Tag Archives: Humanitare

Ekipi i ALSAR-it shpërndan ndihma për banorët në zonat e dëmtuara nga tërmetet në Turqi

Goditur dhe shkatërruar prej tërmetesh të fuqishme të hënën e javës së kaluar, qytete dhe provinca të tëra në jug dhe juglindje të Turqisë janë në nevojë të ngutshme për ndihmë të gjithanshme.

Në kuadër të dhënies së kësaj ndihme ka vajtur në Kahramanmarash dhe një grup punonjësish të Fondacionit ALSAR. Ata prej ditësh po kontribuojnë në terren me shpërndarje ndihmash për banorët.

Aktiviteti i ngjeshur humanitar po zhvillohet në bashkëpunim dhe në bashkërendim me AFAD-in, Agjencinë e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave në Turqi, WEFA-n, organizatën e ndihmave me qendër në Gjermani, dhe një organizëm joqeveritar turk, Gönüllerde Birlik Vakfı.

Në Elbistan, një qytet në provincën e Kahramanmarashit, të prekurve nga tërmeti u jepen ushqime, batanije dhe artikuj të ndryshëm të nevojshëm.

Mes të ftohtit dhe rrënojave, ndihma përcillet duar më duar te nevojtarët, njerëz që kanë humbur të afërmit dhe shtëpitë.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar elbistan” alias=”postim-alsar-dru-dimer-1″]

Angazhim dhe përkushtim tërësor i ALSAR-it në dhënien e ndihmës monetare, materiale dhe në terren për vëllezërit në Turqi

Pasojat tragjike të tërmeteve të rëna në Turqi më 6 shkurt kanë zgjuar ndjenjën e solidaritetit ngado, në njerëz të thjeshtë, në organizata joqeveritare, në institucione shtetërore dhe qeveri.

Ndjenja e tilla e solidaritetit e ka përfshirë dhe Fondacionin ALSAR që në momentet e para të tragjedisë së përmasave apokaliptike, vënë në lëvizje për të kontribuar me ç’është e mundur në ndihmë të popullit mik e vëlla turk.

Organizime takimesh, mbledhje fondesh, ndihmash, dhe bashkërendime veprimtarish humanitare me ente partnere, me një objektiv të vetëm, “Në ndihmë të vëllezërve tanë në Turqi”, janë sot përditshmëria e Fondacionit ALSAR.

Në kuadër të mbledhjes së kontributeve monetare, një shumë prej 5.000 eurosh i është dërguar tashmë AFAD-it, Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave në Turqi.

Një kuzhinë lëvizëse dhe një grup punonjësish të fondacionit janë nisur dhe pritet të mbërrijnë në Kahramanmarash për të dhënë si ndihmë në terren ushqim të ngrohtë për të dëmtuarit nga tërmetet. Kuzhina lëvizëse do të qëndrojë atje për tre muaj, duke shpërndarë 15.000 racione ushqim në ditë, nga 5.000 racione për çdo vakt, në mëngjes, drekë dhe mbrëmje. Me një shumë bashkëshoqëruese prej 9.000 eurosh me këtë ndihmë do të blihen dhe artikuj të nevojshëm për banorët në zonë, në kushtet e emergjencës së plotë. Aktiviteti në terren i ALSAR-it koordinohet me WEFA-n, organizatën e ndihmave me qendër në Këln të Gjermanisë, dhe të dy entet e bashkërendojnë punën me AFAD-in.

Në të njëjtin kohë, po punohet për mbledhje dhe përgatitje artikujsh bazë për popullatën, batanije, dyshekë dhe veshmbathje, mes të tjerash, për t’u dërguar shumë shpejt me dy kamionë në zonat e goditura, ku çdo ndihmë është e mirëpritur.

Ky solidaritet dhe kjo veprimtari e ethshme për mbledhjen dhe dërgimin e ndihmave nuk merr fund në pak ditë. Angazhimi solidarizues dhe humanitar i Fondacionit ALSAR në ndihmë të vëllezërve në Turqi do të vijojë, me mundësitë dhe kapacitetet në dispozicion, për aq sa të jetë e nevojshme.

