Category Page: Kulturore

    Projekti I botimit të literaturës

    Në përpjekjet e tij modeste për pasurimin kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare, si dhe për lënien e një trashëgimie të rëndësishme për brezat që do të vijnë, Fondacioni “ALSAR”, vijon prej 11 vitesh një veprimtari intensive botuese. Zhvillimi i këtyre veprimtarive në fushën e botimeve, gjatë kësaj periudhe, është përqendruar në realizimin e botimit dhe ribotimit të teksteve që vijojnë:

    Nr. Titulli i materialit të botuar Autorësia Tirazhi
    1. “Raporti i veprimtarive të Fondacionit “ALSAR” për 6 – mujorin e II- të vitit 2017”. Fondacioni “ALSAR”  

    1,000 kopje

    2. Kumtesat e Kalendarit Kombiar Fondacioni “ALSAR” 1,000 kopje
    3. “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare” Shaban Murati. 1,000 kopje
    4. Suksesi nuk është rastësi Dario Hani 500 kopje
    5. Veprat historike Osmane  që gjenden në Kuds. (Fletëpalosje ) Fondacioni “ALSAR” 1,000 kopje
    6. Nga qyteti Isra në Mesxhidi Aksa.(Fletëpalosje ) Fondacioni “ALSAR” 1,000 kopje

     

    1. Fondacioni “ALSAR”: “Raporti i veprimtarive të Fondacionit ALSAR për 6-mujorin e II- të vitit 2017”,

                   Botimet “ALSAR”, Tiranë 2018, 260 faqe.

     

    Raporti informativ i botuar në dy, përkatësisht në gjuhën shqipe dhe angleze, pasqyron në mënyrë të përmbledhur veprimtarinë e Fondacionit “ALSAR”, për periudhën korrik-dhjetor  të vitit 2017.

     

    1. Kumtesat e Kalendarit Kombiar :

                 Botime  “ALSAR”, Tiranë 2018, 210 faqe.

    1. Shaban Murati: “Çështja e paqenë e detit:Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”

       Botime  “ALSAR”, Tiranë 2018, 232 faqe.

    Libri “Çështja e paqenë e detit:Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?” i ambasadorit Shaban Murati trajton një nga çeshtjet më të nxehta dhe më të ndërlikuara të marrëdhënieve shqiptaro-greke në dhjetë vitet e fundit.  Autori analizon në një studim të plotë nga pikëpamja diplomatike, politike dhe historike çështjen e detit si problem nga më të mprehtit dhe më të komplikuarit të marrëdhënieve të kohërave moderne midis Shqipërisë dhe Greqisë.

    Autori zbërthen metodikën e gabuar të procesit të negocimit nga ana e diplomacisë shqiptare dhe ndalet gjerësisht në këtë metodikë, e cila solli si rezultat një marrëveshje të dëmshme për integritetin territorial dhe sovranitetin e Shqipërisë. Në libër analizohet në një kapitull të veçantë nxitimi i pashpjeguar dhe paaftësia me të cilën diplomacia shqiptare ka negociuar çështjen e detit midis dy vendeve, duke e mbyllur në më pak se një vit me marrëveshjen detare, gjë që tregon një nxitim politik dhe një strategji të përfundimit të marrëveshjes në dëm të vetë Shqipërisë.

    Në një kapitull të veçantë libri zbërthen qendrimet e gabuara antikushtetuese dhe antihistorike të MPJ të Shqipërisë dhe të qeverisë, që nënshkroi marrëveshjen e detit, të cilat për të jusfikuar lëshimet e mëdha, që bënë në dëm të integritetit territorial të vendit, përqafuan tezat greke sikur kufiri detar midis dy vendeve nuk ekzistonte. Autori sjell një numër të madh dokumentesh historike, traktatesh dhe marrëveshjesh ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me kufijt e Shqipërisë për të provuar se kufijtë detarë dhe tokësorë kanë qenë të përcaktuara si të detyrueshme nga Fuqitë e Mëdha në vitet 1913-1926. Ai sjell dokumente të reja nga arkiva e vetë MPJ të Shqipërisë, që provojnë se në marrëveshjet e mëparshme dypalëshe, për çështje të ndryshme midis Shqipërisë dhe Greqisë të dy vendet kanë pohuar ekzistencën dhe njohjen e kufirit detar midis tyre.

