Tag Archives: Kulturore

ALSAR Organizon simpoziumin ndërkombëtar “Qytetërimi Osman”

Pasi e ka sjellë me mjaft sukses në shqip një vepër të tillë madhore si “Qytetërimi osman”, Fondacioni “ALSAR” ka organizuar këtë të hënë dhe një simpozium shkencor për të.

I mbajtur te Hotel “Tirana”, ai ka patur në qendër të tij njëkohësisht dhe figurën e historianit të mirënjohur turk, Halil İnalcık, bashkëpërgatitës i kësaj vepre.

Personalitete të jetës akademike shqiptare dhe turke e kanë nderuar këtë simpozium me pjesëmarrjen e tyre. Të pranishëm kanë qenë dhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Murat Ahmet Yörük, si dhe kryetari i YTB-së, Departamentit për Turqit që Jetojnë Jashtë Atdheut dhe Marrëdhëniet me Komunitetet Mike, z. Abdullah Eren.

Fjalën e hapjes e ka mbajtur mikpritësi, drejtuesi i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra. Duke iu drejtuar të pranishmëve fillimisht në shqip, e më pas dhe në turqisht, në respekt të miqve nga Turqia, ai u ka kushtuar ca fjalë veprës në dy vëllime dhe dy përgatitësve të tij, historianëve Halil İnalcık dhe Günsel Renda.

Më pas ai është i treguar i drejtpërdrejtë teksa ka vënë në pah domosdoshmërinë për përkushtim dhe seriozitet maksimal për sjelljen në shqip të veprave të ngjashme, aq të nevojshme për një përshkrim sa më të saktë të një periudhe qindravjeçare, asaj që i përket Perandorisë Osmane.

“Instituti i Historisë Turke duhet të sugjerojë vepra mbi Perandorinë Osmane që meritojnë të përkthehen, duhet të japë mbështetje në këtë aspekt. Kjo periudhë duhet ndriçuar plotësisht. Ne, nga ana jonë, jemi të përkushtuar për botimin e veprave të ngjashme me ‘Qytetërimin osman’. Kemi nevojë për literaturë të përzgjedhur, për një listë të mirëhartuar të veprave të historisë, të historianëve që vlen të përkthehen. Është detyrë e autoriteteve përkatëse turke të na e japin një të tillë,” u shpreh z. Gurra.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Persida Asllani, e cilësoi një projekt madhor veprën “Qytetërimi osman” në fjalën e saj përshëndetëse.

Profesori turk Hakan Kırımlı, i ardhur në këtë simpozium për të folur në emër të familjes së historianit Halil İnalcık, kërkoi ndjesë për mungesën për arsye shëndetësore të së bijës së këtij të fundit. Një përshkrim i mrekullueshëm i figurës së Halil İnalcık-ut mbizotëroi në fjalën e profesorit, që ka patur fatin të ketë njohje të afërt me historianin e madh në të gjallë të tij.

Abdullah Eren, kryetari i YTB-së, organizmit që ka bashkëpunuar për botimin në shqip të veprës “Qytetërimi osman” dhe për organizimin e këtij simpoziumi shkencor, e vuri theksin në fjalën e vet te trashëgimia e përbashkët e dy popujve dhe te nevoja për botimin e veprave të tjera të këtij niveli.

Mirënjohje për të tërë kontribuesit për përkthimin në shqip të kësaj vepre shprehu në përshëndetjen me këtë rast ambasadori turk, z. Murat Ahmet Yörük. Duke vënë në pah përpjekjet për ndriçimin e periudhës historike të qytetërimit osman, z. ambasador kujtoi se po vijohet me punën për ngritjen e një qendre të përbashkët të studimeve turko-shqiptare.

Simpoziumi do të vijonte me kumtesa nga tre personalitete me mjaft emër në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Prof. dr. Ferit Duka, prof. dr. Ismail Bardhi dhe prof. dr. Hysen Matoshi folën për historianin Halil İnalcık si personalitet i madh i osmanologjisë dhe albanologjisë, si emër i paharruar për historinë e historisë, dhe për “Qytetërimin osman” si sintezë e madhe shkencore

PROMOVIMI I LIBRIT “ÇËSHTJA E PAQENË E DETIT: NJË INTRIGË DIPLOMATIKE GREKE APO SHQIPTARE”

Fondacioni “ALSAR” boton dhe përuron librin e diplomatit dhe studiuesit të njohur, “Mjeshtër i Madh” Shaban Murati.

