Category Page: Kendveshtrime

Kurban Bajrami, kremtim i sakrificës njerëzore për hir të Zotit

Nga: Saimir Rusheku

Bashkësia muslimane anembanë botës përjeton një ndër ngjarjet më të rëndësishme fetare të vitit, festën e sakrificës, duke u paraqitur në këtë mënyrë me identitetin e saj moral, shpirtëror dhe fetar në arenën e madhe historike e botërore të zhvillimit të popujve, kulturave e qytetërimeve.

Institucion i sakrificës

Parimi i sakrificës ka qenë historikisht një prej elementeve qëndrore në besimet e ndryshme, dhe, përmes sakrifikimit të kryer në forma të ndryshme, njerëzit janë munduar t’i afrohen qenies hyjnore dhe të arrijnë grada të larta shpirtërore.

Islami i dha sakrifikimit kuptim dhe formë krejt tjetër prej ç’ekzistonte te popujt e lashtë. Një nga format e sakrifikimit në Islam është institucioni i kurbanit. Prej këtej, ai përbën karakteristikën më të theksuar të festës së dytë islame, festës së kurbanit, ngaqë në këtë ditë muslimanët kudo në botë therin kurbanë.

Në këtë kontekst, nënvizojmë se kurbani është institucion fetar që ka për synim kryesor humanizimin e njeriut, pastrimin shpirtëror, begatimin me vlera dhe aspirata të larta, edukimin dhe kalitjen e tij. Pra, nëpërmjet këtij institucioni kërkohet të nxitet formimi i personalitetit të shëndoshë human dhe i bashkësisë së shëndoshë njerëzore.

Kurbani është simbol i devotshmërisë, i nënshtrueshmërisë, i dorëzimit ndaj Allahut të Madhërishëm. Me therjen e kurbanit, te Allahu nuk arrin gjaku apo mishi, por nijeti, vendosmëria dhe motivi i njeriut në therjen e kurbanit, vullneti për të arritur grada më të larta të përsosurisë shpirtërore.

Kurbani rrezaton në vetvete karakterin mirënjohës dhe falënderues njerëzor ndaj Allahut të Madhërishëm. Përmes therjes së kurbanit, njeriu tregohet mirënjohës ndaj Tij, e falënderon Atë për të mirat dhe begatitë që ia fal.

Kurbani paraqet ngadhënjim të shpirtërores dhe fetares te njeriu mbi materialen dhe neglizhencën fetare. Këtë e demonstron besimtari me therjen e kurbanit, kur tregon qartë se përkushtimi për Allahun mbizotëron karshi ndjenjave dhe pasioneve tokësore: pranim i të sakrifikuarit për hir të Allahut!

Përkujtim, dimensione dhe filozofi

Kurbani ka dimension social, pasi është dëshmi e përkujdesit të njerëzve për njëri-tjetrin, e ndihmës materiale që i jepet të afërmit, mikut, nevojtarit. Me këtë bëhet edukimi i shpirtit të njeriut, lufta mbi egoizmin, spikatja në skenën e madhe të solidaritetit, të ndihmës dhe bashkëpunimit ndërnjerëzor.

Kurbani na përkujton një mësim domethënës të trashëguar nga historiku i misioneve profetike: gatishmërinë e profetit Ibrahim (a.s.) që të sakrifikojë gjënë më të shtrenjtë, të birin, Ismailin (a.s.), për hir të Allahut të Lartësuar! Tek personaliteti i profetit Ibrahim (a.s.) shohim të mishërohen ndjenjat dhe idealet e larta devocionale. Besimi ndaj Allahut e bëri atë që ta përmbushë pa mëdyshje frymëzimin hyjnor.

Në këndvështrimin islam, nocioni “festë” nuk ka vetëm dimension solemn dhe përkujtimor, por filozofia është shumë më e gjerë. Urtësia e Zotit të Lartësuar e ka përcaktuar në dispozitat fetare që festat islame të pasojnë kryerjen e ritualeve adhurimore. Kështu, Fitër Bajrami vjen pas përfundimit të muajit të Ramazanit, pas kryerjes së ritualit të agjërimit, një prej bazave themelore të Islamit. Kurban Bajrami kremtohet në vazhdën e kryerjes së ritualit të haxhit, nëpërmjet demonstrimit të aktit të sakrificës dhe solidaritetit islam.

Esencë

Bërja e kurbanit simbolizon në thelb padiskutueshmërinë e vullnetit hyjnor, gatishmërinë e njeriut besimtar për t’iu bindur atij vullneti. Kremtimi i këtij akti është festim i esencës së marrëdhënies midis të krijuarit dhe Krijuesit: nënshtrimit dhe bindjes së qenies njerëzore ndaj Qenies Hyjnore!

Epopeja e popullit turk pesë vite më parë

Nga: Fondacioni ALSAR

Këtë 15 korrik bëhen pesë vite nga përpjekja e dështuar për grusht shteti në Turqi. E freskët është kujtesa për atë që ndodhi, ndonëse ngjan një kohë disi e largët.

Ishte grusht shteti mizor, i pamëshirshëm, i urdhëruar pa asnjë lëkundje për gjakun që do të derdhej. U kthye në epope, në akt të pashembullt trimërie të turqve të thjeshtë, të cilët lanë shtëpitë dhe u derdhëm rrugëve për t’u thënë ndal puçistëve. Mizorisë iu përgjigjën me trimëri, me vetëmohim, me sakrificë të pashembullt!

