Category Page: Kulturore

Kryetari i Fondacionit ALSAR zhvilloi një vizitë në Ambasadën e Shtetit të Kuvajtit

Drejtuesi i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, zhvilloi këtë të premte një vizitë në Ambasadën e Shtetit të Kuvajtit në Tiranë.

Ai u prit në këtë takim pune nga i ngarkuari me punë, z. Adnan Alghunaim.

Në takim u bë paraqitja e aktivitetit të Fondacionit ALSAR në vite, me fokus të bisedës dhe në kontributet e institucioneve dhe organizatave kuvajtiane për realizimin e projekteve të ndryshme humanitare në ndihmë të shtresave në nevojë në vendin tonë, veçanërisht në ndihmë të fëmijëve jetimë.

Bashkëbiseduesit folën mbi mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit të Fondacionit ALSAR me institucione të ngjashme në shtetin e Kuvajtit. U theksua krijimi i urave të reja të bashkëpunimit përmes ambasadës dhe forcimi i marrëdhënieve institucionale.

Takimin u mbizotërua nga fryma miqësore dhe shkëmbimi i dobishëm i ideve. I ngarkuari me punë u urua për detyrën, ndërsa u dhuruan dhe titujt më të rinj të Botimeve ALSAR.

Akademikë nga Malajzia vizitojnë Fondacionin ALSAR

Mjediset e Fondacionit ALSAR i vizitoi këtë javë një grup akademikësh nga Malajzia, në kuadër të një turneu në Ballkan.

Ata u pritën nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili u uroi mirëseardhjen dhe i njohu me veprimtarinë e gjerë të institucionit.

Mysafirët e ndoqën me vëmendje fjalën e mikpritësit, të interesuar për të mësuar mbi aspekte të jetës sociale dhe akademike në vendin tonë.

Kërkimi i mundësive dhe hapësirave për bashkëpunime ndërinstitucionale zuri vend në bisedën me mysafirët malajzianë.

Vizitorët shprehën mirënjohjen për ngrohtësinë me të cilën u pritën dhe i uruan kreut të fondacionit më të mirat në aktivitetin e lavdërueshëm humanitar, arsimor dhe kulturor.

Java kulturore turke në Tiranë, hapet me një ceremoni ekspozita në Bibliotekën Kombëtare

Kulturës turke i është dhënë gjatë kësaj jave një hapësirë e gjerë në kryeqytetin e Shqipërisë, për të bërë të njohura elemente të çmuara të thesarit të saj.

Një varg aktivitetesh kanë nisur e po ndiqen nga dashamirës e njohës të kulturës së pasur turke, me ndikim të fortë në Ballkan, e posaçërisht te shqiptarët, si bashkudhëtarë në një kohë të gjatë historike.

Me këtë rast, të enjten u hap në qendrën “Sotir Kolea”, të Bibliotekës Kombëtare, ekspozita e titulluar, “Copëza nga kultura turke”.

Drejtues të institucioneve turke dhe shqiptare, njerëz të kulturës, punonjës të mjeteve të informimit, nxënës dhe të interesuar ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës. Fondacioni ALSAR e ndoqi veprimtarinë kulturore nëpërmjet pranisë së përfaqësuesve të tij në ceremoni.

Fjalët e zëvendësministrit turk të Tregtisë, z. Mahmut Gürcan, dhe të ambasadorit të Turqisë në vendin tonë, z. Tayyar Kağan Atay, kishin në themel të tyre shprehjen e rëndësisë së zhvillimit të aktiviteteve të tilla në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ekspozita, e cla do të qëndrojë e hapur deri të dielën, më 15 shtator, u mundëson vizitorëve informacion të dobishëm në shqip dhe turqisht mbi kulturën turke, të ilustruar në një sërë këndvështrimesh.

Java e Kulturës Turke përmban dhe aktivitete muzikore në Tiranë dhe Durrës.

Fondacioni ALSAR vlerësohet dhe nderohet në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencën dhe Teknologjinë e Qëndrueshme

Në mjediset e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës nisi këtë të mërkurë Konferenca Ndërkombëtare mbi Shkencën dhe Teknologjinë e Qëndrueshme (ICONST 2024).

Atë e organizon Universiteti “Aleksandër Moisiu”, në partneritet me disa universitete dhe institucione të tjera, vendase dhe të huaja, nga Turqia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova.

