Category Page: Kulturore

Botimet ALSAR: dhjetë libra me rrëfenja kur’anore, histori me ilustrime për pejgamberë, njerëz dhe ngjarje

Në serinë e botimeve tona, sjellim për lexuesit dhjetë libra me tregime për të dërguarit e Zotit.

Janë histori kur’anore të thjeshtuara, të shoqëruara me ilustrime, për një lexues ende të parritur mirë. Botimi u kushtohet fëmijëve, me tekste tërheqëse dhe të lexueshme lehtësisht prej tyre.

Dhjetë librat janë përkthime nga boshnjakishtja. Rrëfenjat ngjallin kureshtjen e të vegjëlve dhe u japin mësime të çmueshme, ndërsa ilustrimet i bëjnë më të përthithshme historitë.

Tregimet fillojnë me Ademin, njeriun e parë mbi tokë, dhe përfundojnë me Muhammedin, a.s., vulën e profetëve. Mes tyre do të lexohet për Nuhun, Hudin, Salihun, Lutin, Shuajbin, Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Musain, Davudin, Sulejmanin, Junusin, Zekerijain, Jahjën dhe Isain, duke përmendur veç një pjesë të të përmendurve e të të treguarve në Kur’an.

Libri i katërt është i tëri për Jusufin, a.s., si një prej historive më të bukura njerëzore, përçuese e përfundimeve dhe mësimeve të jashtëzakonshme morale, nga nevoja për durim në çdo gjë te domosdoshmëria e mbështetjes së plotë tek Zoti dhe vullneti i Tij.

Jeta e Profetit Muhammed, a.s., më shembullorja e një njeriu ndonjëherë në këtë botë, zë hapësirën e tre librave të fundit. Mjedisi, rritja dhe pjekja e tij, nisja e misionit profetik dhe përmbushja e detyrës së caktuar nga lartësitë hyjnore, përshkruhen me aq hollësi sa për një botim të tillë me specifikat përkatëse.

Botimet ALSAR, kujdesur për çdo nivel lexuesi, u japin rregullisht gjëra të reja të vegjëlve. Dhjetë librat, si rrëfenja kur’anore, i sugjerohen çdo prindi të angazhuar seriozisht për rritjen e fëmijëve të tij me frymën e besimit.

Aktivitet kulturor në Konispol, dhurohen 300 tituj librash dhe materialet e ekspozitës “Çamëria”

Vetëm pak javë pasi Fondacioni ALSAR mbajti në Konispol simpoziumin shkencor për 80-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, është kthyer sërish atje për realizimin e një projekti kulturor.

Këtë të mërkurë u zhvillua një aktivitet dhurues, ndihmues për gjallërimin e jetës kulturore të Konispolit. Një ceremoni iu kushtua dhurimit të 300 titujve të librave, dhënë në dy kopje, dhe materialeve të ekspozitës “Çamëria”. Po ashtu u dhuruan dhe 20 mbajtëse të materialeve të ekspozitës, së përuruar fillimisht një muaj më parë në sheshin me të njëjtin emër.

Fondacionin ALSAR e përfaqësoi në këtë aktivitet drejtuesi i tij, z. Mehdi Gurra. Ai u prit nga kryetari i Bashkisë së Konispolit, z. Ergest Dule. Të pranishëm në ceremoni ishin dhe punonjës të bashkisë.

Librat dhe materialet e ekspozitës pasurojnë nga pikëpamja kulturore institucionin bashkiak, lokalitetin, dhe u shërbejnë qytetarëve të Konispolit.

Ato janë një tjetër kontribut i Fondacionit ALSAR për Konispolin, në radhën e aktiviteteve të vazhdueshme kulturore, arsimore dhe humanitare për të.

Në vlerësim të këtij kontributi të gjatë, një certifikatë mirënjohjeje u dha me këtë rast për Fondacionin ALSAR.

Përkujtohet në Tiranë 8-vjetori i përpjekjes së dështuar për grusht shteti në Turqi, kryetari i Fondacionit ALSAR u flet të pranishmëve në ceremoni

Në përvjetorin e tetë të përpjekjes së dështuar për grusht shteti, Turqia përkujton martirët e saj, bijtë dhe bijat që sakrifikuan jetën për vatanin, për të sotmen dhe të ardhmen e vendit të tyre.

Në Ditën e Demokracisë dhe të Unitetit Kombëtar, një valë aktivitetesh e përkujtojnë ngjarjen me shenjë të pashlyeshme në historinë e Turqisë moderne.

