Category Page: Kulturore

Fondacioni ALSAR, në bashkëpunim me Fondacionin “Arben Tafaj”, mbajti sesionin shkencor, “Arben Tafaj dhe Shoqata ‘Tirana’ – Një rrugëtim ndërepokal dhe një kujtesë e pashlyer”

Fondacioni ALSAR mbajti sot, të enjten e 4 dhjetorit, një sesion shkencor të kushtuar ish-kryetarit të Shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, të ndarë nga kjo jetë një vit më parë.

Sesioni shkencor u organizua në bashkëpunim me Fondacionin “Arben Tafaj”, të krijuar nga familjarë të të ndjerit.

Tema e sesionit shkencor përkonte me titullin e librit, “Arben Tafaj dhe Shoqata ‘Tirana’ – Një rrugëtim ndërepokal dhe një kujtesë e pashlyer”, të saponxjerrë nga shtypi nga Botimet ALSAR.

Salla “Balsha”, në Hotel “Tirana International”, u mbush me të interesuarit për sesionin shkencor, personalitete, ish-shtetarë, të angazhuar në aktivitet social, të afërm të të ndjerit, qytetarë të Tiranës, etj.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili tha:

“Të nderuar pjesëmarrës në këtë sesion shkencor!

Na ka mbledhur këtu përkujtimi i figurës së një qytetari të denjë të Tiranës, të ikur papritmas nga kjo jetë një vit më parë. Boshllëku i krijuar nga ky largim i beftë ndihet ende qartë, si të kishte ndodhur dje ajo ngjarje lënduese për zemrën dhe shpirtin e çdo njohësi nga afër, e të afërmve të gjakut dhe të shoqërisë së gjerë.

Arben Tafaj la shenjë me aktivitetin social dhe përkushtimin e veçantë për komunitetin e tiranasve. U bë i dashur në të gjallë për ata që e rrethonin, si i afrueshëm, i sjellshëm, i gatshëm për të ndihmuar dhe vepruar, i papërtuar dhe i kudogjendur.

Kujtesa na e sjell atë të qeshur e energjik, të butë në fjalë e të vendosur, të respektueshëm e të vlefshëm për miqësi. Shoqata ‘Tirana’ i detyrohet së tepërmi Arben Tafajt për statusin

që i siguroi, për praninë e kurdohershme në hapësirën ku pulsonte jeta shoqërore e kryeqytetit, për meritat e fituara nëpërmjet protagonizmit pozitiv të tij.

Arben Tafaj përmblodhi brenda vetes dhe i shfaqi si duhet cilësitë më të mira të një tiranasi të dhënë pas traditës dhe përqafues të së resë, të angazhuar për ta ruajtur mirë të parën dhe të kujdesur që e dyta të mos fshijë çfarë gjen përpara. Pikëpamja e tij e palëkundur, për të cilën u kujdes dhe që të materializohej për aq sa e lejonin rrethanat, ishte se Tirana duhej të ruante më së pari vlerat e njohura si qytet, e pastaj të përthitheshin çfarë siguronin pozicioni dhe funksioni si kryeqytet i Shqipërisë.

E kuptojmë tani se ndërthurja tek ai e veprimtarisë shoqërore dhe politike dhe sjellja me masë në çfarë tha dhe bëri e shndërruan atë nga një njeri aktiv në një personalitet me dinjitet e të meritueshëm për kujtesë! Ngulitja e emrit të Arben Tafajt në një fondacion, të themeluar nga familjarë të tij, është nderimi më i mirë për të.

Zonja e zotërinj!

Ky sesion shkencor, i organizuar në bashkëpunim me Fondacionin ‘Arben Tafaj’, i kushtohet të ndjerit, për gjthçka dha për qytetin, për kryeqytetin dhe për qytetarët.

Organizimi i Fondacionit ALSAR pason aktivitetin e mbajtur po nga ky ent në mesin e janarit të këtij viti, në të dyzetat e ndarjes nga kjo jetë të Arben Tafajt. Në atë aktivitet pata treguar për projektin e diskutuar me të më herët për përgatitjen e një libri për veprimtarinë njëzetvjeçare të Shoqatës ‘Tirana’. Ndërsa ALSAR-i e shprehu përkushtimin për ta mbajtur fjalën e dhënë edhe tani, pa praninë e tij fizike në këtë botë, mungoi interesimi nga shoqata për ta realizuar botimin. Gjetja e gjuhës së përbashkët dhe vullneti i dyanshëm me Fondacionin ‘Arben Tafaj’ çuan fatmirësisht në konkretizimin e idesë.