    Kapitulli kryesor i librit i kushtohet konfliktit të ri diplomatik të krijuar midis dy vendeve për marrëveshjen e detit pas rrëzimit të saj nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Në të analizohen përpjekjet e Greqisë për të imponuar zbatimin e marrëveshjes së anulluar, për ta rinegociuar edhe njëherë atë me të njejtin objekt të hedhur poshtë nga Gjykata, për të riparë disa koordinata dhe për t’i kthyer Shqipërisë disa kilometra katrore det nga hapësira prej 350 kilometrash, që i jepte marrëveshja e vitit 2009.

    Konkluzioni i autorit është se çështja e detit midis dy vendeve është një çeshtje artificiale, e paqenë, sepse nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston çeshtja e kufirit detar midis dy vendeve. Libri paraqet interes si një manual ndihmës lidhur me bisedimet për kufijtë detarë, që mund të kenë shtete të ndryshme midis tyre dhe sidomos në raportet me Greqinë.

    1. Dario Hani : “ Suksesi nuk është rastësi”

       Botime  “ALSAR”, Tiranë 2018,  faqe 68

    Ky është një libër i shkruar nga një i ri për të rinjtë por me stilin e pjekur të një krijuesi me përvojë. Energjia që Dario përcjell në këtë libërth vjen me kujdesin për të mos anashkaluar disiplinën, kërkimin dhe punën e vazhdueshme sidomos me veten, gjëra që janë në bazë të çdo disipline. Duket se ai  ka kapur thelbin e sfidës për biznesin shqiptar; atë të të bërit biznes në mënyrë të kultivuar.

    Ajo që Dario ofron nuk është thjesht të bërit biznes për të shtuar shifrat e parave por të bërit biznes si një mënyrë rritjeje personale dhe shoqërore. Është një thirrje për ta parë biznesin ashtu edhe siç është në esencën e tij: një marrje e dhënie sociale.

    1. Fondacioni “ALSAR”: “Veprat historike Osmane  që gjenden në Kuds”.

                                   (Fletëpalosje )   Botime  “ALSAR”, Tiranë 2018,  

    1. Fondacioni “ALSAR”: “Nga qyteti Isra në Mesxhidi Aksa”.

    (Fletëpalosje ) Botime  “ALSAR”, Tiranë 2018,

    Përkujtohet 103 vjetori i dëshmorëve të luftës së Çanakkalasë

    Me rastin e 18 Marsit, Ditës së Fitores së Çanakkalasë dhe Ditës së Përkujtimit të dëshmorëve, në qytetin e Shkodrës nën kujdesin e Institutit Kulturor “Yunus Emre” dhe Ambasadës së Republikës së Turqisë, u organizuan ceremoni dhe veprimtari, me pjesëmarrjen e ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë,Z.Murat Ahmet Yörük, autoriteteve të pushtetit lokal, familjarëve të ushtarakëve të rënë dëshmorë në Betejën e Çanakkalasë, përfaqësuesve të organizatave të shoqërise civile dhe institucioneve turke në Shqipëri, dhe qytetarëve të Shkodrës.

    Me ftesë të organizatorëve, Fondacioni ALSAR mori pjesë në këtë veprimtari, duke përkujtuar e nderuar, 18 Marsin, Ditën e dëshmorëve me vendosjen e një kurore me lule në memorialin e Hasan Riza Pashës.

    VEPRIMTARI SPORTIVE NGA STUDENTËT E FONDACIONIT “ALSAR”

    Studentët e Fondacionit  “ALSAR” realizuan me sukses edhe veprimtarinë sportive nën moton  “Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë”. Projekti u realizua në Tiranë gjatë muajit mars në fushat e kompleksit sportiv të Liqenit Artificial,  me synimin për t’u argëtuar dhe forcuar marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet  tyre dhe zhvilluan për këtë qëllim një mini kampionat volejbolli.

