Category Page: Kulturore

Fondacioni ALSAR pret mysafirë dhe urime për Fitër Bajram

Fondacioni ALSAR ka hapur dyert këtë të premte të 20 marsit për të pritur e festuar me miq e bashkëpunëtorë Fitër Bajramin.

Si për çdo vit në këtë festë, fondacionin e kanë vizituar mysafirë të shumtë, mirëseardhja për të cilët ka qenë si gjithmonë mjaft e ngrohtë.

Personalitete të fushave të ndryshme, nga jeta akademike, shoqërore, politike, kulturore, funksionarë, përfaqësues e drejtues organizmash, janë pritur nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, me të cilin kanë shkëmbyer urime, kanë biseduar e kanë ndarë përvoja të muajit të agjërimit.

Urimet për Fitër Bajram i përcolli, midis vizitorëve, dhe prefekti i Tiranës, z. Shkëlqim Hajdari. Ndër mysafirët ishte gjithashtu dhe kryetari i Shoqatës “Tirana”, z. Ruzhdi Keçi.

Temë e bisedave spontane qe Ramazani dhe agjërimi në të, Fitër Bajrami si konkludues i tyre. Aktiviteti humanitar i ALSAR-it gjatë Ramazanit u vu gjithashtu në pah për dendësinë e tij dhe efikasitetin në shpërndarjen e ndihmave.

Qerasja e mysafirëve e bëri akoma më mikpritës dhe më të ngrohtë mjedisin.

Atmosfera e festës dhe urimet për Fitër Bajram e zbukuruan pritjen në Fondacionin ALSAR.

Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë i dhurohen 226 tituj të Botimeve ALSAR në kuadër të projektit, “Libri, dhurata më e çmuar”

Fondacioni ALSAR ka zhvilluar këtë të enjte, më 5 mars, një aktivitet kulturor në Prishtinë në kuadër të projektit të tij jetëgjatë, “Libri, dhurata më e çmuar”.

Në Institutin e Historisë “Ali Hadri” është bërë dhurimi i një numri të madh titujsh të Botimeve ALSAR.

Ceremonisë i ka paraprirë takimi i drejtorit ekzekutiv të Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku, me drejtoreshën e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, prof. dr. Teuta Shala-Peli dhe një bisedë mes tyre.

E nisur me përshëndetjet e rastit, biseda u përqendrua në mundësitë e bashkëpunimit të dy institucioneve, posaçërisht në fushën e organizimit të konferencave të përbashkëta dhe të shkëmbimit të literaturës.

Dhurata përbëhej nga 226 tituj të Botimeve ALSAR, më së shumti nga fusha e historisë dhe gjuhësisë, që do t’u shërbejnë studiuesve në punën e tyre kërkimore.

Në ceremoni u shprehën falënderimet për këtë kontribut në pasurimin e fondit të bibliotekës së institutit.

Në shenjë vlerësimi, dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” i dhuroi Fondacionit ALSAR disa prej botimeve të veta.

Autoritete, bashkëpunëtorë e miq mblidhen në tryezat e iftarit tradicional të Fondacionit ALSAR

Fondacioni ALSAR shtroi këtë të enjte, më 26 shkurt, iftarin tradicional në “Hotel Tirana International”; një eveniment i përsëritur për çdo vit në Ramazan.

Iftarin e respektuan me pjesënarrjen e tyre autoritete lokale, prefekti i Tiranës, z. Shkëlqim Hajdari, një prej nënkryetarëve të Bashkisë së kryeqytetit, përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata, akademikë, historianë, autorë librash, drejtues institucionesh, organizatash dhe shoqatash, teologë, njerëz të medias, aktivistë të shoqërisë civile, mysafirë nga trojet përtej kufirit, miq, dashamirës e besimtarë.

Atmosferën e ngrohtë, mbarimin e agjërimit dhe nisjen e ngrënies së iftarit i shoqëroi një fjalë përshëndetëse e kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Urimi mirëseardhës për të gjithë të pranishmit i parapriu një përshkrimi të përmbledhur të veprimtarisë së Fondacionit ALSAR.

