqisë për Kosovën – Pikëpamja nga Prishtina”

Ndikimi i Turqisë në rajon dhe marrëdhëniet e saj me shqiptarët në Ballkan mbeten një temë e parapëlqyer e studiuesve, historianëve, politologëve, sociologëve, si dhe e njerëzve të shtypit. Ky interes i jashtëzakonshëm dhe ky fokus i pandryshuar është i përligjur me faktin e rritjes së faktorit turk në nivel rajonal dhe global, bashkangjitur qëndrimit të përhershëm krah shqiptarëve të Turqisë moderne dhe kontributit të vazhdueshëm në të mirë të tyre.

Kjo marrëdhënie e gjatë, e frytshme dhe me rrënjë të thella, merret në analizë në mënyrë periodike, si nëpërmjet organizimeve të tubimeve të ndryshme shkencore, ashtu dhe përmes veprave studimore. Një nga këto të fundit, kushtuar kontributit të Turqisë për Kosovën, është prej një kohe e disponueshme për lexuesin.

Për një paraqitje të plotë të veprës, “Kontributi i Turqisë për Kosovën – Pikëpamje nga Prishtina”, dhe për t’i dhënë asaj më tepër zë dhe njohje, botuesi, Fondacioni ALSAR, dhe Instituti Junus Emre, dega e Prishtinës, organizuan një promovim të enjten e 16 majit në kryeqytetin e Kosovës.

Në paraqitjen e veprës në mjediset e Institutit Junus Emre ishte i pranishëm ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, z. Sabri Tunç Angılı. Prani spikatëse mes shumë personaliteteve qe ajo e kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj, si edhe e kryetarit të partisë “Lëvizja Populli” në Maqedoninë e Veriut, z. Skënder Rexhepi. Të pranishëm ishin dhe deputetë të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Një varg autoritetesh në fusha të ndryshme të jetës kosovare e nderuan gjithashtu aktivitetin paraqitës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadorit turk në Prishtinë falënderoi autorin, z. Abdullah Klinaku, dhe botuesin, z. Mehdi Gurra, si kryetar i Fondacionit ALSAR, për nxjerrjen e kësaj vepre studimore mbi kontributin e Turqisë për Kosovën.

Ndër folësit, prof. dr. Ibrahim Gashi shprehu konsideratat profesionale për veprën, shqyrtuar kapitull pas kapitulli, e të thëna kështu, “Si lexues i kujdesshëm i këtij libri, por edhe në kapacitetin e politikanit dhe diplomatit në vitet e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe si njeriu që pati fatin të jetë pjesë e shumë vizitave zyrtare në Ankara e në qendra të tjera të Turqisë, si Stambolli, Bursa e Izmiri, mund të konstatoj se autori i këtij libri, studiuesi Abdullah Klinaku, ka bërë një përpjekje serioze hulumtuese dhe ka shënuar një arritje solide, duke na sjellur një doracak të munguar jo vetëm për audiencat akademike, por për të gjithë ata lexues që ruajnë respektin për kontributin e shtetit mik të Turqisë për shtetin dhe popullin e Kosovës.”

Studiuesi Mustafë Bajrami u shpreh se studimi i ka tejkaluar përmasat e një libri statistikor, si më shteruesi rreth rolit dhe kontributit të Turqisë për Kosovën. “Libri që e keni para duarve,” tha ai, “nuk është vetëm një shkëndijë e vetmuar e këtij lloji, rreth marrëdhënieve midis dy shteteve, por është para së gjithash një përpjekje nismëtare që do të hedhë dritë mbi errësirat ideologjike, atje ku flitet me gjuhë joreale për kontributin e shtetit të Turqisë në shtetndërtimin e Kosovës, e fillimisht në çlirimin dhe pavarësimin e saj.”

Analizë i bëri botimit dhe dr. Selami Shkodra, theksues se, “Botimi në fjalë merr tjetër vlerë si një libër memorial apo rikujtues, pasi përmbajtja e tij identifikon e rikujton mjaft ngjarje dhe veprime konkrete me shembuj të cilët kanë zinxhirzuar hap pas hapi traditën në zhvillim të këtij bashkëpunimi… Autori përshkruan pikëtakimet midis këtyre dy popujve, si në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen.”