Turqia kishte përjetuar grushte shteti dhe në të kaluarën, kishte parë ndërhyrje brutale ushtarakësh me pasoja të rënda për vendin, por si asnjëherë më parë historia do të merrte tjetër rrjedhë në 15 korrikun e 2016-s.

Asgjë nuk do të ishte më e njëjtë pas asaj date, pas një nate të gjatë ku u vendos fati i Turqisë së re. Njerëzve u thirri ndërgjegjja, e ardhmja e fëmijëve të tyre, e vendit të tyre. Zemrën dhe shpirtin ua ndezi thirrja e presidentit Erdoğan, për të mos u trembur prej grykës së armëve, tankeve dhe avionëve të kryerësve të grushtit të shtetit. Qindra dhanë jetën, mijëra u plagosën, miliona qëndruan në rrugë me javë për të mos i dhënë asnjë mundësi një tentative të tjetër.

Vetë populli e vendosi fatin e vet! I tha jo përmbysjes së rendit kushtetues, marrjes së pushtetit me dhunë. Shkurajoi përpjekjet për ta rrëzuar pushtetin e ligjshëm, të ardhur nëpërmjet votës së lirë, vullnetit popullor, me anë të dhunës. Historia u shkrua, si një mësim në të ardhmen për çdo puçist në Turqi!

Organizuesit e grushtit të shtetit i mbuloi turpi i tradhtisë, barrë u mbeti mbi shpinë gjaku i pafajshëm që derdhën. Në asnjë plan të tyre nuk kishte qenë një reagim i tillë popullor. Dështimi u erdhi prej atyre njerëzve të mbrujtur me besim të vërtetë dhe atdhetari nga ajo tokë e begatë.

Fati i puçistëve vendosi dhe fatin e çdo përpjekjeje të ngjashme më pas. Koha e grushteve të shtetit mori fund, pa hequr vigjilencën në prerjen nga rrënjët të tentativave të reja. Mbarimi i asaj beteje u ndoq nga një betejë tjetër, e cila vazhdon ende, ajo e pastrimit të shtetit, të aparatit shtetëror, dhe të jetës shoqërore nga tentakulat e organizatorëve të grushtit të shtetit të 15 korrikut.

Mbrëmja në mesin e korrikut pesë vite më parë u shndërrua nga tragjike në heroike. Turqia, e gjendur në prag të greminës, hodhi një hap tjetër, vendimtar, drejt të ardhmes së saj të ndritur. Turqit i treguan botës se ç’përgjigje meritonte një përpjekje për grusht shteti, se ata ishin të palëkundur në ecjen në rrugën e re.

Turqit shkruan një epope në atë 15 korrik, epopenë e Turqisë së re!

Një ribotim i kërkuar

Nga: Mehdi Gurra

Në këtë botë shkojnë e vijnë qytetërime, lindin, shkëlqejnë, zbehen e shuhen shtetarë, njerëz të fjalës, të penës, të veprimit, prijësa, por për ndjekësit e Islamit nuk ka dhe nuk ka për të patur njeri më të dashur e më të nderuar se Muhammedi a.s. Vula e profetëve, i Dërguari i fundit i Zotit për njerëzinë, përbën frymëzimin për jetën e miliarda krijesave njerëzore, shembullin e ndjekur prej tyre derisa i lënë lamtumirën kësaj bote. Ai ka qenë, është dhe do të jetë më i dashuri njeri për çdo musliman gjersa kjo jetë mbi tokë siç e njohim ne të marrë fund.

Nderimi i thellë për të i ka ndezur disa zemra dhe i ka nxitur disa mendje t’i hedhin në letër lëvdatat për të, t’u japin atyre formë poetike, e në poezi ta shkruajnë jetën dhe veprën e tij. Ky lloj lëvrimi letrar u quajt mevlud, për të fituar me kalimin e kohës një varg përkufizimesh. Siç fitoi dhe shumë përdorime mevludi, i kënduar në ditën e 12-të të muajit hënor rebiul evel, për ditëlindjen e Muhammedit a.s., në ditët pasuese, por dhe në ditë e ngjarje të tjera të muslimanëve. Muslimani e mbart vlerësimin e këtillë për Pejgamberin, “Ditëlindja jote, ditëlindja jonë, mevludi juaj, mevludi ynë.”

Enciklopedia Islame e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë e përkufizon mevlid-in (prej nga kemi marrë fjalën mevlud) si: lindja e Pejgamberit a.s., emri i dhënë ceremonive të zhvilluara për përvjetorin e lindjes, dhe emri i përbashkët i veprave të shkruara të kënduara në këto ceremoni. Ode për Pejgamberin është ajo çka kuptojmë me mevlud – një lloj poeme epiko-lirike – si dhe këndimi i organizuar i tyre në ditëlindjen e tij ose në raste të tjera. Perceptimi i duhur i domethënies së mevludit shmang devijimet, teprimet dhe kuptimin e gabuar, dhe na mban në shinat e vlerave të dobishme të tij: të të mësuarit për jetën dhe veprën e të Dërguarit të Zotit, të lëvdimit të asaj që ai ishte, që tha dhe bëri, të vënies në pah të cilësive të larta të Muhammedit a.s., të rritjes së devotshmërisë, të zgjerimit të horizontit fetar, etj.