    ALSAR Organizon simpoziumin ndërkombëtar “Qytetërimi Osman”

    Pasi e ka sjellë me mjaft sukses në shqip një vepër të tillë madhore si “Qytetërimi osman”, Fondacioni “ALSAR” ka organizuar këtë të hënë dhe një simpozium shkencor për të.

    I mbajtur te Hotel “Tirana”, ai ka patur në qendër të tij njëkohësisht dhe figurën e historianit të mirënjohur turk, Halil İnalcık, bashkëpërgatitës i kësaj vepre.

    Personalitete të jetës akademike shqiptare dhe turke e kanë nderuar këtë simpozium me pjesëmarrjen e tyre. Të pranishëm kanë qenë dhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Murat Ahmet Yörük, si dhe kryetari i YTB-së, Departamentit për Turqit që Jetojnë Jashtë Atdheut dhe Marrëdhëniet me Komunitetet Mike, z. Abdullah Eren.

    Fjalën e hapjes e ka mbajtur mikpritësi, drejtuesi i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra. Duke iu drejtuar të pranishmëve fillimisht në shqip, e më pas dhe në turqisht, në respekt të miqve nga Turqia, ai u ka kushtuar ca fjalë veprës në dy vëllime dhe dy përgatitësve të tij, historianëve Halil İnalcık dhe Günsel Renda.

    Më pas ai është i treguar i drejtpërdrejtë teksa ka vënë në pah domosdoshmërinë për përkushtim dhe seriozitet maksimal për sjelljen në shqip të veprave të ngjashme, aq të nevojshme për një përshkrim sa më të saktë të një periudhe qindravjeçare, asaj që i përket Perandorisë Osmane.

    “Instituti i Historisë Turke duhet të sugjerojë vepra mbi Perandorinë Osmane që meritojnë të përkthehen, duhet të japë mbështetje në këtë aspekt. Kjo periudhë duhet ndriçuar plotësisht. Ne, nga ana jonë, jemi të përkushtuar për botimin e veprave të ngjashme me ‘Qytetërimin osman’. Kemi nevojë për literaturë të përzgjedhur, për një listë të mirëhartuar të veprave të historisë, të historianëve që vlen të përkthehen. Është detyrë e autoriteteve përkatëse turke të na e japin një të tillë,” u shpreh z. Gurra.

    Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Persida Asllani, e cilësoi një projekt madhor veprën “Qytetërimi osman” në fjalën e saj përshëndetëse.

    Profesori turk Hakan Kırımlı, i ardhur në këtë simpozium për të folur në emër të familjes së historianit Halil İnalcık, kërkoi ndjesë për mungesën për arsye shëndetësore të së bijës së këtij të fundit. Një përshkrim i mrekullueshëm i figurës së Halil İnalcık-ut mbizotëroi në fjalën e profesorit, që ka patur fatin të ketë njohje të afërt me historianin e madh në të gjallë të tij.

    Abdullah Eren, kryetari i YTB-së, organizmit që ka bashkëpunuar për botimin në shqip të veprës “Qytetërimi osman” dhe për organizimin e këtij simpoziumi shkencor, e vuri theksin në fjalën e vet te trashëgimia e përbashkët e dy popujve dhe te nevoja për botimin e veprave të tjera të këtij niveli.

    Mirënjohje për të tërë kontribuesit për përkthimin në shqip të kësaj vepre shprehu në përshëndetjen me këtë rast ambasadori turk, z. Murat Ahmet Yörük. Duke vënë në pah përpjekjet për ndriçimin e periudhës historike të qytetërimit osman, z. ambasador kujtoi se po vijohet me punën për ngritjen e një qendre të përbashkët të studimeve turko-shqiptare.

