Category Page: Kulturore

    NJË UDHËTIM TURISTIK NË BOSNJE-HERCEGOVINË.

    Fondacioni “Alsar”, në kuadër të veprimtarive kulturore organizoi një udhëtim turistik në Bosnje Hercegovinë, me synimin për të njohur trashëgiminë kulturore e historike të këtij vendi të rajonit tonë.

    Magjia e një udhëtimi qëndron në faktin se ia vlen të kundrosh qetësisht një vend, të cilin e sheh për herë të parë, të shuash kureshtjen dhe emocionet që të kanë pushtuar ditë më parë dhe ku realisht para vetes ke gjëra të bukura e mbresëlënëse për të vështruar, objekte dhe peizazhe interesante.

    Ky udhëtim i rrallë nuk na emocionoi vetëm për bukuritë e natyrës, kulturën, objektet historike me vlera arkitektonike, rregullin, sjelljen njerëzore, por edhe për zhvillimin e këtij vendi, siç është Bosnje-Hercegovina,

    Tashmë të gjithë e dimë historinë e gjakderdhjes së gjenocidit më të egër etnik, nga i cili kanë kaluar më shumë se 20 vjet më parë dhe që do të mbahet mend si një nga ngjarjet më tragjike në Ballkan. Dikur para viteve ’90, një nga gjashtë republikat e ish-Jugosllavisë për disa dekada, një shtet multientnik, ku pjesën më të madhe e zënë boshnjakët, të tjerë serb e kroat.

    Populli i thjeshtë dhe kulturëdashës i Bosnje–Hercegovinës,që përjetoi tmerrin e gjenocidit absurd nga fqinji i tij, ka ruajtur me fanatizëm dëshmi të kulturës së lashtë e të re. Gjurmët e atij konflikti të pashembullt shihen edhe sot në godina të ndryshme: shtëpi, hotele, fabrika të goditura nga plumbat e predhat, si muze natyror i asaj faqeje të historisë të shkruar me gjak në vitet 1992-1995. Mostari është një nga qytetet që e pësoi më rëndë këtë gjenocid.

    Gjatë udhëtimit tone u ndalëm në këtë qytet ai shtrihej në mes të një grykë të madhe shkëmbore. Ajo që të tërheq mbi gjithçka në Mostar është ura, simboli i qytetit e që njihet në histori si “Ura e Mostarit”.

    Lumin Neredva e kalojnë dhjetëra ura, por interesante është ura me gurë, një ndërtim i mrekullueshëm arkitekturor. Ura e vjetër pesëqind vjeçare u shkatërrua me artileri më 9 nëntor të vitit 1993 nga ushtria e kroatëve të Bosnjës. Ura e vjetër nuk kishte rëndësi strategjike, por shkatërrimi i saj për qëllim shuarjen e një simboli të kulturës osmane. Ajo u rindërtua 11 vjet pas shkatërrimit, pas plot 7 vjet rresht pune intensive, dhe sot qëndron përsëri më këmbë mrekullisht e njëjtë në strukturë, si ajo e para, e ndërtuar gjatë viteve 1557 – 1566, nën urdhrat e Sulltan Sulejmanit të Madh.

    Mëngjesi i ditës tjetër erdhi mbi Sarajevë, fillimisht në Vrelo Bosne, një park që të përkujton Drilonin në Pogradec. Sarajeva të befason më shumë me arkitekturën karakteristike. Mjafton ky realitet për të kuptuar nga njëra anë natyrën, dhe nga ana tjetër kulturën e zhvillim e saj.

    Është e vështirë ta shëtisësh të gjithë Sarajevën, por ne edhe me aq sa e vëzhguam mbetëm mjaft të kënaqur dhe të befasuar njëkohësisht. Sidomos kur u ndodhëm përballë xhamive të shumta, që të stepin në vështrimin e parë me madhështinë e bukurinë e tyre.

    Nuk di ku të ndalesh sytë më parë e megjithatë bëjmë dhjetëra foto përpara Xhamisë mbi 500 vjeçare Gazi Husref-bej, e veçantë për vlerat arkitektonike. Një vepër arti e ndërtuar me mjeshtëri në teknikë e kombinacione.