Më datë 27 mars 2018 në sallën “Balsha” të Hotel Tirana Internacional Fondacioni Arsimor Kulturor “Alternativa e së Ardhmes” ALSAR përuroi librin e diplomatit dhe studiuesit të njohur Shaban Murati, “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, botuar po prej këtij fondacioni. Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore e të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, historianë, profesorë, pedagogë, studiues të fushave të ndryshme dhe miq të autorit. Veprimtarinë e hapi presidenti i Fondacionit “ ALSAR”, Z.Mehdi Gurra. Më pas rreth librit folën Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. As. Dr. Sokol Sadushi, ish-ambasador Çlirim Çepani, etj. Veprimtaria përfundoi me përshëndetjen e autorit të librit, zotit Shaban Murati.

Libri i ri, që vjen pas dhjetë librave të këtij autori në fushën e diplomacisë, studimeve ballkanike dhe të politikës së jashtme, trajton për herë të parë në mënyrën më të plotë dinamikën dhe prapaskenat e dosjes së detit midis Shqipërisë dhe Greqisë, nëpërmjet paraqitjes dhe analizës se dokumenteve të shumta arkivore, të cilat ndihmojnë për të kuptuar gjenezën dhe zhvillimin e çështjes së detit deri në ditët tona.

Autori e zbërthen çeshtjen e detit si një çeshtje të krijuar artificialisht nga paaftësia e diplomacisë shqiptare të kohës së nënshkrimit të marrëveshjes së detit dhe nga aftësia e diplomacisë greke për ta bërë çështjen e detit një problem qendror të marrëdhënieve dypalëshe edhe pas anulimit të marrëveshjes së vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Në libër argumentohet karakteri artificial i kësaj çështje nëpërmjet trajtimit shkencor bindës se kjo çështje nuk ka ekzistuar kurrë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe, dhe se ajo është ngritur mbi supozimin e gabuar dhe të paligjshëm se kufijtë detarë nuk ekzistojnë.

Në kapitullin e parë autori ndalet në prapaskenën e nxitimit të diplomacisë shqiptare për përfundimin e marrëveshjes së detit me Greqinë në 2009, e cila kaloi përmes shkeljesh të mëdha historike, diplomatike, juridike dhe dokumentare. Në kapitullin e dytë autori trajton problemin interesant dhe enigmatik të ndryshimit nga diplomacia shqiptare të objektit të bisedimeve, nga bisedime për shelfin kontinental në bisedime për përcaktimin e kufirit detar. Në kapitullin e tretë kemi një analizë të thellë dhe të dokumentuar historike në gjithë harkun kohor shekullor të marrëdhënieve shqiptaro-greke të së vërtetës që kufijtë detarë kanë ekzistuar dhe janë pranuar nga qeveria greke. Në kapitullin e katërt autori analizon për herë të parë tërë procesin diplomatik të çështjes së detit si një konflikt artificial, që ka dominuar marrëdhëniet dhe bisedimet diplomatike midis dy vendeve gjatë dhjetë viteve të fundit.

I bazuar në vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë libri sjell një pasurim të interpretimit dhe të dokumentacionit, që përcakton piketat strategjike të paluajtshme të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ndër këto piketa ai i kushton vëmendje të veçantë ekzistencës së kufijve detarë, paligjshmërisë së çdo lloj bisedimi mbi kufijtë detarë dhe tezave të gabuara të adresimit në gjykata ndërkombëtare.

Për të kuptuar plotësisht dosjen e detit dhe perspektivën e saj, autori përshin një kuadër të gjerë të problemeve të hapura dhe të pazgjidhura në marrëdhëniet dypalëshe që nga çështja çame e deri te çështja e ujërave të Vjosës. Libri i ri i diplomatit Shaban Murati, që botohet në kohën e duhur, sjell një kontribut të çmuar për mendimin diplomatik shqiptar, por edhe për veprimtarinë praktike diplomatike, për studimet akademike dhe për shkencën shqiptare të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Duhet shtuar se autori, duke qenë edhe gazetar, krahas profesionalizmit në argumente, ka përgatituar një libër me një stil të kuptueshëm, të këndshëm dhe komunikues me lexuesit e të gjitha kategorive, që nga akademikët e deri te lexuesit e thjeshtë.

 

FJALË PËRSHËNDETËSE

 

Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë!

Të nderuar përfaqësues  të institucioneve shtetërore.

Drejtues të organizatave të shoqërisë civile!                                                

Të  nderuar pjesëmarrës, miq dhe të ftuar!

 

Ju përshëndes në emër të Fondacionit ”Alternativa e së Ardhmes”  duke ju falënderuar për nderin dhe respektin që treguat me pjesëmarrjen tuaj në këtë veprimtari.