    Simpoziumi do të vijonte me kumtesa nga tre personalitete me mjaft emër në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Prof. dr. Ferit Duka, prof. dr. Ismail Bardhi dhe prof. dr. Hysen Matoshi folën për historianin Halil İnalcık si personalitet i madh i osmanologjisë dhe albanologjisë, si emër i paharruar për historinë e historisë, dhe për “Qytetërimin osman” si sintezë e madhe shkencore

    PROMOVIMI I LIBRIT “ÇËSHTJA E PAQENË E DETIT: NJË INTRIGË DIPLOMATIKE GREKE APO SHQIPTARE”

    Fondacioni “ALSAR” boton dhe përuron librin e diplomatit dhe studiuesit të njohur, “Mjeshtër i Madh” Shaban Murati.

    Më datë 27 mars 2018 në sallën “Balsha” të Hotel Tirana Internacional Fondacioni Arsimor Kulturor “Alternativa e së Ardhmes” ALSAR përuroi librin e diplomatit dhe studiuesit të njohur Shaban Murati, “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, botuar po prej këtij fondacioni. Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore e të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, historianë, profesorë, pedagogë, studiues të fushave të ndryshme dhe miq të autorit. Veprimtarinë e hapi presidenti i Fondacionit “ ALSAR”, Z.Mehdi Gurra. Më pas rreth librit folën Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. As. Dr. Sokol Sadushi, ish-ambasador Çlirim Çepani, etj. Veprimtaria përfundoi me përshëndetjen e autorit të librit, zotit Shaban Murati.

    Libri i ri, që vjen pas dhjetë librave të këtij autori në fushën e diplomacisë, studimeve ballkanike dhe të politikës së jashtme, trajton për herë të parë në mënyrën më të plotë dinamikën dhe prapaskenat e dosjes së detit midis Shqipërisë dhe Greqisë, nëpërmjet paraqitjes dhe analizës se dokumenteve të shumta arkivore, të cilat ndihmojnë për të kuptuar gjenezën dhe zhvillimin e çështjes së detit deri në ditët tona.

    Autori e zbërthen çeshtjen e detit si një çeshtje të krijuar artificialisht nga paaftësia e diplomacisë shqiptare të kohës së nënshkrimit të marrëveshjes së detit dhe nga aftësia e diplomacisë greke për ta bërë çështjen e detit një problem qendror të marrëdhënieve dypalëshe edhe pas anulimit të marrëveshjes së vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Në libër argumentohet karakteri artificial i kësaj çështje nëpërmjet trajtimit shkencor bindës se kjo çështje nuk ka ekzistuar kurrë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe, dhe se ajo është ngritur mbi supozimin e gabuar dhe të paligjshëm se kufijtë detarë nuk ekzistojnë.

    Në kapitullin e parë autori ndalet në prapaskenën e nxitimit të diplomacisë shqiptare për përfundimin e marrëveshjes së detit me Greqinë në 2009, e cila kaloi përmes shkeljesh të mëdha historike, diplomatike, juridike dhe dokumentare. Në kapitullin e dytë autori trajton problemin interesant dhe enigmatik të ndryshimit nga diplomacia shqiptare të objektit të bisedimeve, nga bisedime për shelfin kontinental në bisedime për përcaktimin e kufirit detar. Në kapitullin e tretë kemi një analizë të thellë dhe të dokumentuar historike në gjithë harkun kohor shekullor të marrëdhënieve shqiptaro-greke të së vërtetës që kufijtë detarë kanë ekzistuar dhe janë pranuar nga qeveria greke. Në kapitullin e katërt autori analizon për herë të parë tërë procesin diplomatik të çështjes së detit si një konflikt artificial, që ka dominuar marrëdhëniet dhe bisedimet diplomatike midis dy vendeve gjatë dhjetë viteve të fundit.

    I bazuar në vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë libri sjell një pasurim të interpretimit dhe të dokumentacionit, që përcakton piketat strategjike të paluajtshme të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ndër këto piketa ai i kushton vëmendje të veçantë ekzistencës së kufijve detarë, paligjshmërisë së çdo lloj bisedimi mbi kufijtë detarë dhe tezave të gabuara të adresimit në gjykata ndërkombëtare.

