Category Page: Uncategorized

Fjalë të ndiera dhe trëndafila në ceremoninë përkujtimore në gjashtëvjetorin e triumfit të popullit turk mbi përpjekjen për grusht shteti

Prej vitesh tashmë, në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, aty ku ndodhet një pllakë përkujtimore me emra dëshmorësh turq, mbahet çdo 15 korrik një ceremoni në përkujtim të epopesë që shkroi populli turk në atë ditë të 2016-s, të fitores mbi tradhtinë dhe përpjekjen e dështuar për grusht shteti.

Ceremonia e sotme, në përkujtim të gjashtëvjetorit të asaj ngjarjeje, e organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, do të niste me një minutë heshtje në respekt të kujtimit të dëshmorëve të 15 korrikut 2016.

Të pranishmit në ceremoni, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, drejtues dhe zyrtarë të institucioneve turke në kryeqytetin tonë, përfaqësues organizatash, qytetarë, të moshuar e të rinj, dëgjuan më pas himnet kombëtare të Turqisë dhe Shqipërisë.

“Rimblidhemi sot në të njëjtin vend për të përkujtuar dhe nderuar mes emocionesh e lotësh ngadhënjimin mbi tentativën e dështuar për grusht shteti nga ana e grupimit të fshehtë komplotisto-terrorist gylenist, të kryer gjashtë vite më parë në shtetin dhe popullin vëlla turk. Mes lulesh e gjelbërimit shpërthyes, gdhendur mjeshtërisht në këtë pllakë mermeri simbol, prehen në paqe emrat e 251 martirëve, 251 engjëjve, 251 yjeve, rënë heroikisht për mbrojtjen e shtetit të tyre demokratik dhe presidentit Rexhep Tajjip Erdogan!”, do të thoshte në nisje të fjalës së tij, z. Petrit Zeneli, përshëndetës në emër të organizatave të shoqërisë civile.

“Është i gjashti vit ky që ndiejmë dhimbje e pikëllim, si të jemi para Bashkisë së Stambollit famëmadh, para detit të fotografive të martirëve, përshfaqur njëri më i ri se tjetri, njëri më i bukur se tjetri, njëri më i qeshur se tjetri, por që, fatkeqësisht, dora gjakatare puçiste e Lëvizjes FETO ua preu në mes udhëtimin e jetës, ëndrrat e bukura të asaj mbrëmjeje ngazëlluese vere!”, vuri në pah z. Zeneli, drejtues i Shoqatës Atdhetare Kulturore të Krahinës së Vakëfeve, Korçë.

Emocionuese ishin fjalët e tij, “Sot, në këtë ditë historike përkujtimore, ngushëllojmë së pari familjet e të rënëve dhe gjithë popullin turk, duke u përulur para kujtimit të heronjve dhe duke i mbuluar me buqeta lulesh emrat e tyre, që lule në kopshtin e historisë turke do mbesin gjithmonë!”

Duke bërë një panoramë të shkurtër të asaj çka ndodhi gjashtë vite më parë dhe të përpjekjes së vazhdueshme së shtetit turk për ta luftuar e çrrënjosur strukturën e organizatës terroriste që kreu aktin puçist, ambasadori turk në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, theksoi kërcënimin që paraqet FETÖ për sigurinë e shteteve ku ende e vijon veprimtarinë e saj.

Në këtë kontekst, ai rikujtoi se Shqipëria është fatkeqësisht një prej vendeve ku organizata terroriste akoma ushtron aktivitet, më dukshëm në arsim dhe shëndetësi. Ambasadori u kujdes ta shprehë vendosmërinë se lufta ndaj FETÖ-s ka për të vazhduar!

Një leksion për demokracinë e çdo vendi, i quajti diplomati i lartë turk ngjarjet e 15 korrikut të para gjashtë viteve.

Lutjet për të rënët, këndimi i vargjeve kur’anore, dhe vënia e trëndafilave në pllakën përkujtimore me emrat e 251 dëshmorëve, ishin pjesë e ceremonisë përkujtimore.

