Category Page: Kulturore

    Botohet në muajin e Ramazanit, “Çelësat e Fatihasë”

    Botimet ALSAR sapo nxorën nga shtypi një punim mjaft interesant, “Çelësat e Fatihasë”.

    Ky botim i ri ka për autor Abduselam Mukbil El Mexhidin, si një përmbledhje e librit, “Islami në shtatë versete (kur’anore)”.

    I tërë teksti është një shtjellim i sures el-Fatiha, në një qasje teologjike, me reflektime të thella dhe konkluzione të forta.

    El-Fatiha, thuhet në tekst, përfaqëson linjën qendrore të Kur’anit, aq shumë të nevojshme për ndërtimin teorikisht dhe praktikisht të strukturës së jetës së individit, shoqërisë njerëzore dhe botës.

    El-Fatiha është çelësi i sureve të Kur’anit, shkruhet aty, dhe ato përmbajnë piketa shtjelluese dhe përforcuese të saj.

    I lindur në Taiz të Jemenit më 1975, autori është pedagog i tefsirit të Kur’anit dhe i shkencave të tij, me një kontribut të madh akademik dhe autorial.

    Dolën nga shtypi 12 vëllimet e para të veprës së autorit Abdi Baleta.

    Fondacioni ALSAR ka nxjerrë nga shtypi 12 vëllimet e para të veprës prej 36 vëllimesh të Abdi Baletës – diplomat, politikan e publicist – e cila është titulluar “Kronikë kohe”.

    24 vëllimet e tjere janë duke u pergatitur dhe do të botohen të gjitha brenda këtij viti.
    Dymbëdhjetë vellimet e para mund të gjenden në librarinë e botimeve ‘ALSAR’.

    Se shpejti vëllimet e titulluara ‘Kronikë kohe’ të autorit Abdi Baleta do të jenë në Biblioteken Kombëtare të Shqipërisë dhe në biblioteka e librari ne Maqedoni të Veriut dhe në Kosovë.

    Fondacioni ALSAR shtron iftarin tradicional, të ftuar personalitete të fushave të ndryshme.

    Si për çdo vit në muajin e agjërimit, Fondacioni ALSAR shtroi një iftar në hotelin “Tirana International”. Ftesës iu përgjigjën personalitete të ndryshme, figura të njohura të shoqërisë sonë, diplomatë, drejtues lokalë, klerikë, intelektualë, aktivistë socialë dhe mirëdashës.

    Vargjet kur’anore dhe tingujt orientalë shoqëruan pritjen e mysafirëve dhe i dhanë ngrohtësi mjedisit të iftarit tradicional të ALSAR-it.

    Këndimin e Kur’anit në hyrje të iftarit e bëri imami i xhamisë Valide Sulltan në Fatih të Stambollit, Mehmet Polat.

    Të ftuarve iu drejtua me një fjalë të shkurtër kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili më së pari u uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve, më të veçantëve mes tyre të përmendur specifikisht.

    Të përshëndetur prej tij për praninë në iftar ishin sekretarja e parë e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, znj. Kübra İyiiş Akgün, zëvendësambasadori dhe sekretari i parë i Ambasadës së Kuvajtit në Tiranë, z. Adnan Algunaim, nënkryetari i TİKA-s, z. Mahmut Çevik, dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi.

    Z. Mehdi Gurra falënderoi posaçërisht Ambasadën e Republikës së Turqisë dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TİKA, për përkushtimin dhe bashkëpunimin e gjatë, frytdhënës dhe në dobi të shoqërisë shqiptare.

    Kryetari i Fondacionit ALSAR shfrytëzoi rastin për të vënë në pah bashkëpunimin shtatëvjeçar me shtetin e Kuvajtit përmes përfaqësisë diplomatike në Tiranë, në aktivitete të ndryshme humanitare, arsimore dhe kulturore. ALSAR është i akredituar pranë Ministrisë së Jashtme së Kuvajtit për të zhvilluar veprimtari të përbashkëta me organizma kuvajtiane të së njëjtës fushë.

    Mikpritësi solli në vëmendje përjetimin ndryshe në këtë Ramazan për shkak të vuajtjeve të banorëve të Gazës, duke vënë në dukje qëndrimin kundër çdo gjakderdhjeje dhe duke uruar një fund sa më të shpejtë të situatës dramatike.

    Z. Gurra foli mbi aktivitetin e ALSAR-it, e përshkroi 2023-shin si një vit të suksesshëm për fondacionin, dhe nënvizoi shtimin e veprimtarisë humanitare dhe botuese.

    Mirënjohje përcolli ai për të gjithë bashkëpunëtorët, për kontribuesit në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.