    Ditët nuk ishin të mjaftueshme për të shijuar gjithë këto bukuri magjepsëse të Bosnje-Hercegovinës, si gjërat e çmueshme, veçse, duke ju treguar këto fotografi me pamje të këtyre bukurive gjatë ditëve të këtij udhëtimi, mendojmë se do të transmetojmë te ju një pjesë sado të vogël të atyre emocioneve që përjetuam në atë qëndrim të shkurtër, por të paharruar.

    AKORDOHEN CERTIFIKATAT E KURSIT TË GJUHËS TURKE NË KUKËS.

    Me rastin e përfundimit të kursit të mësimdhënies së gjuhës turke për komunitetin e banorëve të qytetit të Kukësit, Fondacioni “ALSAR” në bashkëpunim me Bashkinë Kukës, organizuan ceremoninë solemne të akordimit të certifikatave për nxënësit pjesëmarrës të këtij kursi.

    Në këtë veprimtari na nderuan me pjesëmarrjen e tyre ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë Shkëlqësia e tij Z. Murat Ahmet Yörük, Kryetari i Bashkisë Kukës Z. Bashkim Shehu dhe Kryetari i Fondacionit “ALSAR”  Z. Mehdi Gurra,

    Gjatë fjalëve të tyre përshëndetëse personalitetet vlerësuan rolin dhe kontributin që ky projekt ofron në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e arsimit dhe kulturës, duke e konsideruar atë si një mundësi optimale për të gjithë nxënësit dhe të rinjtë e interesuar të kësaj zone që dëshirojnë të zgjerojnë horizontin e kulturës dhe njohurive të tyre në gjuhët e huaja, dhe përmes tij të përfitojnë mundësi e alternativa optimale arsimimi të standardeve bashkëkohore ndërkombëtare, për të ndjekur studimet në Turqi, si për ciklin e mesëm shkollor ashtu dhe për atë universitar.

    Kursi i mësimdhënies së gjuhës turke në Kukës është ndjekur rregullisht gjatë vitit shkollor 2017- 2018 nga 130 nxënës, nën drejtimin e profesorit të kualifikuar që të punojë me këtë grupmoshë dhe me metoda bashkëkohore të ndërthurura me programe audio vizivë, për t’a bërë atë sa më tërheqës dhe të plotësuar me elemente që lehtësojnë përvetësimin e dijes në mënyrë sa më të vlefshme.

    Realizimi i këtij projekti shënon një tjetër kurorëzim të suksesshëm të zhvillimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet Fondacionit “ALSAR” dhe Bashkisë Kukës.

    ZHVILLOHET PANAIRI “HARMONIA E KULTURAVE ”

    Fondacioni “ALSAR”, me rastin e ditës botërore të diversitetit kulturor zhvilloi në mjediset e Hotel “Tirana International”, ceremoninë e hapjes së panairit “Harmonia e kulturave” një veprimtari kjo e realizuar në bashkëpunim me studentët e huaj që studiojnë në vendin tonë, tashmë e shndërruar në një traditë që ndiqet e pasurohet ndër vite.

    Në këtë veprimtari gjatë fjalës së tij përshëndetëse Kryetari  i Fondacionit “ALSAR”, Z.Mehdi Gurra ndër të tjera u shpreh se “Është viti i tretë që organizojmë këtë aktivitet. Në Shqipëri ka shumë studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët me kontaktet që kanë vendosur me bashkëmoshatarët e tyre nëpër universitete nuk ndihen të huaj. Ato janë integruar në shoqërinë shqiptare dhe si të gjithë studentët vendas edhe ata po vazhdojnë kryerjen e studimeve”, “Kjo veprimtari synon të nxisë, kultivojë dhe zhvillojë kulturën kombëtare te të rinjtë, si dhe të promovojë rritjen e ndërgjegjësimit për marrëdhëniet ndërmjet kulturave,duke e konsideruar diversitetin kulturor si “Trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit” dhe ruajtjen e tij – një aksion konkret dhe etik të pandashëm nga respekti për dinjitetin njerëzor. Kulturat ndihmojnë popujt të jetojnë në harmoni”. tha Gurra.