    Për të kuptuar plotësisht dosjen e detit dhe perspektivën e saj, autori përshin një kuadër të gjerë të problemeve të hapura dhe të pazgjidhura në marrëdhëniet dypalëshe që nga çështja çame e deri te çështja e ujërave të Vjosës. Libri i ri i diplomatit Shaban Murati, që botohet në kohën e duhur, sjell një kontribut të çmuar për mendimin diplomatik shqiptar, por edhe për veprimtarinë praktike diplomatike, për studimet akademike dhe për shkencën shqiptare të marrëdhënieve ndërkombëtare.

    Duhet shtuar se autori, duke qenë edhe gazetar, krahas profesionalizmit në argumente, ka përgatituar një libër me një stil të kuptueshëm, të këndshëm dhe komunikues me lexuesit e të gjitha kategorive, që nga akademikët e deri te lexuesit e thjeshtë.

     

    FJALË PËRSHËNDETËSE

     

    Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë!

    Të nderuar përfaqësues  të institucioneve shtetërore.

    Drejtues të organizatave të shoqërisë civile!                                                

    Të  nderuar pjesëmarrës, miq dhe të ftuar!

     

    Ju përshëndes në emër të Fondacionit ”Alternativa e së Ardhmes”  duke ju falënderuar për nderin dhe respektin që treguat me pjesëmarrjen tuaj në këtë veprimtari.

     

    Në kuadër të zhvillimit të veprimtarive kulturore, në bashkëpunim me autorin,  organizojmë sot këtë ceremoni me synimin për të mbështetur dhe promovuar  vlerat e kontributet, që i shërbejnë çështjes sonë kombëtare dhe mendimit diplomatik shqiptar.

    Ndjehemi të privilegjuar që bashkëpunuam me diplomatin e shquar Shaban Murati, që njihet për kontributet e vyera në fushën e diplomacisë e të publicistikës, duke mundësuar në këtë mënyrë botimin e veprës “ÇËSHTJA E PAQENË E DETIT : NJË INTRIGË DIPLOMATIKE GREKE APO SHQIPTARE”

     

    Të nderuar pjesëmarrës!

    Çështja e marrëveshjes për detin midis Shqipërisë dhe Greqisë ka qenë objekt i një debati të nxehtë dhe i një interesimi të gjallë të opinionit publik shqiptar që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje më 27.04.2009.

    Më vonë kjo marrëveshje u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë,e cila e konsideroi atë në kundërshtim me Kushtetutën dhe e shpalli të pavlefshme juridikisht.

    Çështja e detit është vënë përsëri në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe politik shqiptar dhe atij grek, sepse është nisur procesi i negocimit të çëshjes nga të dy palët.

    Duke e konsideruar çëshjen e detit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë si një çështje nga më madhoret e interesit Kombëtar,Fondacioni “ ALSAR ” ka mundësuar botimin ( në dy gjuhë shqip anglisht ) dhe promovon sot librin “ Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”  të diplomatit dhe studiuesit Shaban Murati.

    Është hera e parë që një ekspert me një karrierë të gjatë diplomatike analizon në një studim të plotë nga pikpamja diplomatike, politike dhe historike çështjen e detit si një problem nga më të mprehtit dhe më të ndërlikuarit të kohëve moderne midis Shqipërisë dhe Greqisë.

    Autori analizon dinamikën diplomatike të dosjes së detit dhe të negocimeve midis dy ministrive të jashtme që nga koha e marrëveshjes së detit të vitit 2009 e deri në ditët e sotme.

    Libri mbështetet në një dokumentacion të gjerë dhe referenca nga Arkiva e Shtetit e Shqipërisë,nga Arkiva e MP Jashtme të Italisë dhe në një bibliografi të gjerë të tematikës së çështjes së detit. Autori sjell një numër të madh dokumentesh historike,traktatesh e marrëveshjesh ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me kufijtë e Shqipërisë, për të provuar se kufijtë detarë dhe tokësorë kanë qenë përcaktuar si të detyrueshme për të dy vëndet nga Fuqitë e Mëdha qysh në vitet 1913-1926.