Tradita e mevludit në botën islame është e hershme dhe ka patur mbështetësit dhe kundërshtarët e saj. Nuk është vendi për t’u ndalur në të, ndërkohë që interes paraqet tradita e pasur osmane në këtë pikëpamje, ku veçohet vepra e Sulejman Çelebiut. Prej kur u shkrua, në 1409-n, Mevludi i tij u këndua dhe u përkthye në hapësirën ku shtriheshin osmanët, natyrisht dhe në Ballkan.

Shkrimi i mevludeve krijoi traditën e vet dhe te shqiptarët, duke nisur me atë të Hasan Zyko Kamberit dhe duke vazhduar me një varg autorësh të tjerë. Mevludet patën rolin e tyre në ruajtjen e identitetit fetar, qenë një pasuri në mungesë të literaturës islame në shqip, dhe shtuan në zemrën e besimtarëve dashurinë për Pejgamberin. I lehtë për t’u kuptuar, i këndshëm për t’u dëgjuar, mevludi u mirëprit dhe u këndua ngado, në objekte kulti, mësimdhënëse, dhe në shtëpi muslimanësh. Mevludi nxiti meditimin, reflektimin, mbajti ndezur ndjenjën e besimit në vatra besimtarësh. Këndimi i mevludit qe shkak për diskutim fetar, për brumosje fetare, për ligjërim fetar. Aq mirë zuri vend ai, sa shumëkush do të dinte së paku përmendësh një pjesëz të tij.

Studiuesit rendisin një numër mevludesh, rreth 30, mes të cilëve gjendet dhe ai i Hafiz Ali Ulqinakut, një përshtatje e veprës së Çelebiut. Ky përkthim, kjo përshtatje, e bërë mes viteve 1873-1874, ka marrë mjaft vlerësime, midis të cilave veçojmë për t’i dhënë këtu dy prej tyre.

Në librin “Mevludet në gjuhën shqipe”, një studim i autorëve F. Luli dhe I. Dizdari, i botuar në vitin 2002 në Shkodër nga shtëpia botuese “Camaj-Pipa”, citohet në faqen 24 vlerësimi i studiuesit Idriz Lamaj, i cili thotë se, “Mevludin e Çelebiut e përktheu nga turkishtja në gjuhën shqipe Hafiz Ali Riza Ulqinaku, versioni i të cilit ka kalue deri në ditët e sodit si ma i përsosuni dhe ma i popullarizuemi.” Në të njëjtën vepër, një faqe më pas, te fq. 25, kemi vlerësimin e studiuesit Hamdi Bushati: “Mevludi shqip i Hafiz Ali Ulqinakut u ba një vepër e dashtun për besimtarët myslimanë të kohës dhe u prit me entuziazëm të madh. Shumica e familjeve muslimane ia kishin vu për detyrë vetes me pasë në shtëpi një kopje të atij mevludi…”

Në ditët e hapjes së ekspozitës fotografike “Tirana 100 vjet kryeqytet” të Fondacionit “ALSAR” në Ulqin, në fund të janarit të këtij viti, do të bashkëbisedonim në një takim të ngrohtë me imamë të zonës, ku do të njiheshim me një fakt mjaft interesant. Siç do të na tregonte imami i xhamisë së fshatit Krythë të Ulqinit, Bajram efendi Hajdari, në ato treva kishte qenë traditë vendosja e mevludit si libër në pajën e nuses. Marrja e një kopje të mevludit diku dhe shkruajta e tij nga e para ishte zgjidhja kur ky libër mungonte dhe duhej vënë në pajë.

Për t’u ndalur pak te kjo traditë, te rrënjët e saj, na duhet t’i referohemi një akademiku turk, prof. dr. Fikret Sarıcaoğlu, profesor i historisë në Universitetin e Stambollit, i cili na thotë se në shekujt klasikë osmanë (1453-1789) ndeshej dukuria e vendosjes së Mus’haf-it në pajën e nuses, mbase më tepër për vajzat e dyerve të mëdha, për shkak të papërballueshmërisë financiare nga njerëz të thjeshtë, që në vend të tij vendosnin libra të tjerë më të vegjël, si, për shembull, një ilmihal. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, me shtypjen masive të Mus’hafit, vendosja e tij në pajë u bë më e mundur. Tradita ndryshonte sidoqoftë sipas gjeografisë.

Gjendja e mirë ekonomike ishte përcaktuese dhe në vendosjen e librave të tjerë fetarë. Kështu që ishte e logjikshme të vendosej në pajë dhe Mevludi i Sulejman Çelebiut.

Fondacioni “ALSAR” e pati botuar Mevludin e Hafiz Ali Ulqinakut në vitin 2015, me rastin e ditëlindjes së Pejgamberit. Gjashtë vite më vonë, “ALSAR”-i e boton enkas atë për t’ia dhuruar Mexhlisit të Bashkësisë Islame të Ulqinit. U nxitëm për këtë ribotim nga historia e treguar prej imamit të xhamisë së fshatit Krythë dhe nga një kërkesë e Mexhlisit të Bashkësisë Islame të Ulqinit. Me firmën e kryeimamit, Ali efendi Bardhit, kërkesa vinte në dukje nevojën e xhematit të Ulqinit për ta patur në gjuhën shqipe Mevludin e Hafiz Ali Ulqinakut, posaçërisht botimin e “ALSAR”-it. Falë Zotit, ky botim është tani në duart e porositësve dhe të kujtdo që kërkon ta ketë atë!