     

    Zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Z.Sinan Cem Baş, i pranishëm në panairin “Harmonia e Kulturave”, u shpreh se, “është një pamje e mrekullueshme kjo që po shikojmë sot këtu, ku ka studentë nga vende të ndryshme të botës. Nga pikëpamja gjeografike Shqipëria është një vend i vogël, por duke parë diversitetin e bashkëjetesës e shumë elementëve të ndryshëm në këtë vend, nuk është në dorën tonë që të mos mrekullohemi nga kjo pamje. Cilësia më e mirë që i simbolizon shqiptarët është tolerance dhe bashkëjetesa që kanë midis tyre. Në Shqipëri disa terma si racizmi apo terma të tjerë negativë nuk ekzistojnë. Në këtë pikëpamje, dua të theksoj se Shqipëria është shumë më përpara se disa shtete evropiane”,

    Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Z.Abaz Hado, në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitet shprehu mbështetjen për organizimin e aktiviteteve të tilla.“Sot ne jemi në një vorbull të rëndësishme të emigracionit dhe të lëvizjeve të kulturave të ndryshme, shpërngulje masive të njerëzve për arsye të ndryshme, por që vendosen në disa sisteme të tjera, të cilat pasqyrojnë atë kulturë dhe trashëgimi që sjellin me vete këto lëvizje të kulturave të ndryshme. E parë në aspektin e shkëmbimeve kulturore mes shteteve të ndryshme edhe Shqipëria është bërë pjesë integrale e kësaj lëvizjeje, duke shkëmbyer jo vetëm emigracion, por edhe kultura të shteteve të ndryshme, nëpërmjet studentëve që vijnë këtu”, tha Hado.

    Ne kete veprimtari  përshëndeti edhe  Dr. Halil Hyseni, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se stendat e vendeve të ndryshme në këtë panair, janë një mundësi që studentët dhe të rinjtë të prezantojnë kulturën e tyre nga vendet që përfaqësojnë, dhe të gjejnë pikat e lidhjes mes tyre. “Njerëzimi ka një gjë të përbashkët, krijimin e paqes dhe harmonisë midis popujve dhe sa herë që institucionet dhe organizatat e ndryshme përpiqen dhe realizojnë krijimin e lidhjeve ata bëjnë të mundur krijimin e urave dhe bëjnë vërtetë një gjë shumë të mirë, që krijojnë mundësinë e lidhjes dhe komunikimit”, u shpreh Z.Hyseni.

    Në panairin “Harmonia e kulturave” organizuar nga Fondacioni “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR), të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Turqia, Italia, SHBA-ja, Spanja, Egjipti, Kanadaja, Irlanda, Polonia, Holanda, Kuvajti dhe Palestina prezantuan kulturat e vendeve të tyre në stenda promovuese.
    Studentët prezantuan vendet historike të shteteve që përfaqësojnë, kulturën, artin, veshjet tradicionale, monumentet historike, etj.

    Gjatë veprimtarisë u shfaq edhe dokumentari “Harmonia e kulturave”. Në përmbyllje të kësaj veprimtarie studentëve përfaqësues iu akorduan çertifikata vlerësimi dhe mirënjohjeje.

    NDIHMA E SHPEJTË, SI TA JAPIM ATË?

    Të gjithë njerëzit mund të gjenden në një situatë aspak të përshtatshme, e cila lidhet me humbjen e ndjenjave të një të afërmi, reaksionin e medikamenteve të ndryshme, apo edhe gjakderdhje e madhe që nuk pushon. Por vetëm një pjesë shumë e vogël di sesi të reagojë përballë këtyre situatave, të cilat përveçse nuk janë aspak të këndshme mund të venë në rrezik edhe jetën e të afërmve, miqve etj. Në këto raste është e domosdoshme të ofrohet ndihma e shpejtë mjekësore një kohe sa më të shkurtër.

    Në këtë kontekst në sallën e konferencave të Fondacionit “ALSAR”, studentët e departametit të mjekësisë, përfitues të programit të bursave të ekselencës, zhvilluan një veprimtari trajnuese lidhur me rëndësinë që ka dhënia e ndihmës së shpejtë në çdo rrethanë e situatë që ajo kërkohet dhe sensibilizimi i komunitetit në këtë drejtim.

    Gjatë prezantimit të tyre mbi temën, “Për mënyrën se si dhe kur duhet të ofrohet ndihma e shpejtë mjekësore”, e ilustruar kjo me teknika e shembuj konkrete për të pranishmit. Ata hodhën dritë mbi ndihmën e shpejtë për mënyrën e ofrimit të saj për të sëmurin apo të lënduarin në vëndin e ngjarjes, gjatë transportit, si edhe në institucionin shëndetësor përkatës. Përmes kësaj ndihme synohet mënjanimi i drejtpërdrejtë i shkaktarëve të rrezikut, që e përkeqësojnë gjëndjen shëndetësore të të semurit ose të të lënduarit.

