Tag Archives: Kulturore

Kryetari i Fondacionit ALSAR viziton Delvinën, pritet nga kryetari i Bashkisë

Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, ka vizituar Delvinën më 28 prill, së bashku me atasheun e arsimit pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Gökmen Aksakal.

Ata kanë bërë një vizitë në bashkinë e qytetit, ku janë pritur nga kryetari i saj, z. Besmir Veliu.

Me të kanë patur mundësinë të zhvillojnë një bisedë të ngrohtë, të dëgjojnë për aktivitetin bashkiak në Delvinë e të mësojnë për nisjen e rikonstruktimit të objekteve të trashëgimisë kulturore.

Z. Mehdi Gurra e ka falënderuar kryetarin e Bashkisë për pritjen dhe ka ndarë me të mendime e pikëpamje për fusha me interes. Është folur për mundësitë e dhënies së ndihmës për njerëzit në nevojë, për të kontribuar për komunitetin vendas.

Vizita në Bashki pasonte vizitën e mëhershme të titullarit të saj në Fondacionin ALSAR.

Gjatë qëndrimit në Delvinë, kryetari i Fondacionit ALSAR dhe atasheu i arsimit pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë kanë vizituar dhe kompleksin e Xhamisë Mbret.

Botimet ALSAR paraqiten në edicionin e 18-të të kremtimeve të Ditës Botërore të Librit në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës

Në Ditën Botërore të Librit, më 23 prill, Botimet ALSAR u paraqitën me një numër të konsiderueshëm titujsh në aktivitetin e organizuar me këtë rast nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë.

Edicioni i 18-të i kremtimeve të Ditës Botërore të Librit nga ky fakultet i Universitetit të Tiranës i dha mundësi ALSAR-it t’u bëjë të njohur studentëve dhe pedagogëve disa prej botimeve të tij të spikatura.

Vizitorët në stendën e Botimeve ALSAR patën mundësinë të shfletojnë posaçërisht titujt me tematikë historike dhe të marrin disa prej tyre.

Prezantimi i botimeve të ALSAR-it në një ditë me domethënie të tillë specifike, në një organizim të kushtuar tërësisht librit në një mjedis universitar, i shërbeu më së miri njohjes së mëtejshme me to nga një lexues i fokusuar te studimi.

Botimet ALSAR tregojnë kujdesin e duhur për ta çuar librin aty ku është i kërkuar, i nevojshëm, dhe pjesëmarrja në këtë aktivitet i shërbeu këtij qëllimi.

Me një diapazon të gjerë tematikor, botimet ALSAR-it vlejnë për një publik të gjerë, duke tërhequr vëmendjen për cilësinë botuese.

Nënkryetari i TİKA-s viziton Fondacionin ALSAR, njihet me aktivitetin dhe vlerëson bashkëpunimin e dy institucioneve

Selinë e Fondacionit ALSAR e ka vizituar këtë të hënë, më 20 prill, nënkryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, dr. Yahya Coşkun. Në vizitë e shoqëronte koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata.

Ata janë pritur nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili u ka uruar mirëseardhjen dhe ka zhvilluar me ta një bisedë.

Nënkryetari i TİKA-s është njohur me aktivitetin e gjerë që institucioni i drejtuar nga z. Gurra zhvillon prej dy dekadash. Aktivitetet humanitare, arsimore dhe kulturore të fondacionit, ndikimi social i ALSAR-it dhe bashkëpunimi frytdhënës me TİKA-n e mbizotëruan fjalën e mikpritësit. Kontributi i ALSAR-it në forcimin e miqësisë midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Turqisë, dhe dy popujve zuri vend natyrshëm në bisedën e ngrohtë.

Z. Mehdi Gurra e njohu nënkryetarin e TİKA-s dhe me librarinë e Botimeve ALSAR, me titujt dhe tematikat e botimeve, si dhe me botimet në gjuhën turke.

Dr. Yahya Coşkun, që më herët kishte vizituar dhe ambiente të tjera të ALSAR-it, i përcolli z. Gurra vlerësimet për punën shumëvjeçare, për aktivitetet dhe bashkëpunimin me TİKA-n, duke i premtuar vijimësi të realizimit të projekteve të përbashkëta.

Ai çmoi kontributin humanitar për jetimët dhe koordinimin në këtë aspekt, si dhe veprimtarinë botuese të Fondacionit ALSAR.

Kryetari i Fondacionit ALSAR i bëri nënkryetarit të TİKA-s një dhuratë dekorative, me Xhaminë e Et’hem Beut si simbol të Tiranës.

Studentë të Universitetit të Tiranës përzgjedhin dhe marrin dhuratë tituj nga Botimet ALSAR

Në kuadër të aktiviteteve kulturore dhe arsimore të Fondacionit ALSAR, e të mbështetjes së brezit të ri, një grupi studentësh të Universitetit të Tiranës i është mundësuar përzgjedhja dhe marrja falas e një numri titujsh të nxjerrë në tregun e librit nga Botimet ALSAR.

