Category Page: Kulturore

“RINIA, BESIMI DHE SFIDAT E JETËS”

Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit të programit kulturor organizoi gjatë datave 21-22 prill 2018 respektivisht në qytetin e Kukësit dhe atë të Tiranës, 2 forume të hapura me temë “Rinia, besimi dhe sfidat e jetës”. Në këto veprimtari na nderoi me pjesëmarrjen e tij një i ftuar special, myftiu i qytetit të Konjas, Turqi Prof. Dr. Ali AKPINAR.

Gjatë leksioneve të mbajtura nga ana e tij, ai hodhi dritë mbi rolin dhe rëndësinë që ka rinia dhe besimi si dhe vlerat e tij edukative në projektimin e një të ardhmeje të ndritur të kombit. Ndër të tjera ai theksoi se rinia është begatia më e çmueshme e një kombi. Një komb pa një rini të shëndoshë nuk ka perspektivë të ndritur. Nëse rinia, zhvishet nga ndjenja shpirtërore dhe identiteti i saj, atëherë si mund të presim një të ardhme të dëshiruar për shoqërinë tonë?

Nuk mund të forcohet kombi shqiptar duke përjashtuar vlerat dhe kontributin e besimit fetar pasi vetëm një popull i shëndoshë shpirtërisht di të përballojë sakrificat, di të varrosë të shkuarën e errët, di të ndërtojë shpresat, di të projektojë të ardhmen .

Janë këto mesazhet që u përçuan gjatë ligjëratave të tij, të cilat u ndoqën me vëmendje e interes të veçantë nga të pranishmit.

KËSHILLIMI JURIDIK

Studentët e departamentit të drejtësisë të Fondacionit “ALSAR”, në kuadër të veprimtarive kulturore të vullnetarizmit, kanë organizuar veprimtarinë “Ditët e këshillimit juridik” me synimin për të informuar nënat e fëmijëve jetimë  lidhur me të drejtat e tyre ligjore, që mund te përfitojnë nga statusi i tyre, duke iu  ofruar në këtë mënyrë atyre këshilla juridike falas për çështje juridike, ndërmjetësimit, noterisë dhe përmbarimit. Ndër të tjera në seancat e zhvilluara ata nxorrën në pah edhe rolin e institucionit të Avokatit të Popullit, duke dhënë edhe sqarime e orientime konkrete për trajtimin e çështjeve të veçanta pronësore ose civile.

PROMOVIMI I TURIZMIT TË QËNDRUESHËM DHE GJITHËVJETOR NË SHQIPËRI.

Shqipëria është një vend që i ka të gjithë potencialet e duhura për t’u kthyer në një destinacion turistik tërheqës për turistët, siç janë bukuritë natyrore, trashëgimia kulturore edhe mikpritja.Turizmi është një sektor primar për Shqipërinë për shkak se lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien dhe rritjen ekonomike vendase. Ai shihet si sektori që do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke siguruar punësim, nxitje të ndërmarrjeve të vogla e të mëdha, më shumë të ardhura e më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë.
Pikërisht për shkak të kësaj rëndësie që ka turizmi, dhe rolit që ai luan në ekonominë shqiptare, Fondacioni “ALSAR” ka ofruar mbështetjen e tij modeste ndaj një iniciative të shoqërisë civile, që promovon turizmin e qëndrueshëm dhe gjithëvjetor në Shqipëri, përmes së cilës do të realizohet ngritja e një platforme e cila do të jetë gjithëpërfshirëse në informacionin që siguron për nxitjen dhe rritjen e turizmit në Shqipëri, duke ofruar një hapësirë mediatike e cila të sigurojë: Informacion turistik për vendin tonë dhe të shërbejë si pikë orientimi jo vetëm për të gjithë trevat shqiptare, por edhe për të gjithë turistët e huaj joshqipfolës, që synojnë ta bëjnë Shqipërinë si pikë synimi të udhëtimit të tyre turistik.

Zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, i cili nuk nënkupton vetëm vizitimin e bregdetit gjatë verës, por zhvendosjen e vëmendjes edhe në zonat malore të Shqipërisë, pra në turizmin malor, në turizmin kulturor e historik dhe fetar, kërkon patjetër një promovim të vazhdueshëm të turizmit në Shqipëri dhe krijimin e një platforme që ta mundësojë një promovim të tillë.

PRITJE ME RASTIN E FESTËS SË FITËR BAJRAMIT

Fondacioni “ALSAR” me rastin e festës së Fitër Bajramit, organizoi ceremoninë e pritjes në mjediset e selisë së tij, ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, personalitete të ndryshme të fushës së kulturës, artit dhe shoqërisë civile.

