Category Page: Kulturore

Kryetari i Fondacionit ALSAR vizitoi TİKA-n

Në kuadër të takimeve të tij të punës në kryeqendrën administrative të Turqisë, kryetari i Fondacionit ALSAR bëri një vizitë në ambientet e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TİKA.

Z. Mehdi Gurra u prit në Ankara në takime më vete nga kryetari i TİKA-s, z. Serkan Kayalar, dhe nga nënkryetari, z. Mahmut Çevik.

Në atmosferë tejet mikpritëse, në takime u përcoll kontributi i jashtëzakonshëm i TİKA-s në vendin tonë dhe rëndësia e aktivitetit të gjerë të saj në forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve.

Pritësit shprehën ndërkaq vlerësimin për aktivitetin e Fondacionit ALSAR dhe bashkëpunimin me të.

Ata çmuan në veçanti botimin e ALSAR-it me kumtesat e simpoziumit shkencor ndërkombëtar të zhvilluar në Tiranë në mesin e muajit nëntor të vitit 2023 me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve zyrtare të Turqisë dhe Shqipërisë. Simpoziumi, i titulluar, “Marrëdhëniet shqiptaro-turke: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”, u mbajt me mbështetjen nga TİKA. Kopje të botimit u dhuruan për mikpritësit.

Me një shtrirje të aktivitetit në pesë kontinente dhe me mijëra projekte të realizuara, TİKA ka një prani domethënëse në vendin tonë. Po kaq domethënës dhe i suksesshëm është bashkëpunimi i saj me Fondacionin ALSAR.

Takimet i shërbyen konsolidimit të bashkëveprimit në projekte të përbashkëta në dobi të shoqërisë shqiptare.

Kryetari i Fondacionit ALSAR zhvilloi një vizitë në selinë e konfederatës sindikale HAK-İŞ në Ankara, ku u prit nga kryetari i saj

Kryetari i Fondacionit ALSAR ka kryer në kryeqytetin e Turqisë një vizitë në selinë e konfederatës sindikale HAK-İŞ, në kuadër të një udhëtimi pune.

Z. Mehdi Gurra është pritur nga kryetari i konfederatës HAK-İŞ, z. Mahmut Arslan. Në pritje ka qenë i pranishëm dhe nënkryetari i konfederatës HAK-İŞ, z. Devlet Sert, njëherësh dhe kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në Turqi, ÖZ SAĞLIK-İŞ.

Z. Gurra i falënderoi mikpritësit për pritjen e ngrohtë. Biseda miqësore kishte pjesë të natyrshme të saj bashkëpunimin e gjatë dhe të suksesshëm dypalësh dhe vijimësinë e tij.

U shkëmbyen ide në plan të përgjithshëm dhe u diskutua po ashtu në terma konkretë.

Kryetari i Fondacionit ALSAR u dhuroi pritësve botimin tregjuhësh të kumtesave të simpoziumit shkencor ndërkombëtar, “Marrëdhëniet shqiptaro-turke: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”, të zhvilluar në Tiranë në vitin 2023 në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve zyrtare midis Turqisë dhe Shqipërisë.

Katër botime të reja nga ALSAR

Aktiviteti botues i ALSAR-it vijon në vitin e ri kalendarik me të njëjtin intensitet si në pararendësin. Nga Botimet ALSAR vijnë për lexuesit katër libra të rinj.

Dritën e botimit sapo e kanë parë titujt, “Sufizmi dhe ekonomia”, “Mësime rreth predikimit të Islamit”, si dhe tekstet në anglisht dhe turqisht të përmbledhjes së kumtesave të simpoziumit shkencor të kushtuar 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve zyrtare mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Sufizimi dhe ekonomia – koncepti dhe praktikat ekonomike të sufijve” është një vepër hulumtuese me vlerë përkujtuese për njeriun e mbërthyer në realitetin e sotëm ekonomik.

Autori turk, dr. Tolga Keskin, thekson në hyrje të parathënies së tij se, “Një nga problemet e kohës sonë është ekonomia e shpërdorimit, e ngritur mbi normën e konsumit, që mëkohet nga pasionet e njeriut dhe që rezulton me zhvlerësimin dhe degradimin e qenies njerëzore. Islami, si fe, vendos disa parime themelore në fushën e ekonomisë, që përfshijnë urdhëresa dhe ndalime të vlefshme për çdo njeri. Në kuadër të këtyre kufijve është edhe ‘ekonomia e tasavvufit’ (misticizmit islam), që trajtohet në këtë studim, i cili mundohet të hapë spektër të veçantë dhe më të thellë meditimi lidhur me këtë temë.”