Të rinjtë kanë vizituar mjedisin ku çdo i interesuar mund të gjejë botimet e ALSAR-it, kanë parë e shfletuar një varg titujsh dhe kanë përzgjedhur për të marrë dhuratë disa prej tyre.

Me tematikë të ndryshme dhe me një cilësi të lartë botimi, librat kanë tërhequr vëmendjen e studentëve për përmbajtjet dhe specifikat.

Çdonjë prej tyre ka mundur të njihet në këtë mëyrë me veprimtarinë botuese të ALSAR-it, të zgjedhë mes titujve e të përfitojë tekste të dobishme.

“Libri, dhurata më e çmuar” është projekti me një realizim të shtrirë në kohë e nën të cilin ishte i përfshirë dhe ky aktivitet dhurues.

Botimet ALSAR pasurojnë bibliotekat dhe u japin shpesh lexuesve të shumë fushave atë që nuk mund ta gjejnë diku tjetër. Aktiviteti i zhvilluar u ofroi bujarisht studentëve një dhuratë të çmuar!

Fondacioni ALSAR promovoi me një ceremoni kolanën e veprave të studiuesit dhe historianit Sherif Delvina

Në ambientet e Hotel “Tirana International” është zhvilluar këtë të premte, më 3 prill, ceremonia e promovimit të kolanës së veprave të studiuesit dhe historianit Sherif Delvina.

Në promovimin e serisë prej 12 vëllimesh, të saponxjerrë prej shtypi nga Botimet ALSAR, morën pjesë akademikë, intelektualë, funksionarë, personalitete, të afërm të studiuesit të ndjerë, studentë, qytetarë, etj.

Hapjen e ceremonisë e bëri kryetari i Fondacionit ALSAR, me një fjalë prekëse për ish-bashkëpunëtorin dhe mikun prej një kohe jo më në këtë jetë.

Z. Mehdi Gurra tha në fjalën e tij:

“Zonja e zotërinj!

Të afërm e të njohur të të ndjerit Sherif Delvina!

Ndjekës e lexues të Botimeve ALSAR!

Jemi në këtë sallë për një ceremoni promovuese që mund të çmohet në të njëjtën kohë si homazh për mbajtësin e denjë të mbiemrit Delvina, me peshë të madhe në historinë e vendit tonë.

Për mua, si kryetar i Fondacionit ALSAR dhe si individ, emocioni sot është i dyfishtë, për shkak të lidhjes së ngushtë njerëzore me Sherif Delvinën. Ai vetë thoshte se më kishte si nip, prandaj, përtej pozitës këtu, më duhet të sillem edhe si i tillë.

Pa vijuar ende, dua të falënderoj veçanërisht akademikët në këtë ceremoni. Mirë se erdhët!

Të nderuar të pranishëm!

Pas katër vitesh nga ikja prej kësaj jete e Sherif Delvinës, Botimet ALSAR sapo kanë nxjerrë nga shtypi kolanën me 12 vëllime të veprave të tij. Dy vëllimet e para janë përmbledhje e bërë nga ne e shkrimeve ndër vite në gazeta e revista, ndërsa vëllimet e tjera përmbajnë riprodhime anastatike në shqip e anglisht.

Sherif Delvina e meritonte këtë shprehje të fortë respekti e vlerësimi, si studiues e historian, përkthyes, dramaturg e publicist, si polemizues me përgjigje në majë të gjuhës, apo shprehur më popullorçe, hazërxhevap. E meritonte dhe si atdhedashës, edhe si një njeri i mirë!

Mbajtësi i dritës ndezur të Delvinajve ishte një mbrojtës i çështjes kombëtare në të tëra drejtimet, si pakkush në këto kohë. Ithtar i parimeve të larta, vështirë se mund të gjendeshin tek ai momente dobësie dhe tentative për t’i shkelur ato. Megjithatë, ai nuk ia mohoi vetes kujdesin më herët për të mos shkruar kundër regjimit, para se të niste një tjetër epokë, ajo e lirisë dhe e lulëzimit të tij intelektual.

I dhënë pas arkivave e bibliotekave qe vetë një bibliotekë në ecje, një bartës librash mbi dy këmbë, një minierë informacioni, hulumtues, lexues dhe shkrues i palodhur. Zemërbardhë, e shfaqte altruizmin në fushat e tij të interesit ndërsa dëshironte të ndihmonte çdo studiues, e nuk kishte për gjë dhe të dhuronte materiale me vlerë studimore.

Miq të nderuar!

Njohja ime me Sherif Delvinën ndodhi në vitin 1995, në Bibliotekën Kombëtare, e fatmirësisht u kthye shpejt në miqësi, të ushqyer vazhdimisht më pas nga të dy e të mbajtur gjallë për sa ai qe në këtë botë.

