Category Page: Kulturore

    Nipi i poetit të mirënjohur turk, Necip Fazıl Kısakürek, viziton stendën e Botimeve ALSAR në Panairin e Librit

    Botimet ALSAR po u paraqesin prej së mërkurës vizitorëve në Panairin e Librit në kryeqytet një numër të madh librash dhe një gamë të gjerë titujsh të rinj që spikasin për tematikën dhe cilësinë botuese.

    Ndër të ndalurit në stendën e Botimeve ALSAR, si një vizitor i veçantë dhe tepër i respektuar, ishte këtë premte dhe nipi i poetit të madh turk, Necip Fazıl Kısakürek, të ndarë nga kjo jetë diçka më tepër se katër dekada më parë.

    I mbërritur në Tiranë në kuadër të veprimtarive të Institutit Yunus Emre, z. Emrah Kısakürek, titullar i Botimeve “Büyük Doğu”, u prit në stendën e Botimeve ALSAR nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

    Urimin për mirësearedhjen e pasoi një përshkrim i aktivitetit botues të Fondacionit ALSAR, i fushave të interesit dhe i qasjes për të sjellë tituj sa më të veçantë dhe më të dobishëm për lexuesit.

    Drejtuesi i Fondacionit ALSAR e njohu mikun nga Turqia, pasardhësin e Necip Fazıl-it të mirënjohur, me një varg botimesh, shoqëruar me shpjegime mbi brendinë dhe mbi arsyet që kanë çuar në nxjerrjen e tyre nga shtypi.

    Shkëmbimi i ideve të lidhura me lëmin botues, artikulimi i perspektivave që do t’i bënin botimet gjithnjë e më të kërkuara, si dhe përcjellja e mbresave nga ky panair, e bënë të këndshme vizitën dhe bisedën.

    Z. Mehdi Gurra i dhuroi vizitorit të veçantë, z. Emrah Kısakürek, botime të ALSAR-it në gjuhën turke.

    Botimet ALSAR i sjellin publikut tituj të rinj në Panairin e Librit 2024 në Tiranë

    Festa e përvitshme e librit në kryeqytet ka hapur dyert këtë të mërkurë në Pallatin e Kongreseve, për të pritur deri të dielën të apasionuar pas leximit e kureshtarë të çdo moshe.

    Ky është edicioni i 27-të i Panairit të Librit në Tiranë, një hapësirë e gjerë e ekspozimit të punës së dhjetëra shtëpive botuese.

    Nëntori nuk mund të kuptohet më pa këtë ngjarje të madhe kulturore, që mbledh autorë të shumtë e ofron një mori aktivitetesh promovuese dhe çmimdhënëse.

    Si për çdo vit, Botimet ALSAR kanë vendin e tyre në panair, dhe paraqiten me një shumësi titujsh. Vizitorët do të mund t’i shohin botimet tona dhe të përfitojnë nga ofertat tërheqëse për t’i bërë ato të tyret.

    Në shumëllojshmërinë e produktit botues të ALSAR-it, në panair vijnë 48 titujt të rinj, që kanë pranë në stendë botime të mëhershme. Të interesuarit do të mund të marrin shpjegimet e nevojshme për çdo botim nga personeli i pranishëm në panair, duke ia dhënë çdo blerësi të mundshëm informacionin e kërkuar.

    Larmia tematike e bën stendën e Botimeve ALSAR të dëshirueshme për t’u vizituar nga të vegjël e të rritur. Specifikat e botimeve më të arrira të ALSAR-it meritojnë vëmendjen e lexuesit të kujdesshëm dhe tepër përzgjedhës.

    Stenda e Botimeve ALSAR do të jetë e hapur në katin e dytë të Pallatit të Kongreseve në çdo ditë të panarit, në datat 13-17 nëntor.

    “Fiset që nuk i thyejnë dot idhujt”, analizë therëse e një autori turk, të sjellë në shqip nga Botimet ALSAR

    Atasoy Müftüoğlu, intelektual dhe autor turk i shumë librave, mbërrin te lexuesi ynë përmes një përkthimi në shqip të një analize të mprehtë e therëse për shoqërinë islame, për pozitën e pozicionimin e saj në botën e sotme, për mënyrën e të menduarit e të vepruarit, të kritikuar e të nxitur për të ndryshuar.

    Ai ka qenë në gjendje të pikasë dobësitë karakteristike që e kanë lënë botën islame në pozita të pavolitshme, duke guxuar t’u shkojë në rrënjë problemeve.

    Ndonëse jo i vëllimshëm, me kapituj të shkurtër, libri përcjell një pikëpamje të plotë të autorit, të cilën e përshkon në vazhdimësi një gjuhë me të njëjtin ritëm e stil vërejtjeje, shpesh të ashpër.