    Shpëtimtari i rastit, duhet të ketë parasysh e të zbatojë parimet themelore të dhënies së ndihmës së parë dhe ta konsiderojë atë si detyrim human dhe ligjor ndaj të gjithë atyre, të cilët, në momentin e caktuar e kanë jetën në rrezik.

    Në të gjitha këto raste, shpëtimtari që jep ndihmën e parë, duhet të jetë i qetë, i matur, i vetëdijshëm dhe ajo që është më kryesorja të ketë njohuri të përgjithshme cilësore.

    Në përfundim studentët pjesëmarrës vlerësuan veprimtarinë e zhvilluar,duke u shprehur se çdonjëri prej tyre mund të jetë një shpëtues i jetës, duke u ndjerë me këtë rast edhe më të sigurtë në vetvete për mënyrën e dhënies së ndihmës së parë.

    STUDENTET NË NJË EKSKURSION MBRESËLËNËS.

    Nën moton të njohim trashëgiminë kulturore e historike të trevave shqipëtare, Fondacioni “ALSAR”, organizoi nga data 04-06 maj një ekskursion në qytetet,Ohër,Shkup dhe Prizren për studentet konviktore. Ndalesa e parë në qytetin e Ohrit, qyteti i luleve dhe i gjelbërimit, me peizazhin e tij të mrekullueshëm të liqenit. Më pas vizita vijoi në rajonin e Shkupit i cili është një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe ekonomike të Maqedonisë, një moment mbresëlënës ishte edhe vizita në Xhaminë e Mustafa Pashës një monument i trashëgimisë kulturore. Në ditën në vijim u vizitua dhe qyteti i bukur i Prizrenit në Kosovë. Kjo veprimtari kulturore konsistoi në njohjen e studenteve me vlerat e kulturës, traditës, e historisë së trevave tona, duke u ofruar atyre një udhëtim mbresëlënës, një guidë të pasur kulturore, historike e turistike, si pjesë e një mozaiku të vlerave të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare. Duke synuar në këtë mënyrë përçimin e vlerave të edukimit dhe ndjenjave të krenarisë për vendin tonë.

    SIMPOZIUM SHKENCOR “MARRËDHËNIET VËLLAZËRORE DHE STRATEGJIKE SHQIPTARO-TURKE”.

    Në ligjërimin publik të ditëve të sotme, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë zënë një vend të veçantë. Madje mund të thuhet se kjo temë është ndër më të debatuarat, që ngjall vazhdimisht interes të jashtëzakonshëm. Nuk mungojnë në këtë rrafsh si shkrimet analitike, ashtu dhe emisionet e gjata televizive. Ndesh në to analiza të balancuara, këndvështrime realiste, por jo rrallë dhe kundërshti të forta ndaj marrëdhënieve aktuale mes dy vendeve, nisur nga paragjykime, nga njohje të cekëta, nga padituri të plota, nga qasje thellësisht dhe kthjelltësisht antiturke dhe antiislame.

    Debati i ndezur mbi këto marrëdhënie vjen si për shkak të rolit të shtuar rajonal dhe global të Turqisë, në kërkim të një qëndrimi të mëvetësishëm, çka e bën këtë vend të pranishëm në çdo çast në hapësirën mediatike botërore si në konotacionin pozitiv dhe negativ, në varësi të interesave të veçanta të shteteve të ndryshme, ashtu dhe për shkak të nënvizimit të përshkrimit të tyre si partneritet strategjik specifikisht nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
    Edhe pse pa një bazë të mirëfilltë, ligjërimet e veshura me paragjykime dhe me mendësi turkofobe fillojnë e mbarojnë me pyetje krejt pa vend, si për shembull: Shqipëria drejt Lindjes apo Perëndimit? Drejt Turqisë apo BE-së? Kështu, partneriteti strategjik është kuptuar, apo, ndryshe, qëllimisht kërkohet të kuptohet, si zhvendosje synimesh për vendmbërritje, ndërkohë që një dilemë e tillë nuk ekziston assesi, pasi shqiptarët, që nga qeverisësit te qytetari më i thjeshtë, mezi presin hapjen e negociatave për pranim në BE.