Kryetari i Fondacionit “ALSAR” Z. Mehdi Gurra, gjatë ceremonisë së kësaj dite feste, që rrezaton vlera të solidaritetit human ndër të tjera iu shprehu mirënjohjen përfaqësuesve të pushtetit lokal për bashkëpunimin e tyre të ofruar në misionin e tyre të përbashkët, për t’iu ardhur në ndihmë të shtresave sociale në nevojë, duke deklaruar gjithashtu se, institucioni që ai drejton në përmbushje të programit të tij mirëbërës shoqëror, do të vijojë veprimtarinë e dhurimit të ndihmesës së tij modeste dhe shtrirjes së dorës së bamirësisë, kudo ku ndihet nevoja, për të lehtësuar sadopak problemet e tyre ekonomike e shoqërore.

Është kjo një ditë e veçantë, që shërben edhe si një moment reflektimi për të kontribuar më shumë për të ardhmen e ndritur të shoqërisë dhe kombit shqiptar.

RECENCA E VEPRAVE STUDIMORE NGA STUDENTËT E EKSELENCËS

Studentët e ekselencës të Fondacionit “ALSAR”, në kuadër të veprimtarive kulturore të projekteve të vullnetarizmit organizuan veprimtari të prezantimit të recencave të veprave studimore.

Në veprimtarinë ku u bë prezantimi i reçensës se veprës së titulluar “Historia Osmane dhe Institucionet” të autorit  Prof. Dr. Mehmet Maksudoglu”, referues në këtë ceremoni ishte studenti i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë  Indrit Qehajaj.

Gjatë prezantimit të tij ai nxorri në pah vlerat dhe faktet se ky libër i Prof. Dr. Maksudoglu bazohet në dokumente autentike të formuluara në kohën kur ato kishin fuqi veprimi. Referuesi argumenton se, ndryshe nga perandoritë e tjera në historinë e shoqërisë njerëzore, Perandoria Osmane ka funksionuar si Devlet i bazuar në parimet e Kur’anit Famëlartë, që kultivonin mendësitë dhe praktikat e respektimit të kulturave, të formave të organizimit ekonomik e shoqëror , të arsimimit e të arteve të popujve të ndryshëm.

Diskutimi u ndal dhe mbi tolerancën fetare që mbizotëronte në Devletin Osman dhe politikat që  ndiqeshin për ta ruajtur këtë  tolerancë  dhe për t’i siguruar çdo besimtari të  drejta të  barabarta dhe sigurinë e jetës, nderit dhe pasurisë.

Studentët nuk kishin menduar të  qëndronin vetëm në  trajtimin e historisë osmane, por të  diskutonin dhe për territoret shqiptare nën osmanët. U diskutua mbi sistemet  që  u përdorën nga osmanët në  këto troje, për Sadrazamët (kryeministrat) shqiptarë  në  shtetin osman, për pashallëqet dhe deri tek Ismail Qemali, ata vlerësuan në këtë mënyrë gjatë analizës dhe vlerësimeve të tyre  se ky libër, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, hedh dritë  mbi çështje të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, që nga fillimi i shekullit XV deri në vitin 1912.

Të pranishëm në sallën e konferencave të Fondacionit “ALSAR” ishin studentë të fakulteteve të ndryshme, të cilët përgëzuan referuesin për prezantimin e tij në këtë nismë të ndërmarrë, që synon të zgjerojë horizontin e tyre kulturor.

DHURIMI I BOTIMEVE TË FONDACIONIT ALSAR BIBLIOTEKËS SË FAKULTETIT TË HISTORI – FILOLOGJISË.

Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të kulturës me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, zhvilloi në auditorët e këtij fakulteti projektin “Libri dhurata më e çmuar”, që synon të kontribuojë në mënyrë modeste për të pasuruar bibliotekën e këtij institucioni arsimor e akademik.

Përmes realizimit të këtij projekti, u dhuruan 20 tituj të ndryshëm librash botime të Fondacionit “ALSAR”, që përbëjnë një burim të mirëfilltë dijesh dhe ofrojnë një gamë të gjerë njohurish e të dhënash nga punime e studime interesante rreth shumë çështjeve të historisë, të kulturës dhe kërkimit shkencor, ndër të cilat spikat edhe kolana e “Kalendarit Kombiar (1897- 1928)”, një nga veprat më madhore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

soap 2 day