    Në drejtpërdrejtësinë e tij, dhe me bagazhin e siguruar nga vitet e gjata në hulumtim intelektual, Atasoy Müftüoğlu na thotë, mes të tjerash, për shembull, se, “Të jesh i vetëdijshëm për kohën, vendin, historinë e jetën, do të thotë të ndiesh përgjegjësinë e të përpiqesh për t’u dhënë kuptim e përmbajtje kohës, vendit, historisë e jetës. Të zgjedhësh dhe të përbrendësosh një mënyrë të menduari do të thotë të zgjedhësh e të përbrendësosh një mënyrë jetese. Mënyra e të menduarit nuk mund të jetë gjë tjetër veçse mënyrë jetese dhe, njëkohësisht, një vetëdije e thellë dhe intensive. … Ngaqë kemi kaluar nga bota e vlerave në atë të utiliteteve, vlerat po zhduken dhe jetët tona të zbrazura po i kushtohen konsumit. … Kulturat dhe shoqëritë që mbyllen tek e kaluara dhe nostalgjia jo vetëm që nuk e jetojnë dot kohën e tyre, por kurrë nuk mendojnë, nuk janë në gjendje të mendojnë, për ta kapërcyer kohën e tyre. Prandaj dhe nuk ballafaqohen dot me idetë e ideologjitë kolonialiste.”

    I sapodalë nga shtypi, libri vjen si një nga botimet tona më të reja.

    Botohet përmbledhja e kumtesave të mbajtura në promovimin e veprës studimore të prof. dr. Ismail Ahmedit

    Në vargun e disa botimeve të reja të sjella nga ALSAR-i për publikun në këtë fund tetori gjendet dhe përmbledhja e kumtesave në aktivitetin promovues të veprës studimore të prof. dr. Ismail Ahmedit.

    Ceremonia promovuese do të organizohej nga Fondacioni ALSAR dhe nga Shtëpia Botuese Logos-A, me qendër në Maqedoninë e Veriut.

    Aktiviteti ishte një vlerësim për veprën e profesor Ismail Ahmedit, për veprimtarinë e tij si pedagog, përkthyes, studiues, filolog, etj.

    Duke dashur që të plotësohet ky kuadër promovues, u përgatit dhe kjo përmbledhje e kumtesave.

    Botimet ALSAR e kanë bërë thuajse normë që ta kryejnë për çdo aktivitet të tillë kulturor, promovim, simpozium apo konferencë, një përmbledhje të ligjëratave e ta ofrojnë për lexim për masën e gjerë të njerëzve.

    “Aktet e Konferencës Shoqëria e të Shtypuri Shkronja Shqip 1879-2019”, një nga botimet tona të reja

    Fondacioni ALSAR e përkujtoi pesë vite më parë me një konferencë shkencore 140-vjetorin e themelimit të Shoqëri e të Shtypuri Shkronja Shqip.

    Siç do të thoshte asokohe, në fjalën e hapjes, kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, nisma për konferencën nuk ishte e rastësishme, por në vazhdën e përmbushjes së misionit të fondacionit për t’i shërbyer çështjes kombëtare, për t’i rikujtuar dhe për t’u ridhënë zë figurave që luftuan në të shkuarën për të, për të risjellë produkte kulturore të kthyera në tribunë të mendimit intelektual dhe politik rilindas.

    Ai nënvizonte tek u drejtohej pjesëmarrësve se ky lloj aktiviteti jepte mundësinë për t’i rifreskuar dijet për ngjarje të tilla madhore në historinë e kombit tonë, për t’i parë ato në një dritë më realiste, me më shumë paanësi intelektuale, dhe për të hequr dorë prej shablloneve ideologjike që na e kanë dëmtuar deri dje gjykimin e saktë dhe të drejtë.

    Kumtuesit, autoritete të mendimit akademik, mes tyre dhe nga Turqia, e vunë në pah sërish rëndësinë historike të krijimit të Shoqërisë së Stambollit.

    Prania e personaliteteve të ndryshme në atë konferencë e tregonte qartë seriozitetin dhe vlerën e saj në përvjetorin e kremtuar.

    Aktet e konferencës janë mbledhur në një botim, dalë tani nga shtypi, si dokumentim i prekshëm i një prej sipërmarrjeve më të arrira kulturore të Fondacionit ALSAR.

    Botim mbi suren en-Nisa, vështrime rreth njohurive kur’anore

    Botimet ALSAR do t’i jepnin lexuesit muaj më parë, “Çelësat e Fatihasë”, një përmbledhje të librit, “Islami në shtatë versete kur’anore”.

    Nga i njëjti autor, Abduselam Mukbil El Mexhidi, pason në botim një tjetër titull, për një tjetër sure, en-Nisa.

    Ky libër, “paraqitës i ndërmjetëm, ekspozues i njohurive kur’anore të sures en-Nisa”, vjen si një ofertë për të vështruar aspekte të mrekullueshme të retorikës novatore dhe të jashtëzakonshme kur’anore.

    Zbërthyes dhe shpjegues, teksti është i lehtë për t’u përthithur edhe nga një lexues i pastërvitur me komentimet e ndërlikuara shpesh në këtë fushë analizuese.

    Ai nuk përmban fjali tejet të gjata dhe të lodhshme, falë një konceptimi të gjetur të konstruktimit të përkufizimeve.

    Autori jep një shtjellim të dobishëm me vështrimet e sures në trajtesë, përmes ndarjeve në boshte dhe nëndarjeve vijuese.