Category Page: Arsimore

Përcillen nxënës që fituan të drejtën e ndjekjes së studimeve në Turqi

Të dielën e 26 shtatorit u nisën drejt Turqisë fituesit e aplikimit për ndjekjen e studimeve në medresetë atje.

Nxënësit fitues do të mësojnë në shkollën në Tekirdağ, Uluslararası Şehit Münir Alkan Anadolu İmam Hatip Lisesi.

Ata e patën kryer aplikimin gjatë verës në Fondacionin ALSAR, pasi shkolla, medreseja, në qytetin turk bëri të ditur se do të pranonte nxënës me bursë nga Ballkani për vitin e ri shkollor. Përzgjedhja u bë sipas kritereve të caktuara.

Djemtë e përcjellë për në medresenë në Tekirdağ do të gjejnë atje mjedisin e duhur për shkollimin e tyre.

Një numër i madh djem e vajzash i kanë ndjekur dhe vazhdojnë t’i ndjekin studimet në Turqi falë ndërmjetësimit dhe ndihmës së drejtpërdrejtë të Fondacionit ALSAR.

Me nivelin e tyre të lartë, shkollat e mesme dhe universitetet turke janë prej dekadash një destinacion i parapëlqyer për nxënësit dhe studentët shqiptarë.

Fëmijët e Lazaratit u gëzohen çantave të shkollës të dhuruara nga Fondacioni ALSAR

Stacioni i dytë në realizimin e projektit të Fondacionit ALSAR për shpërndarjen e çantave të shkollës dhe të mjeteve të tjera didaktike në këtë fillim të vitit të ri shkollor ishte Lazarati, në Gjirokastër.

Fëmijë të shumtë u mblodhën në një ambient të hapur të lokalitetit për të marrë çantat shkollore të dhuruara nga Fondacioni ALSAR.

Për ta u shpërndanë 350 çanta dhe mjete didaktike, të nevojshme për një nisje të mbarë të shkollës.

ALSAR e konsideron shkollimin e duhur të brezit të ri një garanci për të nesërmen e shoqërisë tonë, prandaj përpiqet pandërprerë t’i vijë atij në ndihmë në shumë forma, nga dhurimi i çantave te dhënia e bursave.

Projekti i tanishëm parashikon shpërndarjen e 1000 çantave dhe mjeteve didaktike në shkolla dhe lokalitete të ndryshme.

Dhurimi i çantave dhe mjeteve didaktike për nxënësit shoqërohet me urimin për një vit të mbarë shkollor!

[rev_slider slidertitle=”postim canta lazarat” alias=”postim-canta-lazarat”]

Dhurohen çanta për nxënës të Peshkopisë në nisje të vitit të ri shkollor

Shtatori i kthen nxënësit në bankat e shkollës, për të marrë dije dhe për t’u përgatitur për jetën. Dëshirës së madhe të fëmijëve dhe të rinjve për t’u arsimuar shpesh nuk i përgjigjet mundësia e kufizuar e prindërve për t’ua plotësuar nevojat për mjete didaktike, përgjithësisht në zona të varfra të vendit.

I ndjeshëm ndaj nevojave të komuniteteve, i gatshëm për t’u ardhur në ndihmë shkollave dhe nxënësve, Fondacioni ALSAR për çdo vit shkollor dhuron çanta dhe mjete të tjera didaktike. Një sipërmarrje e tillë është pjesë e aktivitetit arsimor të fondacionit, të kryer krahas aktivitetit humanitar dhe kulturor.

Dhurimi i çantave këtë shtator ka nisur nga Peshkopia. Në njësinë administrative Tomin, në periferi të Peshkopisë, çanta dhe mjete didaktike janë dhuruar për nxënës të shkollës 9-vjeçare “Idriz Kaba”.

Shpërndarjen e kanë bërë punonjës të Fondacionit ALSAR, ndihmuar nga arsimtarët e shkollës. Ndihma në çanta dhe mjete didaktike ishte për 150 nxënës.

Dhënia e çantave dhe mjeteve didaktike për nxënës të shkollave të ndryshme të vendit do të vijojë dhe në ditët e ardhshme. Prej dhuratave shkollore të Fondacionit ALSAR kanë për të përfituar 1000 nxënës.

Peshkopia ishte vendmbërritja e parë në këtë vit të ri shkollor; çanta shkollore do të dhurohen nesër në tjetër qytet, në tjetër shkollë, për të gëzuar të tjerë fëmijë, të tjerë nxënës.

[rev_slider slidertitle=”postim canta peshkopi” alias=”postim-canta-peshkopi”]

Kurset verore në të mbaruar, mbarëvajtja e tyre e parë nga afër

Fundi i stinës së verës sjell dhe mbarimin e kurseve verore, të hapura nga Fondacioni ALSAR, në bashkëpunim me donatorë të huaj.

Punonjës të fondacionit e ndoqën nga pranë gjatë javës së shkuar zhvillimin e këtyre kurseve në pjesë të ndryshme të vendit. Me interes qe të shihej efikasiteti i këtyre kurseve verore në edukimin dhe në zbavitjen e shëndetshme të fëmijëve në muajt e verës.

Konstatimet ishin pozitive, konkluzionet gjithashtu: një veprimtari e përvitshme e ALSAR-it, kurset verore u vlejnë vërtet fëmijëve për ta kaluar si duhet kohën e lirë, për t’u dëfryer e për të mësuar gjëra të reja.

