Category Page: Kendveshtrime

Kurse, dhënie bursash, dhurim mjetesh shkollore – veprimtaritë kryesore arsimore të ALSAR-it gjatë vitit të shkuar

I ndërthurur me aktivitetin humanitar dhe kulturor të Fondacionit ALSAR është dhe ai arsimor, dedikuar përgjithësisht përkujdesit për miredukimin dhe mirëshkollimin e brezit të ri të shoqërisë sonë. Me efekte në terma afatshkurtër dhe afatgjatë, ky aktivitet u vjen në ndihmë fëmijëve dhe të rinjve, nxënësve dhe studentëve, ua lehtëson ecjen në rrugën e dijes dhe ua heq një pjesë të pengesave të ndeshura në këtë rrugëtim formues.

Ndihmesa arsimore e ALSAR-it ka njohur rritje viti pas viti, nga pikëpamja cilësore dhe sasiore, mbështetur në themele të vëna prej kohësh dhe vënë në lëvizje nga objektivi madhor për të kontribuar në mënyrë të qenësishme për mbarëvajtjen dhe prosperitetin shoqëror.

Në 2021-shin rifilluan një varg veprimtarish të ndërprera në vitin pararendës për shkak të pandemisë. Kurset përgjatë vitit shkollor dhe ato verore u shërbyen qindra fëmijëve për të marrë dituri shtesë, përtej atyre që jepen në institucionet arsimore. Përveç mësimit, fëmijëve iu dha mundësi të zbaviten dhe të kalojnë orë dhe ditë të gëzuara në shoqërinë e njëri-tjetrit.

Në janar, si pjesë e ndihmës së gjithanshme për fëmijët jetimë, do të rinisnin kurset e gjuhëve të huaja, anglisht dhe turqisht, dhe të edukimit etiko-moralo-besimor; një aktivitet bashkëshoqërues i vitit shkollor. Drejtuar nga mësimdhënës të përgatitur, të ndihmuar nga mjetet bashkëkohore në zhvillimin e mësimit, katër kurset u ndoqën në mjediset e Fondacionit ALSAR nga 100 fëmijë jetimë.

Në Kukës dhe Konispol vazhduan sipas traditës kurset e gjuhës turke për nxënësit e këtyre zonave. Të interesuarit i ndoqën pa pagesë mësimet në kurse, dhe përmes tyre hapën një rrugë për t’i vijuar studimet, të arsimit të mesëm apo universitar, në Turqi.

Kurset verore të edukimit etiko-moralo-besimor qëndruan të hapura për tre muaj në Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Lushnjë, Fier, Berat, Këlcyrë, Krujë, Koplik, etj. Rreth 1000 fëmijë të moshës 8 deri në 15 vjeç i ndoqën mësimet në 30 kurset e hapura anembanë vendit. Bashkë me kurset verore, në kryeqytet qëndroi e hapur një muaj shkolla verore, posaçërisht për fëmijë jetimë. Mësime mbi edukatën, etikën, moralin dhe besimin u dhanë për 50 djem e vajza, shoqëruar me një vakt ushqim dhe me veprimtari argëtuese.

Projekti i kurseve fundjavore edukuese u përqendrua në zonën qendrore të vendit, ndjekur nga 500 pjesëmarrës të ndarë në dhjetë kurse.

Ndërkaq, ALSAR-i për të pestin vit me radhë përmbushi iniciativën për t’u siguruar strehë dhe ushqim në konvikt 40 vajzave studente. Sigurimi i strehimit  në kushte të mira dhe dhënia e dy hajeve falas për dhjetëra studente flet për përkujdesin për to, për mbështetjen dhe orientimin e tyre për nga vlerat më të mira njerëzore, besimore.

Me një ceremoni të zhvilluar në fillim të marsit në fakultetin e Histori-Fologjisë të Universitetit të Tiranës iu dhanë bursa ekselence 50 studentëve të këtij institucioni të lartë arsimor. Muaj më vonë, në shtator, bursa përfituan 25 studentë të shkëlqyer të universiteteve publike. ALSAR shpalli në fund të vitit emrat e studentëve që fituan të drejtën e bursës së ekselencës për vitin akademik 2021-2022. Emrat fitues, 65, u bënë të njohur pas një procesi përzgjedhës. Prezantimi i programit “Bursat e Turqisë” është një aktivitet i zhvilluar periodikisht në çdo vit, e me të cilin u vihet në ndihmë atyre që aspirojnë t’i vazhdojnë studimet në Turqi.