Siç për çdo vit, një ceremoni përkujtimore u zhvillua dhe në kryeqytetin tonë, në parkun e Liqenit Artificial, aty ku gjendet memoriali me emrat e dëshmorëve të 15 korrikut.

Ceremonia e organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë u ndoq nga funksionarë të institucioneve turke në vendin tonë, nga përfaqësues të shoqërisë civile, të mjeteve të informimit, dhe qytetarë.

Himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Turqisë hapën ceremoninë. Ambasadori i Repuıblikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, iu drejtua të pranishmëve, duke e përmbledhur me fjalë të zgjedhura aktin heroik të popullit turk, një epope me qindra dëshmorë dhe mijëra të tjerë të lënduar.

Ai u ndal te lufta ndaj FETO-s, organizatës terroriste, përgjegjëse për gjakderdhjen e tetë viteve më parë, me nënvizimin se fatkeqësisht struktura e saj vazhdon të ekzistojë në mënyrë të rrezikshme në Shqipëri. Ambasadori turk tha, megjithatë, se FETO po humb pushtet dhe jashtë vendit pasi iu thye shtylla kurrizore në Turqi, e se do të pushojë së ekzistuari, ndërsa e përhershme është Republika e Turqisë.

Të pranishmëve u foli në emër të organizatave të shoqërisë civile kryetari i Fondacionit ALSAR. Z. Mehdi Gurra tha për të pranishmit në nisje të fjalës së tij:

“Mbledhja pranë këtij memoriali është kthyer në ritual për ne. Ardhja jonë flet për respekt të palëkundur për 251 martirët e një momenti të kobshëm, e njëkohësisht të lavdishëm, në historinë e shtetit modern turk.

Ngjarjet e 15 korrikut të vitit 2016 nisën si një grusht shteti i radhës, pjesë e një cikli puçesh që e kishin mbajtur Turqinë prej dhjetëvjeçarësh nën tutelë. Por shpirti heroik turk, i mbrujtur me besimin në Zot dhe me dashurinë e pashoqe për atdheun, u dha mësimin më të mirë veglave të së keqes, mendjeve të pushtuara nga tentakulat e oktapodit me filozofi dhe veprim pervers antishtetëror.

Pushtuesit e urave, aeroporteve, televizioneve, institucioneve shtetërore, agresorët me tanke, avionë e helikopterë, nuk e kishin imagjinuar atë reagim të fuqishëm popullor. Kushtrimi i presidentit Erdoğan nëpërmjet një mjeti telefonik çoi në këmbë vullnetin e popullit, asnjëherë më parë të treguar aq energjikisht. Përpjekja për grusht shteti, më e përgjakshmja në Turqi, nuk mundi ta realizojë qëllimin e prishjes së rendit kushtetues dhe të zëvendësimit të organeve të ligjshme shtetërore me një juntë ushtarake.”

Në lidhje me luftën ndaj FETO-s, dhe në kuadër të aktualitetit, z. Gurra u shpreh: “Një luftë tjetër, më e gjatë, ka vazhduar prej asaj dite: ajo e shkuljes me rrënjë të fijeve të organizatorëve të asaj gjakderdhjeje puçiste dhe e shkallmimit të frymës që e mundësoi atë. Shtrirja dhe jashtë kufijve të Turqisë e kësaj lufte ka ndeshur në pengesa dhe nuk ka qenë aq e lehtë. Shteti turk ka dashur t’ua bëjë të qartë të gjitha vendeve mike dhe partnere rrezikshmërinë e FETO-s, që mund të kërkojë ta destabilizojë situatën aty ku lihet e lirë të veprojë.

Në vendin tonë kemi akoma shumë rrugë përpara, për ndërgjegjësimin e njerëzve mbi rrezikun gylenist, mbi funksionimin kapilar dhe të fshehtë të kësaj organizate, dhe për përballjen vendosmërisht me këtë qenie monstruoze.

Për t’i çjerrë maskën si duhet FETO-s kërkohet informacion i drejtpërdrejtë, i pashtrembëruar dhe i pamanipuluar. Njerëzit duhet ta kuptojnë mirë se pas buzëqeshjes së këtyre njerëzve fshihet një shpirt i lig, aspak i interesuar për të mirën e përgjithshme. Kjo e vërtetë duhet thënë hapur dhe fort, për të hequr çdo iluzion naiv. Dhe ai ideal besimor, nëse ekziston sado pak, te gulenistët, është thellësisht i prishur nga ideologjia malinje e strukturës okulte. Ne duhet ta mundim dhe këtu FETO-n! Nuk duhet të kenë të ardhme gylenistët tek ne! As në organet shtetërore, as në institucionet joqeveritare, dhe as në mesin e njerëzve të thjeshtë!