Përmes një autori tjetër turk jepen “Mësime rreth predikimit të Islamit”. Garip Sağlık na njeh me strategjinë e re të predikimit, të nënvizuar që në nëntitull. Me fjalët e tij, “Ky libër shpjegon dijet, nocionet, përgjegjësitë, moralin, formimin, njohjen e procesit dhe përvojën që duhet të ketë një mysliman që do t’ua predikojë Islamin njerëzve, si dhe analizën, metodën dhe veprimin që duhet të ndjekë.”

Marrëdhëniet shqiptaro-turke: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”, simpoziumi shkencor ndërkombëtar i mbajtur në përvjetorin jubilar të mbushjes së një shekulli që nga vendosja zyrtare e tyre, do të shënonte një tjetër sukses të organizimeve të këtij niveli të Fondacionit ALSAR. Pasi i kemi sjellë kumtesat në shqip në një botim për një lexues shumë më të gjerë e si një material me vlerë referuese, e ofrojmë të njëjtin tekst dhe në anglisht e turqisht, në botime më vete. Në këtë mënyrë, e bëjmë të arritshëm dhe të lexueshëm produktin e simpoziumit shkencor për mosnjohësit e gjuhës shqipe, duke ia mundësuar njëkohësisht përmbajtjen çdo studiuesi apo institucioni të huaj të interesuar për marrëdhëniet shqiptaro-turke.

Dalin nga shtypi gjashtë botime të ALSAR-it

Botimet ALSAR vijnë në këtë dhjetor me një buqetë prej gjashtë titujsh, të sapodalë nga shtypi. Pesë prej tyre janë botime të reja, e një është ribotim.

Nëpërmjet studiuesit turk İlkay Erken mbërrin një punim shumë interesant dhe i dobishëm për tre qytete tonat, të parë në të shkuarën e tyre osmane.

Tri kasaba osmane në Shqipërinë e Jugut: Vlora, Berati, Gjirokastra (Shekulli XIX)”, përmban të dhëna të vlefshme, me një përshkrim lehtësisht të përthithshëm.

Lexuesit i jepen për t’u lexuar gjithashtu kumtesat e konferencës shkencore të organizuar nga Fondacioni ALSAR në 80-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Ai do të gjejë te, “80 vjet nga gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë – kumtesat e konferencës shkencore”, një pasqyrë të kalvarit të vuajtjeve të popullsisë çame.

Sanxhaku i Delvinës dhe administratorët e tij”, rendit emra dhe shifra të së shkuarës së tij osmane. Autori, Mehmet İnbaşı, ka përmbledhur në një numër të kufizuar faqesh informacion të nevojshëm dhe të vlefshëm për referenca në fushën studimore.

Një tjetër organizim dritëhedhës i Fondacionit ALSAR për njerëz e ngjarje të historisë sonë sillet i përmbledhur në një botim të kumtesave të tij.

Fjalët e kumtuesve në simpoziumin, “Dy personalitete të shquara shqiptare në në Perandorinë Osmane, Iljaz Bej Mirahori dhe Koçi Bej”, mund të lexohen tani përmes një prej botimeve tona më të reja.

Mehmet Elezi i paraqitet publikut me një tjetër produkt letrar, “Gjuha e medias dhe ‘Lemëza’”, në bashkëpunimin e radhës me Botimet ALSAR.

Alfabetare e gjuhësë shqip” është një ribotim, një riparaqitje për vlerën dhe rëndësinë historike që mbart.

ALSAR dhe ADEMDER nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, fryt i saj dhe akordimi i bursave të ekselencës për studentë

Fondacioni ALSAR dhe shoqata ADEMDER, me qendër në Turqi, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që do ta ngrejë në një stad më të lartë ndërveprimin midis tyre.

Protokollin e bashkëpunimit e nënshkruan drejtuesit e dy enteve homologe, kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe kryetari i shoqatës ADEMDER, prof. dr. Ahmet Şimşirgil.

Marrëveshja parashikon realizimin e projekteve me karakter të përbashkët në fushën humanitare, arsimore dhe kulturore. Bashkëpunimi synon të rrisë kontributin në dobi të shtresave të ndryshme të shoqërisë dhe të vërë më në pah vlerat që mbartin palët e këtij partneriteti.