Çamëria, plaga e pashëruar, në një enciklopedi për të

Nga: Mehdi Gurra

Rëndësia kritike e ekzistencës së Perandorisë Osmane për mbarëvajtjen e shqiptarëve në territorin e tyre u bë shumë e dukshme kur ajo nisi shpërbërjen. Të shtrirë dhe banues në një hapësirë të gjerë, në pozita shpesh sunduese, si drejtues të lartë në hierarkinë perandorake, shqiptarët nisën zmbrapsjen dhe tkurrjen kur si pjesë e perandorisë filluan të provonin efektet e dobësimit të saj.

Ca prej tyre patën fat tek mbetën brenda kufijve të një Shqipërie të shpallur të pavarur pak vite më herët se Perandoria Osmane të pushonte së ekzistuari. Një numër i konsiderueshëm iu bashkangjitën shteteve fqinje ballkanike si rrjedhojë e vendimeve arbitrare të fuqive të kohës atëherë kur shteti qindravjeçar otoman ishte në grahmat e fundit.

Ata iu nënshtruan kalvarit të mundimeve, vuajtën persekutimin, spastrimin etnik, u detyruan të marrin rrugët, të lënë tokën, shtëpitë, pasurinë, për të vetmin fakt, se ishin shqiptarë, se shumë ishin muslimanë. Prej akteve gjenocidale e pësuan më së tepërmi çamët, posaçërisht të besimit islam, në gjysmën e parë të shekullit të shkuar; një popullsi e përzënë me dhunë prej vatrës së vet. Imponimi nga grekët i harresës, pafuqia e klasës politike shqiptare për ta vënë në rend të ditës si çështje, i kanë dhënë sukses taktikës së vjetër greke të mohimit absolut të problemit të Çamërisë.

Kush e ka qeverisur Shqipërinë deri më tani o nuk ka ditur si t’i qaset çështjes çame, o nuk ka dashur që t’i  krijojë vetes telashe me fqinjin jugor, gjithmonë dhëmbëkërcitës dhe kur veç është belbëzuar në lidhje me Çamërinë. Çështja as nuk është ngritur kurrë siç duhet, jo më të pritet një zgjidhje e saj. Ajo mbetet vija e thyerjes e dy shteteve, asnjëherë në një dashuri të sinqertë me njëri-tjetrin.

Pasardhësve të çamëve të shpërngulur me forcë nuk u lejohet ta vizitojnë vendin e tyre, t’i vizitojnë shtëpitë e të parëve ende në këmbë a gërmadhë, apo ta rigëzojnë pronën e marrë me forcë. Të mbeturit në Çamëri, më së shumti të besimit ortodoks, i janë nënshtruar rregullisht helenizimit. Shteti grek ka një ndjeshmëri dhe vigjilencë të skajshme kur vjen puna te çamët, duke mos i lënë shteg asnjë optimizmi sado të vogël se çështja e tyre do të marrë zgjidhje. I njëjti shtet nuk di të sillet në mënyrë aq proporcionale sa ka të bëjë me minoritetin grek që jeton në Shqipëri, për të cilin kërkon të drejta vend e pavend.

*

Çamëria përbënte skajin më jugor të trungut shqiptar përpara vitit 1913. Shtrirë në lindje të Jonit, me Konispolin si cak në veri të saj dhe Prevezën në jug, Çamëria do t’i lihej Greqisë atë vit prej Konferencës së Ambasadorëve. Prej asaj kohe do të përjetonte valët e spastrimeve etnike, të kulmuara në fundin e Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1944-1945.

Greqia zgjodhi rrugën e trembjes dhe të largimit të popullsisë çame, për të krijuar një realitet të ri demografik. Historiani Beqir Meta, i cili i ka studiuar marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe çështjen çame, duke shkruar për to, i rrëfente seksionit në shqip të agjencisë së lajmeve Anadolu Agency një vit më parë se masakra e 72 krerëve të Çamërisë në vitin 1913 ishte eliminimi i parë i kësaj periudhe. Një valë e madhe spastrimi do të kryhej pas Konferencës së Lozanës të dhjetë viteve më vonë, ndjekur nga ajo në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Spastrimi i fundit etnik ishte më tragjiku. Detyrimi me dhunë për t’u shpërngulur, shoqëruar me masakra, nisi më 27 qershor të vitit 1944 dhe përfundoi në mars të vitit pasardhës. Të gjithë çamët muslimanë u detyruan të lënë shtëpitë e tyre dhe të vijnë në Shqipëri si refugjatë. Mijëra u vranë në këtë fushatë spastrimi, mijëra të tjerë vdiqën. Sipas prof. dr. Beqir Metës, u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, pra, të gjithë shqiptarët muslimanë të Çamërisë, që erdhën në Shqipëri si refugjatë në kushte jashtëzakonisht të vështira.

Vendin bosh të lënë prej çamëve muslimanë e zunë grekët e sjellë aty prej qeverisë së tyre, toponimet u ndërruan, u greqizuan, u sekuestruan prona, shtëpi. Çamët ishin viktima të spastrimit etnik; ky spastrim ishte bërë mbi ta në mënyrë përzgjedhëse, seleksionuar në bazë të besimit fetar. Muslimanët e pësuan!