Mikpritësi foli për aktivitetet në tre fushat e përqendrimit të punës së fondacionit, u ndal te botimet, te librat e nxjerrë në treg dhe te ato që presin të shohin dritën e botimit, mes tyre dymbëdhjetë vëllimet me veprën e Sherif Delvinës dhe dymbëdhjetë librat mësimorë të mësim-besimit për nxënësit nga klasa e parë në mbarim të së mesmes.

Mehdi Gurra kujtoi të ndjerin Abdi Baleta, të ikur nga kjo jetë pak muaj më parë, dhe të cilit Fondacioni ALSAR ia botoi 36 vëllimet e korpusit së tij në shkrim pa e lënë ende këtë botë.

Ai falënderoi të gjithë kontribuesit dhe mbështetësit e aktivitetit të Fondacionit ALSAR: bashkitë dhe koordinatorët në qytete e lokalitete të vendit, TİKA-n, Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, Ambasadën e Republikës së Turqisë dhe Ambasadën e Kuvajtit, bashkëpunëtorët brenda territorit të Shqipërisë dhe ata jashtë, përgjithësisht organizma turke apo të turqve në Europë.

“Fondacioni ALSAR është tashmë një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Turqisë në fushat e ndërveprimit”, vuri në pah z. Gurra.

Ai u uroi të pranishmëve agjërim të lehtë dhe të pranuar, për t’ia lënë më pas radhën një përshëndetjeje të shkurtër të prefektit të Tiranës.

Shkëlqim Hajdari e çmoi fort në përshëndetje Fondacionin ALSAR për tërë kontributin shoqëror, duke e cilësuar atë si një markë më vete.

Iftarin e bënë të këndshëm tavolinat e shtruar bukur dhe tonet e lehta muzikore orientale në sfond.

Duaja në mbarim të tij plotësoi solemnitetin e mbrëmjes dhe përcolli natyrshëm te të ftuarit një puhizë të mirësive të Ramazanit.

Promovohet botimi në dy vëllime,”Tragjedia Çame”, bashkorganizim i Fondacionit ALSAR dhe Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”

Në Hotel “Tirana International” u mbajt të enjten, më 29 janar, aktiviteti promovues i dy vëllimeve me të njëjtin titull, “Tragjedia çame, 1913-1945”.

Aktiviteti ishte një organizim i përbashkët i Fondacionit ALSAR dhe Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”.

Një varg folësish në aktivitet çmuan botimin dhe përmbajtjen e dy vëllimeve, krahas vënies në dukje të meritës së autorëve, dr. Qerim Litës dhe z. Shkëlzen Halimi, dhe të entit botues, Botimeve ALSAR.

Të pranishmëve iu drejtua me një fjalë drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku, i cili tha:

“Të nderuar akademikë dhe studiues!

Të nderuara zonja dhe zotërinj!

Përfaqësues të institucioneve!

Miq dhe të ftuar të respektuar!

Është një kënaqësi dhe nder i veçantë që sot të jemi së bashku në këtë ceremoni, për të promovuar një botim me rëndësi të veçantë shkencore dhe kombëtare. Prania juaj i jep kësaj ngjarjeje vlerën institucionale dhe morale që ajo meriton.

Kjo ceremoni nuk përfaqëson vetëm prezantimin e një libri, por një akt ndërgjegjeje kolektive dhe respekti ndaj kujtesës historike. Ajo afirmon përgjegjësinë tonë qytetare për të ruajtur të vërtetën dhe për të mos lejuar harresën e padrejtësive historike.

Popullsia çame përjetoi gjatë shekullit XX një persekutim sistematik dhe të qëllimshëm: masakra, dëbime masive, shpronësim dhe mohim të së drejtës për t’u kthyer në trojet e veta. Ky proces nuk ishte i rastësishëm, por i ndërtuar mbi baza etnike dhe fetare.

Tragjedia çame mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen tonë kombëtare, sepse drejtësia historike ende nuk është përmbushur.