Nuk ka dyshim se çdo njeri në këtë sallë do të donte të thoshte diçka për Arben Tafajn, por ngaqë organizimi ka specifikën e një sesioni shkencor, kjo është e pamundur. Këtë radhë fjalën do të mund ta marrin vetëm të parashikuarit për të folur.

Bashkëpunimi mes nesh, individual dhe institucional, ishte kurdoherë i mirëpritur dhe frytdhënës. Ne bëmë më të mirën dhe kontribuam modestisht, e sinqerisht, sa herë që bashkuam energjitë në aktivitete të përbashkëta për Tiranën.

Ky sesion shkencor dhe botimi që do të dhurohet janë homazhi ynë, i Fondacionit ALSAR, për të munguarin fizikisht dhe të pranishmin fuqimisht me kujtimin e mirë, për të pazëvendësueshmin Arben Tafaj!

Organizimin e një aktiviteti të ngjashëm i sugjerojmë dhe Shoqatës ‘Tirana’, ku mund të japë dhe çmime në shenjë vlerësimi dhe nderimi për ish-kryetarin e saj.

Lusim Zotin t’ia ketë pranuar ndër punët e mira të ndjerit kontributin shoqëror!

Qoftë i xhenetit!

Sesionit shkencor i uroj punime të mbara!”

Një fjalë përshëndetëse mbajti për të pranishmit z. Ilir Tafaj, kryetari i Fondacionit “Arben Tafaj”.

Prof. dr. Fatmira Rama mbajti ligjëratën, “Shoqata ‘Tirana’ në kontekstin historik dhe kontributi i shquar i drejtuesit të saj, Arben Tafaj”.

Pas saj ligjëroi z. Naim Hasa, temë e fjalës së të cilit ishte, “Arben Tafaj – një lider komunitar dhe një model qytetar në promovimin e harmonisë dhe zhvillimit shoqëror”.

Kumtesa e fundit u mbajt nga z. Alban Rreli, nën titullin, “Arben Tafaj, një misionar i vlerave”.

Botimi i Fondacionit ALSAR, “Arben Tafaj dhe Shoqata ‘Tirana’ – Një rrugëtim ndërepokal dhe një kujtesë e pashlyer”, u dhurua për të pranishmit në përfundim të sesionit shkencor.

Stenda e Botimeve ALSAR në Panairin e Librit 2025 vizitohet nga shkrimtari Kim Mehmeti

Panairi i Librit në Tiranë po pret vizitues të shumtë në këtë fundjavë nëntori, jo vetëm nga kryeqyteti dhe qytetet e Shqipërisë, por dhe nga përtej kufirit.
Stenda e Botimeve ALSAR ka tërhequr vëmendjen për titujt e rinj dhe është vizituar pandërprerë nga të interesuarit për të patur diçka prej saj në bibliotekat e tyre.
Ndër vizitorët ka qenë dhe shkrimtari i mirënjohur nga Maqedonia e Veriut, z. Kim Mehmeti.
Atë e ka pritur kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili i ka treguar botimet e reja dhe specifikat e tyre.
Shkrimtari e ka shprehur vlerësimin për Botimet ALSAR me disa rreshta të shkruar enkas: “ALSAR-i i boton librat me dashuri, andaj librat e këtij botuesi nuk kanë vetëm
përmbajtjen e brendshme, por edhe rrëfimin për përkushtimin dhe dashurinë e botuesit ndaj librit.”

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë viziton stendën e Botimeve ALSAR në Panairin e Librit

Botimet ALSAR, stenda e tyre në Panairin e Librit 2025, kanë patur sot vizitorë të veçantë, të interesuar për të parë më nga afër e për të shfletuar produktet e një pune shumëvjeçare dhe të një përkushtimi të vazhdueshëm botues.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, ka pritur në stendën e Botimeve ALSAR ambasadorin e Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, të shoqëruar nga koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata, dhe koordinatori i Institutit “Yunus Emre” në Shqipëri, z. Oğuzhan Sakoğlu.

Ai u ka uruar mirëseardhjen ambasadorit turk dhe dy koordinatorëve, të TİKA-s dhe Institutit “Yunus Emre”, dhe i ka falënderuar për vizitën në stendën e ALSAR-it. Z. Gurra u ka treguar mysafirëve botimet e paraqitura në panair, autorët turq të botuar, dhe u ka folur për punën e jashtëzakonshme që bëhet për t’i sjellë publikut tekste sa më cilësore dhe të dobishme.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, është njohur me botimin e sapodalë me dokumente osmane për gjashtë qytete, secili më vete. Z. Mehdi Gurra i ka shpjeguar se bëhet fjalë për gjashtë libra në dy gjuhë, në shqip dhe turqisht, për Tiranën, Elbasanin, Shkodrën, Ulqinin, Novi Pazarin dhe Nishin, në të cilët gjenden faksimile të dokumenteve osmane mbi jetën sociale, ekonomike, etj., në to.