E megjithatë, sot e gjithë kohës, kush e ka qeverisur Greqinë e ka mohuar që të ketë një çështje çame. Pavarësisht përpjekjeve sporadike, autoritetet shqiptare nuk kanë patur asnjëherë guximin për ta shtruar seriozisht atë në tryezën e bisedimeve dypalëshe.

*

Përpara se të flasim për enciklopedinë e botuar mbi Çamërinë, duhet thënë dhe diçka më tepër për këtë krahinë shqiptarësh në pjesën më jugore të banuar prej tyre. Fjalori Enciklopedik Shqiptar thotë se Çamëria shtrihet përgjatë bregdetit të Jonit, nga lumi i Pavllës (ose i Shalësit) në veri deri në gjirin e Prevezës në jug, në gjatësi rreth 107-108 kilometra, ndërsa në lindje shkon deri te malet e Kurillës dhe te shkalla e Parathimisë, me një sipërfaqe prej rreth 3900 km², ku mbizotërojnë kodra e male me lartësi jo më tepër se 1000 metra. Filati, Gumenica, Lurai Margëllëçi, Arta, Parathimia, Parga dhe Preveza njihen si qendrat kryesore të Çamërisë. Konferenca e Amabasadorëve e Londrës e vitit 1913 la brenda kufijve të shtetit shqiptar vetëm fshatrat Dishat, Janjar, Konispol, Markat, Ninat, Shalës dhe Vërvë me popullsi muslimane, dhe Çiflik, Mursi e Xarrë me popullsi ortodokse.

Çam e Çamëri kanë lidhje me emrin antik të lumit Thyamis, që kalonte nëpër territorin e Tesprotisë, banuar prej fisit ilir të Tesprotëve. Çamëria ishte pjesë e sanxhakut të Delvinës dhe Janinës gjatë periudhës osmane. Popullsia në atë kohë sillej sipas botimit  të përmendur më lart nga 95 në 110 mijë banorë. Andartët grekë iu sulën Çamërisë më 1854 dhe 1878, pritur me armë nga popullsia vendase. Atë që nuk e bënë ata e realizoi sa hap e mbyll sytë Konferenca e Ambasadorëve e 1913-s. Pas Luftës së parë Botërore, qeveritë greke dëbuan për në Anadoll mijëra çamë muslimanë. Dëbimet greke do të vijonin dhe në fundin e Luftës së Dytë Botërore.

 

Çamëria në veprën e Ibrahim Daut Bejdeshatit (Hoxhës)

Dëshmive të fatit tragjik të Çamërisë dhe të çamëve si një popullsi e persekutuar, e padëshiruar dhe e dëbuar prej trojeve të veta, u është shtuar pak kohë më parë një vepër enciklopedike, e botuar nga Fondacioni ALSAR.

Botimi vjen si një shprehje e politikës së dyerve të hapura të Fondacionit ALSAR për ato vepra dhe ata autorë që trajtojnë tema të çështjes kombëtare. Përkujdesi i fondacionit për t’i botuar të tillë vepra është i vazhdueshëm, si konkretizim i vizionit të tij atdhetar.

Ibrahim Daut Bejdeshati (Hoxha), si bir i Çamërisë, bir i një dere të njohur çame, i ka kushtuar vite të tëra të jetës së vet mbledhjes së materialeve historike për tokën që e lindi, përpilimit të një teksti të bollshëm, të finalizuar me botimin e veprës “Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria”.

Në krye të 923 faqeve të enciklopedisë ndeshen tre citate prej nga duket se e ka marrë frymëzimin autori për ta kthyer në fjalë të shkruara mundin e tij shumëvjeçar: “Një komb që nuk njeh të kaluarën e vet, ja është fëmijë, ja i pamend. Një komb që e përbuz atë, është i humbur!”, “Një komb që nuk din të kaluarën e vet, është i vetëdënuar të vuajë mjerimet e së kaluarës së tij!”, “Për faje të botës, shqiptarët ngrenë këmbët, i bien kokës!”

Vëllimshkruesi, siç e quan veten autori, përdorues i një shqipeje të pasur, e shpjegon me katër rreshta në hyrje se ç’është kjo vepër enciklopedike, ku na thotë se ajo bën fjalë për ilirët jugorë skajorë, të quajtur shqiptarë prej mbi 300 vjet, për vendet e tyre stërgjyshore, për mëmëdhetarinë dhe vendmbrojtësinë e tyre shembullore, për cilësitë e dalluara luftarake dhe për ndodhi të shënuara në jetën në trevat e tyre.

Emra, vende, ngjarje, karakteristika, shkolla, objekte kulti, organizata, shoqata, harta dhe fotografi, këmbyer faqe pas faqeje, na bëjnë të njohur një Çamëri tepër të pasur në histori, tepër të begatë, po ashtu, në fund, tepër të pafat për banorët që i mbanin gjallë emrin.