    Ai sjell për herë të parë dokumente nga Arkiva e MPJ të Shqipërisë ,që provojnë se në marrëveshjet e mëparshme dypalëshe për çështje të ndryshme midis Shqipërisë dhe Greqisë,të dy vëndet kanë pohuar ekzistencën dhe njohjen e kufirit detar midis tyre.

    Fondacioni “ALSAR” është i nderuar për prezencën në këtë veprimtari të studiuesve dhe ekspertëve të shquar të fushës së diplomacisë, jurisprudencës dhe historisë ,që pranuan të japin opinionet e tyre të çmuara në lidhje me përmbajtjen dhe vlerat,që përmban libri dhe rëndësinë që argumentet e sjella në të, do të kenë për ndriçimin e opinionit publik dhe politik shqiptar dhe atij të huaj.

    Shumë të nderuar pjesëmarrës!

    Gjejmë rastin të shprehim vlerësimin dhe mirënjohjen tonë ndaj kontributit të çmuar që ofroi autori i librit “Çështja e paqenë e detit : Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”,  i cili me punimin e tij, vendosi një tjetër gur të çmuar në kurorën e botimeve të tij në fushën e diplomacisë.

     

    Urime dhe suksese të mëtejshme autorit të këtij libri !

    Më lejoni që duke i uruar një mbarëvajtje të suksesshme kësaj veprimtarie, ta deklaroj atë të hapur.

    Ju faleminderit !

    NISMË SENSIBILIZUESE PËR MË SHUMË PËRKUJDESJE NDAJ MOSHËS SË TRETË

    Vetmia e moshës së tretë, braktisur nga fëmijët që janë në emigracion, është drama e kohës sonë. Kjo u shkakton atyre mërzi dhe stres. Ndoshta ndihen të nënvlerësuar dhe pa ndonjë rol në jetë. Çështja nuk është individi i moshuar, çfarë bën ai për veten, por shoqëria që e zbut pleqërinë e njeriut dhe e zbukuron plakjen.
    Të moshuarit e Azilit të Tiranës, kaluan një ditë të veçantë  e të këndshme gjatë programit tonë “Takimi i brezave” të zhvilluar në Shtëpinë e të Moshuarve në rrugën “Ali Demi”. Një veprimtari kulturore e argëtuese e organizuar nën përkujdesjen e bashkëshortes së Ambasadorit të Turqisë, Zonjës Ayşegül Erdal Yörük, e shoqëruar nga personeli i Fondacionit “Alsar” dhe i ambasadës si dhe nga studentët vullnetarë të Fondacionit “ALSAR” të cilët shfaqën për të pranishmit edhe një program artistik, që bashkoi të moshuarit me të rinjtë në një takim brezash.

    Në përfundim të kësaj veprimtarie Fondacioni “ALSAR”i dhuroi Shtëpisë së të Moshuarve, televizor në permasa të mëdha 55°për sallën e ngrënies, magnetofon , karrige mbështetëse  për dush, kaloriferë për dhomat e të moshuarve.

    Nr Emërtimi i artikullit të dhuruar Sasia
    1. Televizor në përmasa të mëdha 55°për sallën e ngrënies. 1 copë
    2. Magnetofon . 1 copë
    3. Karrige mbështetëse  për dush. 5 copë
    4. Kaloriferë për dhomat e të moshuarve. 5 copë

    Mesazhi që përçoi ky takim me ta, ishte se nuk ka kuptim që këta njerëz që gjithë jetën kanë qenë të integruar në shoqëri të jenë të braktisur nga kujdesi i shoqërisë. Të moshuarit nuk janë kurrë të vjetër, ata janë udhërrëfyesit e breznive të reja, nëse kemi vullnet t’i dëgjojmë e t’i ndjekim nga pas. Shpresojmë që ky takim të shërbejë si një moment i domosdoshëm reflektimi, si një thirrje drejtuar institucioneve dhe shoqërisë për të shtuar kujdesin ndaj moshës së tretë.