Category Page: Kulturore

Dolën nga shtypi 12 vëllimet e para të veprës së autorit Abdi Baleta.

Fondacioni ALSAR ka nxjerrë nga shtypi 12 vëllimet e para të veprës prej 36 vëllimesh të Abdi Baletës – diplomat, politikan e publicist – e cila është titulluar “Kronikë kohe”.

24 vëllimet e tjere janë duke u pergatitur dhe do të botohen të gjitha brenda këtij viti.
Dymbëdhjetë vellimet e para mund të gjenden në librarinë e botimeve ‘ALSAR’.

Se shpejti vëllimet e titulluara ‘Kronikë kohe’ të autorit Abdi Baleta do të jenë në Biblioteken Kombëtare të Shqipërisë dhe në biblioteka e librari ne Maqedoni të Veriut dhe në Kosovë.

Fondacioni ALSAR shtron iftarin tradicional, të ftuar personalitete të fushave të ndryshme.

Si për çdo vit në muajin e agjërimit, Fondacioni ALSAR shtroi një iftar në hotelin “Tirana International”. Ftesës iu përgjigjën personalitete të ndryshme, figura të njohura të shoqërisë sonë, diplomatë, drejtues lokalë, klerikë, intelektualë, aktivistë socialë dhe mirëdashës.

Vargjet kur’anore dhe tingujt orientalë shoqëruan pritjen e mysafirëve dhe i dhanë ngrohtësi mjedisit të iftarit tradicional të ALSAR-it.

Këndimin e Kur’anit në hyrje të iftarit e bëri imami i xhamisë Valide Sulltan në Fatih të Stambollit, Mehmet Polat.

Të ftuarve iu drejtua me një fjalë të shkurtër kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili më së pari u uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve, më të veçantëve mes tyre të përmendur specifikisht.

Të përshëndetur prej tij për praninë në iftar ishin sekretarja e parë e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, znj. Kübra İyiiş Akgün, zëvendësambasadori dhe sekretari i parë i Ambasadës së Kuvajtit në Tiranë, z. Adnan Algunaim, nënkryetari i TİKA-s, z. Mahmut Çevik, dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi.

Z. Mehdi Gurra falënderoi posaçërisht Ambasadën e Republikës së Turqisë dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TİKA, për përkushtimin dhe bashkëpunimin e gjatë, frytdhënës dhe në dobi të shoqërisë shqiptare.

Kryetari i Fondacionit ALSAR shfrytëzoi rastin për të vënë në pah bashkëpunimin shtatëvjeçar me shtetin e Kuvajtit përmes përfaqësisë diplomatike në Tiranë, në aktivitete të ndryshme humanitare, arsimore dhe kulturore. ALSAR është i akredituar pranë Ministrisë së Jashtme së Kuvajtit për të zhvilluar veprimtari të përbashkëta me organizma kuvajtiane të së njëjtës fushë.

Mikpritësi solli në vëmendje përjetimin ndryshe në këtë Ramazan për shkak të vuajtjeve të banorëve të Gazës, duke vënë në dukje qëndrimin kundër çdo gjakderdhjeje dhe duke uruar një fund sa më të shpejtë të situatës dramatike.

Z. Gurra foli mbi aktivitetin e ALSAR-it, e përshkroi 2023-shin si një vit të suksesshëm për fondacionin, dhe nënvizoi shtimin e veprimtarisë humanitare dhe botuese.

Mirënjohje përcolli ai për të gjithë bashkëpunëtorët, për kontribuesit në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.

Fjalën do ta merrte dhe sekretarja e parë në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë, znj. Kübra İyiiş Akgün, si përshëndetëse e të pranishmëve në iftar. Ajo foli për miqësinë e gjatë mes dy popujve, për lidhjet e forta, për partneritetin strategjik, teksa nënvizoi faktin se para disa muajve u kremtua 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve. Znj. Akgün u ndal në tragjedinë në Gaza, në dhimbjen e përjetuar prej vuajtjeve të mëdha të popullatës atje, dhe në gatishmërinë e Turqisë për të kontribuar për një zgjidhje.