Emrat e dëshmorëve në këtë memorial na kujtojnë se sa e shtrenjtë është liria. Lusim Zotin të mos jemi të detyruar të paguajmë një çmim të ngjashëm!

Në këto momente solemne, duhet të kujtojmë dhe mijëra të vrarët në Gaza, e të lutemi që për të mbijetuarit të mbarojnë vuajtjet e të vijë paqja.

E mbyll fjalën time në këtë ditë të unitetit kombëtar në Turqinë mike me përkujtimin tërë nderim të sakrificës sublime të të rënëve në epopenë e shkruar në mesin e korrikut të 2016-s.

Zoti i ruajttë Turqinë dhe Shqipërinë dhe i begatoftë!”

Lutja për të rënët, këndimi i Kur’anit dhe vënia e luleve në memorialin me emrat e dëshmorëve të popullit turk, plotësuan ceremoninë përkujtimore.

Pjesëmarrësit në ceremoni patën mundësi të shihnin dhe fotografi të ekspozuara me këtë rast, me tematikë ngjarjet e mesit të korrikut të 2016-s në Turqi.

Organizuar nga Fondacioni ALSAR, u zhvillua konferenca shkencore, “80 vjet nga gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë”

Në një ditë përkujtimore për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë, në një përvjetor, Fondacioni ALSAR mbajti në Hotel “Tirana International” në kryeqytet një konferencë shkencore.

Me një pjesëmarrje të gjerë, konferenca me titull, “80 vjet nga gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, u ndoq dhe u përcoll me interes.

Ajo u hap me himnin kombëtar dhe me fjalën e mbajtur nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Për pjesëmarrësit u shfaq një dokumentar i shkurtër për Çamërinë dhe vuajtjet e çamëve.

Në seancën e parë, të drejtuar nga prof. dr. Fatmira Rama, u mbajtën gjashtë kumtesa. Akademik prof. dr. Beqir Meta trajtoi ndikimin e çështjes çame në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Kumtesa e radhës qe e dr. Halil Hysenit, titulluar, “Çamëria në dosjen diplomatike të Shqipërisë”. Akademik prof. dr. Pëllumb Xhufi mbajti kumtesën, “Çamët dhe pushtuesit: krijimi i një miti”.

Fjalën e morën më pas prof. asoc. dr. Ledia Dushku, dr. Erarba Çiraku dhe Enver Kushi, me kumtesat e titulluara respektivisht, “Të padëshiruarit! Procesi i krjimit të hapësirave etnikisht homogjene dhe krahina e Çamërisë (1912-1944)”, “Çështja çame në politikën e jashtme italiane”, dhe “Deklarata e kryeministrit grek Teodoros Pangallos, e vitit 1926, për marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe Çamërinë”.

Seancën e dytë, me pesë kumtesa, e drejtoi akademik prof. dr. Beqir Meta. Para mikrofonit doli e para prof. dr. Fatmira Rama, trajtesa e së cilës mbante titullin, “Ndikimi i Komisionit Miks të Lidhjes së Kombeve për shkëmbimin e popullsive greko-turke në dëbimin e shqiptarëve nga Greqia gjatë viteve 1923-1926”. Dr. Sali Kadria trajtoi situatën në Çamëri në vitet 1928-1933. Nga dr. Qerim Lita do të mbahej trajtesa, “Çështja çame gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Kumtuesi i parafundit, Ahmet Mehmeti, u ndal te ligji i luftës me Shqipërinë dhe gjenocidi mbi minoritetin shqiptar në Çamëri. Trajtesa e fundit e konferencës shkencore u mbajt nga Petrit Zeneli, me temë, “Masakra greke e 10 korrikut 1914, në Panarit të Korçës”.

Stenda me fotografi dhe të dhëna mbi Çamërinë dhe çamët, punuar me kujdes, ishin ekspozuar në hyrje të sallës e brenda saj.

Tituj nga Botimet ALSAR, mes tyre të lidhur tematikisht me ngjarjen e përkujtuar dhe konferencën, iu bënë të njohura pjesëmarrësve me vendosjen në kënde të sallës “Balsha”.

Në hapësirën midis dy seancave pati dhe një koktej për të pranishmit.

Nis punimet konferenca shkencore për 80-vjetorin e gjenocidit ndaj çamëve, kryetari i Fondacionit ALSAR mban fjalën e hapjes

Në mjediset e Hotel “Tirana International”, në sallën “Balsha”, ka hapur punimet paraditen e kësaj të enjte të 27 qershorit konferenca shkencore në përkujtim të 80-vjetorit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Konferenca shkencore mbahet nën organizimin e Fondacionit ALSAR. Ajo është e ndarë në dy seanca, gjatë së cilave do të mbahen një varg kumtesash nga akademikë dhe studiues.