[rev_slider slidertitle=”postim alsar ceremonia” alias=”postim-alsar-fceremonia-1″]

Gëzuar Kurban Bajramin!

Fondacioni ALSAR i uron çdo besimtari, çdo qytetari të vendit tonë, çdo bashkëkombësi, një Kurban Bajram të gëzuar, të hareshëm, shpirtpasurues me përkushtim, me ndjenja të larta njerëzore dhe besimore!

Kjo ditë simbolizon nënshtrimin e qenies njerëzore ndaj vullnetit të Zotit, sakrifikimin për hir të Tij. Bërja e kurbanit është një akt virtyti, një tregues i qartë i mirënjohjes njerëzore për gjithçka të dhënë nga Krijuesi.

Njeriu i jep përparësi me kurbanin botës shpirtërore, e pasuron atë me këtë gjest sakrifice, i shton vlerë fetarisë së vet, e fuqizon dhe e ngre në nivel më të lartë.

Flijimi i gjësë së gjallë për hir të Zotit shoqërohet me shpërndarjen e mishit te të afërmit dhe nevojtarët, duke i pranëvënë sakrificës dhe solidaritetin.

Gjithçka e kësaj dite feste do të humbiste kuptimin pa vetëdijen e thellë se, siç thuhet në Kur’an, te Zoti arrin devotshmëria, e jo gjaku dhe mishi i kurbanëve.

Përjetimi i Kurban Bajramit me këtë frymë devotshmërie është festimi më përmbushës i kësaj dite.

Gëzuar vëllezër e motra, qytetarë dhe qytetare, besimtarë dhe besimtare!

Fondacioni ALSAR uron: Gëzuar Fitër Bajramin!

Muslimanë dhe muslimane, bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare!

Sot është një ditë e madhe, një ditë feste!

Sot është dita për të festuar e për t’iu gëzuar frytit të sakrificës sonë njëmujore në adhurim të Zotit!

Pas një muaji agjërimi ne jemi bërë qenie më të dëlira, më të virtytshme, më besimtare, më të përshpirtshme, më pak egoiste, më tepër humane.

Besimi, solidariteti, dashuria, vëllazëria, ngadhënjyen në shumë shpirtra. Në një muaj e deshëm më shumë njëri-tjetrin, ndamë tryezën e iftarit dhe iu lutëm së bashku Zotit për më shumë begati, më së pari shpirtërore.

Muaji i madhëruar i Ramazanit na mbërtheu prej ditës së parë me atë frymë të tij krejt të veçantë, duke na latuar pak nga pak. Në të u ngopëm me ushqimin e shpirtit, të kredhur në oqeanin e besimit.

Ne, si institucion, si fondacion, nxituam, vrapuam, ndihmuam. Nuk pushuam për asnjë çast në një muaj, ngaqë e përjetuam çdo moment të Ramazanit si mundësi për të trokitur në zemrën dhe derën e bashkëqytetarit, bashkëbesimtarit.

Në misionin tonë humanitar na mbështetën partnerë dhe bashkëpunëtorë, me të cilët kemi të përbashkët shumë ide dhe objektiva. Nga këto bashkëpunime vërshoi ndihma, e dërguar anekënd në Ramazan.

Me shpresën se na janë pranuar nga Zoti i Plotfuqishëm agjërimi dhe lutjet tona, tek i drejtohemi çdo bashkëkombësi, urimi në këtë ditë feste është i natyrshëm, i dalë vetiu nga zemra: GËZUAR!

Organizata e Bamirësisë Islame, me qendër në Kuvajt, u dhuron fëmijëve jetimë veshmbathje për Bajram

Me afrimin e Bajramit, festës së madhe pas një muaji agjërim dhe adhurim të shtuar, fëmijët janë të parët që meritojnë të gëzohen.

