Category Page: Kulturore

Një ish-president si autor në botimet tona, Bamir Topi rrëfen betejat e humbura të Tiranës

Botimet ALSAR i paraqiten publikut me një tjetër titull të ri në pak javë, “Betejat e humbura të Tiranës”, shkruar nga Bamir Topi.

Autori, ish-president i Republikës, është i njohur për lidhjen e fortë emocionale me kryeqytetin, vendlindjen e tij, por dhe për angazhimin politik në dekadat e tranzicionit shqiptar.

Ndjeshmëri, qasje, këndvështrime dhe analiza janë elemente të strukturës së këtij libri me një nëntitull intrigues, “Doktrina politike e racizmit social mbi tiranasit në kryeqytetin e Shqipërisë”.

Prof. dr. Bamir Topi sugjeron kështu përmes titullit dhe nëntitullit trajtesa të guximshme dhe delikate në faqet e këtij botimi.

Fondacioni ALSAR do të organizojë në ditët e ardhshme, saktësisht më 17 mars, dhe një ceremoni përuruese për librin, me një ftesë për pjesëmarrje për çdokënd.

Botimet e reja përbëjnë bazën e aktivitetit kulturor të ALSAR-it, duke u krijuar hapësirë botuese shumë autorëve.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar bamir topi” alias=”postim-alsar-postim-2225″]

ALSAR nxjerr nga shtypi librin, “Ri-Rrugë e Mëndafshit”

Botimet ALSAR vazhdojnë të sjellin te lexuesi në mënyrë ritmike tituj të rinj, duke i qëndruar besnik traditës së shumëllojshmërisë tematike.

Ndërsa një ditë më parë u bëmë të ditur botimin, “Propozime për drejtshkrimin”, u njohim sot me një tjetër libër të ri.

Punimet në këtë botim e ftojnë lexuesin t’i kushtojë vëmendje dhe ta rimendojë konceptualisht Rrugën e Mëndafshit.

“Ernest Pariset, një dijetar francez i mëndafshit i shekullit të nëntëmbëdhjetë, e ndau historinë e gjatë të mëndafshit në katër epoka të mëdha: epoka e kinezëve, epoka e muslimanëve, epoka e italianëve dhe epoka e francezëve,” na tregon libri në tekstin e kapakut të pasmë.

“Cila do të mund të ishte forca shtytëse pas këtij marshimi madhor të mëndafshit nëpër kohë dhe hapësirë? … Shkëmbimi i mëndafshit nuk është asgjë tjetër, veçse pjesë e një dinamike historike të bashkëveprimit njerëzor.”

“Në vitet në vijim ne do të shohim se projektet e reja të realizuara nga vendet në Rrugën e Mëndafshit do të luajnë rol kyç për procesin e ri integrues midis lindjes dhe perëndimit…”

Sigurisht  që “Ri-Rrugë e Mëndafshit” ka në brendësi shumë më tepër se kaq, një material të bollshëm shpjegues dhe ndriçues.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar propozime per drejtshkrimin 1″ alias=”postim-alsar-propozime-per-drejtshkrimin-1″]

Botim dyvëllimësh në fushën e gjuhësisë, “Propozime për drejtshkrimin”

Fondacioni ALSAR sapo nxori nga shtypi veprën gjuhësore në dy vëllime, “Propozime për drejtshkrimin”.

Një botim me interes për gjuhëtarët, për vetë specifikat e përmbajtjes.

Për të thënë diçka mbi botimin ngjan e udhës t’i referohemi parathënies së tij, ku lexohet mes të tjerash se, “Botimi i këtyre dy vëllimeve me propozime për drejtshkrimin në vitin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, synon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik mbi atë kuvend historik kombëtar dhe të theksojë rëndësinë që ka njohja dhe zbatimi i normës letrare në përgjithësi e i drejtshkrimit në veçanti, si elementi themelor e më i dukshëm në çdo tekst të shkruar. Njëkohësisht, duke vlerësuar mendimin shkencor të autorëve të shkrimeve, shprehim bindjen se këto vëllime përmbajnë propozime me vlerë për të plotësuar mungesat e kodit drejtshkrimor ose për të përmirësuar anët e dobëta të tij. Të mbledhura kështu bashkë, shkrimet me propozime për drejtshkrimin e shqipes, të bëra pas botimit të ‘Drejtshkrimit të gjuhës shqipe’ (1973) dhe të ‘Fjalorit drejtshkrimor’ (1976), e pasurojnë bibliotekën e gjuhësisë shqiptare me një material studimi shumë të dobishëm për hulumtime në fushën e gjuhësisë sonë normative.”

Sa për përmbajtjen e dy vëllimeve, atë e gjejmë gjithashtu të shpjeguar në parathënie: “Vëllimi i parë përmban njëmbëdhjetë materiale nga grupi i drejtshkrimit i Këshillit Ndërakademik dhe tridhjetë artikuj të tjerë, ku trajtohen probleme të përgjithshme të drejtshkrimit dhe krahas tyre edhe një numër çështjesh më të veçanta. Vëllimi i dytë përmban gjashtëdhjetë e shtatë artikuj për çështje drejtshkrimore dhe gramatikore që lidhen me drejtshkrimin. Autorë të tyre janë studiues të njohur të gjuhës shqipe dhe pedagogë të universiteteve shqiptare.”