Të pranishëm në nisjen e punimeve ishin përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës në Tiranë, përfaqësuesi i Ambasadës së Rusisë në Tiranë, atasheu për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, përfaqësuesi i Kishës Katolike, dhe zëvendësprefekti i Tiranës.

Intelektualë, aktivistë shoqërorë, punonjës të medias dhe qytetarë mbushën sallën për të ndjekur aktivitetin.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra. Në krye të saj, ai do të theksonte: “Fondacioni ALSAR, me një karakter të fortë kombëtar, organizon për herë të dytë brenda kësaj jave një aktivitet të këtij lloji për të përkujtuar një tragjedi njerëzore, një dramë me fund të dhimbshëm.

Po aq sa një përkujtim, kjo konferencë shkencore, si simpoziumi i mbajtur në Konispol dy ditë më parë, shërben si një thirrje për të lëvizur vendit, për të mos e lënë çështjen çame të dergjet, për të dhënë shpresë se një ditë e drejta do të triumfojë.

Tetëdhjetë vite më parë, në botën e zhytur në një luftë të përgjakshme, një popullsi e tërë do ta paguante me jetë, me dëbim e prona të humbura çmimin e të qenit shqiptare dhe muslimane. Shovinistët grekë në kufirin tonë jugor, të vendosur ta përfundonin njëherë e mirë një përndjekje të gjatë, vranë e prenë çamë, bastisën e nxorën nga shtëpitë pleq e fëmijë, i poshtëruan dhe i dëbuan me mizori ekstreme.

Nuk bëhej fjalë për një egërsi disaditore, por për një spastrim etnik të shtrirë në kohë, nga qershori i 1944-s në muajt e parë të vitit pasardhës. Një punim studimor i nxjerrë së fundi nga Botimet ALSAR jep detaje dhe shifra të dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Studiuesja turke, të cilën mbase mund ta kishim mes nesh sot nëse do të kishte patur jetë më të gjatë e nuk do të ikte nga kjo botë njëmbëdhjetë vite më parë, vetëm pak ditë pas botimit të punimit të saj, thotë se akuza kundër çamëve, për bashkëpunim me armikun apo për tradhti, ishte krejtësisht e pabazë, e përhapur vetëm si justifikim.

Barbaria përfshinte përdhunime, rrëmbime, masakrime foshnjash, rrafshime fshatrash, djegie e plaçkitje të shtëpive dhe objekteve të kultit, pra, xhamive. Jo më pak e egër qe dhe grabitja e të mirave materiale të çamëve, këtyre njerëzve me shumë emër si punëtorë të papërtuar e nikoqirë shembullorë.

Konfiskimet, asimilimi i shqiptarëve ortodoksë të padëbuar, dhe sjellja e popullsive të tjera në vendbanimet çame për një përmbysje demografike, ishin pjesë e procesit gjenocidal.

Këtu është rasti të sjellim në kujtesë, si një ndërfutje, por me protagonistë negativë sërish nga fqinji ynë jugor, një ngjarje në 110-vjetorin e saj. Masakra e Panaritit u krye nga andartët grekë në korrikun e vitit 1914. Ekzekutimet u morën jetën qindra njerëzve, në një parathënie të akteve të ngjashme mizore në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë.”

Fjala e z. Gurra vijoi kështu: “Më shumë se tridhjetë vite pas ndërrimit të sistemit qeverisës në Shqipëri, çështja çame mbetet një temë delikate në marrëdhëniet shtetërore me Greqinë. Artikulimi i qartë dhe i plotë i çështjes dhe kërkimi i të drejtave të mohuara të çamëve ka munguar në tërësi. Diplomacia edhe kur ka patur guximin ta parashtrojë atë, e ka bërë më tepër me gjysmë zëri, jo e vendosur për t’i shkuar në fund.

Ndryshimet e pushtetit kanë reflektuar dhe ndryshime në qasjen ndaj çështjes çame. Por pika e përbashkët e të gjithë qeverisësve në vendin tonë ka qenë kujdesi i tepruar për të mos i cenuar marrëdhëniet me vendin që e mohon kategorikisht të ketë një çështje çame.