Për t’ua shtuar buzëqeshjen, për t’i lumtuar fëmijët, ka menduar dhe Organizata e Bamirësisë Islame, me qendër në Kuvajt, e cila u ka dhuruar veshmbathje fëmijëve jetimë nën përkujdesin e Fondacionit ALSAR.

Shpërndarja është bërë në ambientet e brendshme të fondacionit, për 100 fëmijë jetimë. Në një atmosferë feste, çdonjë prej tyre ka marrë dhuratën në veshje.

Aktiviteti bamirës kushtuar jetimëve është në vazhdën e veprimtarive të shumta humanitare të zhvilluara gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit.

Fëmijëve jetimë u është dhënë vëmendje e veçantë në ditët e solidaritetit human, ashtu si ngaherë. ALSAR-i është si një strehë për ta!

[rev_slider slidertitle=”postim alsar 44 1″ alias=”postim-alsar-tika-44-1″]

Fondacioni ALSAR u uron besimtarëve muslimanë agjërim të lehtë e të pranuar në Ramazan!

Në nisje të këtij muaji të bekuar, kur qenien njerëzore e pushton përshpirtshmëria dhe me vetëdije e vullnet të plotë e privon veten prej së zakonshmes në përditshmëri, për t’u pastruar dhe lartësuar në besim, Fondacioni ALSAR i uron çdo besimtari ta kalojë sa më lehtë agjërimin, ta përjetojë siç duhet këtë akt adhurimi, e ta ketë atë të pranuar tek Zoti!

Ramazani është një mundësi e shkëlqyer për të medituar, për t’u thelluar në përsiatjen mbi ekzistencën njerëzore, e, që këtej, për ta ridimensionuar jetën tonë.

Ramazani është një derë e hapur për t’i ikur së keqes e për t’iu dhënë së mirës, për ta refuzuar antivlerën dhe për ta përqafuar vlerën e vërtetë, islame.

Devotshmëria e treguar në këtë muaj, sjellja e patëmetë, është nxitje për ta shndërruar atë në përhershmëri të çdo besimtari, të çdo njeriu të virtytshëm.

Sa më shumë shtohen sfidat e kohës, sa më e vështirë dhe më e komplikuar bëhet jetesa, aq më e nevojshme bëhet dhënia pas Zotit. Agjërimi dhe i tërë adhurimi i këtij muaji janë një shteg për t’iu afruar Atij.

Për gjithçka që sjell ky muaj, për fetarinë dhe ndjenjat njerëzore të përtërira, Fondacioni ALSAR uron dhe një herë për çdokënd një Ramazan të mbarë, me agjërim e lutje të pranuara!

Në 107-vjetorin e ngadhënjimit në Çanakala, e përkujtojmë me nderim sakrificën sublime të martirëve

Si çdo vit, Turqia përkujton më 18 mars epopenë e shkruar me gjakun e dëshmorëve në 1915-n, Fitoren e Çanakalasë. Ajo ngjarje historike e përmasave madhore i preu rrugën tragjedisë, u dha goditje fatale pushtuesve, dhe i dha zemër e kurajë luftës për ekzistencë të një populli heroik.

Në Ditën e Dëshmorëve, e tërë Turqia përulet para kujtimit të të flijuarve, para heroizmit të atyre që dhanë gjakun për të mbrojtur vatanin dhe për të mos e lënë atë në dorë të pushtuesve.

Mbi guximin, trimërinë dhe vetmohimin e të rënëve, mes të cilëve dhe shumë shqiptarë, u shkrua një faqe e lavdishme historie, e martirizimit për hir të lirisë!

Përkujtimi i këtij përvjetori ka marrë një tjetër përmasë me inaugurimin e urës gjigande të Çanakalasë, dëshmi e rritjes së Turqisë, ndikimi i së cilës për paqen rajonale dhe globale po bëhet çdo ditë e më tepër jetik.

Fondacioni ALSAR i përkujton me nderim të rënët e luftës së Çanakalasë, e përkujton me nderim gjakun e atyre që e shkruan atë epope!

Lutje për të rënët, nderim për ta!

soap 2 day