Dr. Muhamed Jashari, studiuesi nga Shkupi, e përmblodhi punën studimore të autorit me fjalët, “Libri që gjendet para jush, i përbërë nga pjesa hyrëse, katër kapituj, përfundimi dhe të dhënat referenciale, shpërfaq marrëdhëniet bilaterale të shtetit më të ri në Evropë, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, të këtij lojtari aq të rëndësishëm, në tabelën e madhe të shahut! Ky tekst, i cili shoqërohet me veglat dhe instrumentariumin shkencor, parashtron hipotezat përmes të cilave ngrihet hulumtimi dhe që vërtetohen të njëjtat. Klinaku, këtë studim ia nënshtron metodologjisë shkencore, duke përdorur kësisoj pluralizëm metodash, dhe arrin tek rezultatet e dëshiruara. Bëhet fjalë për hulumtim cilësor, ku autori ka përdorur qoftë burimet parësore (siç janë intervistat gjysmë të strukturuara), por edhe dytësore (siç janë hulumtimet e mëhershme, monografitë, rezolutat, etj.).”

Fundi i ligjëratës së dr. Muhamed Jasharit iu kushtua entit që e mundësoi botimin, duke thënë: “Për prurjen e kësaj vepre pa dyshim që një falënderim i veçantë dhe lëvdatë i takon Botuesit ALSAR nga Tirana, në krye me z. Mehdi Gurrën, i cili publikut shqiptar i sjell vepra me vlerë historike e shkencore, qoftë si botime anastatike, autoriale ose të përkthyera, që vërtet i kontribuojnë historiografisë sonë dhe plotësojnë sirtarin e lexuesit.”

Ndërsa u uroi personaliteteve mirëseardhjen në promovim, dhe falënderoi ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Sabri Tunç Angılı, për pjesëmarrjen dhe interesimin për organizimin e këtij aktiviteti, drejtuesin e Institutit Junus Emre në Prishtinë, z. Ramazan Yılmaz, për bashkorganizimin e promovimit, dhe autorin e veprës, z. Abdullah Klinaku, për tërë angazhimin e tij intelektual, kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, duke e quajtur botimin një libër në kohën e duhur mbi kontributin për Kosovën nga një shtet gjithmonë mik, parashtroi pikëpamjen e tij mbi veprën.

Kosova, si një entitet i ri shtetëror, por edhe më herët, e ka patur të domosdoshme përkrahjen dhe ndihmën. Turqia është ndër vendet që nuk ia kursyer për asnjë çast as njërën dhe as tjetrën, ashtu si edhe Shqipërisë. Një kontribut i këtyre përmasave ka nevojë të vihet në pah, t’i sigurohet vazhdimësia, të tregohet mirënjohja.

Aq më tepër që prej kohësh, vitesh, përkujdesi dhe ndihma turke për shqiptarët këtejpari, në Shqipëri dhe Kosovë, është vënë nën një thjerrë zmadhuese, për t’i gjetur kleçka e për të mos ia njohur të mirën. Pa dyshim, kjo pikënisje nuk është e çdokujt, veç krijon vërtet bezdi, nëse jo zemërim, ndonëse pse jo dhe zemërim, goditja e çekanit në të njëjtin vend. Influencat për këndvështrimin errësues nuk është gabim t’i shohim si gjeopolitike, prej shqetësimit për soft power-in e Turqisë në rajon, apo dhe ikacakësh që strehën e kanë gjetur në anët tona.

Për të mos e vënë barrën më tepër te çka u përmend në fjalinë e mësipërme, duhet t’i japim hakun dhe vështrimit bardhë e zi të shkruesve të historisë, paraprirës i të gjithë kësaj përmes skicimit të osmanit (turkut) që vret e pret për shekuj në troje shqiptarësh. Narrativa e ideologjizuar ka arritur të krijojë ndjenja negative, prej nga është e pamundur të shihet objektivisht kompleksiteti i një zhvillimi historik shumëshekullor. Bartja në mejdan e idesë se marrëdhënia e mirë me Turqinë do të thotë shkuarje drejt Lindjes, e jo drejt Perëndimit, është, pastaj, po aq e pabazë dhe trishtuese sa edhe e pandershme.