Që prej themelimit të tij, Fondacioni ALSAR ka qenë një nga organizatat më të njohura joqeveritare në Shqipëri. Me ndihmën e Fondacionit ALSAR u dhurohet buzëqeshje nevojtarëve, kontribuohet në kulturën njerëzore të vendit me bursat që u jepen studentëve, dhe mundësohet zhvillimi i shumë veprimtarive akademike. Po ashtu, ALSAR shpreh dashurinë për Turqinë dhe popullin turk përmes projekteve të realizuara. Jemi mirënjohës për përpjekjet e tyre të mëdha për të shëruar plagët e popullit turk gjatë fatkeqësisë së tërmetit të vitit të kaluar. Me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve tona, ALSAR organizoi një simpozium të suksesshëm, duke mbledhur akademikë, udhëheqës dhe diplomatë nga shumë vende të Ballkanit. ALSAR na tregoi se jemi bashkë në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Shpresoj të realizojmë shumë projekte të tjera të përbashkëta në të ardhmen. Dëshiroj të falënderoj kryetarin e Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe të gjithë stafin e tij për të gjitha veprimtaritë e zhvilluara deri më sot.,” ishin fjalët e saj kushtuar ALSAR-it.

Iftarin e përshëndeti dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi, lëvdues i punës së Fondacionit ALSAR dhe i bashkëpunimit institucional për një kryeqytet sa më të mirë për qytetarët e tij.

Përshëndetje të veçantë u bëri të ftuarve nënkryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), z. Mahmut Çevik. Nënvizues i bashkëjetesës së dy popujve për shekuj, i angazhimit të institucioneve turke për ta forcuar këtë lidhje të veçantë, ai u ndal në aktivitetin e TİKA-s në vendin tonë, të nisur prej vitit 1996 dhe të përmbledhur në qindra veprimtari.

Gjatë kësaj periudhe 28-vjeçare janë realizuar në Shqipëri 600 projekte, në fushën e arsimit, në shëndetësi, në infrastrukturë dhe në fushën kulturore,” tha z. Çevik.

Ashtu si dhe sekretarja e parë e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, ai theksoi kontributin shoqëror të Fondacionit ALSAR, rolin e tij në forcimin e lidhjeve, dhe bashkëpunimin e suksesshëm me TİKA-n.

Gjej rastin, në praninë tuaj, të shpreh falënderimet e përzemërta për Fondacionin ALSAR, që u gjendet pranë jetimëve dhe u fal buzëqeshje nevojtarëve. E falënderoj gjithashtu që kontribuon drejtpërdrejt me mbështetjen e projekteve për zhvillimin kulturor e historik të vendit, si dhe të marrëdhënieve midis dy shteteve. Ne, si TİKA, po vijojmë me Fondacionin ALSAR bashkëpunimin në projekte socio-kulturore”, u shpreh z. Çevik.

Duatë në iftar, bërë nga atasheu për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, Adem Gerlegiz, i dhanë frymën e duhur ambientit dhe përçuan prehje e përmbushje te të ftuarit.

Zhvillohet në Kukës ceremonia e inaugurimit të Qendrës Rinore Ndërkulturore Shqiptaro-Turke.

Këtë të mërkurë, më 20 mars, ka hapur dyert në qytetin e Kukësit një qendër multifunksionale në shërbim të të rinjve, që do t’u mundësojë atyre të zhvillojnë aktivitete të ndryshme dhe të shfrytëzojnë një bibliotekë me libra në shqip dhe turqisht.

Qendra Rinore Ndërkulturore Shqiptaro-Turke ka marrë jetë falë punës së përbashkët të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TİKA, dhe Fondacionit ALSAR.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të qendrës rinore ishin ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, nënkryetari i TİKA-s, z. Mahmut Çevik, koordinatori i kësaj agjencie në Tiranë, z. Mustafa Ata, këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Turqisë, z. Metin Bulut, kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, z. Albert Halilaj.

Aktivitetin e ndoqën mësues, nxënës dhe prindër të qytetit të Kukësit.

Folës në ceremoni, nënkryetari i TİKA-s, z. Mahmut Çevik, dhe ambasadori turk në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, theksuan miqësinë e gjatë të dy popujve, bashkëjetesën shekullore, dhe sipërmarrjet e TİKA-s në shumë fusha të jetës në Shqipëri, posaçërisht në atë kulturore.

Kjo qendër do të kontribuojë për kulturën e bashkëjetesës,” tha mes të tjerash z. Çevik.

Mbështetjen e dhënë nga Turqia, dhe nga TİKA konkretisht, e nënvizuan kryetari i Bashkisë së Kukësit, z. Albert Halilaj, dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, të cilët shprehën dhe falënderimet me këtë rast.

TİKA mundësoi rikonstruksionin dhe pajisjen e qendrës me mjetet e duhura.

