Tag Archives: Kulturore

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë viziton stendën e Botimeve ALSAR në Panairin e Librit

Botimet ALSAR, stenda e tyre në Panairin e Librit 2025, kanë patur sot vizitorë të veçantë, të interesuar për të parë më nga afër e për të shfletuar produktet e një pune shumëvjeçare dhe të një përkushtimi të vazhdueshëm botues.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, ka pritur në stendën e Botimeve ALSAR ambasadorin e Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, të shoqëruar nga koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata, dhe koordinatori i Institutit “Yunus Emre” në Shqipëri, z. Oğuzhan Sakoğlu.

Ai u ka uruar mirëseardhjen ambasadorit turk dhe dy koordinatorëve, të TİKA-s dhe Institutit “Yunus Emre”, dhe i ka falënderuar për vizitën në stendën e ALSAR-it. Z. Gurra u ka treguar mysafirëve botimet e paraqitura në panair, autorët turq të botuar, dhe u ka folur për punën e jashtëzakonshme që bëhet për t’i sjellë publikut tekste sa më cilësore dhe të dobishme.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, është njohur me botimin e sapodalë me dokumente osmane për gjashtë qytete, secili më vete. Z. Mehdi Gurra i ka shpjeguar se bëhet fjalë për gjashtë libra në dy gjuhë, në shqip dhe turqisht, për Tiranën, Elbasanin, Shkodrën, Ulqinin, Novi Pazarin dhe Nishin, në të cilët gjenden faksimile të dokumenteve osmane mbi jetën sociale, ekonomike, etj., në to.

Titullarët e institucioneve turke në Tiranë kanë parë dhe shumë botime të tjera, përgjithësisht me tematikë historike dhe të lidhura me vendin e tyre.

Nga ata është çmuar puna e Fondacionit ALSAR në fushën e botimeve dhe është shprehur inkurajimi për vazhdimin e këtij angazhimi botues.

Botimet ALSAR paraqiten në Panairin e Librit në kryeqytet: libra të rinj, me tematikë të përzgjedhur

Edicioni i 28-të i Panairit të Librit në Tiranë ka hapur dyert të mërkurën e 13 nëntorit, duke u dhënë mundësinë dhjetëra shtëpive botuese të librit në shqip t’i ofrojnë lexuesit të çdo moshe prurjet më të reja.

Botimet ALSAR paraqiten sërish me stendën e tyre të pasur, ku mund të gjenden daljet më të reja nga shtypi dhe tituj më të hershëm, interesi për të cilët vijon të mbetet i lartë.

Librat më të rinj të ALSAR-it përmbajnë tekste me tematikë të përzgjedhur; dallojnë mes tyre të karakterit historik, arkivor, besimor, etj.

Autorë vendas dhe të huaj zënë vend në stendën e Botimeve ALSAR, të mirëseardhur prej kur kanë vendosur të bashkëpunojnë me këtë ent botues.

Lexuesit do të kenë çfarë të shohin dhe të zgjedhin për të marrë mes titujve të shumtë dhe të larmishëm.

Botimet ALSAR e konsolidojnë më tej në këtë panair praninë gjithnjë e më të kërkuar në tregun e vështirë të librit.

Orë zbavitëse për fëmijët jetimë, lojëra dhe drekë e shtruar për ta dhe familjarë të tyre

Në kuadër të aktivitetit humanitar të Fondacionit ALSAR dhe të ditëve të solidaritetit human, janë zhvilluar në tre ditët e para të kësaj jave veprimtari për jetimët.

Nën kujdesin e Fondacionit ALSAR, fëmijë jetimë të kryeqytetit kanë kaluar të hënën orë të gëzueshme në qendrën e argëtimit “Latitude”, ku kanë luajtur për rreth një orë e gjysmë.

Një drekë, e shtruar për ta dhe të afërmit që i shoqëronin, ka pasuar pas lojërave, ku janë shijuar ushqimet dhe shoqëria e përbashkët.

Akivitetin e ka mundësuar HASENE, organizata e ndihmave humanitare me qendër në Gjermani, si mbështetëse e projektit.

Përfaqësues të HASENE-së kanë qenë të pranishëm në aktivitet, duke u shpërndarë fëmijëve jetimë dhe dhurata, veshje të punuara me dorë nga aktivistë të organizatës humanitare.

Një ditë e bukur dhe e paharrueshme për jetimët, e kaluar me dëfrim dhe plot buzëqeshje të natyrshme fëmijërore.

Dhurohen libra për pjesëmarrësit në simpoziumin shkencor për Gedik Ahmed Pashën

Fondacioni ALSAR u dha mundësinë pjesëmarrësve në simpoziumin shkencor të kushtuar Gedik Ahmed Pashës, ushtarakut dhe shtetarit osman, të marrin dhuratë tituj të ndryshëm librash.

Aktiviteti i dhurimit të librave u zhvillua në mjediset e Universitetit “Ismail Qemali” pas simpoziumit dhe akordimit të bursave të ekselencës.

