Category Page: Humanitare

Jepet për fëmijë jetimë ndihma financiare e zekatit, kontribut nga WEFA

Në programin e aktiviteteve të organizatës së ndihmave me qendër në Gjermani, WEFA, të organizuara në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR në ditët e Kurban Bajramit, përfshihej dhe dhënia e ndihmës financiare të zekatit për fëmijë jetimë.

Kjo ndihmë u shpërnda për 70 jetimë në ambientet e Fondacionit ALSAR.

Përfituesit, e gjendur nën përkujdesin e pandërprerë të Fondacionit ALSAR, e morën zarfin me shumën e zekatit nga përfaqësuesit e WEFA-s të ardhur në vendin tonë.

Projekti i dhënies së ndihmës financiare të zekatit për jetimët mbështetet vijimësisht nga WEFA, një partner i çmuar i ALSAR-it.

Nga bashkëpunimi frytdhënës kanë përfituar përmes projekteve humanitare shumë e shumë jetimë, fëmijë për të cilët kujdesi është i veçantë.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar zekat femijet jetim 1″ alias=”postim-alsar-zekat-femijet-jetim-1″]

Jetimëve u dhurohen veshmbathje, projekt i mbështetur nga WEFA

Festat, posaçërisht bajramet, nuk mund të kuptohen e të përjetohen plotësisht pa gëzimin e fëmijëve. Dhuratat janë ato që i lumturojnë më tepër të vegjlit. Një veshje e re dhe e bukur është ajo çka ata duan në ditë feste.

Në kuadër të Kurban Bajramit, fëmijë jetimë nën kujdesin e Fondacionit ALSAR kanë marrë dhuratë veshmbathje.

Projektin e dhurimit të veshmbathjeve e mbështeti WEFA, organizata e ndihmave me qendër në Gjermani dhe partnere e ALSAR-it në aktivitete të shumta bamirëse.

Në një atmosferë festive, veshjet u shpërndanë për fëmijët në ambientet e Fondacionit ALSAR. Nga projekti përfituan 270 jetimë.

Përkushtimi i Fondacionit ALSAR për jetimët mbetet gjithmonë i pandryshuar. Projekte të shumta u kushtohen atyre përgjatë gjithë vitit, veçanërisht në kohë festash.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar mish kurban femijet jetim” alias=”postim-alsar-mish-kurban-fenijet-jetim”]

Mijëra familje të ndihmuara nëpërmjet projektit të kurbaneve, festë dhe solidaritet

Devotshmëria, sakrifica dhe solidariteti janë cilësi humane që Kurban Bajrami i bashkon, i ndërthur dhe i vë në pah në mënyrë të përsosur. Therja e bagëtisë në këtë ditë feste ka simbolikë të fortë; ajo përcjell mesazhe, e vetëdijëson njeriun, besimtarin, për pozitën dhe misionin e tij në këtë jetë, nxit përuljen dhe zemërgjerësinë.

Ndërsa solidariteti gjendet në bërthamën e Fondacionit ALSAR, është e vetëkuptueshme se Kurban Bajrami merr për këtë institucion domethënien e veprimtarive të shumta bamirëse, për të ndihmuar dhe gëzuar nevojtarët.

Projekti i kurbaneve është afirmuar prej shumë kohësh si një aktivitet i suksesshëm me seriozitetin e zbatimit të tij, të shtrirjes në shumë qendra të banuara, lokalitete dhe qytete. I konsoliduar me kalimin e viteve, projekti zgjerohet dhe përfshin më shumë të ndihmuar, njerëz e familje në pritje të bamirësisë.

Punonjësit e fondacionit sakrifikojnë ditët e tyre të festës për të kënaqur dhe lumturuar nevojtarët, pa pyetur për orët e gjata në diell e në shi, këmbëngulës në objektivin për ta realizuar siç duhet projektin e për ta shpërndarë sa më mirë mishin e kurbanit.

Projektin e çojnë sigurisht përpara kontribuesit e ndryshëm, organizata partnere dhe dhurues të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit.

Tirana, Elbasani, Kavaja, Lushnja, Librazhdi, Përrenjasi, Gramshi, Maliqi dhe Pogradeci ishin nëntë qytetet ku u shtri projekti i këtij viti, i 2022-shit. I realizuar në koordinim dhe bashkëpunim me autoritetet lokale, përmes tij përfituan mish kurbani 9005 familje, pjesë e shtresave sociale në nevojë.

Shprehjen e prekshme të solidaritetit shoqëror me njerëzit në nevojë, dhurimin e mishit të kurbanit, e mundësoi kontributi i çmuar nga “IGMG Hasene Hilfs-und Sozialverein”, me qendër në Gjermani, IHH me qendër në Holandë, WEFA, me qendër në Gjermani, “Emin”, me qendër në Gjermani, Organizata Botërore e Bamirësisë Islame, me qendër në Kuvajt, ATİB, me qendër në Gjermani, AL MUSTAFA, me qendër në Britaninë e Madhe, UK Islamic Mission, me qendër në Britaninë e Madhe, si dhe nga dhurues të ndryshëm, vendas dhe të huaj. Fondacioni ALSAR i falënderon të tërë këta kontribues!

