Tag Archives: Kulturore

Fondacioni ALSAR dhe Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Në kuadër të zgjerimit të aktivitetit bashkëpunues me institucione me perspektiva dhe interesa përkuese, Fondacioni ALSAR ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.

Nënshkrimi është kryer në selinë e Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, në praninë e drejtuesve përkatës, kryetarit të Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, dr. Albert Rakipi, dhe kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Të pranishëm ishin dhe znj. Alba Çela, drejtore ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, dhe z. Saimir Rusheku, drejtor ekzekutiv i Fondacionit ALSAR.

Memorandumin e nënshkruan znj. Alba Çela dhe z. Mehdi Gurra, të cilët shkëmbyen dhe dokumentin përkatës.

Marrëveshja synon nxitjen e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimin e bashkëpunimit akademik, ideimin dhe realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta.

Nënshkruesit e memorandumit angazhohen institucionalisht për organizime të përbashkëta forumesh, për pjesëmarrje në konferenca, seminare, ngjarje dhe takime akademike, për shkëmbim të literaturës dhe informacioneve, për përkthime dhe botime, për shkëmbime të dyanshme, e për aktivitete dhe publikime të përbashkëta në fushën e kërkimit shkencor.

Institucionet u zotuan përmes memorandumit të ndajnë informacion rreth punës dhe mundësive të reja për zhvillim institucional, e të raportojnë në bordet përkatëse për rezultatet e bashkëpunimit.

Takimi i drejtuesve të dy institucioneve u mbizotërua nga diskutimi i fushave të bashkëpunimit.

Nënshkrimit të memorandumit me Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare do t’i paraprinte muaj më parë një shkëmbim vizitash i drejtuesve të institucioneve.

Falë një aktiviteti të gjerë botues, dhe organizimit të konferencave e simpoziumeve të ndryshme me karakter kulturor dhe shkencor, Fondacioni ALSAR ofron bashkëpunim cilësor për institucionet e interesuara.

Kryetari i Fondacionit ALSAR priti një grup akademik nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova

Fondacionin ALSAR e vizitoi më 27 qershor një grup akademik nga Mqedonia e Veriut dhe Kosova. Ata u pritën nga kryetari i institucionit, z. Mehdi Gurra.

Të ardhur në Tiranë në kuadër të seminarit të parë ballkanik mbi turkologjinë, organizuar nga Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë nën kujdesin e Fondacionit Turk Maarif, vizitorët patën një bisedë mjaft të këndshme me mikpritësin.

Doc. dr. Seyhan Murtezan İbrahimi, zëvendësrektore e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik në Maqedoninë e Veriut, doc. dr. Elsev Brina Lopar, shefe e programit në gjuhën turke në Universitetin Ukshin Hoti në Kosovë, prof. dr. Osman Emin, drejtues i degës së gjuhës dhe letërsisë turke në Universitetin Kiril ve Metodiy në Maqedoninë e Veriut, dr. sc. Eljesa Ismaili, drejtues i degës së gjuhës dhe letërsisë turke në departamentin e gjuhëve lindore të Fakultetit të Filozofisë së Universitetit të Tetovës, Berna Beyoğlu dhe Banu İsmaili, në degën e mësuesisë së gjuhës turke në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Maqedoninë e Veriut, u falënderuan nga kryetari, z. Gurra, për vizitën dhe u njohën përmes tij për aktivitetin 19-vjeçar të Fondacionit ALSAR.

Z. Mehdi Gurra u foli vizitorëve për veprimtaritë në fushën e turqishtes, për kurset në kryeqytet, në Kukës dhe Konispol, për mësimin e turqishtes nga jetimët, nga nxënës dhe nxënëse të dy qyteteve në veri e jug të vendit. Mësimdhënia – u shpjegoi ai atyre – në këto kurse bëhet nga dy pedagogë të sjellë nga Ministria e Arsimit në Turqi dhe të paguar prej saj.

Botimet e ALSAR-it në gjuhën turke, mes tyre ai për marrëdhëniet shqiptaro-turke, apo përmbledhja e kumtesave të simpoziumit mbi vakëfet në Ballkan, u vunë në dukje po ashtu në bisedë nga z. Gurra.

Vizitorët panë më pas ambientet e fondacionit dhe librarinë e tij, ku morën si dhuratë nga kryetari i ALSAR-it botime në gjuhën turke dhe në dy gjuhët, shqip dhe turqisht.

Shprehja e konsideratave nga miqtë dhe falënderimi për mikpritjen ishin pjesë e natyrshme e vizitës.

Ndjekëset e kurseve të Fondacionit ALSAR në Tiranë në ekskursion në Gjirokastër dhe Përmet

Fondacioni ALSAR organizoi fundjavën e sapolënë pas një ekskursion për ndjekëset e kurseve në kryeqytet, në mjediset e tij.

Për të kaluar një kohë cilësore, në shoqëri dhe me zbavitje, për të shëtitur e për të parë gjëra të reja, qe menduar e planifikuar një vizitë në qytetet e Gjirokastrës dhe Përmetit.