Dhurimi i çantave dhe mjeteve të tjera shkollore nisi në shtator, me fillimin e vitit të ri shkollor. Nga Peshkopia në Lazarat, nga Tirana në Përrenjas, Kavajë, Lushnjë, Durrës, Elbasan, Fushë-Krujë, nxënës, fëmijë jetimë dhe ndjekës të kurseve fundjavore, u pajisën me çanta shkollore dhe mjete të nevojshme kancelarike për procesin mësimor.

Për realizimin e disa prej projekteve arsimore dhe zhvillimin e aktiviteteve të lartpëmendura ndihmuan partnerët ndërkombëtarë të Fondacionit ALSAR. Të veçuar dhe të falënderuar janë IHH me qendër në Holandë, HASENE dhe HAYRAT për mbështetjen e çmuar.

Aktiviteti humanitar i ALSAR-it në 2021-shin, dhjetëra projekte, mijëra të ndihmuar

I përkushtuar në përmbushjen e objektivave në të tre komponentët e veprimtarisë së tij, Fondacioni ALSAR i kushtoi rëndësi të veçantë dhe gjatë 2021-shit, si në çdo vit tjetër, aktivitetit humanitar, për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë, për t’ua lehtësuar jetën dhe për t’u dhënë shpresë për një të ardhme më të mirë.

Kujdes dhe ndihmë maksimale u tregua dhe u dha për fëmijët jetimë. Familjet e tyre përfituan po ashtu ndihma të ndryshme. Ndihma ushqimore dhe materiale përfituan shtresa në nevojë, familje të varfra, familje të të verbërve, të sëmurë në fazë terminale.

“Ditët e solidaritetit me fëmijët jetimë”, “Përkujdesja sociale ndaj fëmijëve jetimë, një kontribut i shquar në ndihmë të shoqërisë”, “Ditët e solidaritetit human me njerëzit në nevojë”, “Ditët e solidaritetit human gjatë Ramazanit”, “Solidaritet në ditë feste”, “Dora e ngrohtë e bamirësisë në stinën e dimrit”, ishin moto dhe projekte që e nxitën dhe e udhëhoqën punën e ALSAR-it në ndihmë të të pamundurve, të të papasurve, të nevojtarëve.

Aktiviteti humanitar u përqendrua te ndihma humanitare për të prekurit nga përmbytjet, te ndihma humanitare për familje në nevojë, ndihma në përmirësimin e kushteve të jetesës për familje në nevojë, ndihma me fidanë ullinjsh dhe arrash për familje të fëmijëve jetimë, ndihma ushqimore për të sëmurë rëndë, ndihma në veshmbathje për nevojtarë, ndihma financiare për fëmijët jetimë, ndihma në artikuj higjienikë dhe në aparatura mjekësore, dhurimi i mishit të kurbanit, shpërndarja e pakove me ushqime në zona të ndryshme të vendit, ardhja në ndihmë me mish “Adak”, dhënia e batanijeve dhe lëndës drusore për ngrohje në të hyrë të dimrit, etj.

Intensitet i madh aktiviteti e shoqëroi muajin e Ramazanit, me ndihmat e shumta të dhuruara, ushqimore, financiare, në veshmbathje, me shtrimin e iftareve. Banorë fshatrash dhe qytetesh, besimtarë, nevojtarë, fëmijë jetimë dhe familje në nevojë, e ndienë pranë solidaritetin human të Fondacionit ALSAR dhe të partnerëve të tij ndërkombëtarë. Për të përmendur si shembull, vetëm gjatë muajit të Ramazanit u shpërndanë 8050 pako me ndihma ushqimore, u shtruan iftare apo u dha i paketuar ushqimi i iftarit për 7500 persona, dhe u dhuruan veshmbathje për 432 fëmijë jetimë.

Gjeografia e ndihmave përfshiu Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Kavajën, Dibrën, Krujën, Lushnjën, Elbasanin, Librazhdin, Gramshin, Mallakastrën, Pogradecin, Klosin, Belshin, Përrenjasin, Maliqin, etj., dhe rrethina të tyre.