Konferenca nisi me ceremoninë hapëse dhe me një fjalë përshëndetëse të rektorit të universitetit mikpritës.

I pranishëm në punimet hapëse të saj ishte dhe drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku.

Në konferencë u çmua kontributi i spikatur i Fondacionit ALSAR në mbështetje të iniciativave kërkimore-shkencore në kuadër të veprimtarisë së tij arsimore dhe kulturore, dhe u dha një pllakatë mirënjohjeje me këtë rast. Pllakata iu dorëzua përfaqësuesit të fondacionit, z. Saimir Rusheku.

Fondacioni ALSAR prej një kohe të gjatë ka fituar reputacionin e një enti që e mbështet pa rezerva aktivitetin akademik.

Konferenca i zhvillon punimet në tre ditë, deri më 6 shtator, me një gamë të gjerë tematike.

Përfundojnë ditët plot me veprimtari në kampin veror në Turqi, përvojë e mrekullueshme për djemtë dhe vajzat e kurseve të gjuhës turke

Përgjatë një jave, në ditët në mbarim të gushtit, ndjekësit e kurseve të gjuhës turke të organizuara nga Fondacioni ALSAR iu bashkuan kampit veror në Turqi, një aktiviteti të gjerë dhe dinamik me të rinj e të reja nga vende të ndryshme, nga Ballkani e më tej.

Në qëndrimin e tyre në dy qytete, në Edirne dhe Çanakala, 90 kursistët e kurseve të turqishtes në Tiranë, Kukës dhe Konispol, patën mundësinë të njihen me kulturën turke, me ngjarje madhore në historinë e Turqisë, të shohin nga afër objekte të traditës e të ndalojnë në vende ku përkujtohet epopeja çlirimtare e popullit turk.

Drejtues institucionesh hapën dyert për pjesëmarrësit në kampin veror, i mirëpritën dhe iu përgjigjën me tërë gatishmërinë interesit rinor për të ditur sa më tepër për funksionimin institucional.

Qendra rinore e Edirnesë u shndërrua në një vendpritje të dashur, në një hapësirë tërë jetë ku koha rrodhi shpejt. Vizitat në mjediset arsimore qenë me interes për ata që e mendojnë veten e tyre në to në të ardhmen në rrugën e dijes.

Ditët ishin të mbushura me veprimtari të shumëllojshme, me takime, lojëra, etj., në ndërveprim dhe shoqëri me bashkëmoshatarë.

Kampi veror në Turqi do të mbetet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve, posaçërisht të atyre nga vendi ynë, si një eksperiencë me gjithçka të bukur brenda saj.

Ndjekësit e kurseve të gjuhës turke nisen për në Turqi, aktivitete të larmishme i presin përgjatë një jave

Këtë të dielë të fundit të gushtit u përcollën për në Turqi ndjekësit e kurseve të gjuhës turke të organizuara nga Fondacioni ALSAR.

Nxënës, studentë, jetimë, të interesuar për mësimin e turqishtes, të tërë ndjekës të kurseve në tre qytete, në Tiranë, Kukës dhe Konispol, do të bëhen pjesë e një kampi veror në Turqi me një pjesëmarrje të gjerë. Ata do t’u bashkohen bashkëmoshatarëve, nxënësve, të ftuarve të tjerë nga Ballkani, kontinenti ynë, e me gjerë.

Të nisurit nga Tirana, 90 djem e vajza, do të jenë pjesë e aktiviteteve të shumta kulturore të parashikuara për pjesëmarrësit në kampin veror, do të vizitojnë institucione në qytete të ndryshme dhe do të priten nga funksionarë të tyre.

Ata do të ndjekin programe dhe aktivitete në Edirne, Çanakala, Stamboll, etj., do të njihen me kulturën e pasur turke, e do të kenë mundësi ta shohin nga afër funksionimin e sistemit arsimor turk.

Nga qëndrimi me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme do të krijojnë lidhje e shoqëri të reja.

Ky udhëtim u mundëson atyre një përjetim të veçantë, një përvojë të paharrueshme, një javë të pasur me aktivitet, që do t’ua bëjë më të dashur edhe gjuhën turke.

Programi zhvillohet me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TİKA, të Ministrisë të Kulturës dhe Turizmit në Turqi, dhe nën përkujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë.

soap 2 day