Category Page: Bamiresi

Solidaritet dhe bamirësi në Ramazan, misioni i përmbushur i Fondacionit “ALSAR”

Një prej tre shtyllave të veprimtarisë së Fondacionit “ALSAR” prej ditës së parë së themelimit të tij është aktiviteti humanitar, që përfshin gjithçka në ndihmë të njerëzve, në ndihmë të një shoqërie në tranzicion e me shumë nevoja.

Shtresa sociale në nevojë, fëmijë jetimë, familje pa të ardhura, institucione të ndryshme, marrin mbështetje gjatë vitit prej Fondacionit “ALSAR”; ndihmë monetare dhe ushqimore, në veshmbathje dhe në artikuj të jetës së përditshme, logjistike dhe infrastrukturore, marrin trajtim të përgjithshëm dhe të posaçëm.

Në një muaj të vitit, ky aktivitet shtohet, bëhet i dendur, merr tjetër shpejtësi. Ramazani, një muaj i veçantë për besimtarët muslimanë, por me ndikim dhe në pjesë të shoqërisë me sentimente më të dobëta fetare dhe spirituale, është po kaq i veçantë për Fondacionin “ALSAR”.

Përgjatë këtij muaji shpërndahen ndihma, shtrohen iftare, organizohen veprimtari. Gjithçka e menduar për ta bërë sa më të gëzueshme atmosferën e këtij muaji, për ta përçuar këtë gëzim kudo, dhe aty ku rrezet e lumturisë kanë depërtuar pak ose aspak.

Solidariteti human e përshkon Ramazanin prej ditës së parë në të fundit. Dukja e këtij solidariteti te Fondacioni “ALSAR” është fare e thjeshtë, tepër e lehtë për t’u perceptuar. Prej shumësisë së aktivitetit humanitar, bamirës, mundësuar dhe prej bashkëpunimit me organizata dhe institucione mbartëse të së njëjtës ndjeshmëri.

Ashtu si në çdo vit, edhe ky Ramazan pati të njëjtën pamje në “ALSAR”, përkundër kufizimeve të stërzgjatura prej pandemisë: gjallëri e skajshme, lëvizje, axhendë e ngjeshur, një ditë këtu dhe një ditë atje, shpërndarje pakosh, shtrime iftaresh, organizime ceremonish, etj.

Bilanci flet vetë: të shpërndara 8050 ndihma me pako ushqimore, dhënë për fëmijët jetimë të mbështetur në vazhdimësi nga “ALSAR”-i, për familje nevojtare, për shtresa në skaj të shoqërisë; iftare të shtruara apo të paketuara për 7500 persona, besimtarë dhe nevojtarë; veshmbathje të dhuruara për 432 fëmijë jetimë.

Harta e aktivitetit humanitar të “ALSAR”-it në Ramazanin e 2021-shit është e gjerë, nga Tirana në veri dhe jug të vendit, në qytete, lokalitete dhe fshatra ku ndihma ishte e mirëpritur, e nevojshme, gëzimdhënëse.

HASENE, TİKA, IHH me qendër në Holandë, IHH me qendër në Belgjikë, WEFA, RUMELİ VAKFI, ATİB, UKIM, AYDER, HAYRAT, AVRUPA YARDIM VAKFI, HAK-İŞ, Organizata Botërore e Bamirësisë, ADEMDER, ishin organizatat dhe institucionet që e ndihmuan Fondacionin “ALSAR” në këtë mision fisnik njëmujor. Mirënjohje atyre!

Bashkësia Islame e Malit të Zi kontribuon me ndihmë financiare për të dëmtuarit nga tërmeti

Tiranën e vizitoi këtë të hënë kryetari i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, z. Rifat Fejziç, i shoqëruar nga drejtuesi i shoqatës Horizonti, z. Omer Kajoshaj.

Miqtë nga Mali i Zi bënë një vizitë në Fondacionin ALSAR gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin shqiptar.

Pritja në zyrën e kreut të fondacionit, z. Mehdi Gurra, ishte e ngrohtë dhe tepër miqësore.