E tërë kjo ndihmë e dhënë u bë e mundur me mbështetjen e organizatave dhe fondacioneve partnere, të donatorëve të ndryshëm, që meritojnë pa dyshim falënderim për kontributin e dhënë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer. Disa prej tyre kanë sigurisht kontribut më të madh, të shtrirë në kohë, e disa më të vogël dhe sporadik, por çdonjëri bashkëpunëtor i ALSAR-it vlen të përmendet këtu, duke nisur nga WEFA, HASENE, IHH me qendër në Holandë, UKIM, UK Islamic Mission, ATİB, HAYRAT, TİKA, Organizata Botërore Islame e Bamirësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve dhe Ambasada e Shtetit të Kuvajtit, Konfederata Sindikale Turke HAK-İŞ, Rumeli Vakfı, ADEMDER, IHH me qendër në Belgjikë, Avrupa Yardım Vakfı, AYDER, Qendra Islame Shqiptare në Londër, IGMG Hasene Hilfs-und Sozialverein, EMIN, Global One.

Si dhe në vitin paraardhës, aktiviteti humanitar i ALSAR-it u vështirësua nga kufizimet e vëna prej pandemisë, sidoqoftë pa u ndaluar apo zvogëluar. Të vendosur në përmbushjen e misionit të vënë vetes që në ditën e parë e krijimit të fondacionit, drejtuesit dhe punonjësit e ALSAR-it punuan pareshtur për ta çuar ndihmën te çdo nevojtar. “Alternativa e së Ardhmes” u erdhi në ndihmë gjatë vitit 2021 me projektet e saj mijëra njerëzve, shprehu solidaritet me ta dhe ua pakësoi sadopak hallet. Në më tepër se një dekadë e gjysëm, ky është një aktivitet humanitar i pandërprerë për asnjë çast, për asnjë ditë!

Kriza e “kujtesës” te shqiptarët*

Nga: Nexhat Ibrahimi

Para vetes kemi një pjesë të së kaluarës sonë, madje të kaluarës së diasporës, gyrbetxhinjëve tanë në Amerikë, të cilët valët e jetës i çuan larg vendlindjes. Para vetes kemi revistën “Jeta muslimane shqiptare”, të cilën Imam Vehbi Ismaili me bashkëpunëtorë e përgatitën, e publikuan për vite me radhë në Çikago të SHBA-ve.

Para 30 viteve më kanë ra në dorë disa numra të kësaj reviste dhe qesh impresionuar si me materialet ashtu edhe me faktin që diç e tillë po ndodh në SHBA. Edhe pse kam bërë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur tërësinë e revistës, kjo nuk ndodhi deri në vitin 2021, kur iu drejtova zotëri Hajrudin Mujës, ulqinakut tonë të nderuar që me familje jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por mbi të gjitha “nxënësit” të penës dhe librit. Meqë bibliotekat tona nuk e kanë këtë revistë në fondin e vet, e lutëm atë të hulumtojë rrethanat atje. Pas disa ditësh, javësh, zotëri Hajrudini jo vetëm që na gëzoi se e ka gjetur revistën, por që edhe do ta skanojë, që ne ta publikojmë në trojet shqiptare, siç është bërë deri tash me disa revista: Zani i Nalt, Kultura Islame, Përpjekja, etj.

Në bisedë me drejtorët e Logos-A dhe ALSAR-it u dakorduam që publikimin ta marrë përsipër ALSAR nga Tirana, në mënyrë që opinioni lexuesdashur, shkencëtarët, por edhe historia, ta kenë para vetes këtë periodik tashmë të harruar. Njëherazi, ky publikim të bëhet një shënim i përgjithësuar për tërë besimtarët muslimanë jashtë trojeve shqiptare, një mirënjohje për jetën dhe punën e tyre, e sidomos për Imamin e ndjerë Vehbi Ismailin. Përse gjithë këto fjalë? Për arsye që brezi i ri duke nderuar të vjetrit duhet ta ndërtojë perspektivën e vet. Nëse harrohen të vjetrit, do të harrohen edhe të rinjtë të nesërmen. Kjo domethënë që “harresa” duhet të hiqet nga rendi i ditës së intelektualëve muslimanë. “Harresa” duhet të hiqet edhe nga institucionet fetare-arsimore-kulturore islame, të cilat po përpëliten por ende pa një strategji pune, pa projekte serioze që do t’i ndihmojnë të interesuarit nga mesi ynë apo për tjetrin. Në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që “harresa” të bëhet përhershmëri midis nesh, sindrom i të keqes, sëmundje kronike.