Urimet për Kurban Bajramin e bashkëshoqëruan ngado projektin. Mirënjohja e të ndihmuarve për mishin e kurbanit ishte kudo e pranishme.

I Fondacionit ALSAR qe mesazhi i forcimit të devotshmërisë, vëllazërisë dhe solidaritetit!

[rev_slider slidertitle=”postim alsar mish kurban” alias=”postim-alsar-mish-kurban”]

Një pasqyrë e ditëve të solidaritetit human, e morisë së veprimtarive humanitare dhe të të ndihmuarve në një muaj të madhëruar

Ramazani i këtij viti ishte i veçantë, sepse vinte pas një periudhë të gjatë pandemie, dyvjeçare, gjatë si cilës ai ishte përjetuar me kufizime, pa atë ndjesinë genuine që e përshkon fund e krye. Vetë jeta jonë kishte patur për një kohë mjaftueshëm të lodhshme privimet e veta, nga lëvizja e kufizuar te kufizimi i jetës sonë shoqërore.

E për këtë arsye, së bashku me gëzimin e sjellë gjithherë prej tij, Ramazani këtë herë pati dhe la një shije krej tjetër, shumë më të fortë, shumë më mbresëlënëse. Dhe, nëse qëndrojmë ende në shinat e përjetimit të përgjithshëm, karakteristikë dalluese ishte masiviteti, bash dhe për çka parashtruam më lart.

Ndjenja të larta humane u rishfaqën me forcë, të jetuarit si në ishull ia la vendin kalimit bashkë mes njerëzve të kohës, agjërimit, hapjes së dyerve, ngrënies e lutjes së bashku. Prej hapjes së zemrave gufoi dashuri e humanizëm i sinqertë, me shkëlqimin e ngjashëm të ditëve dhe netëve të këtij muaji.

Në këtë shprehje të natyrshme, të vetvetishme, të vëllazërisë, të të menduarit për tjetrin si për veten, aktiviteti humanitar i Fondacionit ALSAR ishte i destinuar të përshpejtohej, të zgjerohej, të përfshinte më shumë njerëz dhe pikëmbërritje.

Nuk është e nevojshme të thuhet më se ditët e solidaritetit human ndjekin rregullin e tyre të përsëritjes në ALSAR sa herë që Ramazani troket. As se gjithçka bëhet në një muaj, se ç’ndihmë jepet, është në themelet e misionit që fondacioni ia ka ngarkuar vetes prej momentit kur e ka nisur rrugëtimin e tij. Ky aktivitet nuk përbën risi tanimë; çudi do ishte në do mungonte!

Po, mund të thuhet ama se një përgatitje e madhe u paraprin ditëve të solidaritetit human, për të bërë planet, për të skicuar hartën e shpërndarjes së ndihmave, për t’u sinkronizuar me dhuruesit, dhe për të mos i lënë asgjë rastësisë.

Aktiviteti në Ramazanin e sapolarguar u kanalizua në tre drejtime: shpërndarje pakosh me ushqime, shtrime iftaresh, dhe dhënie ndihme për fëmijët jetimë, përgjithësisht në veshmbathje, por dhe financiare.

Të shumtë ishin kontribuesit, dhuruesit, për të cilët falënderimi është i vetëkuptueshëm. Shoqata, organizata, fondacione, institucione, ambasada, bashki dhe sindikata, si dhe donatorë vendas, kontribuan të gjithë që dhe më të varfrit, më fatkeqët, invalidët, më të pamundurit, më të vuajturit, t’i gëzoheshin qoftë dhe fare pak Ramazanit.

Në tridhjetë ditë e diçka më tepër u shpërndanë si ndihmë 8000 pako me ushqime, u shtruan apo u paketuan iftare për 9000 persona, dhe u ndihmuan 600 fëmijë jetimë!

TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, dha 3500 pako ushqimore ndihmë, 500 pako dha IHH-ja me qendër në Holandë, 1556 dhuroi HASENE-ja, kontributi nga ATİB ishte me 60 pako, Türkevi dhe Avrupa Yardım Vakfı ndihmuan me nga 50 pako, 200 pako ishin donacion i HAYRAT-it, WEFA kontribuoi me 250 pako, të EMIN-it ishin 70 pako, Bashkia e Bağcılar-it, në Stamboll, dhuroi 100 pako, nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve dhe Ambasadës së Kuvajtit në Tiranë u shpërndanë 150 pako, organizimet sindikaliste turke, HAK-İŞ dhe Hizmet-İş dhuruan të njëjtin numër pakosh, 150, İyiliğe Çağrı Uluslararası İnsani Yardım Derneği erdhi me 200 pako, IHH-ja me qendër në Belgjikë iu bashkua aktivitetit humanitare me 100 pako, ndihma nga DİTİB përbëhej nga 500 pako, dhe donatorë vendas dhanë si kontribut 564 pako. E tërë sasia u shpërnda nëpërmjet organizimit dhe pranisë aktive të ALSAR-it në terren, ngado, nga Tirana e kudo në Shqipëri.