Zëri i kushtuar Çamërisë në vepër merr më shumë faqe se çdo zë tjetër. Prej aty vlen të japim këtu paragrafin e parë, më të rëndësishmin për të kuptuar dramën e atyre njerëzve: “Çamëria është pjesa më jugore e trungut tokësor shqiptar. Më 10-13 mars 1913, pas 6 muajsh mbrojtjeje vetëmohuese (18. X. 1912 – 7. 3. 1913), përfundoi në thonjtë e njësive ushtarake mësyese greke. Vitin e pushtimit (1913), Çamëria e tërë banohej nga rreth 120.000 banorë, shumica dërrmuese shqiptarë. Përfaqësuesit e shteteve të mëdha evropiane asokohe – si edhe tjetër herë – i vunë sëpatën; nëpërmjet Konferencës së mallkuar të Ambasadorëve, më se 5/6 e saj së toku me vendësit e vet i vunë nën zgjedhën më të rëndë dhe më të urryer, nën atë të pushtetarëve kryqtarë athino-fanaritë. Këta shkelën haptazi pa kurrfarë ndrojtjeje çdo të drejtë njerëzore e kombëtare si dhe çdo kusht e marrëveshje ndërkombëtare. Gjatë 42 vjetëve sundimi përpinë tërë ata çamër, që e njihnin veten shqiptarë, përpiqeshin të mbeteshin të tillë, që bënin çmon të shpëtonin veten, mallin dhe vendin e vet nga ajo robëri aq e zezë.”

Emërtimet, vendndodhja, përkatësia, caqet, lashtësia, ndarjet administrative shtetërore, lartësitë, qafat, gravat, sheshtinat, burimet, kronjet, përrenjtë, lumenjtë, liqenet, detet, cepat anëdetarë, gjiret, portet, ujdhezat, klima, bimësia, bota shtazore, ekonomia, blegtoria, bujqësia, zejet, tregtia dhe tregjet, rrjeti rrugor, çamërit në rrjedhën e ngjarjeve historike, veshjet, bindjet fetare, cilësitë dhe veçoritë morale, etj., janë nënzëra që e bëjnë të plotë përshkrimin e Çamërisë.

Në enciklopedi gjejmë të dhënë jetën fetare të çamëve, numrin e xhamive në qytetet kryesore, emrat e tyre, të atyre që i ndërtuan, të medreseve, si atë, për shembull, të Konispolit, një zë apo nënzë u kushtohet arvanitëve, flitet për hebrenjtë në Çamëri e Janinë, tregohet për udhëtimin e Evilja Çelebiut nëpër Çamëri e Mollosi, merret në analizë femra çame dhe pozita e saj sipas moshës dhe gjendjes civile, kritikohen vepra të mëhershme për Çamërinë, si “Historia e Çamërisë” e Kristo Frashërit.

Në lidhje me periudhën osmane, autori thotë: “Sapo Çamëria u vu në përbërjen e sulltanatit osman, ashtu sikur edhe Janina e krahinat e tjera mbarëshqiptare, për të parën herë në udhëtimin e tyre historik e parahistorik u përmblodhën në një njësi të vetme me emrin ‘Arnavutlluk’.”

Për të njëjtën periudhë, të nxirë si mos më keq prej lloj-lloj historianësh të prekur nga viruse ideologjizmash gjithfarësh, ai shprehet në faqen 838 se, “burimet e mirëfillta historike na bëjnë të ditur se gjatë gati të 500 vjetëve të sundimit osman – që në të vërtetë, siç dëshmohet pa kurrfarë mëdyshjeje, ishte sundim i përbashkët turko-arbëror – arbërit dhe pasuesit e tyre, shqiptarët, qëndruan vendoshmërisht me vetëdije brenda sulltanatit osman; këtë domosdoshmëri jetike qeveritë fuqiplote evropiane – dashamirëse të grabitqarëve fqinj – me veprime të paudhta gjatë më se 100 vjetëve ia dolën ta asgjësonin. Është krejtësisht e ditur se arbërit me turqit u vëllazëruan e – siç do të shihet – dhe gati u bënë një me ta. Kjo pashmangshmëri kryekëput e domosdoshme ndodhi ngaqë – siç e thashë dhe gjetkë – ishin plotësisht të vetëdijshëm se arbërit dhe turqit përballë kishin të njëjtit armiq.”

Në faqen 850 gjenden të renditura gjashtë të mira të përmbledhjes së arbërve brenda sulltanatit osman, pak pasi janë cituar fjalët e kryetarit të tanishëm të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës në Shqipëri, “Për ne turqit, Shqipëria është atdhe i dytë.” Përcaktim më i përpiktë as që mund të bëhet, nënvizon autori i veprës enciklopedike mbi Çamërinë.

Si pakkush në Shqipëri, autori mban qëndrim të ashpër ndaj përpjekjes së dështuar për grusht shteti në Turqi të organizuar në mesin e korrikut të vitit 2016 nga organizata kriminale FETO dhe shërbyesit e saj në ushtrinë turke. Në faqen 834 të enciklopedisë do të gjeni reagimin e një miku të vërtetë të Turqisë, cilësimet e së cilit për autorët e asaj ngjarjeje tragjike janë mjaft të qëlluara.

*

Ibrahim Daut Bejdeshati (Hoxha) është i biri i Daut Hoxhës, vrasja e të cilit u përdor për të nisur luftën italo-greke të vitit 1940. Edhe pse vështirësitë dhe telashet nuk iu ndanë tërë jetës, Ibrahim Daut Bejdeshati (Hoxha) nuk reshti së kërkuari dhe së shkruari për Çamërinë. As mosha e thyer nuk ia ndali vrullin. Dhjetëra libra janë nxjerrë prej duarve të tij si autor dhe bashkautor, përpos qindra kumtesave dhe shkrimeve të mbajtura e të botuara ndër vite. Në duhet përmendur një veçori në këtë vepër të botuar së fundi, “Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria”,  ajo është gjuha shpatë e tij, e ashpër dhe e prerë për atë që ai mendon se e meriton. Ky çam i kulluar kështu flet!