Ky botim është një tjetër kontribut i Fondacionit ALSAR për kulturën shqiptare në përgjithësi, e për gjuhësinë në veçanti.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar propozime per drejtshkrimin” alias=”postim-alsar-postim-11000″]

Përurohen tre librat e autorit Burhan Al Din Sejdi Fili me një ceremoni plot emocione

Salla “Consortium”, në hotelin “Tirana International”, priti dhjetëra njerëz këtë të shtunë, të 19 shkurtit, në ceremoninë e përurimit të tre botimeve të Fondacionit ALSAR, përmbledhjeve poetike të autorit Burhan Al Din Sejdi Fili, “Burrnia foli”, “Kërkim në botën e imanit” dhe “Shtegtim me vargje”.

Me pjesëmarrjen e tyre e nderuan ceremoninë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Efendi Tërnava, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Hysen Matoshi, dhe prof. dr. Seit Mansaku.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit ALSAR, entit botues, e njëkohësisht organizues i ceremonisë së përurimit, z. Mehdi Gurra, i cili pasi i përshëndeti pjesëmarrësit, në veçanti mysafirët e ardhur nga larg, e përgëzoi autorin për punën krijuese letrare. Ai i bëri një përshkrim të tillë autorit dhe poezisë së tij:

“Burhan Fili është prej një soji njerëzish të ndeshur rrallë e më rrallë, që mirësinë e zemrës ua shpreh shkëlqimi i syve dhe fytyrës. Model i thjeshtësisë, i besimtarit, i veprimtarit të palodhur, ai është prej atyre shembujve njerëzorë për të cilët shoqëria ka nevojë sot më tepër se kurrë.

“I urtë, i menduar, i përkorë në fjalë, Burhan Fili zgjodhi të mos i mbajë ndjenjat mbyllur brenda vetes, por t’i shprehë ato në vargje, për t’u përcjellë lexuesve emocionin, frymëzimin, idealizmin, këshillimin, tregimin e rrugës së drejtë, rrugës së besimit.

Poezia e tij, me vargun e thjeshtë, i flet çdokujt, troket në çdo zemër. Vargjet e tij janë si feksja e dritës në agim, të lehta si ajo dritë e lehtë, por tejet grishëse!

“Burhan Fili i vuri një pritë të përkohshme lumit të tij poetik, mblodhi e zgjodhi prej andej një tufë të madhe poezish dhe vendosi t’ia japë për botim Fondacionit ALSAR.”

Myftiu Naim Efendi Tërnava, prof. dr. Hysen Matoshi dhe prof. dr. Seit Mansaku e analizuan më në brendësi poezinë e Burhan Al Din Sejdi Filit, cituan vargje dhe shprehën konsiderata për tre librat, ndalur më së shumti te “Burrnia foli” për vetë specifikën e saj tematike.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar Burhan Al Din Sejdi Fili” alias=”postim-alsar-postim100″]

Ligjëratë për Islamin dhe Perëndimin, botimi ynë më i ri

Fondacioni ALSAR i sjell lexuesit një botim dygjuhësh, një ligjëratë të mbajtur dekada më parë, por me mjaft interes dhe sot për temën e trajtuar.

“Islami dhe Perëndimi” vjen në gjuhën e përkthyer dhe në atë origjinale, në shqip dhe anglisht.

Princi i Uellsit e mbajti këtë ligjëratë më 27 tetor 1993 në Teatrin Sheldonian. Lexuesi do të ketë mundësi të njihet me pikëpamjet e këtij personaliteti të lartë britanik mbi një çështje tepër delikate dhe vazhdimisht në diskutim.

Ligjëratën u kujdes ta botojë më herët Qendra për Studime Islame e Oksfordit.

Ky botim u shtohet titujve të botuar nga ALSAR-i, gjithnjë e më të shumtë, gjithnjë e më të shumëllojshëm.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar ligjerate islamin” alias=”postim-alsar-ligjerate-islamin”]

Përfundon kursi i trajnimit të imamëve në Pogradec, pjesëmarrësve u jepen certifikata

Pas dhjetë ditëve të mbushura me ligjërata për imamët, kursi i përgatitjes të tyre në Pogradec është mbyllur me ceremoninë e dhënies së certifikatave.

Në ceremoninë e zhvilluar në sallën e mbajtjes së ligjëratave kanë qenë të pranishëm imamët të cilët e ndoqën kursin, ligjëruesit dhe organizatorët e kësaj veprimtarie. Me praninë e tyre e nderuan ceremoninë kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe nënkryetari i organizatës sponsorizuese të veprimtarisë, Menar, z. Mehmet Dal.

Në fjalën hapëse të ceremonisë, z. Mehdi Gurra shprehu mirënjohjen për organizatën partnere në këtë veprimtari, falënderoi ligjëruesit dhe u uroi suksese ndjekësve të kursit përgatitor dhe zhvillimor.

Nënkryetari i Menar-it nënvizoi rëndësinë e këtij aktiviteti në përshëndetjen e tij. Ai foli për rolin dhe misionin e imamit në shoqëri, për përballjen me sfidat e kohës, dhe i nxiti pjesëmarrësit në kursin e sapopërfunduar ta kryejnë me zell dhe përgjegjshmëri detyrën e prijësit fetar.

Për imamët pjesëmarrës në kursin trajnues u dhanë certifikata në përfundim të ceremonisë. Bashkë me certifikatat, ata morën dhuratë dhe libra.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar imamet progradec” alias=”postim-alsar-imamet-pogradec-1″]

soap 2 day