Historia na mëson se e vërteta, edhe kur vonohet, nuk shuhet.

Përkujtimi përmes burimeve arkivore nuk është thjesht një akt emocional, por një akt etik dhe shkencor, që synon ndërtimin e një kulture kujtese dhe parandalimin e përsëritjes së tragjedive të ngjashme.

Fondacioni ALSAR ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në promovimin e studimeve historike, albanologjike dhe kulturore, duke krijuar hapësira serioze për kërkim shkencor dhe reflektim mbi historinë tonë kombëtare.

Një vend të veçantë në këtë veprimtari zënë botimet kushtuar Çamërisë, të cilat kanë shërbyer si referencë për studiuesit dhe publikun e gjerë.

Në këtë traditë renditet edhe dyvëllimëshi që promovojmë sot: ‘Tragjedia Çame / Çamerya Trajedisi / The Cham Tragedy, 1913–1945’, i përgatitur nga dr. Qerim Lita dhe z. Shkëlzen Halimi. Ky botim mbështetet në dokumente arkivore autentike, të sistemuara me rigorozitet shkencor dhe të shoqëruara me referenca të sakta.

Libri dokumenton përmasat e tragjedisë çame, mekanizmat e dhunës dhe përpjekjet e dështuara për ndërkombëtarizimin e kësaj çështjeje. Përmbledhjet në tri gjuhë e bëjnë këtë botim të qasshëm edhe për opinionin ndërkombëtar, duke e shndërruar atë në një burim të rëndësishëm reference shkencore.

Një falënderim i veçantë u shkon autorëve të këtij botimi, si dhe Fondacionit Çamëria ‘Hasan Tahsini’, për përkushtimin e tyre në ruajtjen e kujtesës historike dhe mbrojtjen e së vërtetës dokumentare.

Të nderuar të pranishëm!

Tragjedia çame është një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë sonë kombëtare. Ajo nuk mund të relativizohet dhe nuk mund të mbetet peng i heshtjes. Kujtesa historike është një detyrim moral, qytetar dhe shkencor ndaj brezave të sotëm dhe të ardhshëm.

Prania juaj sot dëshmon se kjo kujtesë vazhdon të jetojë. Duke ju falënderuar për vëmendjen dhe pjesëmarrjen tuaj, besoj se përmes respektit ndaj fakteve historike i shërbejmë jo vetëm së shkuarës, por edhe dinjitetit të shoqërisë sonë sot.

Ju faleminderit!”

Historiani Pëllumb Xhufi nënvizoi vlerat e librit, i përqendruar më tej te botimet e ALSAR-it, te kontributet kombëtare, akademike dhe historike që jep Fondacioni ALSAR nëpërmjet botimeve, konferencave, simpoziumeve dhe organizimeve të ngjashme.

Z. Hajredin Isufi, një i mbijetuar nga gjenocidi dhe vuajtjet e shekullit të kaluar, do t’i përkufizonte dy vëllimet si një kryevepër për Çamërinë.

Vlerësime mbi botimin dha dhe studiuesi Enver Kushi, me referencë të veçantë për një pjesë të materialit arkivor të gjendur në të.

Në promovim folën dhe përgatitësit e dy vëllimeve, dr. Qerim Lita dhe z. Shkëlzen Halimi, të cilët rrëfyen përvojën e kërkimit dhe përzgjedhjes së materialit arkivor, si dhe falënderuan Fondacionin ALSAR për mbështetjen e pakursyer për botimin. 

Kryetari i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, z. Alket Veliu, tek iu drejtua të pranishmëve, i kushtoi shumë fjalë çmuese Fondacionit ALSAR. Ai e quajti atë “misionar të vlerave humaniste e kombëtare”, që ka sjellë shumë tituj të përzgjedhur, të lidhur me kujtesën historike. U përmendën gjithashtu prej tij dhe kontributet e ALSAR-it në Konispol.

