Category Page: Humanitare

Fondacioni ALSAR dhe TİKA shpërndajnë pako ushqimore për jetimët e kryeqytetit në kuadër të projektit humanitar për muajin e Ramazanit

Fondacioni ALSAR dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) e kanë nisur bashkëveprimin e tyre në Ramazan me shpërndarjen pak para ardhjes së këtij muaji të pakove ushqimore për fëmijët jetimë të Tiranës.

Ceremonia tanimë e përvitshme është zhvilluar të enjten, më 27 shkurt, në pallatin e sportit “Farie Hoti”. Në të kanë marrë pjesë kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata.

Jetimë dhe të afërm të tyre ishin pjesë e ceremonisë si ndjekës të saj dhe përfitues të ndihmës ushqimore.

Projekti humanitar i dedikuar jetimëve përgjatë muajit të Ramazanit ka filluar të vihet në jetë në këtë mënyrë me shpërndarjen e 700 pakove të para.

Në total është parashikuar shpërndarja e 3500 pakove ushqimore në një muaj në një gjeografi të gjerë të vendit.

Kryetari i Fondacionit ALSAR e falënderoi TİKA-n, në një deklarim për median, për mbështetjen për të bërë të lumtur mijëra fëmijë jetimë. Koordinatori i TİKA-s theksoi po në kuadër të informimit rëndësinë e dhënë në projekte grupeve më në nevojë të shoqërisë.

Ky projekt i shpërndarjes së pakove ushqimore me rastin e muajit të Ramazanit do të vazhdojë të zbatohet në ditët e ardhshme nëpërmjet aktiviteteve të njëpasnjëshme humanitare.

Ndihma në ushqime për nevojtarë në Shkodër

Kontributi humanitar i Fondacionit ALSAR në ndihmë të shtresave në nevojë të shoqërisë sonë u konkretizua gjatë këtyre ditëve dhe me një aktivitet në Shkodër.

Në fokus të ndihmës ushqimore të dhënë ishin pjesëtarë të Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve, edhe më herët përfitues të mbështetjes humanitare të ALSAR-it.

Po ashtu ndihmë ushqimore u dha dhe për komunitetin e besimtarëve në njësinë administrative Ana e Malit.

Për njerëz e familje në nevojë në tërë veprimtarinë në Shkodër u shpërndanë 200 pako me ushqime.

Aktiviteti ishte pjesë e një pakete ndihme prej 700 pakosh me ushqime të dhëna me mbështetjen nga organizata e ndihmave HASENE, me qendër në Gjermani.

Ajo u nda me një sasi prej pakosh 250 në Pogradec, 200 në Korçë, 200 në Shkodër, dhe 50 të lëna për konviktin studentor të ALSAR-it.

Aktivitete të shumta humanitare e shoqërojnë afrimin dhe mbërritjen e muajit të begatë të Ramazanit. Një pjesë e mirë e tyre janë bashkëpunime të Fondacionit ALSAR me partnerë të huaj.

Aktivitet humanitar në Korçë, shpërndahen ndihma ushqimore

Fondacioni ALSAR e ka vijuar aktivitetin humanitar të këtyre ditëve me një veprimtari në Korçë, ku janë shpërndarë pako me artikuj ushqimorë.

Për familje në nevojë të zonës së Korçës janë dhënë 200 pako ushqimore; ndihmë e konsiderueshme për nevojtarë të gjërave më esenciale të jetesës.

Shpërndarja e kësaj sasie u mundësua nga mbështetja e organizatës së ndihmave me qendër në Gjermani, HASENE.

Veprimtaria humanitare në Korçë pasoi atë në Pogradec, si pjesë e një kontributi të gjerë humanitar nga HASENE në këtë prag Ramazani.

Ndihmat synojnë përkrahjen materiale dhe morale të shtresave në nevojë, ndërsa shumë pranë është muaji i shpërfaqjes së plotë të solidaritetit human.

Në ndihmë të familjeve në nevojë në fshatrat Çërravë dhe Bllacë të Pogradecit

Vetëm pak ditë larg muajit të madhërueshëm të Ramazanit, në Fondacionin ALSAR ka fituar ritëm aktiviteti humanitar në ndihmë të shtresave në nevojë.

Një varg veprimtarish në kuadër të projekteve humanitare janë zhvilluar së fundi në partneritet dhe në bashkëveprim me organizatën e ndihmave HASENE, me qendër në Gjermani.

Ndihma përbëhej nga pako me artikuj ushqimorë, shpërndarë fillimisht në Pogradec, në njësinë administrative Çërravë.

Për familje me nevoja ekonomike në fshatrat Çërravë dhe Bllacë është shpërndarë një sasi prej 250 pakosh ushqimore.

Të ardhur posaçërisht, punonjës të organizmit humanitar mbështetës, HASENE-së, ishin aktivë në dhënien e ndihmës ushqimore përfituesve.

Fondacioni ALSAR dhe HASENE kanë një ndërveprim frytdhënës në të mirë të shtresave e komuniteteve në nevojë për ndihmë në vendin tonë.

Realizohet në Koplik projekti i shpërndarjes së ndihmave në pako ushqimore

Fondacioni ALSAR zhvilloi në fundjavën e kaluar dhe një aktivitet humanitar në Koplik për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë në këto ditë që i paraprijnë muajit të madhërueshëm të Ramazanit.

Në zonën e Malësisë së Madhe, në njësinë administrative të Gruemirës, janë shpërndarë 200 pako ushqimore.

Dhënien e kësaj ndihme humanitare e mundësoi mbështetja nga IHH me qendër në Holandë.

Punonjës dhe drejtues të Fondacionit ALSAR ishin në terren për ta shpërndarë sa më mirë këtë sasi ndihme.

Aktiviteti humanitar i ALSAR-it dendësohet më tej gjatë Ramazanit përmes bashkëveprimit me shumë partnerë ndërkombëtarë.

Aktivitet humanitar në Tiranë, jepet mish “Adak” për familje jetimësh

Fondacioni ALSAR po i paraprin ardhjes së Ramazanit me një varg aktivitetesh humanitare në ndihmë të shtresave në nevojë.

Për realizimin e tyre po japin mbështetje ente partnere të ALSAR-it, bashkëpunëtorë në organizime me karakter humanitar.

Në një prej tyre të zhvilluar gjatë fundjavës së kaluar, në ambientet e Fondacionit ALSAR është kryer shpërndarja e një sasie mishi “Adak”.

Atë e kanë përfituar 20 familje jetimësh falë mbështetjes nga dhurues jashtë vendit.

Jetimët dhe ndihma ndaj tyre janë prioritet i kahershëm i Fondacionit ALSAR, intensifikuar në veçanti gjatë muajit të Ramazanit.

soap 2 day