    Fjalën do ta merrte dhe sekretarja e parë në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë, znj. Kübra İyiiş Akgün, si përshëndetëse e të pranishmëve në iftar. Ajo foli për miqësinë e gjatë mes dy popujve, për lidhjet e forta, për partneritetin strategjik, teksa nënvizoi faktin se para disa muajve u kremtua 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve. Znj. Akgün u ndal në tragjedinë në Gaza, në dhimbjen e përjetuar prej vuajtjeve të mëdha të popullatës atje, dhe në gatishmërinë e Turqisë për të kontribuar për një zgjidhje.

    “Që prej themelimit të tij, Fondacioni ALSAR ka qenë një nga organizatat më të njohura joqeveritare në Shqipëri. Me ndihmën e Fondacionit ALSAR u dhurohet buzëqeshje nevojtarëve, kontribuohet në kulturën njerëzore të vendit me bursat që u jepen studentëve, dhe mundësohet zhvillimi i shumë veprimtarive akademike. Po ashtu, ALSAR shpreh dashurinë për Turqinë dhe popullin turk përmes projekteve të realizuara. Jemi mirënjohës për përpjekjet e tyre të mëdha për të shëruar plagët e popullit turk gjatë fatkeqësisë së tërmetit të vitit të kaluar. Me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve tona, ALSAR organizoi një simpozium të suksesshëm, duke mbledhur akademikë, udhëheqës dhe diplomatë nga shumë vende të Ballkanit. ALSAR na tregoi se jemi bashkë në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Shpresoj të realizojmë shumë projekte të tjera të përbashkëta në të ardhmen. Dëshiroj të falënderoj kryetarin e Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe të gjithë stafin e tij për të gjitha veprimtaritë e zhvilluara deri më sot.,” ishin fjalët e saj kushtuar ALSAR-it.

    Iftarin e përshëndeti dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi, lëvdues i punës së Fondacionit ALSAR dhe i bashkëpunimit institucional për një kryeqytet sa më të mirë për qytetarët e tij.

    Përshëndetje të veçantë u bëri të ftuarve nënkryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), z. Mahmut Çevik. Nënvizues i bashkëjetesës së dy popujve për shekuj, i angazhimit të institucioneve turke për ta forcuar këtë lidhje të veçantë, ai u ndal në aktivitetin e TİKA-s në vendin tonë, të nisur prej vitit 1996 dhe të përmbledhur në qindra veprimtari.

    “Gjatë kësaj periudhe 28-vjeçare janë realizuar në Shqipëri 600 projekte, në fushën e arsimit, në shëndetësi, në infrastrukturë dhe në fushën kulturore,” tha z. Çevik.

    Ashtu si dhe sekretarja e parë e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, ai theksoi kontributin shoqëror të Fondacionit ALSAR, rolin e tij në forcimin e lidhjeve, dhe bashkëpunimin e suksesshëm me TİKA-n.

    “Gjej rastin, në praninë tuaj, të shpreh falënderimet e përzemërta për Fondacionin ALSAR, që u gjendet pranë jetimëve dhe u fal buzëqeshje nevojtarëve. E falënderoj gjithashtu që kontribuon drejtpërdrejt me mbështetjen e projekteve për zhvillimin kulturor e historik të vendit, si dhe të marrëdhënieve midis dy shteteve. Ne, si TİKA, po vijojmë me Fondacionin ALSAR bashkëpunimin në projekte socio-kulturore”, u shpreh z. Çevik.

    Duatë në iftar, bërë nga atasheu për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, Adem Gerlegiz, i dhanë frymën e duhur ambientit dhe përçuan prehje e përmbushje te të ftuarit.

    Zhvillohet në Kukës ceremonia e inaugurimit të Qendrës Rinore Ndërkulturore Shqiptaro-Turke.

    Këtë të mërkurë, më 20 mars, ka hapur dyert në qytetin e Kukësit një qendër multifunksionale në shërbim të të rinjve, që do t’u mundësojë atyre të zhvillojnë aktivitete të ndryshme dhe të shfrytëzojnë një bibliotekë me libra në shqip dhe turqisht.

    Qendra Rinore Ndërkulturore Shqiptaro-Turke ka marrë jetë falë punës së përbashkët të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TİKA, dhe Fondacionit ALSAR.

    Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të qendrës rinore ishin ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, nënkryetari i TİKA-s, z. Mahmut Çevik, koordinatori i kësaj agjencie në Tiranë, z. Mustafa Ata, këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Turqisë, z. Metin Bulut, kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, z. Albert Halilaj.

    Aktivitetin e ndoqën mësues, nxënës dhe prindër të qytetit të Kukësit.

    Folës në ceremoni, nënkryetari i TİKA-s, z. Mahmut Çevik, dhe ambasadori turk në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, theksuan miqësinë e gjatë të dy popujve, bashkëjetesën shekullore, dhe sipërmarrjet e TİKA-s në shumë fusha të jetës në Shqipëri, posaçërisht në atë kulturore.