 

Në kuadër të zhvillimit të veprimtarive kulturore, në bashkëpunim me autorin,  organizojmë sot këtë ceremoni me synimin për të mbështetur dhe promovuar  vlerat e kontributet, që i shërbejnë çështjes sonë kombëtare dhe mendimit diplomatik shqiptar.

Ndjehemi të privilegjuar që bashkëpunuam me diplomatin e shquar Shaban Murati, që njihet për kontributet e vyera në fushën e diplomacisë e të publicistikës, duke mundësuar në këtë mënyrë botimin e veprës “ÇËSHTJA E PAQENË E DETIT : NJË INTRIGË DIPLOMATIKE GREKE APO SHQIPTARE”

 

Të nderuar pjesëmarrës!

Çështja e marrëveshjes për detin midis Shqipërisë dhe Greqisë ka qenë objekt i një debati të nxehtë dhe i një interesimi të gjallë të opinionit publik shqiptar që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje më 27.04.2009.

Më vonë kjo marrëveshje u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë,e cila e konsideroi atë në kundërshtim me Kushtetutën dhe e shpalli të pavlefshme juridikisht.

Çështja e detit është vënë përsëri në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe politik shqiptar dhe atij grek, sepse është nisur procesi i negocimit të çëshjes nga të dy palët.

Duke e konsideruar çëshjen e detit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë si një çështje nga më madhoret e interesit Kombëtar,Fondacioni “ ALSAR ” ka mundësuar botimin ( në dy gjuhë shqip anglisht ) dhe promovon sot librin “ Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”  të diplomatit dhe studiuesit Shaban Murati.

Është hera e parë që një ekspert me një karrierë të gjatë diplomatike analizon në një studim të plotë nga pikpamja diplomatike, politike dhe historike çështjen e detit si një problem nga më të mprehtit dhe më të ndërlikuarit të kohëve moderne midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Autori analizon dinamikën diplomatike të dosjes së detit dhe të negocimeve midis dy ministrive të jashtme që nga koha e marrëveshjes së detit të vitit 2009 e deri në ditët e sotme.

Libri mbështetet në një dokumentacion të gjerë dhe referenca nga Arkiva e Shtetit e Shqipërisë,nga Arkiva e MP Jashtme të Italisë dhe në një bibliografi të gjerë të tematikës së çështjes së detit. Autori sjell një numër të madh dokumentesh historike,traktatesh e marrëveshjesh ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me kufijtë e Shqipërisë, për të provuar se kufijtë detarë dhe tokësorë kanë qenë përcaktuar si të detyrueshme për të dy vëndet nga Fuqitë e Mëdha qysh në vitet 1913-1926.

Ai sjell për herë të parë dokumente nga Arkiva e MPJ të Shqipërisë ,që provojnë se në marrëveshjet e mëparshme dypalëshe për çështje të ndryshme midis Shqipërisë dhe Greqisë,të dy vëndet kanë pohuar ekzistencën dhe njohjen e kufirit detar midis tyre.

Fondacioni “ALSAR” është i nderuar për prezencën në këtë veprimtari të studiuesve dhe ekspertëve të shquar të fushës së diplomacisë, jurisprudencës dhe historisë ,që pranuan të japin opinionet e tyre të çmuara në lidhje me përmbajtjen dhe vlerat,që përmban libri dhe rëndësinë që argumentet e sjella në të, do të kenë për ndriçimin e opinionit publik dhe politik shqiptar dhe atij të huaj.

Shumë të nderuar pjesëmarrës!

Gjejmë rastin të shprehim vlerësimin dhe mirënjohjen tonë ndaj kontributit të çmuar që ofroi autori i librit “Çështja e paqenë e detit : Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”,  i cili me punimin e tij, vendosi një tjetër gur të çmuar në kurorën e botimeve të tij në fushën e diplomacisë.

 

Urime dhe suksese të mëtejshme autorit të këtij libri !

Më lejoni që duke i uruar një mbarëvajtje të suksesshme kësaj veprimtarie, ta deklaroj atë të hapur.

Ju faleminderit !