Çdo lëvdatë për këtë publikim i përket zotëri Hajrudin Mujës që e siguroi revistën fizikisht. Çdo lëvdatë i përket edhe Fondacionit ALSAR të Tiranës dhe drejtorit të saj, që mori përsipër daljen në dritë të kësaj trashëgimie të vlefshme, dhe të gjithë atyre që ndihmuan në publikimin e revistës.

* Marrë nga botimi anastatik i revistës, “Jeta muslimane shqiptare”  

Rreth botimit anastatik, “Jeta muslimane shqiptare”

Nga: Mehdi Gurra

Jeta e organizuar fetare e shqiptarëve në njëqind vitet e kaluara ka patur zhvillimet e veta, të ndikuara natyrisht dhe nga mjedisi përreth e ngjarje të kohës. Krahas organizimit të pavarur institucional, ka bërë rrugën e saj dhe përpjekja për të lëvruar publicistikën islame nëpërmjet periodikëve, diku me sukses dhe diku pa sukses.

Në trasenë e shtruar eci për disa kohë, për gati një dhjetëvjeçar, dhe periodiku, “Jeta muslimane shqiptare”, botuar në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Revista tremujore e nxjerrë përgjatë viteve ’50 të shekullit të njëzetë pati një rol pionier në shtypin periodik islam të botuar nga diaspora pas Luftës së Dytë Botërore.

Asaj do t’i jepte jetë dhe do ta drejtonte njeriu i thirrur për të bërë udhëheqësin fetar për shqiptarët muslimanë të Detroitit, Imam Vehbi Ismaili, i ikur nga Egjipti në përgjigje të ftesës së tyre.

Dygjuhëshe, në shqip dhe anglisht, dhe me 64 faqe, revista nuk ishte ngushtësisht fetare, përçuese te njerëzit e dijes fetare islame. Organ i Shoqërisë Muslimane Shqiptare, ajo bartte dhe një karakter kulturor.

Në tetë vitet e botimit, revista tërhoqi bashkëpunëtorë të shumtë dhe trajtoi një larmi temash nëpërmjet shkrimeve dhe përkthimeve. Mbyllja i erdhi për arsye financiare; revista u shua, s’u botua më, siç qe shprehur vetë editori, Imam Vehbi Ismaili, në një intervistë.

Pak dihet dhe pak thuhet për këtë sipërmarrje publicistike, trajtuar kalimthi në analizat mbi ecurinë e shtypit periodik islam në shqip. Revista e cila e nisi botimin në tetor të vitit 1949 i pranëvihet figurës së njeriut që e solli në dritë, përmendur sa herë që përmendet ai, pa shkuar më tej.

Një kontribut i njëmendtë për ta parë atë nga afër, për ta shfletuar dhe lexuar, për të kuptuar se ç’ishte dhe ç’përmbante ajo revistë, është ky botim. Nga 32 numrat e revistës, tre prej tyre, një i vitit të tretë të botimit, një tjetër i vitit të shtatë dhe një tjetër akoma i vitit të tetë, sillen si në kohën e tyre, në një botim anastatik. Lexuesi duhet ta dijë se, përpos përpjekjeve, u bë e mundur të gjendeshin vetëm tre numra të revistës.

Lënda e tre numrave është e mjaftueshme për ta vlerësuar revistën, për të çmuar nivelin e saj, për të admiruar tematikën, për të ndjerë emocionin e redaktuesit, për të perceptuar synimin e ideatorit të botimit. Doemos që artikujt, shkruar në shqip apo anglisht, kanë të bëjnë kryesisht me Islamin, shpjegues, historikë, analitikë, duke nisur me mesazhin islam, pozitën e gruas në Islam, jetëshkrimin e Profetit Muhammed (a.s.), Ramazanin, ezanin, thelbin e mësimeve kur’anore, mevludin, përhapjen e shpejtë të Islamit, historinë e Islamit në Shqipëri, etj. Ndërthurja me kulturën vjen lehtë-lehtë, me një kushtim poetik për Kur’anin, me një përkthim. Histori njerëzish me gjurmë në Islam ndiqen, për shembull, nga një artikull në anglisht mbi bazat e demokracisë në Islam, nga një studim mbi historinë e mjekësisë arabe, apo nga një përcaktim tepër prekës për miqësinë dhe sinqeritetin. Aktivitetet e muslimanëve dhe të shoqatave islame aty ku botohet revista kanë në të hapësirën e tyre.

