Category Page: Uncategorized

    Ramazan të mbarë, agjërim të lehtë e të pranuar!

    Fondacioni ALSAR uron çdo besimtar musliman në këtë ditë të parë të Ramazanit për agjërim të lehtë e të pranuar!

    Ramazani është muaj i përkushtimit në besim, muaj i bekuar që na afron me njëri-tjetrin dhe që i forcon ndjenjat e dhembshurisë dhe të solidaritetit në shoqëri.

    Dhënia pas devotshmërisë dhe adhurimit theksueshëm në Ramazan është reflektim i vetëdijes për Krijuesin tonë.

    Përkorja, modestia, kujdesi i shtuar në sjellje, përzgjedhja e fjalëve të thëna, qëndrimi larg gjërave të zakonshme dhe të domosdoshme në përditshmërinë tonë, mosngrënia dhe mospirja gjatë ditës, janë shprehje e vullnetit për t’iu përulur nënshtrueshëm të Plotfuqishmit.

    Le të shërbejë ky muaj për të na bërë më të mirë, më të devotshëm, le të na thellojë në bërjen e të mirave dhe në ndalimin e të këqijave!

    Na i bëftë, pra, ky Ramazan zemrat më të dëlira, na afroftë më tepër me Zotin!

    18 Marsi, dita e fitores së Çanakalasë

    Turqia kremton sot 108-vjetorin e ngadhënjimit në Çanakala të së mirës mbi të keqen, të betejës për mbijetesën, të epopesë madhështore dhe të paharrueshme, shkruar me gjak dëshmorësh.

    Populli turk përulet me respekt dhe mirënjohje të thellë në këtë ditë para kujtimit të të rënëve, atyre që sakrifikuan jetën për liri e vatan.

    Një faqe e shndritshme u shkrua në histori atë mars të 1915-s me burrërinë dhe vetëmohimin e luftëtarëve. Lufta u fitua në saje të sakrificës dhe idealeve të larta, të përqafuara dhe nga shumë shqiptarë, luftëtarë dhe të martirizuar në frontin e fitores.

    Në 18 mars iu dha goditja e madhe ëndrrës dhe synimeve të pushtuesve. Ajo datë qe një pikë kthese vendimtare, një ditë e cila paralajmëroi dritën e së ardhmes.

    Fitorja e Çanakalasë, Dita e Dëshmorëve, kremtohet sot ndërsa populli turk bën një tjetër betejë, atë të mëkëmbjes nga një fatkeqësi natyrore e përmasave apokaliptike. Frymëzuar nga ai ngadhënjim i një shekulli e më shumë, Turqia do ia dalë sërish me vitalitetin e saj!

    Dhe ne i kujtojmë me nderim të rënët e luftës së Çanakalasë. Fondacioni ALSAR e përkujton me tërë solemnitetin epopenë e lavdishme të 1915-s! Turqisë i urojmë shërim të shpejtë nga plagët e tërmeteve shkatërrimtare, i urojmë begati dhe përparim!

    Gëzuar Kosovë! ALSAR uron në 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë

    Kosova kremton sot përvjetorin e 15-të të shpalljes shtet i pavarur.

    Para 15 viteve, në pasditen e 17 shkurtit të 2008-s, në Kuvendin e Kosovës do të lexohej deklarata e pavarësisë.

    Deklarimi sublim i shpalljes së sovranitetit mbylli një epokë shtypjeje dhe hapi faqen e re të prosperitetit shtetëror të popullit të Kosovës.

    Shteti i pavarur ka kaluar në një dekadë e gjysmë shumë pengesa në rrugën e konsolidimit dhe të njohjes ndërkombëtare. Sfida të vështira gjenden ende para tij, ndërsa liria dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme.

    Fondacioni ALSAR i uron Kosovës përvjetorin e pavarësisë, uron ditë më të mira për të dhe për tërë kombin shqiptar!

    Thirrje për të kontribuar në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti në Turqi

    Turqia po përballet me pasojat shkatërrimtare të tërmetit që e goditi jugun e vendit në orët e para të 6 shkurtit.