NISMË SENSIBILIZUESE PËR MË SHUMË PËRKUJDESJE NDAJ MOSHËS SË TRETË

Vetmia e moshës së tretë, braktisur nga fëmijët që janë në emigracion, është drama e kohës sonë. Kjo u shkakton atyre mërzi dhe stres. Ndoshta ndihen të nënvlerësuar dhe pa ndonjë rol në jetë. Çështja nuk është individi i moshuar, çfarë bën ai për veten, por shoqëria që e zbut pleqërinë e njeriut dhe e zbukuron plakjen.
Të moshuarit e Azilit të Tiranës, kaluan një ditë të veçantë  e të këndshme gjatë programit tonë “Takimi i brezave” të zhvilluar në Shtëpinë e të Moshuarve në rrugën “Ali Demi”. Një veprimtari kulturore e argëtuese e organizuar nën përkujdesjen e bashkëshortes së Ambasadorit të Turqisë, Zonjës Ayşegül Erdal Yörük, e shoqëruar nga personeli i Fondacionit “Alsar” dhe i ambasadës si dhe nga studentët vullnetarë të Fondacionit “ALSAR” të cilët shfaqën për të pranishmit edhe një program artistik, që bashkoi të moshuarit me të rinjtë në një takim brezash.

Në përfundim të kësaj veprimtarie Fondacioni “ALSAR”i dhuroi Shtëpisë së të Moshuarve, televizor në permasa të mëdha 55°për sallën e ngrënies, magnetofon , karrige mbështetëse  për dush, kaloriferë për dhomat e të moshuarve.

Nr Emërtimi i artikullit të dhuruar Sasia
1. Televizor në përmasa të mëdha 55°për sallën e ngrënies. 1 copë
2. Magnetofon . 1 copë
3. Karrige mbështetëse  për dush. 5 copë
4. Kaloriferë për dhomat e të moshuarve. 5 copë

Mesazhi që përçoi ky takim me ta, ishte se nuk ka kuptim që këta njerëz që gjithë jetën kanë qenë të integruar në shoqëri të jenë të braktisur nga kujdesi i shoqërisë. Të moshuarit nuk janë kurrë të vjetër, ata janë udhërrëfyesit e breznive të reja, nëse kemi vullnet t’i dëgjojmë e t’i ndjekim nga pas. Shpresojmë që ky takim të shërbejë si një moment i domosdoshëm reflektimi, si një thirrje drejtuar institucioneve dhe shoqërisë për të shtuar kujdesin ndaj moshës së tretë.

PROMOVOHET NË PRISHTINË “KALENDARI KOMBIAR”.

Pas prezantimit në Tiranë, rivjen për studiuesit dhe lexuesit në Prishtinë “Kalendari Kombiar”, kontributi më madhor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Tubimi përurues i kësaj vepre të realizuar ndër vite nga një grup intelektualësh të shquar të kësaj periudhe si Kristo Luarasi, Kosta Jani Trebicka, Shahin Kolonja, Mit’hat Frashëri, si redaktor kryesor dhe të tjerë, u zhvillua me datë 29 mars 2018 në formën e një konference të mirëfilltë shkencore, me kumtesa dhe trajtesa nga studiues të fushave të ndryshme, kryesisht historike si dhe filologjike si dhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, me drejtues Prof. Dr. Hysen Matoshin si dhe nga institucioni botues, Fondacioni “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR), me kryetar z. Mehdi Gurra si organizator dhe moderator tubimin e çeli Prof. Dr. Hysen Matoshi.

Kumtesën e parë e mbajti Akademiku Rexhep Qosja, i cili u ndal në rëndësinë e madhe që kishte revista Kalendari Kombiar për ndriçimin e ndërgjegjes kombëtare në një nga periudhat më të vështirat dhe më të lavdishme për popullin shqiptar, siç ishte Rilindja Kombëtare Shqiptare.
“Duke e botuar “Kalendarin Kombiar” në katër vëllime, ju keni botuar dhe po përuroni një vepër të madhe që i ka rritur, i ka shtuar, i ka pasuruar: vetëdijen kombëtare, dijet, artet, letërsinë, kulturën, qytetërimin shqiptar dhe lidhjet e tij para së gjithash kulturore me shumë popuj të tjerë, tha më tej Akademiku Rexhep Qosja. Dhe, kështu, ju keni botuar e po përuroni një vepër të madhe, që kujtesës sonë të pakujdesshme sidomos gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, po ia rikthen emrin shumë të merituar të botuesit të saj të parë, Kristo Luarasit, botuesit të saj të dytë, Mithat Frashërit, dhe të një vargu veprimtarësh të tjerë politikë, shoqërorë, letrarë, kombëtarë, që gjithë jetën e tyre, shpesh duke harruar veten, ia kushtuan Kombit të vet dhe Shtetit të tij, natyrisht në kufijtë etnikë”, kështu e mbylli fjalën Profesori i nderuar.
Më tej rreth veprës kumtuan Prof. Dr. Seit Mansaku, i cili u ndal në kujdesin që kanë patur botuesit e “Kalendarit Kombiar” jo vetëm në anën përmbajtësore, por edhe në atë gjuhësore, duke u bërë shembull në përpjekjet për përhapjen e gjuhës shqipe, që ishte një nga drejtimet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare.

