Tag Archives: Kulturore

“Për Toptanasit që di”, botimi ynë i ri

Botimet ALSAR i japin publikut një punim të gjerë për një familje me shumë emër në Tiranë, përgatitur nga një pasardhës i saj, me ambicien për t’ia ruajtur asaj historinë dhe për t’ia vënë në pah shkëlqimin e dikurshëm.

“Për Toptanasit që di – Midis Lindjes dhe Perëndimit”, me autor Ajten Toptanin, u botua nga Fondacioni ALSAR me synimin e qartë për t’ia bërë të njohur lexuesit historinë e një dere të madhe, prej nga dolën shumë figura që lanë gjurmë në të shkuarën e vendit.

Interesi botues i Fondacionit ALSAR ishte për historinë e tërë të toptanasve, pa dashur dhe pa kërkuar fokusim në një personazh të veçantë. Botuesi mund të mos ketë pikëpamje të njëjtë aty-këtu me autorin, madje nuk ndan të njëjtin mendim dhe të njëjtën optikë për trajtesa të veçanta, si në shkrim dhe në ilustrim, por respekton autorësinë dhe ia lë lexuesit gjykimin, i bindur në qëllimin fisnik të botimit.

* * *

“Për Toptanasit që di” ka tiparet e një historiku dhe të një albumi, me informacion të shumtë për familjen Toptani. Njohja me historinë e saj të çon dhe te të kuptuarit e trashëgimisë së Tiranës, qoftë historike, etnografike, kulturore dhe njerëzore.

Jetëshkrimet, qindra ilustrime, tabelat gjenealogjike, janë në funksion të përshkrimit sa më të detajuar të kësaj familjeje.

Punimi përbëhet nga dy pjesë, e para me tekste dhe ilustrime, dhe e dyta krejtësisht me ilustrime, ku përfshihen fotografi, grafika dhe vizatime. Botimin e mbyll një tabelë e plotë gjenealogjike e familjes Toptani.

Në rreth 700 faqe, punimi është kontribut me shumë vlerë për njohjen e familjes Toptani dhe rolin e saj në historinë e vendit tonë, për mbajtjen gjallë të kujtimit të së shkuarës së toptanasve.

Dhe siç shkruan autori në epilog, i kufizuar në rrethin e familjes mbiemrin e së cilës mban, “Duhet të ruajmë traditën dhe historinë e përpjekjeve të asaj pjese të kontributit tonë familjar për vendin dhe civilizimin e tij….”

[rev_slider slidertitle=”postim alsar dhurate libra 1 1″ alias=”postim-alsar-dhurate-libra-1-1″]

Botimet ALSAR nxjerrin nga shtypi veprën “Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit”

Vepra monumentale e të ndjerit Alija Izetbegoviq botohet për herë të parë nga Fondacioni ALSAR, ndërsa është botuar dhe më herët në shqip.

E mirënjohur, e shumëlexuar dhe e shumëdiskutuar, frymëzuese gjithashtu, vepra meritonte një botim të ri, të realizuar nga Botimet ALSAR.

Intelektual, mendimtar dhe shtetar boshnjak i klasit të parë, Alija Izetbegoviq nuk është prej një kohe të gjatë mes njerëzve të kësaj bote, por çfarë ai la si trashëgimi të tij mbetet ende e gjallë dhe e freskët mes nesh si dëshmi e një kapaciteti dhe veprimtarie të jashtëzakonshme.

“Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit” ishte sipërmarrje e madhe e Izetbegoviqit, si shumë të tjera në jetën e vet, e shkruar me patosin e një muslimani – një arritje e rendit të parë, siç janë shprehur vlerësuesit e veprës.

Vepra bart një qasje të gjithanshme mbi Islamin, si orvatje për ta bërë atë të kuptueshëm e të prekshëm.

“Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” është vepër e cila fton pandërprerë për lexim, për meditim dhe reflektim, e si e tillë ofrohet rishtas nga Botimet ALSAR.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar dhurate libra 1″ alias=”postim-alsar-dhurate-libra-1″]

U paraqitën në Stamboll dy libra të autorëve shqiptarë në turqisht, organizim në bashkëpunim me ALSAR-in, mbështetësin e njërit prej botimeve

Në ditët e fundit të nëntorit, në fundjavën e kaluar, u mbajt në Stamboll aktiviteti për paraqitjen e librave të përkthyer në turqisht të dy autorëve shqiptarë, Besnik Mustafaj dhe Zyhdi Dervishi.

Rumeli Türkleri Vakfı dhe Fondacioni ALSAR e organizuan në bashkëpunim aktivitetin, nën përkujdesin e Ministrisë së Kulturës së Turqisë dhe të Konsullatës së Shqipërisë në Stamboll. Pjesëmarrja ishte e gjerë në paraqitjen e librave, të bërë në një atmosferë tepër të ngrohtë.

Aktivitetin e nderoi prania e përfaqësuesve të 36 shoqatave dhe fondacioneve, si edhe e konsulles shqiptare, znj. Erinda Boçi. I pranishëm ishte gjithashtu kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Fjalën e hapjes e mbajti z. Kemal Baltepe, drejtues i institucionit mikpritës si bashkorganizues i veprimtarisë promovuese. Ai u uroi mirëseardhjen të pranishmëve, autorëve të librave dhe të gjithë të ftuarve.