Për të mos e lënë gjithçka në vullnetin e organeve shtetërore, dhe për të mos ia ngarkuar tërësisht barrën shtetit, është detyrë e shoqërisë të ketë një angazhim më të madh dhe të marrë përgjegjësi. Organizatat joqeveritare duhet ta kenë të vazhdueshme në axhendë dhe aktivitet çështjen çame, për ta bërë më të njohur, më të qarkullueshme dhe më të pranishme në lëgjirimin publik. Ky rol proaktiv do duhet të merret në konsideratë me seriozitet, sepse çështjes çame nuk i vihet në ndihmë nëse atë ia njohim si specifikë vetëm ndonjë organizate, shoqate apo organizimi politik. Ne mendojmë se, duke qenë një çështje kombëtare, çështja çame duhet të jetë në çdo program partiak të spektrit tonë politik, bashkë me rrugët e zgjidhjes.

Tragjedia çame ka pika të përbashkëta me kalvarin e vuajtjeve të tatarëve të Krimesë; një popullsi muslimane e persekutuar, e vrarë dhe e dëbuar nga mëmëdheu. Qëndresa e dy popullsive ka po ashtu ngjashmëri. Çfarë i dallon tatarët është fakti se ata, falë sakrificës së tyre të paepur si shoqëri, ia dolën të kthehen në masë të konsiderueshme në vendlindje apo në vendin e të parëve. Aneksimi i Krimesë nga Rusia para dhjetë viteve e ka përkeqësuar sërish gjendjen, të rënduar akoma më tepër nga invazioni ushtarak në Ukrainë.

Kthimi i çamëve në tokat e tyre është ende i pamundur, dhe e kundërta nuk duket se mund të ndodhë shpejt. Historia i jep mësimet e duhura për veprim; mjafton të kihet gatishmëria për t’i përvetësuar ato.

Ligji i luftës me Shqipërinë, që Greqia vazhdon ta mbajë në fuqi, është një absurd për dy vende të NATO-s. Ai sigurisht që prej kohësh nuk duhej të ishte më, por, përpos kësaj, nuk ka ende një përcaktim adekuat juridik për ndikimet e tij mbi çështjen çame dhe nëse shfuqizimi do ta lehtësonte zgjidhjen e saj.”

Në përfundim të fjalës, z. Gurra tha: “Kjo konferencë shkencore është nismë individuale e Fondacionit ALSAR, e ndërmarrë si kontribut social, në vazhdën e aktivitetit të tij kulturor. Organizimi i kësaj konference nuk është një ide novatore, por, përkundrazi, një rrjedhojë logjike e perceptimit të pozicionit tonë në mjedisin shoqëror.

Te ky terren kontribuojmë prej kohësh, dhe këtu po përmend specifikisht dy tituj të Botimeve ALSAR, ‘ÇAMËRIA – Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut’, të të ndjerit Ibrahim Daut Bejdeshati (Hoxha), dhe ‘Gjenocidi çam’, të autores turke, Berna Türkdoğan Uysal. Përndryshe, kontribute tonat janë dhe botime anastatike; mes tyre ‘Lirija’ dhe ‘Dituria’, dy komplete publicistike me shumë esencë dhe me vend të denjë në trashëgiminë tonë kulturore kombëtare.

Fjala ime është e kushtëzuar nga koha dhe e kufizuar nga trajtesat e larmishme të kumtuesve në këtë sallë mbi këtë përvjetor, prandaj nuk bën të shkoj më gjatë. Besoj se atë çfarë desha të përcjell e shpreha mjaftueshëm mirë dhe qartë, si në aspekt të çështjes çame dhe të aktivizmit të përhershëm të Fondacionit ALSAR, me veprimtari të këtilla apo nëpërmjet botimeve.

Përshëndetje të gjithëve! Mirë se erdhët, dhe punime të mbara konferencës shkencore!”

Fondacioni ALSAR fton për pjesëmarrje në konferencën shkencore në kryeqytet kushtuar 80-vjetorit të gjenocidit ndaj çamëve

Në kuadër të aktivitetit kulturor dhe të misionit të tij kombëtar, Fondacioni ALSAR mban në Tiranë këtë të enjte, më 27 qershor, një konferencë shkencore në përkujtim të 80-vjetorit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Dy seancat e konferencës parashikojnë mbajtjen e një numri të konsiderueshëm trajtesash akademike në lidhje me këtë përvjetor, dhe posaçërisht me çështjen çame.

Kjo konferencë shkencore do të zhvillohet vetëm dy ditë pas simpoziumit shkencor të mbajtur në Konispol, nën bashkorganizimin e Fondacionit ALSAR dhe të Bashkisë së Konispolit.

Konferenca do t’i zhvillojë punimet në mjediset e hotelit “Tirana International”, në sallën “Balsha”. Nisja e saj është në orën 10:00, dhe të ftuar janë të gjithë të interesuarit.

soap 2 day