Të shoqëruara nga punonjës të Fondacionit ALSAR, njëzet vajzat patën mundësinë dhe kënaqësinë të shohin vendet më interesante të qytetit turistik të Gjirokastrës, të ecin në kalldrëmet e tij, të ngjiten në kala, e të mësojnë mbi historinë e së shkuarës.

Për ndjekëset e kurseve të turqishtes u shfrytëzua ky ekskursion dhe për t’i gëzuar me shpërndarjen e certifikatave përkatëse, e për të dhënë vlerësime mbi angazhimin dhe seriozitetin e tyre në përvetësimin e gjuhës turke.

Po aq e këndshme ishte dhe vizita në Përmet, e kaluar bukur në shëtitje dhe në ndalesa në vende tërheqëse.

Dreka për ndjekëset e kurseve në Tiranë nuk mund të mungonte në ekskursion, mundësuar po ashtu nga organizatorët.

Fondacioni ALSAR u mundëson një ekskursion në kryeqytet ndjekësve të kurseve fundjavore në Devoll

E shtuna e 24 majit qe një ditë ekskursioni për ndjekësit e kurseve fundjavore të mësim-edukimit në Devoll.

Në kuadër të aktiviteteve kulturore dhe arsimore, Fondacioni ALSAR u dha mundësinë njëzet nxënësve nga Devolli të bëjnë një vizitë në kryeqytet, të kenë një shëtitje me plot argëtim dhe gjithashtu me shumë dobi.

Njohja me kulturën, me trashëgiminë tonë kombëtare, dhe me kryeqytetin, përbënin veçorinë e ekskursionit.

Nxënës e nxënëse të Devollit panë nga afër institucione dhe vende turistike të Tiranës, u njohën posaçërisht me institucione besimore, dhe vizituan mes tyre xhaminë e re të Namazgjasë, të përuruar e hapur vjeshtën e vitit të kaluar.

Fondacioni ALSAR u shtroi djemve dhe vajzave dhe një drekë pas orësh të kaluara në aktivitet.

Ekskursionistët nga Devolli të kurseve fundjavore e lanë kryeqytetin me emocione dhe përshtypje që do t’u mbeten gjatë në mendje.

Fondacioni ALSAR dhe Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Në kuadër të zgjerimit të aktivitetit dhe të shtimit të partneriteteve e ndërveprimeve me institucione të ndryshme, Fondacioni ALSAR ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.

Nënshkrimit të marrëveshjes i ka paraprirë një vizitë dhe një takim në mjediset e universitetit, me praninë e prof. dr. Aurela Saliaj, rektore e këtij institucioni publik arsimor, dhe z. Mehdi Gurra, kryetar i Fondacionit ALSAR.

Prof. dr. Sabri Laçi, koordinator për hapjen e një bashkëpunimi mes dy palëve dhe marrëveshjen, i ka kushtuar fjalë të veçanta aktivitetit dhe kontributit arsimor e kulturor të Fondacionit ALSAR.

Krerët e dy institucioneve kanë bërë paraqitjet përkatëse të veprimtarive dhe kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit.

Marrëveshja e nënshkruar sot, më 14 maj, parashikon bashkëpunim akademik dhe kulturor, mbështetjen e studentëve, pasurimin e bibliotekës së universitetit, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, etj.

Qëllim i marrëveshjes është përkushtimi në shërbim të studentëve, duke synuar ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare.

Fondacioni ALSAR angazhohet ndër të tjera të japë ndihmë dhe mbështetje për realizimin e projekteve të përbashkëta të botimit të literaturës akademike, të akordojë stimuj financiarë për studentë me kontribute akademike dhe shkencore, të japë ndihmë në bazë materiale për të përmirësuar infrastrukturën universitare, të ofrojë mbështetje financiare për studentë në vështirësi ekonomike, specifikisht për ata jetimë, e të ndërmjetësojë në

krijimin nga universiteti të urave të bashkëpunimit me institucione homologe brenda dhe jashtë vendit.

Atmosfera mikpritëse dhe mjaft miqësore e shoqëroi vizitën e drejtuesve të Fondacionit ALSAR në Universitetin “Ismail Qemali” dhe nënshkrimin e marrëveshjes.

Kryetari i Fondacionit ALSAR zhvillon një takim në Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare

Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, ka zhvilluar një takim në Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.

Ai është pritur nga kryetari, z. Albert Rakipi, me të cilin ka patur një bisedë të mbizotëruar nga shkëmbimi i ideve dhe diskutimi i perspektivave bashkëpunuese.

Përvojat në aktivitetin e dy institucioneve kanë qenë pjesë e natyrshme e bisedës mes z. Rakipi dhe z. Gurra.

Ata kanë folur për mundësitë e bashkëpunimit, si në fushën e botimeve dhe në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta.

Bibliotekës së Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare iu dhuruan 135 tituj të Botimeve ALSAR.

soap 2 day