Për pjesëmarrësit u dhuruan 113 tituj librash, në sasi të ndryshme kopjesh, mundësuar si dhuratë e Shtëpisë Botuese Logos-A.

Interesi për librat ishte i dukshëm te përfituesit e shumtë, që tani kanë në duar si dhuratë tekste mjaft të vlefshme për lexim.

Fondacioni ALSAR zhvillon periodikisht projekte të dhurimit të librave, si një kontribut kulturor me ndikim mjaft pozitiv për shoqërinë dhe për pasurimin e bibliotekave vetjake dhe të institucioneve të ndryshme.

Dhurimi i librave ishte pjesë e tre aktiviteteve të zhvilluara në Vlorë në mesin e kësaj jave.

Fondacioni ALSAR zhvillon në Vlorë, me mbështetjen nga TİKA, simpoziumin shkencor për Gedik Ahmed Pashën

Fondacioni ALSAR organizoi dhe mbajti në Vlorë këtë të enjte, më 6 nëntor, simpoziumin shkencor të kushtuar një personaliteti të spikatur, ushtarakut dhe shtetarit osman Gedik Ahmed Pasha. Zhvillimi i aktivitetit shkencor pati mbështetjen nga TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.

Në simpoziumin e mbajtur në sallën “Ali Asllani”, te Aula Magna e Universitetit Ismail Qemali, pjesëmarrja përfshinte intelektualë, pedagogë, studentë, qytetarë të Vlorës, të interesuar për të mësuar për jetën dhe veprën e Gedik Ahmed Pashës.

Punimet e simpoziumit i ndoqën atasheu për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Adem Gerlegiz, dhe koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata.

Simpoziumi, “Jeta dhe veprat e Gedik Ahmed Pashës”, u hap me dëgjimin e himneve të Shqipërisë dhe Turqisë, respektuar me qëndrim në këmbë nga të gjithë pjesëmarrësit.

Kryetari i entit organizator, Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, mbajti më pas një fjalë përshëndetëse, në të cilën tha:

“Të nderuar pjesëmarrës!

Ju uroj mirëseardhjen në këtë simpozium shkencor të organizuar nga Fondacioni ALSAR dhe të mbështetur nga TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim!

Organizimi në Vlorë i këtij aktiviteti kulturor dhe shkencor, në një sallë të destinuar për të përçuar dije në brezin e ri, është shprehje e vizionit kombëtar të Fondacionit ALSAR, të kujdesshëm në çdo hap të veprimtarisë së tij për t’i shërbyer në shumë dimensione shoqërisë shqiptare si një e tërë.

Një organizim i tillë dëshmon interesin e pandryshuar të Fondacionit ALSAR për të kontribuar në ndriçimin dhe përkujtimin e së shkuarës, për të mos e lënë në harresë historinë dhe për t’i vënë në pah mësimet e saj si linja udhëzuese në të sotmen dhe të nesërmen tonë.

Si qyteti ku mori udhë shteti i ri shqiptar, Vlora ka pa dyshim një status dhe tërheqje të veçantë. Nuk jemi thjesht në një qytet turistik, por në vendin e zanafillës së historisë moderne të shqiptarëve, që prej në shekulli e më shumë të pavarur në jetën e tyre shtetërore. Përzgjedhja e Vlorës, pra, për këtë simpozium, është e mirëmenduar, shumë e kuptimtë, dhe aspak rastësore.

Ngjarje dhe personazhe me rëndësi historike, që kanë lënë gjurmë në të shkuarën, përzgjidhen rregullisht nga Fondacioni ALSAR për t’u risjellë në vëmendje, për t’u ritrajtuar nga këndvështrime të reja, për t’u parë më objektivisht e për t’u vlerësuar sa më larg ndikimeve ideologjike të kohës apo të trashëguara. Siç e lashë të kuptohet dhe më lart, gjeografia e veprimtarive tona në këtë kuadër nuk është spontane!

Të fokusuar në periudhën osmane, si pjesëtarë të gjallë dhe dendur protagonistë të perandorisë më të madhe të kohës, kemi rinxjerrë në mënyrë ciklike në dritë figura të denja për t’u përmendur me vlerësim për atë çka dhanë në të gjallë të tyre dhe lanë të paharrueshme për njerëzinë kur u mbaroi koha e të qëndruarit në këtë botë. Tema e këtij simpoziumi shkencor i kushtohet njërit prej tyre.

Gedik Ahmed Pasha e shkroi historinë e vet në shekullin e 15-të, i përcaktuar si një prej shtetarëve dhe komandantëve ushtarakë më të spikatur të Perandorisë Osmane në mesin e atij shekulli. Kulmin, si Vezir i Madh, e pati gjatë sundimit të Mehmedit II; ekzekutimi i erdhi kur në fronin sulltanor rrinte i ulur Bajazidi II. Jeta e tij si një osman i devotshëm i bëri hapat e para përmes devshirme-së së mirënjohur; ai shfaqi tërë kapacitetin për të mos e çuar ekzistencën e tij në hije, i padalluar nga askush. ‘Gedik’ u bë pjesë e emrit të tij pikërisht për shkak të aftësive në fushat e betejës, për të ndërtuar, mbrojtur e çarë fortesa dhe kala.