Dhe, habitshëm, sa aktuale tingëllojnë në ditët tona fjalët e editorit në nisje të numrit të dytë të vitit të tretë të botimit, që i përket periudhës prill – qershor 1952: “Sot më tepër se kurrë bota ka nevojë të sillet nga feja, për të mund me qetësue shpirtrat nga gjendja e lëkundshme në të cilën ndodhet njerëzimi.”

Sado shteruese të kenë qenë botimet mbi trashëgiminë publicistike të Imam Vehbi Ismailit, botimi i këtyre tre numrave të revistës “Jeta muslimane shqiptare” e bën më të plotë dimensionin vigan të figurës së tij.

Botimi është në radhën e botimeve anastatike të Fondacionit “ALSAR”, si një tjetër revistë e risjellë publikut për t’u lexuar. Botime të tilla i kanë kaluar prej kohësh në numër gishtat e dy duarve, për të krijuar kolonën e tyre në botimet me vulën “ALSAR”.

“Jeta muslimane shqiptare”, sido që vetëm me tre numra, qëndron mirë në këtë kolonë. Edhe pse me tematikë dhe mision disi ndryshe nga revistat në botim anastatik të Fondacionit “ALSAR” më herët, ajo ka vendin e vet në trashëgiminë tonë kulturore, të ripohuar nëpërmjet këtij botimi.

“Jeta muslimane shqiptare” është një copëz e jetës fetare të bashkatdhetarëve tanë në kontinentin e largët amerikan këtu e para shtatë dekadash. Atëkohë ajo jetë po gjallërohej për ta, ndryshe fatit që po i priste vëllezërit e tyre këtej gjithnjë e më shumë nën diktaturë. “ALSAR” e bën të perceptueshme, të prekshme, atë gjallëri fetare dhe intelektuale me këtë botim.

Shprehim falënderimet tona për studiuesin Hajrudin Muja, mundësuesin e tre numrave prej SHBA-së, dhe për studiuesin Nexhat Ibrahimi, sugjeruesin e botimit të tyre nga fondacioni ynë. Të falënderuar janë ata dhe për shkrimet e tyre, si parathënie, në hyrje të botimit anastatik.

Një vepër për etnokulturën në botimet e ALSAR-it

Nga: Mehdi Gurra

Në hyrjen një rruge janë me rëndësi konceptet dhe objektivat. Përzgjedhja e rrugës kushtëzohet prej tyre, siç kushtëzohet dhe ecja në të. Botimet tona kanë bërë rrugën e tyre, të shtruar e rregulluar hap pas hapi, botim pas botimi, udhëhequr nga ide të qarta dhe këmbëngulja për të fituar spikatje në një fushë veprimtarie me shumë konkurrencë.

Siç ia kemi dalë të spikasim në lëmenj të tjerë të aktivitetit tonë, e njëjta gjë është provuar dhe te botimet, në saje të vizionit dhe largpamjes, aftësisë përzgjedhëse dhe cilësisë gati të përsosur të produktit të botuar. Pasurimi i trashëgimisë kulturore kombëtare përbën një prej forcave shtytëse në idealin prej nga e marrim frymëzimin.

Si autori dhe kjo vepër e tij përmbushin kushtin në ndërmarrjen e një botimi për t’i shërbyer pasurimit të kësaj trashëgimie. Nga pikëpamja e vëllimit, e trajtesave, e thellësisë së tyre, lënda për botim do ta merrte shpejt miratimin.

“Horizonte etnokulturore” është sa një hulumtim profesional po aq dhe një horizont autobiografik, një vepër ku prek njëherësh ndjesitë dhe përjetimet njerëzore të një gjyshi, i cili ia kushton atë së mbesës, dhe përpjekjen studimore të një profesionisti të plotësuar, interpretues e krijues në fushën e artit, eksplorues dhe studiues në fushën e shkencës.

Një botim përmbledhës i një veprimtarie mbi katërdekadëshe të autorit, gati-gati një përmbyllje e plotë e saj. I njëzeti dhe i fundit botim i Ramazan Bogdanit, mbajtësit të titullit “Mjeshtër i Madh”.

Artikujt-kapituj, njëzet e një, kanë gjithçka për t’i dhënë meritueshëm veprës titullin “Horizonte etnokulturore”. Përjetime e investigime, pjesëmarrje dhe meditime, oponenca dhe studime, gjer te shqiptarët e vjetër të Ukrainës.