Prof. Dr. Shefkije Islamaj, u përqendrua në kumtesën e saj në spektrin e gjerë të njoftimeve të “Kalendarit Kombiar” për zgjimin kulturor dhe shkencor të shqiptarëve nëpërmjet gjuhës shqipe. Ndërsa Prof. Dr. Genci Luarasi, në përmbajtjen e lëndës dhe kronologjinë e ngjarjeve, që përshkruan “Kalendari Kombiar” që nga viti i parë i botimit më 1897 deri në vitin 1928.

Në fund Kryetari i Fondacionit “ALSAR”, Z. Mehdi Gurra, mbajti një kumtesë të veçantë për rëndësinë e veprës dhe për motivet që shtynë bordin e Fondacionit që ai drejton, në përzgjedhjen dhe risjelljen pikërisht të kësaj vepre në duart e studiuesve dhe lexuesve shqiptarë si një dhuratë në kuadër të 105-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

“Ribotimi i “Kalendarit Kombiar” është një lajm i gëzueshëm për historinë dhe kulturën shqiptare, tha më tej zoti Mehdi Gurra, sepse risjell edhe një herë atmosferën e viteve të lavdishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përpjekjet e patriotëve shqiptarë, që luftën për liri dhe pavarësi e shihnin, krahas të tjerash, te ndriçimi i mendjes së shqiptarëve, që çdo dije dhe zbulim botëror të ishte i artikuluar në gjuhën shqipe, të kishte veshje dhe identitet kombëtar”, përfundoi z. Gurra.

KËSHILLIMI JURIDIK

Studentët e departamentit të drejtësisë të Fondacionit “ALSAR”, në kuadër të veprimtarive kulturore të vullnetarizmit, kanë organizuar veprimtarinë “Ditët e këshillimit juridik” me synimin për të informuar nënat e fëmijëve jetimë  lidhur me të drejtat e tyre ligjore, që mund te përfitojnë nga statusi i tyre, duke iu  ofruar në këtë mënyrë atyre këshilla juridike falas për çështje juridike, ndërmjetësimit, noterisë dhe përmbarimit. Ndër të tjera në seancat e zhvilluara ata nxorrën në pah edhe rolin e institucionit të Avokatit të Popullit, duke dhënë edhe sqarime e orientime konkrete për trajtimin e çështjeve të veçanta pronësore ose civile.

PROMOVIMI I TURIZMIT TË QËNDRUESHËM DHE GJITHËVJETOR NË SHQIPËRI.

Shqipëria është një vend që i ka të gjithë potencialet e duhura për t’u kthyer në një destinacion turistik tërheqës për turistët, siç janë bukuritë natyrore, trashëgimia kulturore edhe mikpritja.Turizmi është një sektor primar për Shqipërinë për shkak se lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien dhe rritjen ekonomike vendase. Ai shihet si sektori që do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke siguruar punësim, nxitje të ndërmarrjeve të vogla e të mëdha, më shumë të ardhura e më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë.
Pikërisht për shkak të kësaj rëndësie që ka turizmi, dhe rolit që ai luan në ekonominë shqiptare, Fondacioni “ALSAR” ka ofruar mbështetjen e tij modeste ndaj një iniciative të shoqërisë civile, që promovon turizmin e qëndrueshëm dhe gjithëvjetor në Shqipëri, përmes së cilës do të realizohet ngritja e një platforme e cila do të jetë gjithëpërfshirëse në informacionin që siguron për nxitjen dhe rritjen e turizmit në Shqipëri, duke ofruar një hapësirë mediatike e cila të sigurojë: Informacion turistik për vendin tonë dhe të shërbejë si pikë orientimi jo vetëm për të gjithë trevat shqiptare, por edhe për të gjithë turistët e huaj joshqipfolës, që synojnë ta bëjnë Shqipërinë si pikë synimi të udhëtimit të tyre turistik.

Zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, i cili nuk nënkupton vetëm vizitimin e bregdetit gjatë verës, por zhvendosjen e vëmendjes edhe në zonat malore të Shqipërisë, pra në turizmin malor, në turizmin kulturor e historik dhe fetar, kërkon patjetër një promovim të vazhdueshëm të turizmit në Shqipëri dhe krijimin e një platforme që ta mundësojë një promovim të tillë.

soap 2 day