Si shumë ushtarakë me shpatën osmane në mill, Gedik Ahmed Pasha korri fitore që i dhanë lavdi, i dhanë emër dhe i siguruan karrierë në perandori. Beteja dhe suksese në Anadoll, fushata e Krimesë, e çmuar dhe si ekspedita më me rëndësi strategjike dhe sjellëse e një shtrirjeje domethënëse të Perandorisë Osmane në Detin e Zi, fushata italiane dhe marrja e Otrantos, kishin për protagonist dhe aktor kryesor pikërisht Gedik Ahmed Pashën, falë të cilit u siguruan territore të reja dhe sulltanati vijoi ekspansionin.

Rregullsisë së kësaj jete nuk i shpëtoi as Gedik Ahmed Pasha, rënia e të cilit filloi të dukej me mbylljen e kapitullit të Mehmedit II. Si shumëkujt në perandori, pushteti në rritje dhe dyshimet e krijuara pashmangshmërisht me të i hëngrën kokën dhe atij. Kjo ndodhi në nëntorin e 1482-shit, dy vite pas suksesit në Otranto dhe një vit pas vdekjes së Mehmedit II.

Gedik Ahmed Pasha e shkroi emrin e tij dhe nëpërmjet veprimtarisë bamirëse; diçka krejt normale dhe e zakonshme për njerëzit me një lloj pushteti të asaj epoke. Vepra arkitekturore u ndërtuan nën ndikimin dhe kujdesin e tij të drejtpërdrejtë; aktiviteti vakëfnor nën emrin e tij është i prekshëm dhe i dallueshëm ende.

Aftësitë ushtarake dhe shtetërore, dhe angazhimi i tij shoqëror e kulturor, e kanë bërë Gedik Ahmed Pashën një prej figurave që portretizon më së miri osmanin e suksesshëm të kohë. Trashëgimia e tij meriton vërtet të merret e të rimerret në analizë, të studiohet, e të ketë njohjen e duhur.

Shpresoj që ky simpozium të ndihmojë në ndriçimin e personalitetit dhe të arritjeve të tij!

Ju uroj të gjithë pjesëmarrësve të kenë dobi nga ky aktivitet!

Ju uroj, njëkohësisht, kumtuesve ligjërim të mbarë dhe të kuptueshëm!”

Fjalë përshëndetëse u përcolli pjesëmarrësve dhe koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata.

Në radhën e kumtesave, i pari e mori fjalën prof. dr. Pëllumb Xhufi, temë e përzgjedhur prej të cilit ishte, “Gedik Ahmed Pasha dhe ekspedita e Otrantos (1480-1481).

Ligjëruesi nga Turqia, prof. dr. Ahmet Şimşirgil, mbajti kumtesën, “Jeta politike dhe shoqërore e Gedik Ahmed Pashës”.

Pjesëmarrësit dëgjuan nga dr. Enkelejda Billa kumtesën, “Fragmente nga jeta e Gedik Ahmed Pashës”.

Kumtuesi i fundit, nga Kosova, dr. Agron Islami, ligjëroi temën, “Profili ushtarak i Gedik Ahmed Pashës: Një kryekomandant i fushatave osmane kundër gjenovezëve dhe venedikasve (1460-1482)”.

Organizatorët do t’i ftonin të pranishmit në një koktej në fundin e punimeve të simpoziumit shkencor.

Kryetari i Fondacionit ALSAR viziton Fakultetin Teologjik dhe medresenë në Sofje

Kryetari i Fomdacionit ALSAR është ndalur dhe në kryeqytetin e Bullgarisë përgjatë turneut të punës të pak ditëve më parë.

Gjatë qëndrimit të shkurtër në Sofje, z. Mehdi Gurra ka vizituar Fakultetin Teologjik dhe medresenë.

Ai është pritur nga drejtori i medresesë, Ridvan Mehmedov, dhe nga zëvendësdrejtori, Mehmed Terzi. Z. Mehdi Gurra u prit dhe nga pedagogu i Fakultetit Teologjik, Sefer Hasanov.

Në takimet u fol për organizimin e dy institucioneve arsimore, për lëndët mësimore dhe për mbarëvajtjen e nxënësve dhe studentëve.

U trajtua në bisedë mënyra organizative e mësimdhënies në Fakultetin Teologjik dhe në medresenë e hapur në shtatorin e këtij viti.

Pasi u njoh me përbërjen e nxënësve dhe studentëve në dy institucionet, përgjithësisht muslimanë të Bullgarisë, por dhe fëmijë të të ardhurve në këtë vend për arsye pune, z. Mehdi Gurra falënderoi bashkëbiseduesit për punën e kryer nga Fakulteti i Teologjisë dhe medreseja në mësimdhënien teologjike.

Kryetari i ALSAR-it e ftoi personelin mësimdhënës të medresesë që bashkë me nxënësit të vizitojnë Shqipërinë verën e ardhshme, të pritur nga fondacioni, që do të organizojë shëtitjet dhe tërë vizitën.

soap 2 day