Në kuadër të kësaj vizite, z. Fejziç dhe z. Kajoshaj e shprehën solidaritetin me të dëmtuarit nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar me dhurimin e një shume prej 10.000 eurosh.

Kontributi në para do të shkojë te të dëmtuarit përmes ndihmave humanitare të shpërndara nga Fondacioni ALSAR.

Fondacioni u shprehu mirënjohjen  mysafirëve për solidaritetin e treguar, e nëpërmjet tyre, shprehu mirënjohjen dhe për Bashkësinë Islame të Malit të Zi.

“ndihmesa për jetimin, ndihmë e shquar për shëndetin moral të shoqërisë”

Fondacioni “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR) organizoi me datë 30 korrik 2019 në Sallën “Unesko” të Muzeut Historik Kombëtar  në Tiranë një veprimtari  kushtuar fëmijëve jetimë “Ndihmesa për jetimin, ndihmë e shquar për shëndetin moral të shoqërisë”, ku u realizua dhe shpërndarja e ndihmës monetare dhe dhuratave për fëmijët pjesëmarrës.

Në këtë aktivitet, ku ishin të pranishëm fëmijë jetimë nga e gjithë Shqipëria, merrnin pjesë Kryetari i Unionit të Organizatave të Shoqërisë Civile të Botës Islame Z. Ali Kurt, Kryetari i Organizates Wefa Z. Musab AYDINpërfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile të Botës Islame.

ALSAR, përmes zhvillimit të këtij projekti ndër vite ka synuar të ofrojë një ndihmesë dhe përkujdesje për fëmijët jetimë, në drejtim të lehtësimit të vështirësive ekonomike familjare, si dhe të edukimit dhe të arsimimit të tyre, duke e konsideruar këtë si një ndihmesë modeste, por pozitive dhe shumë të rëndësishme jo vetëm për fëmijët jetimë, por edhe për të ardhmen e mbarë shoqërisë shqiptare.

Programi artistik i këtij aktiviteti ishte i larmishëm. Ai u alternua me:

Interpretimin e këndimit të Kuranit Famëlartë; Himnet kombëtare, si dhe fjalët përshëndetëse të:

Ø  Kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili paraqiti një pasqyrim të shkurtër të veprimtarisë së Fondacionit ALSAR ndër vite dhe shërbimeve që ajo ofron për fëmijët jetimë e më gjerë. Në përfundim të fjalës së tij, Z. Gurra falënderoi të gjithë donatorët, veçanërisht Fondacionin WEFA, i cili bëri të mundur ofrimin e donacionit në ndihma financiare dhe dhurata.

Ø  Kryetarit të  Organizates WEFA me qendër në  Gjermani,   Z. Musab AYDIN si dhe

Ø   Kryetarit të Unionit të Organizatave të Shoqërisë Civile të Botës Islame Z. Ali Kurt.

Prezantimi i repertorit të pasur të ansamblit artistik të fëmijëve, krijoi një atmosferë elektrizuese me këngë e valle nga treva të ndryshme të Shqipërisë të veshur me kostume popullore duke shpalosur në sallë një larmi ngjyrash e tingujsh që përfshinë dhe entuziazmuan fëmijët dhe të ftuarit.  Spektakli vijoi me performancën e mrekullueshme të artistit të mirënjohur Met Selimi.

Në përmbyllje të këtij aktiviteti, fëmijëve iu shpërndanë dhurata në artikuj veshmbathje si dhe ndihma financiare në vlerën e 28 eurove në muaj për periudhën e 3 mujorit të dytë të vitit 2019 mundësuar falë ndihmës dhe kontributit te Organizatës WEFA me qendër në Gjermani.