Fondacioni ALSAR, me prani të kahershme në Kukës me veprimtari humanitare, arsimore dhe kulturore, ka hapur në këtë qytet që në vitin shkollor 2017-2018 kurset e gjuhës turke për nxënës të shkollave publike.

Dy institucionet, ALSAR dhe TİKA, kanë konsoliduar ndër vite bashkëpunimin, me aktivitete të përbashkëta në ndihmë të komuniteteve lokale dhe shtresave në nevojë.

Del nga shtypi, “Publicistë të Rilindjes”, botuar nga ALSAR

Në vargun e një numri veprash të porsabotuara, Botimet ALSAR i paraqesin publikut një titull të ri, “Publicistë të Rilindjes”.

Libri është fryt i një pune shumëvjeçare të profesor Hamit Boriçit. Ai përmban profile njerëzore dhe profesionale të tridhjetë e shtatë personaliteteve të mëdha të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të cilët shkëlqyen si një kostelacion yjesh në një kohë që qielli i Shqipërisë ishte i përmbytur nga një errësirë shekullore dhe kur në horizont nuk dukej asnjë shpresë. Ata rilindën kombin, e zgjuan nga gjumi letargjik dhe ngritën lart flamurin e shpresave tona për shtetin, lirinë dhe pavarësinë kombëtare.

Deviza e vetme e tyre ishte Atdheu. Veçmas njëri-tjetrit dhe herë-herë së toku, ata ranë në një mendje për ta bërë Shqipërinë në një kohë që ajo ekzistonte në ëndrrat dhe në dëshirat e tyre. Dhe kjo ishte një kryevepër që ata e bënë duke sakrifikuar gjithçka dhe, njëkohësisht, për të mbetur të përjetshëm në panteonin kombëtar.

Hamit Boriçi ka shkruar shumë libra për gazetarinë shqiptare që nga fillimet e deri më sot, duke qenë studiuesi më këmbëngulës dhe më skrupuloz në këtë fushë. Vepra e botuar nga ALSAR, “Publicistë të Rilindjes”, sjell për herë të parë anë të panjohura për rilindasit shqiptarë, të cilët renditen sipas rendit alfabetik, nga Abdyl Frashëri deri tek Zef Skiroi.

Kjo vepër përudh një tjetër dimension të panjohur të historisë së Shqipërisë dhe të historisë së shtypit shqiptar, i cili  mbetet ende i pastudiuar sa duhet. Libri vjen si një referencë për të gjithë ata që do të kenë mençurinë, pasionin dhe vetëdijen për të vazhduar në këtë hulli të mendimit dhe për ta pasuruar këtë vepër të profesor Boriçit.

Botim për Krimenë dhe tatarët e saj në dhjetëvjetorin e aneksimit rus

Në kalvarin e peripecive historike të Krimesë dhe të popullsisë së saj tatare, aneksimi nga rusët në vitin 2014 përbën sfidën më të fundit ndaj ekzistencës së tyre.

Ai zhvillim i papranuar përgjithësisht ndërkombëtarisht para një dekade pararendi dhe paralajmëroi ngjarjet e sotme, invazionin rus në Ukrainë dhe një rajon të destabilizuar në mënyrë të frikshme, me efekt të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe paqen globale.

Historia e Krimesë dhe e tatarëve ka në të mbijetesë, vuajtje, dëbim, kthim, një varg përvojash jetësore drithëruese dhe njëkohësisht frymëzuese. Tatarët kanë parë e përjetuar shumë, por falë vitalitetit të tyre kanë mundur të mbeten në këmbë.

E përmbledhur, historia e tatarëve, dhe e Krimesë, vjen përmes një botimi të ri, të përkthyer shpejt dhe në shqip.

“Krimeja është e jona – Lufta e pambarim e tatarëve të Krimesë” është shkruar nga Melek Maksudoğlu, me gjak tatar dhe e përkushtuar intelektualisht në përcjelljen e historisë së tatarëve të Krimesë.

Botimet ALSAR e kanë sjellë librin në variantin dygjuhësh, në shqip dhe në origjinal, në anglisht, siç kanë bërë periodikisht në disa tituj të rinj.

Botimet ALSAR sjellin librin, “Magjepsja nga e bukura, tasavvufi dhe estetika”

Dritën e botimit sapo e ka parë një vepër voluminoze e kushtuar besimit dhe jetës shpirtërore të njeriut, të cilën e karakterizon një diapazon i gjerë ideor.

Me autor një personalitet të trajtesave të mistikës islame si Metin Izeti, “Magjepsja nga e bukura, tasavvufi dhe estetika” përbën një botim me shumë vlerë.