Dy vëllimet përmbajnë dokumente të disa burimeve arkivore, me një përmbledhje në tre gjuhë, në shqip, turqisht dhe anglisht, për ta bërë sa më të arritshme dhe më të përdorshme përmbajtjen.

Botimet ALSAR kanë nxjerrë më herët dhe botime të tjera për Çamërinë, si të autores së ndjerë turke, Berna Türkdoğan Uysal, “Gjenocidi çam / Çamerya soykırımı”, apo të të ndjerit Ibrahim Daut Bejdeshati (Hoxha), “Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria”. Konferenca, simpoziume dhe ekspozita të kushtuara Çamërisë kanë qenë pjesë e aktivitetit kulturor të Fondacionit ALSAR, me dimension të thellë kombëtar.

Fondacioni ALSAR dhe Shoqata TIRANA mbajtën simpoziumin për 35-vjetorin e rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut dhe rikthimin e lirisë së besimit

Në përvjetorin e 35-të të ngjarjes që vulosi fundin e turpshëm të ateizmit shtetëror në vendin tonë, rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut, dhe rikthimit të lirisë së besimit, Fondacioni ALSAR dhe Shoqata Tirana mbajtën në Hotel “Tirana International” një simpozium.

Salla “Balsha” u mbush plot këtë të dielë të 18 janarit, ndërsa mirëpriti figura të lidhura me aktin e guximshëm të vitit 1991, familjarë e pasardhës të protagonistëve të atëhershëm, dhe qytetarë të kryeqytetit.

Simpoziumi u hap me këndim Kur’ani dhe me dëgjimin më pas të Himnit Kombëtar.

Në fjalën përshëndetëse, z. Mehdi Gurra, kryetari i Fondacionit ALSAR, ngriti lart rëndësinë e rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut më 18 janar 1991. Ai tha:

“Zonja dhe zotërinj!

Të ftuar dhe të pranishëm në këtë sallë!

Ju uroj mirëseardhjen në simpoziumin e organizuar nga Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Shoqatën TIRANA për një ngjarje që është pa dyshim një prej gurëve të parë dhe më domethënës kilometrikë në hapjen e epokës së re pasdiktatoriale kur kishte mbetur dhe një dhjetëvjeçar nga mbyllja e shekullit të kaluar.

Rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut nuk ishte një akt spontan i nxitur nga rrjedha e ngjarjeve, por shprehje e fortë e guximit qytetar dhe e shpirtit fetar të tiranasve, bij të një qyteti që nuk u pajtua kurrë me komunizmin vrasës dhe ateizmin çnjerëzor, sepse besimi i vërtetë, siç na mëson Kur’ani, është i ngulitur në zemra dhe nuk çrrënjoset me dhunë: ‘Nuk ka dhunë në fe. E vërteta është dalluar qartë nga e kota.’ (Kur’an; el-Bekare, 256)

Pavarësisht përpjekjeve prej asaj kohe e deri më sot për ta lënë në hije apo në qoshe të historisë këtë thyerje vargonjsh të errësirës së kuqe dhe ripërqafim të lirisë së besimit, derdhja e popullatës në dyert e xhamisë ikonike në zemër të kryeqytetit të shqiptarisë atë

18 janar të vitit 1991 shënon sfidimin e parë të regjimit në agoni, pikërisht në sheshin qendror të pushtetit të tij simbolik.

Asnjëherë nuk kishte përjetuar ky shesh një grumbullim të tillë për të dëgjuar ezanin si himn të lirisë; as studentët e dhjetorit nuk ia kishin dalë të zbrisnin aty gjer në atë çast. Për më tepër, vetëm pa muaj më parë, në një miting të regjimit në të njëjtin shesh ishin dëgjuar premtime dhe betime për besnikëri ndaj një ideologjie që mohonte Zotin, ndërsa sot kumbonte fjala që i mbijeton çdo tiranie: ‘Allahu është Dritë e qiejve dhe e tokës.’ (Kur’an; en-Nur, 35)

Miopia dhe shpresa e kotë e dalëzotësve të ideologjisë antiZot u rrëzuan shpejt, sepse hapja e xhamisë e ktheu pushtetin e pretenduar rrejshëm te sundimi i vërtetë – sundimi që nga fillimi i ekzistencës e deri në fund të saj i përket vetëm Krijuesit!

