Tag Archives: Humanitare

Te njerëz në nevojë me ndihma ushqimore dhe me ushqim të parapërgatitur për iftar

Përmasat e aktivitetit humanitar të Fondacionit ALSAR në muajin e Ramazanit shtohen e zgjerohen dita-ditës.

Një pjesë e mirë e këtij aktiviteti kryhet me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë të ALSAR-it, ente me një kontribut të çmueshëm humanitar.

Mes kontribuesve është radhitur dhe UKIM (UK Islamic Mission), organizata me qendër në Britaninë e Madhe, mbështetëse e dy aktiviteteve kryesore humanitare të kësaj periudhe intensive në punën e ALSAR-it.

Falë këtij kontributi, në fshatin Vilëz të njësisë administrative të Zall-Bastarit në Tiranë janë shpërndarë 50 pako me ndihma ushqimore.

Krahas kësaj, është dhënë për pjesëtarë të komunitetit të romëve një sasi prej 400 paketimesh me ushqim të parapërgatitur për iftar.

Ndihma e Fondacionit ALSAR në Ramazan për shtresa në nevojë anembanë vendit ka për qëllim t’u lehtësojë sadopak përditshmërinë dhe të përçojë frymën e solidaritetit human.

Shtrohen tryezat e iftarit dhe në Shkodër

Ndërsa Ramazani u afrohet ditëve të fundit të tij, Fondacioni ALSAR nuk resht së zhvilluari aktivitete humanitare.

Shtrimi i iftareve, ky aktivitet i përhershëm në muajin e agjërimit, vazhdon rrugëtimin e tij dhe mbledh rreth tryezave të përbashkëta njerëz e shtresa të ndryshme të shoqërisë, duke kontribuar në forcimin e kohezionit social.

Fondacioni ALSAR ka shtruar së fundi dhe një iftar në Shkodër për 150 persona.

Shtrimin e iftarit e ka mbështetur TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, si shpesh gjatë Ramazanit në bashkëveprimin e gjerë me ALSAR-in.

Agjërues, mes tyre njerëz në nevojë, në moshë të thyer, invalidë, kanë shijuar ushqimin e iftarit dhe kanë kaluar së bashku momente të gëzuara.

Aktivitete humanitare në Peshkopi, shpërndahen pako me ushqime dhe shtrohet iftar

Fondacioni ALSAR ka qenë të shtunën e 22 marsit në qytetin e Peshkopisë, ku ka zhvilluar dy aktivitete në kuadër të muajit të madhërueshëm të Ramazanit.

Është shpërndarë së pari një sasi e konsiderueshme ndihme në ushqime për familje në nevojë të qytetit verilindor dhe të rrethinave të tij.

Pakot me artikujt bazë ushqimorë janë ndarë për 200 familje në nevojë.

Radhën më pas e ka pasur shtrimi i një iftari për 150 persona në një ambient të këndshëm.

Përfaqësuesit e Sindikatës së Shëndetësisë në Turqi, ÖZ SAĞLIK-İŞ, dy nga nënkryetarët, Süleyman Doğan dhe Mustafa Özüpek, ishin të pranishëm si në shpërndarjen e pakove ushqimore dhe në iftarin e shtruar.

Në të dy aktivitetet mori pjesë dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Fondacioni ALSAR ka një bashkëpunim të gjatë dhe dobiprurës me të dy entet sindikale turke, HAK-İŞ dhe ÖZ SAĞLIK-İŞ.

Konfederata sindikale turke HAK-İŞ dhe Sindikata e Shëndetësisë në Turqi, ÖZ SAĞLIK-İŞ, japin mbështetje periodike për aktivitetet e Fondacionit ALSAR.

Fondacioni ALSAR dhe TİKA u vijnë në ndihmë familjeve të jetimëve me farëra bujqësore dhe plehra kimike

Fondacioni ALSAR dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) kanë zhvilluar në mesin e kësaj jave një tjetër aktivitet të përbashkët humanitar në kuadër të bashkëveprimit në muajin e Ramazanit.

Aktiviteti synonte t’u vinte në ndihmë familjeve të jetimëve në qytete të ndryshme të vendit me ndihma të prekshme dhe domethënëse në fushën e bujqësisë.

Shpërndarja e kësaj ndihme për 50 familje jetimësh u krye përmes dy veprimtarive, në Tiranë dhe Lushnjë, me pjesëmarrjen në atë në kryeqytet të ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, të koordinatorit të TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata, dhe të kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Ambasadori turk shprehu kënaqësinë për shpërndarjen e këtyre ndihmave në emër të popullit turk dhe për mundësinë e lehtësimit të jetës së përfituesve të ndihmës. Z. Tayyar Kağan Atay tha gjithashtu se Turqia është në mbështetje të popullit shqiptar me të gjitha institucionet e saj në vendin tonë.

Koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata, citoi gatishmërinë e përhershme për të dhënë mbështetje në aspekt të ndihmës për këto familje. Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, e përmendi projektin si një të tillë me vazhdimësi prej vitesh në ndihmë të familjeve të jetimëve që kanë tokë bujqësore dhe falënderoi Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë dhe TİKA-n për mbështetjen e pandërprerë të dhënë familjeve të jetimëve.

Ndihma përbëhej nga farëra jonxhe, misri dhe fasuleje, si dhe nga plehra kimike. Atë e përfituan familje jetimësh në Tiranë, Elbasan, Fier, Lushnjë dhe Divjakë, e në fshatrat rreth tyre.

Jetimëve u dhurohen veshmbathje në Ramazan

Aktivitete të shumta humanitare të Fondacionit ALSAR përgjatë këtij muaji kanë patur në fokus fëmijët jetimë.

Ata dhe familjet e tyre janë ndihmuar për ta kaluar sa më mirë Ramazanin, për t’u ndier si gjithë të tjerët, e për të mos u munguar gjërat më bazë të jetesës.

Në kuadër të mbështetjes së dhënë nga WEFA, organizata e ndihmave me qendër në Gjermani, për një varg veprimtarish humanitare, fëmijëve jetimë u janë dhuruar veshmbathje.

Ata kanë mundur të zgjedhin në një qendër tregtare veshje të përshtatshme; një kohë e kaluar dobishëm dhe në mënyrë zbavitëse.

Dhuratën në veshje të reja e kanë përfituar 250 fëmijë jetimë, ndihmuar nga përfaqësuesit e WEFA-s për të bërë zgjedhjet e duhura.

Shtrimi i iftareve, aktivitet në vazhdim

Krahas shpërndarjes së ndihmave ushqimore, Fondacioni ALSAR po çon përpara dhe projektin e shtrimit të iftareve, në suazat e aktivitetit të gjerë humanitar në muajin e begatë të Ramazanit.

Banorë në qytete, lokalitete apo fshatra të vendit, mblidhen në tryezat e përbashkëta për vaktin kryesor të këtyre ditëve, shijojnë bashkërisht ushqimin dhe ndajnë përvojat e agjërimit, apo marrin hajet e parapërgatitura.

Ndër kontribuesit, WEFA, organizata e ndihmave me qendër në Gjermani, ka mundësuar shtrime iftaresh në Lushnjë, Kavajë dhe Tiranë.

Kapaciteti i iftareve të shtruara ka qenë në tërësinë e tij për 800 persona. Pjesëmarrësit në këto iftare kanë provuar shijen e ushqimit dhe kanë kaluar momente të gëzueshme me vlerë sociale dhe besimore.

WEFA po mbështet, në bashkëpunimin e kësaj jave me ALSAR-in, zhvillimin e disa aktiviteteve humanitare.

soap 2 day