Kurset verore kanë qëndruar të hapura për tre muaj në qytete dhe qyteza nga veriu në jug, ndjekur nga rreth 1000 fëmijë të moshës 8-15 vjeç. Krahas mësimit të dhënë nga një mësues për çdonjë prej 30 kurseve, fëmijëve u janë organizuar shëtitje dhe aktivitete të tjera argëtuese.

Si e ardhmja e vendit, si brezi më i ri, është shumë e rëndësishme që të tregohet vëmendje në formimin e karakterit të fëmijëve, në brumosjen e tyre me cilësitë më të mira njerëzore, e të mbahen larg ata nga veset, nga gjërat e dëmshme dhe të pamoralshme, aq të përhapura në këtë kohë. Nga kjo pikëpamje, kurset verore të ALSAR-it i shërbejnë edukimit etiko-moralo-besimore të fëmijëve, ua bëjnë atyre cilësor kalimin e muajve të pushimit.

Pas ca ditësh, fëmijët i presin bankat e shkollës, për t’u kthyer në kurset verore të Fondacionit ALSAR sërish në verën e ardhshme.

[rev_slider slidertitle=”postim Kurset verore” alias=”postim-kurset-verore”]

Përfaqësues të institucioneve arsimore turke marrin në provim aplikuesit për ndjekjen e studimeve në medrese në Turqi

Të dërguarit e medresesë në Tekirdağ, Uluslararası Şehit Münür Alkan Anadolu İmam Hatip Lisesi, morën sot në pyetje nxënësit e interesuar për ndjekjen e studimeve në të.

Procesi i një provimi me shkrim dhe i marrjes në pyetje të çdo individi u bë në ambientet e Fondacionit ALSAR, aty ku të interesuarit e kishin bërë tashmë aplikimin.

Përfaqësia e institucionit arsimor turk në Tekirdağ, e përbërë nga katër pjesëtarë të trupës arsimore, ua bëri të njohur fillimisht aplikuesve nëpërmjet pamjeve filmike ambientet shkollore ku ata mund të vazhdojnë studimet. Aplikuesit u njohën me lëndët dhe programin mësimor të shkollës, Uluslararası Şehit Münür Alkan Anadolu İmam Hatip Lisesi, dhe morën informacionin e duhur për gjithçka rreth saj.

Nxënësit iu nënshtruan më pas një provimi me shkrim, ndjekur nga pyetje të drejtpërdrejta për çdonjërin, për të parë nivelin aktual të përgatitjes së tyre shkollore.

Procedura e ndjekur është e zakonshme në përcaktimin e fituesve të aplikimit, të atyre që do të fitojnë të drejtën për t’i ndjekur studimet në shkollat përkatëse.

Përgjigjet për aplikuesit pritet të mbërrijnë pas pak ditëve.

Medreseja në Tekirdağ, Uluslararası Şehit Münür Alkan Anadolu İmam Hatip Lisesi, lajmëroi javë më parë se do të marrë nxënës me bursë nga Ballkani për vitin shkollor 2021-2022, e, në këtë kuadër, dhe nga Shqipëria. Përzgjedhja e tyre është tani drejt fundit.

Fondacioni ALSAR ua ka mundësuar në vite të rinjve dhe të rejave t’i ndjekin studimet e mesme dhe të larta në Turqi. Ndjekja e studimeve në Turqi është dëshirë dhe objektiv i shumë nxënësve dhe studentëve me ambicie, për nivelin e lartë të institucioneve arsimore turke dhe mundësitë në të ardhmen për punësim.

Zbavitja e fëmijëve të shkollës verore, piknik në Dajt

Larg qytetit, në mal, nga i nxehti përvëlues në freskinë e lartësive, ndjekësit e shkollës verore të Fondacionit “ALSAR” u çuan në mesjavë në Dajt për të kaluar një ditë çlodhëse dhe argëtuese.

Shend e verë nga një muaj i kaluar duke dëgjuar mësime për moralin, besimin, edukatën, fëmijët përjetuan dhe gëzimin e piknikut të organizuar aq bukur në një peizazh mahnitës dhe mjedis çlodhës.

Lojërat, konkurset dhe dreka e shtruar në mal, në pllajë, ua bënë të lumtur ditën jetimëve. Ca luajtën futboll, vajzat i ndau rrjeta e volejbollit, të tjerë zgjodhën të luajnë shah.

Orët mes pemëve, gjelbërimit dhe ajrit të pastër shkuan shpejt, për të mbetur një kujtim i bukur i kësaj vere. E veçantë ishte për fëmijët e shkollës verore e enjtja e 8 korrikut!

Organizim thuajse i përvitshëm i “ALSAR”-it, shkolla verore u ndoq në një muaj nga pesëdhjetë djem e vajza, fëmijë jetimë nën kujdesin e fondacionit. Mësimi u ndërthur me aktivitete zbavitëse, dhënia e dijes me lojërat. Fëmijët mësuan dhe u argëtuan!

Pikniku në Dajt shënoi mbylljen e shkollës verore, të një tjetër projekti të realizuar me sukses. E hapur në kryeqytet për fëmijë jetimë, ajo u shërbeu atyre për shtimin e diturive, për mësimin e gjërave të reja, për kalimin sa më mirë të një pjese të stinës së verës.

Të tjera projekte e pasojnë shkollën verore. Shumë prej tyre janë për fëmijët jetimë!

[rev_slider slidertitle=”postim blog alsar ne dajt” alias=”postim-blog-11″]

soap 2 day