    Në një kohë që numri i jetëve të humbura rritet dhe përmasat e katastrofës bëhen gjithnjë e më të dukshme dhe më të prekshme, nevoja për ndihmë është e madhe.

    Tani duhet të mbizotërojë solidariteti njerëzor, përjetimi i përbashkët i dhimbjes dhe gatishmëria për të ndihmuar!

    Ashtu si Turqia mike na është gjendur gjithmonë pranë në kohë të vështira, posaçërisht në tërmetin e para pak viteve, tani është radha jonë të kontribuojmë.

    Fondacioni ALSAR i bën thirrje çdo subjekti, çdo individi, të kontribuojë me sa mundet!

    Këtu do të gjeni numrat e llogarisë për derdhjen e çdo kontributi:

    MBAJTËSI I LLOGARISË FONDACIONI ALTERNATIVA E SE ARDHMES “ALSAR”
    EMRI I BANKËS BANKA KOMBETARE TREGTARE
    NUMRI I LLOGARISË 401001747
    IBAN EURO: AL67 2051 1014 0017 47CL TJCF EURA
    IBAN LEKË: AL 03 2051 1014 0017 47CL TJCL ALLA
    SWIFT/BIC: NCBAALTX

    Tërmeti në Turqi, Fondacioni ALSAR ngushëllon popullin turk

    Jugu dhe juglindja e Turqisë u goditën në orët e para të së hënës nga një tërmet i fuqishëm, lëkundjet e forta të të cilit u ndien dhe në një hapësirë të madhe përtej kufijve të saj.

    Nga tërmeti me epiqendër në Kahramanmaraş dhe me goditje në dhjetë rrethe kanë humbur jetën qindra njerëz. Mijëra janë të lënduarit, dhe të shumtë të mbeturit nën gërmadha.

    Ndërsa operacionet për gjetjen dhe shpëtimin e të mbijetuarve vijojnë dhe shteti turk është ngritur në këmbë, Fondacioni ALSAR përcjell ngushëllimet për viktimat.

    Lutemi të ketë sa më pak jetë të humbura! Duatë tona janë për sa më tepër jetë të shpëtuara!

    Zoti ia lehtësoftë dhimbjen popullit turk!

    Reagim në kuadër të akteve antiislame në Suedi

    Akti i djegies së Kur’anit, librit të shenjtë të Islamit dhe të muslimanëve, në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm, para pak ditësh shënoi pikën kulminante të urrejtjes patologjike.

    Djegia e Kur’anit nën hundën e organeve suedeze të zbatimit të ligjit nga një politikan ekstremist dhe i njohur për akte të tilla perverse përbën një provokacion të rrezikshëm në raport me bashkëjetesën dhe marrëdhëniet ndërkulturore midis grupimeve sociale në të gjithë Europën.

    Arsyetimi i autoriteteve shtetërore suedeze, i mbështetur në lirinë e mendimit dhe të shprehjes, është sofistik, në rastin më të mirë, apo tregues i mungesës së plotë të vullnetit për të respektuar dhe për t’u angazhuar në ndërtimin e urave lidhëse midis komuniteteve fetare.

    Sulmi mbi vlerat e shenjta nuk është liri, por barbarizëm modern, dhe ai meriton dënimin më të ashpër, për t’u prerë rrugën akteve të ngjashme në të ardhmen.

    Gjuha dhe sjellja islamofobe është gjëja më e gabuar sot për botën. Respektimi i së shenjtës së miliarda njerëzve qëndron mbi çdo liri mendimi dhe shprehjeje, aq më shumë kur kjo liri vlen vetëm në ato raste kur goditet dhe nëpërkëmbet Islami.

    Valës së reagimeve kundër djegies së Kur’anit në Stokholm i bashkangjitet dhe Fondacioni ALSAR, duke e dënuar ashpër aktin e patolerueshëm!

    Ne e refuzojmë lirinë e mendimit dhe shprehjes që cenon çdo besim dhe çdo besimtar! Ne refuzojmë çdo akt i cili mbjell dhe nxit urrejtje!

    Mjaft me përdorimin e lirisë që i fryn zjarrit të islamofobisë!