Ky titull i ri qëndron mjaft mirë në vargun e botimeve të ALSAR-it, edhe më herët botues i teksteve të kushtuara së njëjtës fushë.

Nga libri kemi sjellë këtu parathënien, të shkruar nga botuesi.

 

Në atë tërheqje në vetminë medituese të përfituar me shumë mund e tepër rrallë midis zhurmës së përhershme mbizotëruese në vendbanimet masive, quajtur ndryshe dhe metropole, në jetën mes betonit dhe neonit të reklamave që joshin në terr, mendja konstrukton vetvetishëm lëkundjet mbi zgjedhjen ndër pasionet e mëdha njerëzore.

Bashkëjetesa simbiotike e shpirtërores dhe fizikes kërkon mençuri botëkuptimore për t’i dhënë secilës vendin e merituar dhe më në dobi të qenies sonë, si shkak esencial për të vënë në punë arsyen e dhuruar hyjnisht për njeriun e lëshuar në sprovën tokësore. Për të mbërritur te ajo mençuri e kërkuar, barra i bie asaj me çka ushqehemi.

Kur ambientit rrethues material i japim përparësi në orientim, “lëndorja na ka robëruar në kullat e veta dhe s’kemi fuqi të çlirohemi…”. Përndryshe, lumturia e kërkuar me aq ngulm, gabueshëm, në plotësimin e nevojave materiale, “është një gjendje e natyrshme e shpirtit”. “Për të qenë i lumtur, vetëm duhet të heqim dorë nga gjithçka e panevojshme dhe të ndjekim natyrën tonë të pastër….”      

Prania jonë kalimtare në këtë botë përbën sfidën absolute për intelektin. Natyrshëm pasionet, përgjegjëse për atë që ndodh me ne në vetëdije të plotë, nxjerrin në sipërfaqe urtinë në korniza qëllimesh transcendentale apo mediokritetin fatkeq të të mbërthyerit pa shpëtim në kafazin e materiales. “Njerëzit nuk e vrasin veten sepse nuk kanë për të jetuar, por sepse nuk e dinë pse jetojnë!” 

Ç’është me ne, me boshësinë përndjekëse në ciklin e vazhdueshëm të kërkesave të njëpasnjëshme për mirëqenie fizike dhe kurrë me një fund të kënaqshëm? – pyet e kthjelluar për një çast mendja e infektuar prej përpjekjeve dekonstruktive për ta lakuriqëzuar qëllimin e jetës njerëzore. E dështuar në rrugëdalje, i mjafton si epitaf: “Derisa njeriu mbyll veshët para klithjeve të cilësive të larta shpirtërore që gjenden në brendinë e tij, lumturia dhe qetësia do të jenë në njërin skaj të rrugës, e njeriu në skajin tjetër të saj.”

Ja, prandaj ushtrimi i besimit nuk është një proces mekanik, fiskulturor, për të thënë, në rastin e praktikuesit musliman. Objekti i kultit është sigurisht shtëpi e Zotit, vizituar rregullisht për namaz, dua dhe përsosje, shërbyer besimtarit si mjedis ushqyes për nevoja shpirtërore, tejfizike. Dhe pa një socializim vibrant, të pacenuar për aq sa është e mundur nga retë jashtë saj, vizituesi do të ndiente mangësi konceptuale.  Liria aq e kërkuar nga njeriu arrihet me nënshtrimin ndaj Zotit. “Arkitektura e xhamisë i përjashton të gjitha tensionet dhe çrregullimet mes qiellit dhe tokës.”

* * *

Shoqëritë muslimane kanë mundur t’u bëjnë disi ballë, ndonëse jo tërësisht dhe jo të paprekura nga krizat e modernitetit, valëve ftohëse ndaj fesë, karakteristikë bashkëshoqëruese e kohëve tona. Pak ka rëndësi nëse kjo vjen prej dogmës apo njëfarë “prapambetjeje” qytetërimore. E rëndësishme është gjallëria e besimit, aq e munguar, më në krye vizualisht, në shoqëritë e tjera, posaçërisht në atë perëndimore.

Kishat në qendër të qyteteve kryesore europiane janë shndërruar në objekte muzeale dhe e kanë humbur qëllimin parësor si vend lutjeje. Tërheqja ndaj tyre përmban më tepër interes turistik, vëzhguar e vizituar për pamjen, dhe jo si strehë për pak paqe e plotësim shpirtëror. Në Itali, për shembull, në shtëpinë e Katolicizmit, ku, sipas Pew Research Centre, ende 78% e vendasve deklarojnë të jenë të besimit katolik, agjencia italiane e statistikave, ISTAT, thotë se vetëm 19% marrin pjesë në ceremonitë fetare javore, ndërsa 31% nuk i ndjekin kurrë.