    “Kjo qendër do të kontribuojë për kulturën e bashkëjetesës,” tha mes të tjerash z. Çevik.

    Mbështetjen e dhënë nga Turqia, dhe nga TİKA konkretisht, e nënvizuan kryetari i Bashkisë së Kukësit, z. Albert Halilaj, dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, të cilët shprehën dhe falënderimet me këtë rast.

    TİKA mundësoi rikonstruksionin dhe pajisjen e qendrës me mjetet e duhura.

    Fondacioni ALSAR, me prani të kahershme në Kukës me veprimtari humanitare, arsimore dhe kulturore, ka hapur në këtë qytet që në vitin shkollor 2017-2018 kurset e gjuhës turke për nxënës të shkollave publike.

    Dy institucionet, ALSAR dhe TİKA, kanë konsoliduar ndër vite bashkëpunimin, me aktivitete të përbashkëta në ndihmë të komuniteteve lokale dhe shtresave në nevojë.

    Del nga shtypi, “Publicistë të Rilindjes”, botuar nga ALSAR

    Në vargun e një numri veprash të porsabotuara, Botimet ALSAR i paraqesin publikut një titull të ri, “Publicistë të Rilindjes”.

    Libri është fryt i një pune shumëvjeçare të profesor Hamit Boriçit. Ai përmban profile njerëzore dhe profesionale të tridhjetë e shtatë personaliteteve të mëdha të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të cilët shkëlqyen si një kostelacion yjesh në një kohë që qielli i Shqipërisë ishte i përmbytur nga një errësirë shekullore dhe kur në horizont nuk dukej asnjë shpresë. Ata rilindën kombin, e zgjuan nga gjumi letargjik dhe ngritën lart flamurin e shpresave tona për shtetin, lirinë dhe pavarësinë kombëtare.

    Deviza e vetme e tyre ishte Atdheu. Veçmas njëri-tjetrit dhe herë-herë së toku, ata ranë në një mendje për ta bërë Shqipërinë në një kohë që ajo ekzistonte në ëndrrat dhe në dëshirat e tyre. Dhe kjo ishte një kryevepër që ata e bënë duke sakrifikuar gjithçka dhe, njëkohësisht, për të mbetur të përjetshëm në panteonin kombëtar.

    Hamit Boriçi ka shkruar shumë libra për gazetarinë shqiptare që nga fillimet e deri më sot, duke qenë studiuesi më këmbëngulës dhe më skrupuloz në këtë fushë. Vepra e botuar nga ALSAR, “Publicistë të Rilindjes”, sjell për herë të parë anë të panjohura për rilindasit shqiptarë, të cilët renditen sipas rendit alfabetik, nga Abdyl Frashëri deri tek Zef Skiroi.

    Kjo vepër përudh një tjetër dimension të panjohur të historisë së Shqipërisë dhe të historisë së shtypit shqiptar, i cili  mbetet ende i pastudiuar sa duhet. Libri vjen si një referencë për të gjithë ata që do të kenë mençurinë, pasionin dhe vetëdijen për të vazhduar në këtë hulli të mendimit dhe për ta pasuruar këtë vepër të profesor Boriçit.

    Botim për Krimenë dhe tatarët e saj në dhjetëvjetorin e aneksimit rus

    Në kalvarin e peripecive historike të Krimesë dhe të popullsisë së saj tatare, aneksimi nga rusët në vitin 2014 përbën sfidën më të fundit ndaj ekzistencës së tyre.

    Ai zhvillim i papranuar përgjithësisht ndërkombëtarisht para një dekade pararendi dhe paralajmëroi ngjarjet e sotme, invazionin rus në Ukrainë dhe një rajon të destabilizuar në mënyrë të frikshme, me efekt të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe paqen globale.

    Historia e Krimesë dhe e tatarëve ka në të mbijetesë, vuajtje, dëbim, kthim, një varg përvojash jetësore drithëruese dhe njëkohësisht frymëzuese. Tatarët kanë parë e përjetuar shumë, por falë vitalitetit të tyre kanë mundur të mbeten në këmbë.

    E përmbledhur, historia e tatarëve, dhe e Krimesë, vjen përmes një botimi të ri, të përkthyer shpejt dhe në shqip.

    “Krimeja është e jona – Lufta e pambarim e tatarëve të Krimesë” është shkruar nga Melek Maksudoğlu, me gjak tatar dhe e përkushtuar intelektualisht në përcjelljen e historisë së tatarëve të Krimesë.

    Botimet ALSAR e kanë sjellë librin në variantin dygjuhësh, në shqip dhe në origjinal, në anglisht, siç kanë bërë periodikisht në disa tituj të rinj.