Solidariteti me popullin turk, Fondacioni ALSAR dhe LHSH-ja bashkëpunojnë për mbledhjen dhe dërgimin e ndihmave monetare

Në shprehje të solidarësisë me vuajtjet e popullit turk pas tërmeteve shkatërrimtare të 6 shkurtit, Fondacioni ALSAR dhe Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë po bashkëpunojnë prej ditësh për mbledhje dhe dërgim të ndihmave.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, në ambientet e Fondacionit ALSAR është bërë dorëzimi i një shume të konsiderueshme ndihme monetare të mbledhur nga LHSH-ja.

Kreu i këtij institucioni, z. Sokol Kondakçiu, e dorëzoi shumën monetare prej 10.000 eurosh të mbledhur si ndihmë, në zyrën e kryetarit të ALSAR-it, z. Mehdi Gurra.

Shuma në euro do të kalojë përmes ALSAR-it në destinacionin e duhur, në ndihmë të vëllezërve në Turqi.

Një përfaqësi e LHSH-së do të shkojë gjithashtu aty ku ka ndodhur fatkeqësia, për ta treguar nga afër solidaritetin dhe për të dhënë së bashku me ALSAR-in ndihmën në kapërcimin e fatkeqësisë që e ka goditur Turqinë mike.

Dru për ngrohje në ditë të ftohta dimri

Ndër veprimtaritë humanitare të zhvilluara në javën e lënë pas ishte dhe dhënia e një ndihme në dru për ngrohje për familje në nevojë.

Ndërsa ditët janë ftohur dhe ngrohja bëhet domosdoshmëri, ALSAR ka shpërndarë dru zjarri për 50 familje jetimësh, në sasinë një metër kub çdonjërës prej tyre.

Ndihma në dru zjarri pasoi shpërndarjen e pakove me ushqime dhe dhurimin e sobave; aktivitete të mbështetura nga HASENE, me qendër në Gjermani.

Qindra nevojtarëve përfituan nga shpërndarja e këtyre ndihmave, si ngaherë përgjatë stinës së dimrit.

Projektet tona dimërore në ndihmë të shtresave në nevojë realizohen më së shumti në bashkëpunim me partnerët tanë.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar dru dimer” alias=”postim-alsar-pako-per-invalidet-ne-shkoder-1-1″]

Zhvillimi i projekteve dimërore, dhurohen soba

Në vazhdën e aktiviteteve humanitare të Fondacionit ALSAR është bërë dhurimi i 10 sobave për familje të jetimëve.

Në veprimtarinë e zhvilluar për shpërndarjen e sobave kanë qenë të pranishëm dhe dy përfaqësues të HASENE-së, organizatës me qendër në Gjermani që e mbështeti projektin.

Dhënia e kësaj ndihme, shumë të nevojshme në këto muaj të ftohtë, ishte në kuadër të projekteve humanitare dimërore.

Gjatë këtyre ditëve janë shpërndarë dhe ndihma në ushqime e në dru zjarri.

Shtresa në nevojë, nevojtarë të ndryshëm, ndihmohen përgjatë gjithë dimrit në forma të ndryshme, me synimin për t’ua bërë më të lehtë përballimin e vështirësive të jetës.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar pako për invalidët në Shkodër 1″ alias=”postim-alsar-pako-per-invalidet-ne-shkoder-1″]

Me ushqime pranë nevojtarëve, ndahen pako për invalidët në Shkodër

Në zbatim të projekteve humanitare dimërore është shpërndarë në Shkodër një sasi e konsiderueshme ndihme në pako ushqimore.

Aktiviteti humanitar është zhvilluar në mesjavë dhe ka pasur në fokus ndihmën për anëtarë të shoqatës së invalidëve, njerëz në nevojë.

Për ta janë ndarë 80 pako me artikujt bazë ushqimorë.

Realizimin e projektit e mbështeti HASENE, organizata me qendër në Gjermani. Dy përfaqësues të saj ishin të pranishëm në veprimtarinë shpërndarëse.

Projekti vijon të shtunën me shpërndarjen e 100 pakove ushqimore për nevojtarë në Elbasan.

Bashkë me ndihmën e rezervuar për Tiranën, në tërësi do të shpërndahen 250 pako me ndihma ushqimore.

I vazhdueshëm është zhvillimi i projekteve të tilla nga Fondacioni ALSAR në ndihmë të shtresave në nevojë të shoqërisë.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar pako për invalidët në Shkodër” alias=”postim-alsar-nbotimet444-1″]

soap 2 day