E vërtetë sidoqoftë e padiskutueshme është kontributi i madh i Turqisë për shqiptarët në kohën e re historike, pas rënies së mureve ideologjike të Luftës së Ftohtë dhe efekteve pasuese, ndërtimit të një Shqipërie postkomuniste dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Kontribut tepër i qenësishëm është ky i dy dekadave të fundit, që përkojnë me ardhjen në pushtet të AKP-së në Turqi dhe shndërrimin e vendit euroaziatik në një aktor kyç rajonal dhe njëkohësisht me peshë në politikën botërore. Me të duhen kuptuar deklaratat e panumërta në vite të zyrtarëve më të lartë turq në mbështetje të shqiptarëve, në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë në ditë të vështira dhe në përkrahje të Kosovës, pjesëmarrja në fushatën bombarduese të NATO-s ndaj caqeve serbe dhe njohja e menjëhershme e pavarësisë së Kosovës, përfshirja në fushatën e njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri, ndihmat e vazhdueshme ekonomike, e kështu me radhë.

Gjithë ky kontribut e solli Turqinë te njohja si partner strategjik, te një përcaktim i cili ka hasur në rezistencë për t’u gjithëpranuar. Fondacioni ALSAR organizoi një simpozium në vitin 2018 mbi marrëdhëniet shqiptaro-turke (e po ashtu vitin e kaluar), mbi historikun e tyre dhe nevojën e shqiptarëve për ta pranuar Turqinë në krah, duke u kushtuar dhe një libër përmbledhës kumtesave të mbajtura, si një shërbim për forcimin e këtyre marrëdhënieve dhe shmangien e një përkeqësimi të mundshëm, patjetër të panevojshëm dhe ndoshta fatal.

Njohja e kontributit të Turqisë për shqiptarët do të mbetej e mangët, dhe njëkohësisht e paplotë do të ishte dhe përgjigjja për dyshuesit, jooptimistët, po të mos i kushtohej diçka më vete atij për Kosovën. ‘Kontributi i Turqisë për Kosovën – pikëpamje nga Prishtina’, i autorit Abdullah Klinaku, është libri i kushtuar kësaj teme”, tha z. Gurra.

Ndalur në vijim më gjatë te autori dhe vepra, drejtuesi i Botimeve ALSAR, nënvizoi: “Meritë e autorit është se nuk ka rënë në sentimentalizma, as është pushtuar nga emocionet në të shkruar, por i ka qëndruar stoik një metodologjie dhe i ka argumentuar tezat. Në libër flet fakti, historia, flasin protagonistët, e mbështesin shkrimin referencat e shumta. Ai e nis me histori dhe përfundon me definicione, parashtron dhe nxjerr përfundime, flet vetë dhe përmes aktorëve politikë kosovarë të intervistuar.

Shpjegimi i universalitetit të marrëdhënieve shumëdimensionale dhe komplekse shqiptaro-turke përmes historisë, kulturës, fesë, lidhjeve familjare, shoqërore dhe ekonomike, jep hapësirën e kërkuar për ta përligjur dhe domosdoshmërinë e vijimësisë së kësaj lidhjeje të fortë dhe sot e më tutje.

Material dhe arsyetim i mjaftueshëm gjendet në katër kapitujt për t’u dhënë bekimin marrëdhënieve shqiptaro-turke. Kënaqësi është ta konstatosh qasjen objektive të autorit, i cili flet në përshkrimin historik për ‘epokë të administrimit nga Perandoria Osmane’, për Perandorinë Osmane si ‘mburojë dhe mundësi më e sigurt për kultivimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe ruajtjen e tij’, dhe për atë se ‘islamizimi i shqiptarëve gjatë kohës së Perandorisë Osmane nuk do të thoshte osmanizim apo turqizim, siç ishte ortodoksizmi, i cili nënkuptonte dhe sllavizim dhe greqizim në të njëjtën kohë’.

Në kontekstet e së sotmes, autori i kushton një vend të veçantë presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhënësit të një ‘vendi të merituar marrëdhënieve të dyanshme midis Kosovës dhe Turqisë’. Ai me të drejtë pohon se, ‘me faktorizimin e Turqisë, presidenti Erdoğan fuqizon bashkëpunimin edhe me Kosovën, e mbështet dhe e ndihmon atë në proceset më të rënda e më sfiduese’.

E pamundur është mos të të bëjë përshtypje dhe thënia e ambasadores turke se Kosova është për Turqinë ‘një çelës magjik që njeriu mund ta shfrytëzojë për të hapur shumë dyer’. Apo e ish-ministrit të parë të Jashtëm të Kosovës, Skender Hyseni, që, tek i njeh diplomacisë turke merita shumë të mëdha për shumë njohje të Republikës së Kosovës, shprehet se ‘Ankaranë e kemi konsideruar si port përmes të cilit kalohet në shtetet e Lindjes’.