Produkt i menjëhershëm i këtij finalizimi ishte akordimi i bursave të ekselencës për dhjetë studentë të universiteteve publike. Projekti u mundëson mbështetjen financiare këtyre studentëve të përzgjedhur për programin e vitit akademik në vazhdim, 2024-2025.

Në ceremoninë e dhënies dhe të këstit të parë të bursës, në sallën e konferencave të Fondacionit ALSAR, studentëve u mbajti një ligjëratë kryetari i shoqatës ADEMDER.

Prof. dr. Ahmet Şimşirgil u foli djemve dhe vajzave për misionin e përbashkët të organizimit që ai drejton dhe të ALSAR-it, për kontributin e prekshëm në fushën e arsimit, të nevojshëm dhe të dobishëm për shoqërinë shqiptare, si dhe për shoqërinë turke, ku ADEMDER ushtron aktivitetin kryesor.

Një varg këshillash të dhënë të rinjve prej tij konsistuan në vështrimin dhe perceptimin si duhet të realitetit, si dhe në investimin në arsimim, si baza më e mirë për të ardhmen. Vend zuri në ligjëratë dhe e shkuara e përbashkët historike, bashkëjetesa shekullore, trashëgimia e pasur e dy popujve.

Në programin e së shtunës së 30 nëntorit bënte pjesë dhe realizimi i një projekti humanitar në ndihmë të fëmijëve jetimë.

Veprimtari kulturore në Korçë, takim me studentë

Fondacioni ALSAR zhvilloi këtë të premte, në ditën e parafundit të nëntorit, një aktivitet kulturor në Korçë, me studentë të këtij qyteti.

Me praninë e kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, si dhe të punonjësve të tjerë të entit, takimi me të rinj e të reja të zonës pati një të ftuar të veçantë, kryetarin e shoqatës ADEMDER me qendër në Turqi.

Drejtuesi i institucionit homolog dhe bashkëpunues në tre fushat kryesore të veprimtarisë, prof. dr. Ahmet Şimşirgil, do t’u drejtohej studentëve me një fjalë dobiprurëse, duke u ndalur së pari në misionin, programin dhe aktivitetin e shoqatës ADEMDER në Turqi. Ai foli për marrëdhëniet historike midis dy popujve, për bashkëjetesën shekullore, për vlerat e përbashkëta dhe rëndësinë e kësaj trashëgimie nga pikëpamja e perspektivave të së ardhmes.

Mysafiri u ndal në rolin e elementit shqiptar në Perandorinë Osmane, në specifikat dhe në integrimin e tij brenda sferës së gjerë perandorake, me përfaqësues dhe në strukturat qeverisëse, të denjë dhe me peshë në rolin historik. Ilustrimi me shifra dhe me shembuj personalitetesh, duke përmendur ndër ta dhe emra me lidhje të fortë me Korçën, si Koçi Bej dhe Iljaz Bej Mirahori, e bëri fjalën mjaft interesante për t’u ndjekur.

Ndalesa në burimet e fuqisë së Perandorisë Osmane, trajtesa e zhvillimit historik të saj, shtrirja dhe qytetërimi që i ofroi njerëzisë, me një fokus të posaçëm në rajonin ballkanik dhe në trevat shqiptare, përbënë një pjesë të mirë të ligjërimit të folësit. Prof. Dr. Ahmet Şimşirgil e vuri theksin te spikatja e drejtësisë dhe barazisë së etnive, si dhe te e drejta e përfshirjes në ushtrimin e sundimit territorial, gjithnjë i përqendruar në historikun e Perandorisë Osmane.

Një hapësirë kohore iu kushtua pyetjeve të studentëve dhe intelektualëve në sallën e mbushur të takimit, të interesuar për të folur e dëgjuar, mes të tjerash, mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, mbi aktin e Pavarësisë, e mbi rolin e Perandorisë Osmane në zhvillimet e referuara.

Për studentët e pranishëm, rreth 100, u dhuruan botime të Fondacionit ALSAR, tituj dhe literaturë prej nga mund të përfitojnë së tepërmi në rrugëtimin e tyre në kërkim të dijes. Një fotografi e përbashkët e të pranishmëve lajmëroi mbarimin e aktivitetit kulturor.

Takimi qe një tjetër dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Fondacionit ALSAR për Korçën me veprimtari humanitare, arsimore dhe kulturore.

soap 2 day