Si një student i ri, kjo njohje më vlejti në mbarimin me sukses të universitetit dhe në mbrojtjen e disertacionit. Jo vetëm kaq, por ngaqë për të isha gati një nip, siç e thashë më sipër, nuk ngurronte të më jepte dhe këshilla martese. Më thoshte të merrja dibrane, sepse, siç sugjeronte, ato ishin të zgjuara, e nëse binin në dorë të mirë, nuk dalldisnin, mund të bënin punë të mirë e të të zbardhnin faqen. Më duhet të them se nuk e ndoqa në këtë këshillë, apo se ndryshe e desh fati!

Sherif Delvina e deshte shumë Turqinë, e kishte vëmendjen në të. I vlerësonte reformat e Kemal Ataturkut. Por duhet thënë se i mungonin njohuritë e mjaftueshme fetare për konkluzione të pakundërshtueshme.

Sa i përket kontributit dhe gjurmës të lënë në Fondacionin ALSAR, bashkëpunimi me të mbetet i pazëvendësueshëm. Ai u tregua largpamës, shumë largpamës, qoftë për themelimin e fondacionit, qoftë për përfshirjen në veprimtarinë botuese. Anëtar i bordit botues, ndihmoi për botimin e titujve të pasjellë në gjuhën shqipe, dhe ngulmoi për t’i

dhënë lexuesit në shqip veprën me shumë vlerë të Justin McCarthy-it, ‘Vdekje dhe dëbim – Spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922’.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni promovimi!

ALSAR-i ka mbyllur vetëm një kapitull me këtë botim shumëvëllimësh. Ka ende dokumentacion, dorëshkrime, materiale në letër e në ruajtje dixhitale të lënë nga Sherif Delvina që pret të kontrollohet e të përpunohet nga ne për një tjetër botim në një kohë të ardhshme, por të papërcaktuar.

Për sa më sipër, dhe për tërë mirëdashjen e treguar, një falënderim i ngrohtë i dedikohet me shumë përzemërsi familjes së Sherif Delvinës. Faleminderit për gjithçka!

Pas kësaj, më mbetet vetëm t’ju uroj të gjithëve ta shijoni këtë ceremoni për promovimin e veprës së penëndriturit Sherif Delvina!

Zoti e gëzoftë atë në amshim!

E për ne, qoftë ky botim një prej punëve tona të mira!”

Aktivitetin promovues e përshëndeti prefekti i Tiranës, z. Shkëlqim Hajdari, vënës në pah i cilësive të Sherif Delvinës si një njeri që e deshi vendin dhe që punoi për kombin, si një shembull i njeriut të brymosur me aspirata kombëtare.

Në ceremoni u mbajtën katër kumtesa të dedikuara Sherif Delvinës nga kënde të ndryshme.

Dr. Etleva Domi kishte zgjedhur për këtë promovim temën, “Rrugëtimi i veprimtarisë botuese të historianit Sherif Delvina në këndvështrimin e bibliografit”. Pas saj, prof. dr. Luan Malltezi mbajti kumtesën, “’Mësues i Popullit’, historian, poet dhe dramaturg i talentuar”. Prof. dr. Pëllumb Xhufi trajtoi një aspekt të spikatur të veprimtarisë shkruese të Sherif Delvinës, “Çamëria dhe Kosova në veprën e një studiuesi atdhetar”. Z. Tarik Llagami u ndal te “Sherif Delvina si mësues”. Plarent Sinamati foli si përfaqësues i familjes Delvina.

Të pranishmit në ceremoninë promovuese i ndoqën me vëmendje fjalët dhe kumtesat e mbajtura.

Një koktej mbylli ceremoninë e organizuar nga Fondacioni ALSAR.

Fondacioni ALSAR pret mysafirë dhe urime për Fitër Bajram

Fondacioni ALSAR ka hapur dyert këtë të premte të 20 marsit për të pritur e festuar me miq e bashkëpunëtorë Fitër Bajramin.

Si për çdo vit në këtë festë, fondacionin e kanë vizituar mysafirë të shumtë, mirëseardhja për të cilët ka qenë si gjithmonë mjaft e ngrohtë.

Personalitete të fushave të ndryshme, nga jeta akademike, shoqërore, politike, kulturore, funksionarë, përfaqësues e drejtues organizmash, janë pritur nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, me të cilin kanë shkëmbyer urime, kanë biseduar e kanë ndarë përvoja të muajit të agjërimit.

Urimet për Fitër Bajram i përcolli, midis vizitorëve, dhe prefekti i Tiranës, z. Shkëlqim Hajdari. Ndër mysafirët ishte gjithashtu dhe kryetari i Shoqatës “Tirana”, z. Ruzhdi Keçi.

Temë e bisedave spontane qe Ramazani dhe agjërimi në të, Fitër Bajrami si konkludues i tyre. Aktiviteti humanitar i ALSAR-it gjatë Ramazanit u vu gjithashtu në pah për dendësinë e tij dhe efikasitetin në shpërndarjen e ndihmave.

Qerasja e mysafirëve e bëri akoma më mikpritës dhe më të ngrohtë mjedisin.

Atmosfera e festës dhe urimet për Fitër Bajram e zbukuruan pritjen në Fondacionin ALSAR.

soap 2 day