Për shtrimin e iftareve, ose shpërndarjen e tyre të paketuar, e rëndësishme ishte gjithashtu ndihma e donatorëve. Iftaret nën emrin dhe kontributin e TİKA-s ishin për 3000 persona, në iftaret e IHH-së me qendër në Holandë morën pjesë 500 persona, 4000 të tjerë shijuan iftaret e HASENE-së, WEFA dhe EMIN shtruan iftare përkatësisht për 300 dhe 500 persona, İyiliğe Çağrı Uluslararası İnsani Yardım Derneği shtroi iftar për 200 persona, IHH-ja me qendër në Belgjikë thirri në iftar 100 persona, ndërsa iftaret për 350 persona ishin kontribut i donatorëve vendas.

Fëmijët jetimë iu gëzuan në Ramazan veshjeve të reja, dhe një numër prej tyre dhe ndihmës financiare, dhënë dhuratë nga partnerë të Fondacionit ALSAR. IHH-ja me qendër në Holandë dhuroi veshmbathje për 100 fëmijë jetimë, Avrupa Yardım Vakfı për 11 fëmijë jetimë, WEFA u dhuroi veshmbathje 250 fëmijëve jetimë dhe dha ndihmën finaciare të zekatit për 50 jetimë, EMIN u kujdes për veshmbathje të reja për 75 jetimë, një kontribut i bashkëshoqëruar me ndihmë financiare për 50 jetimë, İyiliğe Çağrı Uluslararası İnsani Yardım Derneği veshi me rroba të reja 50 fëmijë jetimë, IHH-ja me qendër në Belgjikë dha ndihmë financiare dhe në veshmbathje për 10 fëmijë jetimë, Organizata e Bamirësisë me qendër në Kuvajt pati për kontribut veshmbathje për 100 jetimë, dhe për veshmbathjet e reja të katër jetimëve u kujdesën dhurues vendas.

E tërë kjo pasqyrë me shifra dhe emra dhuruesish flet së pari për energjitë pozitive dhe ndjenjën vëllazërore e të humanizmit që sjell e ndez muaji i Ramazanit. Së dyti, ajo tregon në mënyrë fare të përmbledhur madhësinë e veprimtarive të zhvilluara në një muaj nga Fondacioni ALSAR. Së treti, shpreh në mënyrë të nënkuptuar besimin e krijuar në vite nga partnerët për korrektësinë dhe angazhimin maksimal të fondacionit tonë, si dhe emrin e mirë të krijuar prej tij nga puna e palodhur në ndihmë të shtresave në nevojë.

Kontributi i HASENE-së në shtrimin e iftareve, mijëra pjesëmarrës

Mbështetje të madhe i dha HASENE projektit të shtrimit të iftareve, një traditë e kahershme e Fondacionit ALSAR, gjithmonë në pasurim.
Organizata e ndihmave me qendër në Gjermani e ofroi kontributin në kuadër të ditëve të solidaritetit human në Ramazan.
Banorë të shumtë qytetesh dhe lokalitetesh, agjërues në muajin e madhërueshëm, dhe njerëz në nevojë, u thirrën të ndajnë së bashku momente vëllazërie në ngrënien e përbashkët të iftarit.
Shtruar në Tiranë, Kavajë, Elbasan, Cërrik dhe Fushë-Krujë, iftaret e HASENE-së patën një pjesëmarrje të përgjithshme masive prej 4000 personash.
Mbarëvajtjen e aktiviteteve e garantoi organizimi i patëmetë i Fondacionit ALSAR, i pranishëm ngado me ndihmën e tij humanitare.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar 44 1 1 11 1 1 1″ alias=”postim-alsar-44-1-1-11-1-1-1″]

Mbështeti në Ramazan me ndihma dhe DİTİB, me qendër në Gjermani

Një prej kontribuesve të shumtë në ditët e solidaritetit human gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit ishte dhe DİTİB, Unioni Turko-Islam për Çështjet Fetare.

Ky organizëm me qendër në Gjermani kontribuoi me 500 pako ushqimore, shpërndarë për njerëz në nevojë në Tiranë, Kavajë dhe Cërrik.

Ndihma në ushqime e dhënë nga DİTİB u shpërnda në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR, organizator i shumë veprimtarive humanitare në këtë muaj.

Mijëra njerëz në nevojë janë ndihmuar falë këtyre kontributeve, përçuese të frymës së solidaritetit njerëzor.

Ramazani është muaji kur virtyti mbizotëron, e prej tij vihet në lëvizje dhe një aktivitet i gjerë humanitar. Fondacioni ALSAR spikat me projektet e tij humanitare në ndihmë të shtresave në nevojë, realizuar me mbështetjen e shumë organizatave, shoqatave, fondacioneve dhe institucioneve.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar 44 1 1 11 1″ alias=”postim-alsar-44-1-1-11-1″]

soap 2 day