Prandaj rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut në janarin e akullt, por shpirtërisht të nxehtë, në kapërcyell të dy epokave duhet parë shumë më gjerë dhe shumë më thellë: si një dëshmi e qartë e fuqisë hyjnore mbi çdo plan e komplot njerëzor, mbi çdo shpirtligësi dhe mizori të krijesave që dalin nga udha e drejtë!

Pjesëmarrës të nderuar në simpozium!

Nismëtarët e hapjes së Xhamisë së Et’hem Beut kanë merituar shumë më tepër përmendje, vlerësim e mirënjohje për çfarë përgatitën e bënë në pak javë. Aspirata, përpjekja dhe finalizimi me sukses i hapjes së dyerve të një objekti të heshtur për mbi dy dhjetëvjeçarë i kanë gdhendur emrat e tyre jo vetëm në historikun e rilindjes së besimit të lirë, por edhe në historinë e qytetarëve më të denjë të Tiranës.

Ata u bënë shembull i asaj që Profeti Muhammed ka thënë: ‘Veprat më të dashura tek Allahu janë ato që bëhen me sinqeritet, edhe nëse janë të pakta.’ (Hadith)

Institucione me autoritetin përkatës, të njohur nga ligji apo statusi i tyre, do të duhej t’ua kishin çmuar meritën e t’ua kishin shprehur falënderimin shumë më herët e në mënyrën më të denjë këtyre pionierëve të rikthimit të lirisë së besimit, përmes rikëndimit të thirrjes për namaz nga minarja e qendrës së kryeqytetit.

Ajo që ne, Fondacioni ALSAR dhe Shoqata TIRANA, po bëjmë sot është një akt nderimi për një brez të tërë, duke veçuar më të parët dhe më të dalluarit në rikthimin e së drejtës njerëzore dhe shoqërore për besim të lirë, të sinqertë e të paprekshëm në Zot!

Dua të theksoj se për emrat e veçuar për nderim me tituj jemi mbështetur në referenca të kohës, në artikuj e shkrime ku janë përmenduar si pjesëtarë të komisionit nismëtar për rihapjen e Xhamisë së Et’hem Beut. Kjo nuk e kufizon aspak nderimin dhe mirënjohjen tonë për të gjithë ata që u angazhuan në këtë sipërmarrje të guximshme 35 vite më parë.

Simpoziumit i uroj punime të mbara, kumtuesve ligjërim të dobishëm, dhe të gjithë të pranishmëve dëgjim të mbarë!

E lusim Zotin e Madhëruar që këtë organizim ta pranojë si vepër të mirë, për organizatorët dhe pjesëmarrësit, dhe si dëshmi për brezat që vijnë!”

Fjala përshëndetëse në radhë, e kryetarit të Shoqatës TIRANA, z. Rushdi Keçi, e shkurtër dhe e përmbledhur, përmbante dhe shprehjen e kënaqësisë për këtë bashkëpunim mjaft pozitiv me Fondacionin ALSAR, në organizimin dhe mbajtjen e simpoziumit.

Përfaqësuesi në simpozium i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Adem Gerlegiz, vuri në pah restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut nga TİKA në fillim të kësaj dekade dhe rivënien në funksion me pjesëmarrjen në ceremoni të presidentit të Turqisë, z. Recep Tayyip Erdoğan.

Simpoziumi vijoi me mbajtjen e tre kumtesave. Prof. Xhemal Balla foli për “Emocione nga rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut”. Nga z. Saimir Rusheku u dëgjua kumtesa me temën, “35 vjet nga rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut dhe rikthimi i lirisë së besimit”. Kumtuesi i tretë, z. Admirim Banaj, kishte zgjedhur gjithashtu një temë të ngjashme, “Rihapja e Xhamisë Et’hem Bej për besimtarët muslimanë”.