Kuintesencën e veprës e dallojmë, e gjejmë, te artikujt-kapituj, “Historiofestivalistika e folklorit shqiptar”, “Diaspora shqiptare” dhe “Mëkuar nga baltëmjalta Tiranë, 1940-1952”. Ndërkaq, lexuesi, i kualifikuari apo jo, duhet të përgatitet, përtej kësaj kuintesence, të ndeshë në qindra faqe të botimit të dhëna, emra, fotografi dhe material mjaft të pasur, mbledhur në vite të gjata pune, krijimtarie.

Ndezullia e jetës aktive të autorit, në art dhe shkencë, si pjesëmarrës dhe studiues, udhëtimet dhe çfarë ai ka mbledhur prej tyre, takimet dhe portretizimet, gjetjet, janë lëndë për horizontet, etnokulturorin dhe autobiografikun. E përmbledhur dhe në anglisht në fund të librit, parathënia i shërben mirë krijimit të pritshmërive mbi përmbajtjen.

Për t’u veçuar, nga tematika, mund të vihet në dukje dëshmimi i autorit se identitetet etnokulturore shqiptare i ka të personifikuara nëpërmjet trojeve në Shqipëri, Kosovë, Çamëri, shqiptarëve në Maqedoni, në Malin e Zi, arbëreshëve të Italisë, arvanitëve në Greqi, diasporës në Mandricë të Bullgarisë, në Zarë të Kroacisë, dhe shqiptarëve të vjetër të Ukrainës.

Ashtu si shumë autorë të tjerë, Ramazan Bogdani i është qasur aktivisht bashkëpunimit me Fondacionin “ALSAR”, te i cili duhet të ketë dalluar sigurisht vëmendjen ndaj kombëtares, si çështje, traditë, trashëgimi. Si shumë autorëve të tjerë, pikërisht për shkak të kësaj vëmendjeje dhe atij iu mundësua botimi i këtij libri.

“Horizonte etnokulturore”, botimi ynë i radhës, është në frymën e filozofisë sonë botuese. Ai bëhet pjesë e horizontit tonë botues, me objektiv të qartë kombëtar.

“Kullat e sahatit në Shqipëri”, botimi i një studimi të munguar

Nga: Mehdi Gurra

Në zhvillimin e shpejtë të qendrave urbane, në valën e njerëzve që lënë e zënë qytete apo metropole, në kaosin e ndërtimeve, në mishmashin arkitektural, kujtesa njerëzore, kryesisht e atyre në mbi të dyzetat dhe të gatshëm për ta ngadalësuar herë pas here ritmin e vrullshëm të jetës së sotme, kapet pas së shkuarës përmes gjërash identifikuese ende të pafshira nga kjo kohë e pamëshirshme.

Nuk është në natyrën e modernizimit gjurmëfshirës të tregohet sentimental, sidomos të këtij tonit, thuajse atipik. Për njëfarë frenimi të tij i duhet njohur merita qenies ende të një brezi të pangacmuar prej dellit të modernitetit absolut. Sado kapitulluese të duket, është çështje kohe kur e tashmja e pataban ta marrë përpara e të mos i lërë shenjë të shkuarës së mbetur pa mbrojtje.

Megjithatë, mes këtij pesimizmi të justifikuar nga çfarë dëshmohet ditë pas dite dhe nga çfarë shihet të jetë prirja e zhvillimit, ka vend ende për pak optimizëm. Ndjesia optimiste gjen hapësirë sa prej asaj që ndodh (apo nuk ndodh) vetiu, sa prej punës dhe këmbënguljes së ca njerëzve profesionistë, me vullnet e kurajë. Në fushën ndërtimore, mes të tjerash, simbolika e fituar nga shumë godina u ka dhënë atyre cilësinë e së paprekshmes, e, përveç kësaj, nxjerrja në pah e rëndësisë së tyre për të shkuarën dhe të sotmen ka vlerë të njëjtë në dhënien e asaj cilësie.

Guximi shkon deri në ngritjen pranë këtyre simboleve të ndërtesave shumëkatëshe që për identitet të vetëm kanë shkëlqimin dhe luksin e siguruar prej parasë, por jo aq sa t’u vihet kazma fare pak të mbeturave e mbi to të ngrihen rrokaqiej.