 

(Ky artikull u botua në gazetën “Dita” në fundin e janarit të vitit të shkuar, kushtuar botimit të Fondacionit “ALSAR” të enciklopedisë për Çamërinë, “Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria,” të autorit tashmë të ndjerë, Ibrahim Daut Bejdeshati (Hoxha). E sjellim atë në faqen tonë tani në përkujtim të 27 qershorit, Ditës së gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë, në përvjetorin e 77-të.)

10 qershori, një ditë me dy ngjarje historike për shqiptarët

Nga: Fondacioni “ALSAR”

 

Historia njeh shumë udhëkryqe për njerëz dhe popuj, jeta po ashtu. Shqiptarët vetë jo rrallë kanë qenë buzë greminës, në zgrip të ekzistencës. Dhe çdo herë ia kanë dalë të mbijetojnë, t’i qëndrojnë kohës dhe t’u bëjnë ballë sfidave ekzistenciale.

Dy ngjarje në histori, me rëndësi jetike për shqiptarët, i përmbledh një datë e vetme. Diçka më shumë se një shekull i ndan ato, por elementi kohor nuk ua prish përbashkësinë. 10 qershori i 1878-s dhe ai i 1999-s ishin dritë e parë në tunel, shpresë për një të nesërme më të mirë.

Për sa kohë qenë pjesë e një perandorie në lulëzim, nën strehën e osmanëve, dhe ata patën momente mbrothësie; u sunduan dhe sunduan. E keqja e madhe filloi të trokiste kur ajo perandori filloi të lëkundej e t’i afrohej fundit.

Nën kërcënimin e traktateve dhe të fqinjëve, shqiptarët vendosën të tregojnë veten dhe t’u imponohen vullneteve të fuqive të kohës si një entitet kombëtar. Lidhja e Prizrenit ishte shprehje genuine e vetëdijes kombëtare dhe e identitetit kombëtar brenda kornizës së perandorisë.

“Ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë,” sipas një shkrimi të revistës “Diturija” të vitit 1928. Përndryshe, ngjarja e 143 viteve më parë nxiti zgjimin kombëtar, nën presionin e skemave, vendimeve dhe zhvillimeve që rrezikonin t’i copëtonin e t’i çonin shqiptarët drejt eliminimit të plotë.

Delegatët e mbledhur në Prizren nga të gjitha trojet shqiptare për një platformë të përbashkët politike i dhanë jetë Lidhjes. Pozicionet ideologjike kanë patur ndikimin e tyre mbi pasqyrimin e zhvillimeve në atë kuvend; mes të tjerësh, Robert Elsie thotë se pa dyshim që Lidhja e Prizrenit kishte fillimisht mbështetjen e qeverisë osmane. Vendimet, përmbledhur në Kararname, e bëjnë të qartë prirjen e Lidhjes dhe misionin e saj.

Pas më shumë se një njëqind vitesh, një pjesë e kombit, një trup i shkëputur prej dheut mëmë, provoi gjenocidin serb, duke e detyruar NATO-n të ndërhyjë ushtarakisht dhe të bombardojë agresorin e shqiptarëve të Kosovës.

Fushata bombarduese e NATO-s zgjati për 78 ditë në gjysmën e parë të vitit 1999, për të ndalur më 10 qershor me urdhër të Javier Solana-s, sekretarit të përgjithshëm të organizatës më të madhe ushtarake të botës; Serbia kishte pranuar të tërhiqte trupat policore dhe ushtarake nga Kosova. Në të njëjtën ditë u miratua rezoluta 1244 e OKB-së.

Për Kosovën dhe kosovarët kishte nisur epoka e re, e pavarësimit dhe e krijimit të shtetit të ri. Një tjetër 10 qershor ishte bërë vendimtar për shqiptarët. Rrugë e gjatë dhe e vështirë shtrihej përpara, sërish plot me sfida. Entiteti i ri shtetëror kërkonte të tjera sakrifica.

Dy ngjarjet kanë rëndësinë e tyre në historinë tonë, të lidhura qartë me përpjekjen për të mbijetuar e jetuar mes fqinjësh jomiqësorë. Lidhja e Prizrenit përbën një moment kulmor në formësimin e identitetit kombëtar shqiptar dhe të shprehjes së tij. Fundi i bombardimeve të NATO-s mbi objektivat serbe shënon fundin e sundimit dhe gjenocidit serb në Kosovë.

Bosnja dhe Hercegovina në përshkrimin e Pashko Vasës si nëpunës dhe tregimtar

Nga: Bujar M. Hoxha

Vargjet e së mirënjohurës “O moj Shqypni”, të ditura prej të madhi e të vogli e të pandara prej shkruesit të tyre, ia kanë marrë dritën në njëfarë mënyre gjithë punës tjetër krijuese letrare të Pashko Vasës. Edhe në mos qoftë kështu, shumë e bashkëshoqërojnë këtë figurë emblematike të rilindjes kombëtare, këtë ideolog dhe poet të saj, vetëm me ato vargje.