Autorët, të cilët e morën fjalën pas darkës së shtruar për nder të aktivitetit, bënë një paraqitje të veprës së tyre të përkthyer në turqisht.

Shkrimtari, ish-diplomati dhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, foli për librin e tij të parë në gjuhën turke, “Shqipëria midis krimeve dhe mirazheve”. Sociologu Zyhdi Dervishi i bëri një pasqyrë punimit të tij të përkthyer në gjuhën turke e të botuar me mbështetjen e Fondacionit ALSAR, “Nëpër degëzime të kulturës shqiptare”.

Të pranishmit do të kishin mundësi më pas t’i merrnin dy botimet me nënshkrimet e autorëve. Pyetje dhe përgjigje do të vijonin për rreth tre orë. Në fund do të shpërndaheshin dhe dhuratat e rastit, më posaçërisht për autorët e librave.

Dy botimet në turqisht e njohin lexuesin turk me realitetin dhe kulturën shqiptare, rrëfyer dhe përshkruar nga autorë të tillë si Besnik Mustafaj dhe Zyhdi Dervishi.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar librat stamboll 1 1″ alias=”postim-alsar-jetimet-lojra-1-1″]

Hapet Panairi i Librit në kryeqytet, Botimet ALSAR i paraqiten lexuesit me këndin e tyre

Në Pallatin e Kongreseve nisi të mërkurën, më 16 nëntor, Panairi i Librit, ngjarja më e shumëpritur kulturore e vitit, e njohur për interesin e madh që ngjall te lexuesit dhe te thjesht vizitorët.

Pjesëmarrës në panairin e 2022-shit në Tiranë janë rreth 100 botues nga trevat shqipfolëse, ofrues botimesh në zhanre të ndryshme letrare.

Tepër denjësisht paraqiten dhe Botimet ALSAR, me një hapësirë më vete dhe me mbi 90 tituj librash. Mes tyre janë libra të dalë së fundi nga shtypi, por dhe të tjerë, botime më të hershme.

I gjerë është diapazoni tematikor i librave në stendën e botimeve të ALSAR-it, ku kërkuesi i titujve të veçantë do të gjejë patjetër diçka për të parë dhe për të marrë.

Panairi i Librit në kryeqytet do të qëndrojë i hapur deri të dielën, më 20 nëntor.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar panairi” alias=”postim-alsar-malesi-e-madhe-sherbimet-funerale-1″]

Libër për shejhulislamin e fundit të Perandorisë Osmane, Mustafa Sabri dhe veprimtaria e tij në Botimet ALSAR

“Shejhu El-Islam Mustafa Sabri” është titulli i librit më të ri të nxjerrë nga Botimet ALSAR. Ai i kushtohet një figure me emër, të spikatur në fundin e Perandorisë Osmane.

Autori, Teufik Islam Jahja, një njohës nga afër i tij, i dedikon këto fjalë në libër, të cilat ia përmbledhin dimensionet e lartësisë: “Dijetari me famë botërore, me mendje të jashtëzakonshme, kujtesë të rrallë, ide të shndritshme, i pakrahasueshëm me bashkohësit e tij, profesori i dijetarëve të brezit të tij, krenaria e shtetit dhe Kalifatit Islam Osman dhe më i madhi i dijetarëve të tij përgjatë historisë së tij.”

Libri, ndonëse një biografi e shkurtër e shejhulislamit osman, përmban të dhëna të bollshme për jetën, veprimtarinë dhe peripecitë e tij.

Lexuesi do të gjejë mes fakteve për të dhe një rrëfim në pak paragrafë për pritjen me ngrohtësi të madhe të shejhulislamit në Shqipëri prej Ismail Qemalit dhe njerëzve që ndeshi gjatë qëndrimit të shkurtër.

Botimi përmban në fletët në mbarim dhe një biografi të shkurtër të autorit, shqiptarit nga Gjakova.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar mustafa sabri” alias=”postim-alsar-kursi-gjuhes-kukes-1″]

Studiuesi nga Palestina mban ligjëratë në Fondacionin ALSAR

Në ambientet e Fondacionit ALSAR u prit dhe mbajti ligjëratë një mysafir nga Palestina, z. Abdurrezak Metani, arkeolog dhe studiues, autor i shumë librave dhe artikujve.

Ai shoqërohej nga drejtues të shoqatës Burak, me qendër në Stamboll, z. Adem Yenihayat dhe z. Nihat Mörgül.

Të pranishmëve të shumtë në sallën e konferencave u foli së pari kryetari i shoqatës Burak, z. Adem Yenihayat.

Pas tij e mori fjalën studiuesi Abdurrezak Metani, i cili i njohu dëgjuesit me trashëgiminë islame në Palestinë dhe Jordani.

Hapësirë të gjerë në ligjëratën e tij zuri Xhamia el-Aksa, mbi të cilën foli gjerë e gjatë.

Fjala e studiuesit, plot me të dhëna interesante dhe me një shpjegim lehtësisht të kuptueshëm, u dëgjua me kureshtje dhe vëmendje.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar studiusi palestina alsar 1 1 1 1 1″ alias=”postim-alsar-botimet-alsar-1-1-1-1-1″]

soap 2 day