Dhe ja ku gjendemi në temë, te botimi i një libri për ndërtime simbol, te një studim monografik në nivelet e shterueses për kullat e sahatit në vendin tonë, i, pari për to me gjerësi gjithpërfshirëse. Shterues jo aq për vëllimin e librit, në mbi 400 faqe, sa për përmbajtjen, analizuese në çdo pikëpamje.

“Kullat e sahatit në Shqipëri – historia dhe arkitektura” është një vepër e plotë studimore, një inventar dhe udhërrëfyes i hollësishëm objektesh ndërtimore që u dhanë formë e ngjyrë qyteteve tona krahas objekteve të kultit, një përpjekje e madhe për të vënë në dukje një traditë, e cila duhet ruajtur aty ku akoma ekziston. Në këtë kuptim, dhe nga çfarë u shpreh më sipër, studimi duhet çmuar dhe si një mëtim, si një thirrje, për ta ruajtur atë të shkuar, simbolizuar këtu me objekte simbol si kullat e sahatit.

Një angazhim profesional disavjeçar, mbi njëdekadësh, i autorit, duke kërkuar, lexuar, studiuar, duke mbledhur të dhëna, fakte, ilustrime, vetë duke fotografuar, skicuar, shkruar, përpiluar, dokumentuar… Monografia ka gjithçka për t’u cilësuar e tillë, duke na dhënë përmes historisë së kullave të sahatit historinë e qyteteve tona, edhe të atyre që rëndësinë e dikurshme ua ka marrë era, ua ka hequr koha. Një trajtim i plotë i kësaj trashëgimie arkitektonike, i ndërtimit të kullave të sahatit si një veçori në trojet shqiptare, si në vështrimi historik, arkitekturor, urban, historik, restaurues. Çdo kulle sahati i është kushtuar një material më vete; këmbanat e tyre janë studiuar gjithashtu, mekanizmat e orëve. Nga përshkrimet e Evlija Çelebiut te akuarelet e Edward Lear-it, materialet arkivore, fotografitë, gravurat, planimetritë, skicat, është shfrytëzuar gjithçka për një histori tërësore.

Faqet e para të monografisë së Dritan Çokut i kushtohen historikut të shkurtër të kullave të sahatit, prej nevojës së njerëzimit për të kuptuar kohën, llojeve të orëve në format primitive. Ndalesë bëhet në historikun e kullave të sahatit në Perandorinë Osmane, për çka ai shkruan se kullat e sahatit me orë mekanike u shfaqën në atë perandori rreth 200 vite më vonë se në Europë: fillimin e ngritjeve të tyre duhet ta shohim pas mesit të viteve ’60 deri në fillim të viteve ’70 të shekullit të XVI. Për vënien në funksion të sahatit të Shkupit mendohen vitet 1566-1574, që, sipas shënimeve të një udhëtari të kohës, “e trokiste kohën ‘alla frënga’ dhe nuk kishte asnjë kullë të tillë sahati në të gjithë Turqinë”. Bashkë me kullën e sahatit të Osijekut, këto konsiderohen të parat objekte të tilla në Perandorinë Osmane.

Kullat e larta katrore të sahateve të ndërtuara prej guri gjallëronin sheshet e pazareve dhe mjediset e tjera të qyteteve; kullat e sahateve, minaret e xhamive dhe këmbanoret e kishave ndërhynin si elemente të rëndësishme vertikale në siluetën e qyteteve; kullat e sahateve dhe minaret e xhamive, si godina të njohura publike dhe kulti, ishin të lejuara, bile dhe të imponuara, nga autoritetet osmane në qendër të qyteteve, shpjegon shkruesi i monografisë.

Pranëvendosjen e një objekti laik si kulla e sahatit dhe të një objekti kulti si xhamia e ndeshim në fakt në qytetet shqiptare, mbase në një lloj rivaliteti të heshtur midis tyre për vëmendje publike.

Kapitulli i parë i monografisë i kushtohet historisë dhe rrethanave të krijimit të kullave të sahatit në Shqipëri, i dyti merret me tipologjinë e tyre, kapitulli i tretë i është lënë vështrimit si krijime arkitektonike në lidhje me vendin ku u ndërtuan, dhe kapitulli i katërt, e më i gjati, flet për trajtimin specifik të çdo kulle sahati në Shqipëri.