Për të ndihmuar në njohjen më mirë të aktivitetit të tij letrar, të ushtruar në mesin e shekullit të 19-të dhe diçka më këtej, na ndihmon dhe një botim i ri i veprës “Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut”.

Me një përkthim të ri, të shoqëruar dhe me origjinalin ngjitur, kjo vepër na e sjell më pranë Pashko Vasën si letrar e njëkohësisht si nëpunës i Perandorisë Osmane. Në shoqërimin e një shtetari të perandorisë, dhe duke u treguar tepër modest për detyrën e marrë, “pa pasur, ndoshta, ndonjë meritë tjetër veç asaj të njohjes së gjuhës sllave”, siç vetë shkruan, ai ka mundur ta prekë vetë realitetin në atë pjesë të Ballkanit, të njohë të vërtetat e të mbledhë fakte, për t’i hedhur të gjitha në letër me stil tregimtari.

Aq e çmoi lëvizjen pjesë e së cilës ishte dhe misioni i Xhevdet Efendiut në Bosnjë dhe Hercegovinë, sa do të thoshte në parathënien e kësaj vepre se “me frytet e saj të jashtëzakonshme, kjo lëvizje bëri që të tërë ata që kishin mohuar vazhdimisht përparimin e qytetërimit tonë, të hiqnin dorë nga mendimet e tyre ndjellakëqija, dhe që Europa të shihte qartë se në një perandori ku fuqia morale e topitur zgjohet sa herë i bëhet thirrje nga një sovran energjik, i drejtë dhe i mençur, forcat jetike janë të pafundme”.

Gjatë qëndrimit njëzetmujor, nisur prej largimit nga Stambolli në prill të 1863-shit, ai i pa me sytë e tij aktet e misionit të Xhevdet Efendiut (Ahmed Xhevdet Pashës, shtetarit osman me shumë karrierë), punoi për to sa ia lejonin atributet, dhe premtoi të tregojë vetëm për çfarë shikoi, mësoi dhe për çfarë ngjau gjatë asaj periudhe.

Rrëfimtar, Bosnjën na e përshkruan si “të shndërruar në otomane përsa i përket besimit fetar, por mbetur sllave për nga ndjenjat e doket”, ndërsa gjeografikisht, “ka shumë male, fusha, lugina piktoreske e shumë pjellore”. Me klimë shumë të shëndetshme, nuk ka vend në botë që të jetë më i pasur me ujëra sa Bosnja – gjithmonë thënë kështu nga pena e Pashko Vasës. Banorëve, boshnjakëve, u rezervon përshkrimin, “nuk e heqin kurrë llullën prej goje”. Dhe, për xhamitë, thotë se në Bosnjë ka një numër shumë të madh, që spikasin për nga madhështia dhe nga bukuria e arkitekturës; “në Bosna-Serai numërohen 120”. Nënvizon se zakoni është gjithçka në Bosnjë.

Të njëjtat përshkrime vlejnë dhe për Hercegovinën, si pjesë prore e Bosnjës, me trazirat si gjendje e vazhdueshme e vendit. Pozitat e bashkësive fetare, marrëdhëniet midis tyre, gjendja e shkollave, e arsimit në përgjithësi, e shërbimit shëndetësor, e rrugëve, e sistemit gjyqësor, e mexhliseve, e pronësisë mbi tokën, raporti mes agait dhe çifçiut, tatimet, tregtia dhe industria, etj., kanë marrë vëmendjen e tij dhe janë trajtuar me kujdesin e nëpunësit perandorak dhe të rrëfimtarit besnik për atë çfarë sheh e zbulon.

Xhevdet Efendiut i njeh merita të jashtëzakonshme për punën e bërë gjatë misionit, për vënien në rrugën e mbrothësisë si të Bosnjës dhe të Hercegovinës: “ai i kënaqi të gjithë me paanësinë dhe barazinë e vendimeve të tij”. Duhet ta lexosh faqe më faqe e rresht më rresht librin për të hyrë thellë në aktivitetin reformues të Xhevdet Efendiut në muajt e qëndrimit në ato vise. Çdo zgjatje tjetër këtu veç do t’ia hiqte bukurinë përshkrimit të autorit.

Një gjë duhet cituar ashtu siç është shkruar, për të kuptuar nivelin e përgjegjësisë për detyrën dhe të moralit në kryerjen e saj, ndjesinë si pjesë e perandorisë; cilësi të Pashko Vasës në atë mision. Dy paragrafët e fundit të librit thonë: “Sa për mua, unë nuk mora asnjë shpërblim për shërbimet që bëra, as për pjesëmarrjen në aktet e misionit të Xhevdet Efendiut. Nuk shkrova as për të bërë lajka e as për të folur keq; shkrova për të nderuar të vërtetën, drejtësinë, dhe për t’iu përgjigjur armiqve të vendit tim, të cilët nuk heqin dorë prej shpifjeje për të goditur përparimin e institucioneve tona dhe përpjekjet e pareshtura të qeverisë së Madhërisë së Tij, Sulltanit, për të përmirësuar kushtet e të gjitha klasave të popullsisë së perandorisë. A ia arrita qëllimit? Nuk e di, por iu binda zërit të ndërgjegjes sime.”

Botimin e kësaj vepre e bëri Fondacioni “ALSAR”, siç pati bëri jo shumë kohë më parë dhe me dy vepra të tjera të Pashko Vasës, “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët” dhe “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”.

soap 2 day