Pas dëgjimit me vëmendje të kumtesave u dhanë titujt e nderit. Me tituj u nderuan: Xhavit Alimehmeti, Ramazan Rusheku, prof. Xhemal Balla, dr. Shefqet Ndroqi, Ibrahim Balla, Faik Kasollja, dr. Qazim Bakalli, Selim Stafa, Islam Kadesha, Bardhyl Fico, Iljaz Alimehmeti, Mehmet Sinella dhe Fadil Subashi.

Piktori Adnan Deda paraqiti për të pranishmit një punim ku përfaqësohej brezi i tërë i atyre që morën përsipër dhe bënë rihapjen e Xhamisë së Et’hem Beut më 18 janar 1991. Nëpërmjet portretit të të ndjerit Ramazan Rusheku, fqinjit dhe frymëzuesit të piktorit në të ri të tij, ishte synuar vështrimi i një brezi të devotshëm, të përqafuar fort me Islamin.

Simpoziumi e përmbushi më së mirë qëllimin për përkujtimin në këtë përvjetor të rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut, të hedhjes dritë mbi të, dhe të shprehjes së mirënjohjes dhe nderimit të thellë për protagonistët, besimtarë dhe qytetarë të Tiranës.

Fondacioni ALSAR, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Logos-A, organizoi në Shkodër, në kuadër të projektit, “Libri, dhurata më e çmuar”, një takim me shkrimtarin Kim Mehmeti

Fondacioni ALSAR organizoi në Shkodër një takim me shkrimtarin e mirënjohur Kim Mehmeti, të pritur e të dëgjuar në sallën e Bibliotekës “Marin Barleti”.

Aktiviteti i së enjtes, paraditen e 11 dhjetorit, në kuadër të projektit afatgjatë të Fondacionit ALSAR, “Libri, dhurata më e çmuar”, u realizua në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Logos-A, me qendër në Shkup.

Sallën ku u zhvillua aktiviteti e mbushën banorë të qytetit të Shkodrës, të apasionuar pas librit, njohës dhe lexues të veprave letrare të shkrimtarit të ftuar në këtë takim të veçantë.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë të shkurtër, ku nënvizoi hovin e Botimeve ALSAR dhe sjelljen te publiku të titujve shumë cilësorë, dalluar veçanërisht për përmbajtjen.

Ai foli për aktivitetin kulturor të ALSAR-it dhe për praninë në Shkodër me organizime të herëpashershme të fondacionit në tre fushat e veprimtarisë së tij.

Shkrimtari Kim Mehmeti, tek e mori fjalën, tha se ndihej i privilegjuar që gjendej në Shkodër. “Nuk është punë e vogël,” tha ai, “të flasësh në ditë me një moment kaq të rëndësishëm, kur këtij qyteti i bëhet dhurata më e çmuar, libri, e këtë e bëjnë dy botues, ALSAR dhe Logos-A, që janë shumë të rëndësishëm për kulturën shqiptare.”

Me gjuhën e tij të thjeshtë, të drejtpërdrejtë, e të kuptueshme për çdokënd, Kim Mehmeti u ndal në rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, në peshën që ka të shkruarit, e në ruajtjen dhe të kujtesës historike.

Mjeshtri i penës, i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe për dëgjesën dhe i la vend pas ligjëratës së shkurtër një bashkëbisedimi të kërkuar çiltërsisht.

Aktiviteti përmbante ekspozimin dhe dhurimin e titujve të përzgjedhur nga botimet e ALSAR-it dhe të Shtëpisë Botuese Logos-A.

Për të pranishmit në takimin me shkrimtarin Kim Mehmeti u dhuruan 144 tituj, në një numër të përgjithshëm prej 3000 kopjesh.

Projekti kulturor i Fondacionit ALSAR, “Libri, dhurata më e çmuar”, i shërben pasurimit të bibliotekave vetjake dhe të institucioneve të ndryshme brenda vendit dhe në troje ku flitet shqip.

soap 2 day