Më dëshpëruese janë rezultatet e një kërkimi të bërë pak vite më parë nga World Economic Forum, që zbulonin se të rinjtë e moshave nga 16 në 29 vjeç në Europë ishin më pak fetarë se bashkëqytetarët e tyre më të rritur. Udhëhiqnin të rinjtë çekë, 91% e të cilëve deklaronin se nuk kanë fe, ndjekur nga rinia estoneze, suedeze dhe britanike. Në 12 nga 22 vendet e studiuara nga Forum-i, mbi gjysma e të rriturve të rinj deklaronin se nuk identifikohen me një fe a sekt të veçantë.

Situata ngjan dramatike dhe në SHBA. Një raportim i një viti më parë në “The Guardian”, nën titullin, “Duke humbur fenë e tyre: pse kishat amerikane janë në tatëpjetë”, bënte të ditur se 4.500 kisha protestante ishin mbyllur në vitin 2019, e se një tendencë e ngjashme pritej në vitet pasuese, në mos më e rënduar. Teksti nënvizonte një rritje të shpejtë të individëve që pohojnë se nuk janë fetarë.

Të dhënat e sapothëna veç konfirmojnë se në ç’drejtim pa krye po shkon qenia njerëzore, e paaftë shpesh të dallojë të mirën nga e keqja prej tulatjes së mendjes dhe ecjes symbullur drejt falimentimit shpirtëror. “Sot mbizotëron diktatura e kulturës narcisiste të jetës dhe sjelljes së përgjithshme.” Dhe “nëse njeriu nuk ka udhërrëfyes, atëherë instiktet udhëheqin mendjen”. 

* * *

Bartjen e një rrëfenje udhërrëfyese te lexuesi ka marrë përsipër pikërisht autori i këtij vëllimi qindrafaqësh; një bashkim konceptesh, përkufizimesh, përfundimesh, përsiatjesh, që tentojnë t’i tregojnë njeriut nëpërmjet frymës mistike shtegun e sigurt drejt përmbushjes shpirtërore dhe të jetuarit si duhet këtu, në këtë botë, në përgatitje për ahiretin.

Aspak e lehtë nuk është t’ia përmbledhësh cilësisht përçimin letrar, befasues sidoqoftë vetëm për të panjohurit me atë gjuhë mistike. Kush ka lexuar prej tij nuk pret gjë tjetër veç ngjalljes së dëshirës për t’u zhytur në gjendjen lehtësuese shpirtërore dhe fizike, në kërkim të ashkut, të lidhjes së zemrës me Allahun.

Vepra është në vetvete një qasje e përkryer estetike mbi ekzistencën e qenies, ngarkuar me përkufizime për t’i vënë kufi rendjes pas lëndores; një shfaqje ideore në letër që thërret për afrimin në portat e qiellores. 

Mund ta pohojmë pa druajtje se kemi të bëjmë me një sprovë përsiatëse letrare të fituar, të tejkaluar madje nga pamundësia e saj për t’i bërë vend në mënyrë të mjaftueshme bagazhit konceptual të autorit. Të ofruara janë shtresa dhe nënshtresa idesh koherente dhe gërmimesh eseistike, mbushur me përmallimin për qoftë dhe një prekje prej puhisë së Hyjnores.

Një akt zgjues gati metafilozofik, me tiktakun e një ore, një përgjërim për të mos iu dhënë me të tëra jetës së kësaj dynjaje, por për të patur përparësi jetën e amshuar.

* * *

Me tingullin e nej-it në vesh, prodhuar jo prej instrumentit, por prej ngjyrës së fjalës, në parashtrim na vijnë përmbytja e kohës së Nuhut si simbolizuese e përmbytjes së shpirtit, pemët, kopshtet dhe burimet e ujit si kundërmim i parajsës shpirtërore, agjërimi si folës i së fshehtës, shpirtërores, ramazani si largues i konceptit të jetës vetëm në një aks hedonist dhe theksues i konceptit se ka jetë dhe përtej lakmisë.

Pikërisht kjo melodi mistike letrare e luajtur aq bukur në shkronja e shkund krijesën njerëzore në hallin dhe zbavitjen e së përditshmes dhe e fton në kopshtin e besimit, ku gjen qetësinë, prehjen, dhe lundrimin në shpirtin e rehatuar nga kuptimi i drejtë i kësaj jete.