    Në një atmosferë të tillë të përgjithshme, kur nevoja për t’i parë këto marrëdhënie nga një këndvështrim akademik është bërë domosdoshmëri, Fondacioni “ALSAR” vendosi të ndërmarrë nismën për mbajtjen e një simpoziumi në Tiranë mbi këtë temë, ashtu si në të shkuarën me organizimin e veprimtarive të ngjashme. Dhe kështu e mërkura e datës 09 maj 2018 mblodhi akademikë dhe intelektualë shqiptarë e turq në këtë simpozium, ku spikaste larmia e kumtesave.
    Kryetari i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra, do të vinte në pah në fjalën e hapjes farkëtimin e një miqësie të sinqertë e të qëndrueshme midis shqiptarëve dhe turqve në shekujt e gjatë të bashkëjetesës nën Perandorinë Osmane, rolin e miliona turqve me origjinë shqiptare në mbarëvajtjen e kësaj marrëdhënie vëllazërore, si dhe pikat e përbashkëta që vijojnë t’i japin më tej jetë asaj.
    Pasi përmblodhi ndihmesën turke për Shqipërinë nga rënia e regjimit totalitar e këtej, z. Gurra i mëshoi denoncimit të një fushate të përhapjes së lajmeve të rreme për Turqinë, pa harruar të përmendë kërcënimin që paraqet për këto marrëdhënie prania e pjesëtarëve të FETÖ-s, organizatës terroriste, në vendin tonë, e po ashtu në Maqedoni e Kosovë.
    Fjalët përshëndetëse të prefektes së Tiranës, znj. Suzana Jahollari, kryegjyshit botëror të bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, dhe të përfaqësuesit të Shoqatës Kulturore Shqiptaro-Turke “Hasan Tahsini”, z. Ahmet Mehmeti, patën në përmbajtje të tyre vlerësimin për këto marrëdhënie, për këto lidhje vëllazërore, duke kujtuar mes të tjerash ndarjen e normave të përbashkëta shoqërore mes shqiptarëve dhe turqve.

    Me interes ishte ligjërimi përshëndetës i ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Murat Ahmet Yörük. Ai u shpreh qartë se Ballkani ka rëndësi të madhe për Turqinë, e se Shqipëria dhe shqiptarët janë ndër kolonat bazë të këtij rajoni, të paqes dhe stabilitetit në të.
    Ambasadori foli për rrënjët gjashtëshekullore të marrëdhënieve shqiptaro-turke, për një të kaluar të shkëlqyer të tyre, për kontributin e shqiptarëve si një element bazë në keto marrëdhënie. Pasi përmendi një varg emrash të mirënjohur, ai tha se shqiptarët kanë vulën e tyre në historinë e përbashkët, në një seri fushash. Me theksin në ecjen e përbashkët drejt së ardhmes, z. ambasador përsëriti kërkesën që territori shqiptar të pastrohet nga elementët e FETÖ-s, të cilët përbëjnë një kërcënim për Turqinë. Kjo, sidoqoftë, sipas tij, është dhe në interes të Shqipërisë.
    Renditja nga ai e disa shifrave në marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve shërbeu për të treguar rëndësinë që iu jep Turqia atyre, shoqëruar me synimin e këtij vendi për t’i dyfishuar ato, si dhe për t’i zgjeruar investimet turke në Shqipëri.
    Z. Murat Ahmet Yörük tha se një Shqipëri e qëndrueshme është në interes të Turqisë. Në të njëjtën kohë uroi që këtë vit të çelen për Shqipërinë negociatat për pranim në BE.
    Kumtuesit e mëpastajmë do të sillnin në ligjëratat e tyre kënde të ndryshme të marrëdhënieve shqiptaro-turke. Prof. dr. Bülent Akyay pati në fokus të fjalës së tij marrëdhëniet shqiptaro-turke në periudhën mes viteve 1923-1938. Dr. Halil Hyseni kumtoi mbi realitetet e këtyre marrëdhënieve ndër vite. Prof. dr. Çınar Özen shpjegoi vendin e Shqipërisë në politikën ballkanike të Turqisë. Dr. Klevis Kolasi iu referua problemeve të Shqipërisë prej viteve ’90 të shekullit të lënë pas e gjer më sot dhe rolit të Turqisë si vend aleat. Kumtesa e prof. dr. Ferit Dukës kishte për objekt trajtimi Turqinë dhe Ataturkun në shtypin shqiptar në vitet ’20-’30 të shekullit të njëzetë.
    Me rëndësi për t’u veçuar këtu, dhe për t’u zgjatur në të, është fjala e diplomatit dhe publicistit të njohur Shaban Murati, për shkak të relevancës me zhvillimet aktuale. Në suazën e kontekstit rajonal të aleancës strategjike Turqi-Shqipëri, në titull të kumtesës së tij, z. Shaban Murati bëri me dije se kjo aleancë këshillohet nga roli jetik që marrëdhëniet dypalëshe luajnë për ekuilibrat strategjikë të Shqipërisë në rajonin ballkanik. Për të, si karakteri, ashtu dhe interesi i aleancës strategjike nuk lidhen me format e regjimeve në një kohë të caktuar në të dy vendet, as me emra të përveçëm që drejtojnë qeveritë dhe shtetet. Nuk lidhen as me oshilacionet e marrëdhënieve të këtij apo atij shteti me palë të treta, as me pikëpamjet dhe emocionet momentale, fetare, krahinore, kulturore, politike e ideologjike, të jetës së brendshme, ndërsa nuk mund të shihen as nga këndi i luftës së brendshme politike.
    Ligjëruesi në fjalë është palëkundshmërisht i mendimit se përcaktimi i Turqisë si aleat strategjik i Shqipërisë ka qenë një zgjidhje e drejtë strategjike e politikës së jashtme në vitin 2013, ngaqë vendosi një ekuilibër të nevojshëm në dobi të rolit të Shqipërisë në rajon.
    Teksa solli në vëmendje elementët që i japin përparësi Turqisë në përcaktimin si aleat strategjik i Shqipërisë, z. Shaban Murati theksoi me forcë – dhe kjo duhet patur parasysh nga çdo kritikues – se kombi shqiptar, në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni e kudo, nuk mund të harrojë se Turqia nuk ka asnjë centimetër tokë shqiptare në kufijtë e saj, nuk pretendon dhe nuk do të vijë të pretendojë asnjë centimetër tokë shqiptare, se ajo nuk ka ambicie territoriale ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë, se i ka njohur dhe i ka pranuar zyrtarisht dhe plotësisht kufijtë shtetërorë të Shqipërisë, dhe se Turqia ka demonstruar mbështetje të jashtëzakonshme për Shqipërinë në vitin e mbrapshtë 1997!