Një iftar I përbashkët I familjes së madhe ALSAR

Fondacioni “ALSAR” në vijimësi të zhvillimit të projektit të shtrimit të iftareve organizoi dje në bashkëpunim me organizatat partnere një iftar të hapur për një mijë persona tek sheshi Skënderbej në qendër të qytetit të Tiranës, duke shprehur ndjenjat e solidaritetit human ndaj njerëzve në nevojë nën efektin e një atmosfere festive të muajit të bekuar të Ramazanit. Në këtë iftar krahas jetimëve dhe nënave të tyre, merrnin pjesë përfaqësues nga organizatat partnere, TIKA, IDSB, WEFA, RIBAT, këshilltar i Ambasadës së Turqisë , Z. Halis Kaya, përfaqësuesi i Bashkisë Tiranë Z. Abaz Hado, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, etj. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Fondacionit ALSAR, Gurra shprehu falënderimet për organizatat partnere dhe institucionet zyrtare turke të akredituara në Tiranë, për bashkëpunimin në dhënien e ndihmave ndaj njerëzve në nevojë. “Është kënaqësi të çelësh iftar në një sofër të tillë në sheshin Skënderbej, në kryeqendrën shqiptare simbolin e fisnikërisë dhe te bashkëjetesës fetare. Për këtë arsye dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët në emër të gjithë jetimëve për ndihmat e dhëna dhe në veçanti për këtë iftar” Një fjalë përshëndetëse ka mbajtur edhe Z. Abaz Hado, i cili në emër të Bashkisë Tiranë i shprehu mirënjohjen e tij Fondacionit ALSAR, për kontributin e çmuar që ofron përmes programeve te ndihmës humanitare ndaj shtresave sociale në nevojë duke qëndruar gjithmonë pranë tyre ku natyrisht spikasin vlerat e solidaritetit human të muajit të Bekuar të Ramazanit. Ndërsa në fjalën e tij këshilltari i Ambasadës së Turqisë , Z. Halis Kaya, vuri theksin tek rëndësia dhe të mirat e muajit të shenjtë të Ramazanit. Duke vënë në dukje se miqësia e Shqipërisë për Turqinë ka një vend të veçantë, ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera në çdo fushë ashtu edhe mes organizatave te shoqërisë civile”, tha ai dhe më pas falënderoi Fondacionin ALSAR për organizimin. Synimi i organizimit të këtij iftari ishte për t’iu dhënë fëmijëve jetimë ngrohtësinë e përkujdesjes dhe mesazhin se janë pjesë e familjes së madhe ALSAR.

Ditët e solidaritetit ndaj shtresave sociale në nevojë

Nën moton “Ditët e solidaritetit ndaj shtresave sociale në nevojë” nisi në Tiranë më datë 23 janar programi i ofrimit të ndihmës humanitare për familjet e fëmijëve jetimë. Në këto ditë të acarta të stinës së dimrit, ne ndoshta nuk mund t’ua zgjidhim dot hallet atyre, por angazhohemi e mundohemi që t’ua lehtësojmë sadopak vështirësitë e tyre ekonomike dhe t’u sjellim buzëqeshjen për t’i bërë të kuptojnë se ata nuk janë vetëm. Falë mbështetjes bujare të ofruar nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Afyonit në Turqi, Z. Burhanetin Çoban, u mundësua dhurimi i këtij kontingjenti ndihmash në lëndë drusore për ngrohje për familjet e fëmijëve jetimë në qytetin e Tiranës. Fondacioni “Alsar” gjen rastin t’i shprehë mikut të nderuar mesazhin e respektit dhe të konsideratës më të lartë në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për mbështetjen dhe inkurajimin që na ka ofruar, në misionin dhe rrugëtimin tonë të pandalshëm drejt bamirësisë.

VIZITA NË FAMILJET E FËMIJËVE JETIMË

Mbështetur në platformën e veprimtarive të solidaritetit ndaj fëmijëve jetimë, departamenti i jetimeve i Fondacionit “Alternativa e së Ardhmes” ALSAR, zhvilloi  një sërë  vizitash në shtëpitë e 50 fëmijëve jetimë ne qytetin e Tiranës, për të parë e njohur nga afër fëmijët e familjarët e tyre, kushtet në të cilat jetojnë dhe vështirësitë me të cilat përballen, duke synuar  në këtë mënyrë që me ndjenja të sinqerta vëllazërore t’iu  ofrojnë mbështetjen dhe  t’iu ngjallin  ndjenjat e shpresës e besimit për të ardhmen, duke kontribuar sadopak  në drejtim të lehtësimit të vështirësive ekonomike familjare.

  • 1
  • 2
soap 2 day