Perceptimi i saktë mbi të tashmen tonë dhe koordinatat tona në planin hyjnor nuk ka si t’i lërë shpirtrat tanë të varfër. Drita e besimit e shndërron në bahçe çdo zgavër, e pastron zemrën dhe e lartëson moralin njerëzor. Maturimi i shpirtit, disiplinimi i egos, i zënë frymën lakmisë dhe e ftojnë të ndriçuarin në dashurinë e madhe shpëtuese, me të Dashurin e vërtetë. 

* * *

Ankthi për kamje po e shpërfytyron dalëngadalë qenien mëkëmbëse të Zotit në tokë, po e vret krijesën njerëzore në bërthamë të ekzistencës. Kalimi i nevojës për përmbushje shpirtërore në plan të dytë a të tretë i ka dhënë tipare robotike njeriut, të pavëmendshëm ndaj asaj që po humbet dita-ditës, të skllavërisë ku e çojnë hapat në kërkim të bollëkut material.

Associated Press i kushtonte në qershorin e vitit 2023 një raportim rrëqethës gjendjes së kishave në Europë, boshatisjes së tyre, kthimit nga hapësirë për lutje në vend kërcimi dhe pirjeje. Anembanë Europës, thoshte shkrimi, kontinentit që ushqeu Krishterimin për pjesën më të madhe të dymijëvjeçarëve, kishat qëndrojnë bosh dhe gjithnjë e më të lëna pas dore ndërsa besimi dhe pjesëmarrja në to u rrudhën përgjatë gjysmëshekullit të kaluar.   

Kisha si godinë, si arkitekturë, nuk fton krahëhapur të lësh realitetin jashtë për adhurimin brenda. Ndjesia frigoriferike dhe ngarkimi figurativ i brendshëm e bëjnë gati të paarritshme atë shkrirje aq të domosdoshme me objektin. Ndër problemet sot të Krishterimit është kësisoj vetë kjo kishë.    

Dorëzimi dhe nënshtrimi i vërtetë janë te Krijuesi i gjithësisë, kuptim të cilin e përcjell pikërisht fjala “islam”. Për këtë ka nevojë i mbërthyeri në fatin e tij fizik, pa vetëdijen e pandashmërisë së dy sferave dhe të rëndësisë fundamentale të begatisë shpirtërore.

Xhamia e mban muslimanin vazhdimisht të zgjuar e në frymëzim spiritual. “Forma dhe bukuria e xhamisë i kujtojnë besimtarit qiellin dhe zemrën… e cila duhet pastruar dhe zbukuruar me virtyte.”    

Këtij pasurimi shpirtëror mëton t’i shërbejë ALSAR me botimet e tij të kësaj fushe. I fokusuar në tematikën historike, gjuhësore dhe fetare, enti ynë botues ka një histori të hershme të trajtimit dhe botimit të literaturës së kushtuar tasavvufit. Shoqëria jonë, besimi ynë, nuk duan qenie të automatizuara, por njerëz të gjallë shpirtërisht dhe me besim të ushqyer mirë. Botimet ALSAR, të vëmendshme ndaj kërkesave shpirtërore të kurdohershme të mjedisit tonë njerëzor, gjenden brenda misionit të tyre me nxjerrjen e librave të këtij lloji. Një shoqëri me shpirt të pasur dhe besim është e destinuar të bëjë përpara dhe të lulëzojë.           

* * *

Të gjerë do ta gjejë lexuesi mendimin mistiko-estetik të autorit, prekur në ligjërime mjaft të sofistikuara dhe vëzhgime tejet të holla, aq të përshtatshme një stili specifik. Diapazonit të tij i detyrohet kalimi nga Rumiu te poeti tetovar Remzi…

Kohët e pasigurta kërkojnë njerëz të mirë dhe të vendosur për mirësinë, e të jesh besimtar kërkon shumë durim, vetëkontroll dhe disiplinë të saktë, por, vijon ai, kjo nuk është as e lehtë, as gjithmonë e këndshme.

Të tëra këto fjalë koncentruese të fletëve të shumta njësoj të vlefshme dhe përpirëse, e duan një mbyllje në nivelin e veprës, kështu që prej vetë asaj mbërrin fjalia e fundit, “Nëse e vërteta vë dritën e saj në zemrën e njeriut, është e bukur, përtej është bosh…” 

soap 2 day