Konkluzion i studiuesit autor është se në vendin tonë kanë qenë ndërtuar kulla sahati në njëzet e një qytete. Dhjetë prej tyre janë ndërtuar në rrënojat e kullave të vjetra të kalave, katër në pazare, katër pranë xhamive kryesore dhe në afërsi të pazareve, dhe tre në vend tjetër. Në kalanë e Shkodrës, ndërtimi i kullës së sahatit lidhet me emrin e Sylejman pashës, të derës së Bushatllinjve, në Gjirokastër, me atë të Ali Pashë Tepelenës, ndërtuesi i kullës së sahatit në Kavajë ka qenë Ibrahim bej Alltuni, te e Tiranës financuesi ishte E’them Beu, kulla e sahatit në kalanë e Elbasanit u ndërtua me shpenzimet dhe mbikëqyrjen e komisionit të formuar dhe kryesuar prej Aqif pashë Elbasanit. Në ditët tona kanë mbërritur të plota arkitektonikisht njëmbëdhjetë kulla sahati, e një rrënojë.

Në kalanë e Krujës, në Berat, në kalanë e Elbasanit, në Shkodër, Korçë, Durrës, në kalanë e Gjirokastrës, në kalanë e Tepelenës, në Përmet, Leskovik, Libohovë, në kështjellën e Kardhiqit, në Zhulat, në kështjellën e Delvinës, në kalanë e Kaninës, në kalanë e Prezës, në Kavajë, Tiranë, Peqin, Vlorë, Librazhd, nga faqja 87 në 421, çdonjë prej kullave të sahatit ka një përshkrim të plotë e të gjithanshëm, në çdo aspekt.

Për ta bërë të qartë, monografia është pa dyshim një ndihmesë e madhe për lexuesin e specializuar, për studiuesit dhe kërkuesit e së njëjtës fushë, me shumë elemente teknike. Parë kështu, është krejt e pamundur të përmblidhet këtu e gjitha çfarë ka botimi. Po, një përshkrim i shkurtër është i mundur, për kureshtarët, për atë që kërkon të dijë se ç’përmban studimi.

Historia e kullës së sahatit të Inglizit në Shkodër është, për shembull, mjaft interesante. Edhe e kullës së sahatit të Peqinit, si unike për nga ndërtimi, element i së njëjtës ndërtesë të xhamisë, hasur ngjashëm në Ballkan vetëm në Selanik. Krahasuar me “këmbanoret e qyteteve të vjetra franceze” nga studiuesi francez Gabriel Louis-Yaray, kulla e sahatit të kryeqytetit merr më tepër vëmendje. Për të cilën autori nënvizon se është një nga gjinitë e rralla social-kulturore që i kanë mbetur fondit arkitektonik të përcjellë nga e kaluara. Data e përfundimit të saj nga Et’hem beu jepet nga dy burime, në vitin 1822, prej poetit krutan Shaban “Hulusi” bej Toptani në një poezi, dhe në vitin 1830 (nisur ndërtimi në vitin 1822), prej një burimi tjetër. Ajo ndryshoi formë dhe e mori pamjen e sotme në vitin 1928.

Historia e kullave të sahatit është e pandashme nga historia e zhvillimit të qyteteve dhe jetës qytetare shqiptare. Shumë prej atyre kullave nuk u mirëmbajtën, e humbën rëndësinë, u rrënuan me rrënimin e qyteteve dhe qendrave të banuara. Të tjera rezistuan, e ruajtën simbolikën dhe e përforcuan atë përpjestueshëm me shtimin e rrallësisë së tyre. Kulla e sahatit në kryeqytet është kartolinë e Tiranës së bashku me xhaminë në krah.

“Kullat e sahatit në Shqipëri” u botua nga Fondacioni “ALSAR”, një mbështetës dhe inkurajues i studimeve të këtilla. Punimet mbi historinë, traditën, të djeshmen dhe të sotmen kombëtare, janë gjithmonë të dëshiruara për këtë ent. “ALSAR”-i kërkon t’i shndërrojë në materiale mbi të cilat të punohet botimet e tij në fushën e albanologjisë, për t’ua lehtësuar punën kurdo që të duhet rishkruesve të historisë sonë.

Për përkushtimin profesional, për arritjen studimore, falënderimet janë për autorin. Një tjetër falënderim, të cilin e ndiejmë të nevojshëm ta bëjmë, është për inxhinierin restaurator Genci Samimi, ndihmues i drejtpërdrejtë në vendosjen e urave të bashkëpunimit midis nesh dhe autorit të monografisë.

 

Artikulli është marrë nga revista “Shenja”    

soap 2 day