Konkluzionet e autorit në fund të librit përbëjnë sfidë për kundërshtarët e një miqësie të fortë vëllazërore mes dy popujve: a) ‘Ballkani nuk mund t’i kthehet asnjëherë paqes dhe zhvillimit pa stabilitetin politik të shqiptarëve dhe pa mbështetjen e shtetit turk’, b) ‘E në këtë ambient aq sfidues, vendi dhe populli ynë është me fat që krah vetes e ka një shtet mik siç është shteti turk dhe një popull vëlla siç është popull turk’, c) ‘Vëllazëria dhe miqësia e ndërsjelltë midis dy kombeve para së gjithash është amanet i gjeneratave të mëparshme dhe në të njëjtën kohë është amanet i yni ta ruajmë për gjeneratat e ardhshme’.

Ky libër, kështu, me gjithçka përmban, është një argument i fortë për një marrëdhënie të qëndrueshme e më të fuqizuar shqiptaro-turke. Si ngulmues i përhershëm në forcimin e këtyre marrëdhënieve, Fondacioni ALSAR e nxiti dhe e realizoi botimin e tij.”

Autori, studiuesi Abdullah Klinaku, u shpreh për pjesëmarrësit, tek e mori fjalën, mbi qëllimin e veprës, si, “…përmbledhje e raporteve dhe kontributit të Turqisë për Kosovën dhe relacionet e thella që janë midis dy popujve. Rreth kësaj çështje herë pas here ngritët debati publik duke e kontestuar apo keq interpretuar këtë raport. Prandaj besoj se një shkrim i tillë, i përmbajtur por duke u mbështetur në referenca shërben si racionalizim i mendimit tonë publik e politik për raportet tona me Turqinë.”

I ndaluar në raportet me botuesin, autori e paraqiti atë dhe si nxitës në mbarëvajtjen e punës, “E gjithë kjo punë nuk do të kishte asnjë kuptim pa gatishmërinë dhe mbështetjen e plotë të Fondacionit ‘Alternativa e së Ardhmes – ALSAR’ në Tiranë, për botimin e librit. E ndjej për detyrim të konstatoj se kryetari i Fondacionit ALSAR z. Mehdi Gurra, në këtë projekt nuk është vetëm botues por në të njëjtën kohë ishte inkurajues dhe mbështetës i punës në të gjitha fazat. Madje, idenë fillestare për domosdoshmërinë e të shkruarit të këtij libri për herë të parë e patëm diskutuar së bashku me z. Gurrën në gushtin e vitit 2019 në Tiranë.”

Në lartësinë e temës dhe të nivelit të veprës, promovimi ofroi analizë të mjaftueshme për ta paraqitur sa më mirë botimin, një tekst prej nga mund të përfitohet njohje e gjerë e kontributit të Turqisë për Kosovën.

Kryetari i Konfederatës HAK-İŞ viziton Fondacionin ALSAR

Ambientet e Fondacionit ALSAR i vizitoi këtë të enjte kryetari i Konfederatës HAK-İŞ, z. Mahmut Arslan, së bashku me një grup shoıqërues.

Ai u prit përzemërsisht nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe nga personeli.

Në atmosferën miqësore të pritjes, miqtë u informuan mbi aktivitetin e gjerë të Fondacionit ALSAR dhe treguesit e pasur në të tre fushat e veprimtarisë.

Në këtë kuadër u vlerësua dhe kontributi i entit sindikal turk, HAK-İŞ, në projekte të ndryshme humanitare, arsimore dhe kulturore të ALSAR-it në vite.

U fol gjithashtu për çuarjen më tej të marrëdhënieve mes dy institucioneve në të ardhmen.

Drejtuesit e konfederatës turke konfirmuan mbështetjen në vijimësi të projekteve të fondacionit, me të cilin pohuan se ndajnë vlera dhe synime të përbashkëta.

Qerasja e miqve u pasua në fund të vizitës nga shkëmbimi i dhuratave.

Vizita zyrtare u krye në përfundim të panelit mbi marrëdhëniet shqiptaro-turke në 101-vjetorin e tyre dhe kontributin e organizatave të punëmarrësve për to, bashkorganizuar nga Konfederata HAK-İŞ.

Fondacioni ALSAR dhe Konfederata HAK-İŞ kanë një bashkëpunim të gjatë dhe të suksesshëm.

soap 2 day