Titullarët e institucioneve turke në Tiranë kanë parë dhe shumë botime të tjera, përgjithësisht me tematikë historike dhe të lidhura me vendin e tyre.

Nga ata është çmuar puna e Fondacionit ALSAR në fushën e botimeve dhe është shprehur inkurajimi për vazhdimin e këtij angazhimi botues.

Botimet ALSAR paraqiten në Panairin e Librit në kryeqytet: libra të rinj, me tematikë të përzgjedhur

Edicioni i 28-të i Panairit të Librit në Tiranë ka hapur dyert të mërkurën e 13 nëntorit, duke u dhënë mundësinë dhjetëra shtëpive botuese të librit në shqip t’i ofrojnë lexuesit të çdo moshe prurjet më të reja.

Botimet ALSAR paraqiten sërish me stendën e tyre të pasur, ku mund të gjenden daljet më të reja nga shtypi dhe tituj më të hershëm, interesi për të cilët vijon të mbetet i lartë.

Librat më të rinj të ALSAR-it përmbajnë tekste me tematikë të përzgjedhur; dallojnë mes tyre të karakterit historik, arkivor, besimor, etj.

Autorë vendas dhe të huaj zënë vend në stendën e Botimeve ALSAR, të mirëseardhur prej kur kanë vendosur të bashkëpunojnë me këtë ent botues.

Lexuesit do të kenë çfarë të shohin dhe të zgjedhin për të marrë mes titujve të shumtë dhe të larmishëm.

Botimet ALSAR e konsolidojnë më tej në këtë panair praninë gjithnjë e më të kërkuar në tregun e vështirë të librit.

Orë zbavitëse për fëmijët jetimë, lojëra dhe drekë e shtruar për ta dhe familjarë të tyre

Në kuadër të aktivitetit humanitar të Fondacionit ALSAR dhe të ditëve të solidaritetit human, janë zhvilluar në tre ditët e para të kësaj jave veprimtari për jetimët.

Nën kujdesin e Fondacionit ALSAR, fëmijë jetimë të kryeqytetit kanë kaluar të hënën orë të gëzueshme në qendrën e argëtimit “Latitude”, ku kanë luajtur për rreth një orë e gjysmë.

Një drekë, e shtruar për ta dhe të afërmit që i shoqëronin, ka pasuar pas lojërave, ku janë shijuar ushqimet dhe shoqëria e përbashkët.

Akivitetin e ka mundësuar HASENE, organizata e ndihmave humanitare me qendër në Gjermani, si mbështetëse e projektit.

Përfaqësues të HASENE-së kanë qenë të pranishëm në aktivitet, duke u shpërndarë fëmijëve jetimë dhe dhurata, veshje të punuara me dorë nga aktivistë të organizatës humanitare.

Një ditë e bukur dhe e paharrueshme për jetimët, e kaluar me dëfrim dhe plot buzëqeshje të natyrshme fëmijërore.

Dhurohen libra për pjesëmarrësit në simpoziumin shkencor për Gedik Ahmed Pashën

Fondacioni ALSAR u dha mundësinë pjesëmarrësve në simpoziumin shkencor të kushtuar Gedik Ahmed Pashës, ushtarakut dhe shtetarit osman, të marrin dhuratë tituj të ndryshëm librash.

Aktiviteti i dhurimit të librave u zhvillua në mjediset e Universitetit “Ismail Qemali” pas simpoziumit dhe akordimit të bursave të ekselencës.

Për pjesëmarrësit u dhuruan 113 tituj librash, në sasi të ndryshme kopjesh, mundësuar si dhuratë e Shtëpisë Botuese Logos-A.

Interesi për librat ishte i dukshëm te përfituesit e shumtë, që tani kanë në duar si dhuratë tekste mjaft të vlefshme për lexim.

Fondacioni ALSAR zhvillon periodikisht projekte të dhurimit të librave, si një kontribut kulturor me ndikim mjaft pozitiv për shoqërinë dhe për pasurimin e bibliotekave vetjake dhe të institucioneve të ndryshme.

Dhurimi i librave ishte pjesë e tre aktiviteteve të zhvilluara në Vlorë në mesin e kësaj jave.

soap 2 day