    Ai vijoi me dy rrethana të reja strategjike që e bëjnë të natyrshme aleancën mes dy vendeve: a) transformimi i faktorit shqiptar në rajon në faktor ballkanik pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësimit të Kosovës si shtet, krijimi i dy shteteve shqiptare i pritur ftohtë dhe armiqësisht nga shumica e vendeve ballkanike, ndërkohë që vetëm Turqia e përshëndeti dhe e përkrahu fuqishëm transformimin e faktorit shqiptar në faktor ballkanik, dhe b) fenomeni i ri negativ rajonal i kompozimeve të reja të grupimeve apo aleancave shtetërore, si reminishencë e fenomenit të grupimeve armiqësore ndaj çështjes shqiptare. Interesante, thotë z. Shaban Murati, është se këto grupime e kanë përjashtuar Shqipërinë, se nuk e kanë thirrur për pjesëmarrje, dhe, ç’është më e rëndësishmja, të gjitha grupimet janë krijuar jorastësisht vetëm me shtete ortodokse!

    Kësisoj, në planin rajonal, këshillon diplomati, një diplomaci largpamëse shqiptare duhet të punojë për ndërtimin dhe forcimin e një lidhjeje të veçantë Shqipëri-Kosovë-Turqi!
    I tërë simpoziumi i organizuar nga Fondacioni “ALSAR” i shërbeu një paraqitjeje të duhur të marrëdhënieve shqiptaro-turke, por për kohën në të cilën jetojmë, për debatin që ngjallin këto marrëdhënie, të tentuara të prishen nga disa qarqe, brenda apo jashtë territorit shqiptar, vlen të citohen veçmas më poshtë, në mbyllje, fjalët e fundit të kumtesës së z. Shaban Murati:
    “Nuk mund të bësh kurrë miq të rinj në arenën ndërkombëtare duke shndërruar në armiq miqtë që ke… Aleanca strategjike me Turqinë është një interes jetik i politikës rajonale, i strategjisë rajonale dhe i ekuilibrave rajonalë të Shqipërisë. Turqia është aleati strategjik më optimal i Shqipërisë në Ballkanin kontinental.”