Category Page: Kulturore

Nis punimet simpoziumi shkencor ndërkombëtar me temë “Marrëdhëniet shqiptaro-turke: E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”

Në ceremoninë e hapjes së simpoziumit të organizuar në Tiranë nga Fondacioni ALSAR, nën përkujdesjen e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë dhe 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, të institucioneve zyrtare të Shqipërisë, diplomatë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.

Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes, duke iu referuar edhe temës së simpoziumit, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, u shpreh se në këtë mënyrë do të njohin më mirë të shkuarën e përbashkët mes dy vendeve, të sotmen dhe të ardhmen. Ndër të tjera z.Atay shtoi: “Republika jonë u kurorëzua me luftën kombëtare e cila qe burim frymëzimi për gjithë popujt e vuajtur në botë. Ne tani 100-vjetorin e Republikës po e festojmë në Shqipërinë mike dhe ne jemi tepër të gëzuar për këtë. Brenda këtij viti ne festojmë dy përvjetorë tepër të rëndësishëm të lidhur me njëri-tjetrin”, tha Atay.
Ambasadori Atay u shpreh se marrëdhëniet e sotme mes dy vendeve janë tepër të veçanta dhe kjo sipas tij është tepër e rëndësishme. Ai shtoi se falë lidhjeve kaq të fuqishme njerëzore dhe sociale solidariteti mes dy vendeve ka arritur në majë.
“Sot Turqia dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s dhe kandidatë për në Bashkimin Evropian dhe kanë si objektiv të përbashkët strategjik integrimin në BE. Të dy vendet e kanë lidhur partneritetin e tyre strategjik në vitin 2021 dhe në këtë mënyrë vazhdon bashkëpunimi si në planin rajonal ashtu dhe ndërkombëtar. Të dyja vendet kontribuojnë me rëndësi për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes që janë të brishta në Ballkan”, u shpreh Atay.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, gjatë fjalës së tij tha simpoziumi synon t’i analizojë marrëdhëniet ndërshtetërore shqiptaro-turke në jubileun e tyre në një sfond akademik.
“Tri dekadat e fundit flasin vetë për lulëzimin e marrëdhënieve tona, ndërshtetërore, zyrtare, dhe në shoqëritë respektive. Türkiye ka treguar se është një partner i pazëvendësueshëm, i gjendur pranë nesh në çdo moment kritik, një përkrahëse e fortë e rrugës sonë evropiane. Është fat për ne që e kemi atë në krah, pa asnjë pretendim ndaj sovranitetit tonë”, tha Gurra.
Gurra shtoi se Shqipëria dhe Türkiye kanë bashkëpunim të admirueshëm ekonomik, kulturor, arsimor dhe ushtarak dhe shtoi se partneriteti strategjik është një arritje domethënëse e dy vendeve anëtare të NATO-s. Ndër të tjera kryetari i Fondacionit ‘ALSAR’ z.Mehdi Gurra vuri theksin dhe shtoi se: “Në planin ekonomik, rritja e vëllimeve të tregtisë midis dy vendeve është në rrugën e duhur, duke kujtuar këtu se Turqia është ndër investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri. TİKA vijon të jetë një mbështetëse e fuqishme e aktiviteteve kulturore në vendin tonë dhe sipërmarrëse në shumë projekte të ndryshme. Prania turke në shëndetësi dhe arsim është një investim disadekadësh, shumë i nevojshëm, i mirëpritur dhe i lavdëruar. Kërkon megjithatë tërheqje vëmendjeje fakti se qindra studentë të financuar nga shteti turk e të shkolluar në shkollat dhe universitetet turke nuk janë integruar akoma në shoqërinë shqiptare në atë mënyrë që t’i japin impulsin e pritur forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy popujve. Ndihmesa në ushtrimin e besimit, në përçimin e Islamit, një nevojë shpirtërore e papërmbushur plotësisht e qytetarëve tanë muslimanë, i thërret vëllezërit turq në angazhim më të madh, më të prekshëm, më thelbësor.
Ne presim dhe në të ardhmen nga Turqia investime në çdo fushë ku është e mundur, ashtu siç presim nga shteti shqiptar ta respektojë plotësisht partneritetin strategjik të kësaj marrëdhënieje të madhe vëllazërore!”

Punimet e simpoziumit shkencor u përshëndetën edhe me një mesazh nga Kryetari i Parlamentit të Turqisë Nurman Kurtulmuş: ” Ju shpreh falenderimet e mia për ftesën tuaj elegante në simpoziumin me temë “e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-turke” të organizuar nën kujdesin e ambasadës së Republikës së Turqisë në kuadër të 100 vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë dhe 100 vjetorit të marrëdhënieve Turko-Shqiptare.
Dëshiroj të ritheksoj vullnetin tonë për të çuar përpara mbi bazën e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit, marrëdhëniet tona shekullore me Shqipërinë, me të cilën kemi lidhje rrënjësore të përbashkëta njerëzore, kulturore dhe historike.
Dëshiroj që simpoziumi në të cilin me keqardhje nuk mund të jem prezent për arsye të programeve të paracaktuara, të kalojë me sukses dhe te jetë një element kontribues në qëllimin për thellimim e mëtejshëm të marrëdhënieve Turko-Shqiptare. Përcjell falenderimet e mia kryesisht për Kryetarin e Fondacionit ‘ALSAR’, z. Mehdi Gurra dhe të gjithë atyre që punuan për mbarëvajtje në organizimin e këtij simpoziumi, duke përshëndetur dhe uruar suksese pjesëmarrësëve dhe të ftuarëve.”

Në simpoziumin i cili do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme do të mbajnë kumtesat e tyre studiues dhe diplomatë të ndryshëm nga Shqipëria, Turqia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Fondacioni ‘ALSAR’ merr pjesë në Panairin e Librit 2023 i mbajtur në Tiranë.

Panairi i përvitshëm i librit në Tiranë mbledh bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, ku njihen me botimet e reja, diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitetet të tjera me të autorë dhe studiues.

Në këtë organizim madhor me në fokus librin merr pjesë edhe stenda e shtëpisë botuese ‘ALSAR’ ku shpalos mbi 300 tituj për lexuesin shqiptar. Stenda ‘ALSAR’ ndodhet në katin e dytë të Pallatit të Kongreseve dhe do qëndrojë aty deri në datë 19 të këtij muaji.

Ribotohet vepra ‘Vdekje dhe Dëbim’ me autor Justin McCarthy.

Ky libër i profesorit Justin McCarthy përbën një nga tekstet e rëndësishme studimore mbi historinë e
zhvendosjeve demografike apo të spastrimit etnik të muslimanëve osmanë përgjatë viteve 1821–1922.
Ky studim erdhi si rezultat i hulumtimit statistikor të prof. McCarthy mbi popullsinë muslimane të
Anadollit gjatë shekujve XIX dhe XX, si dhe mbi lëvizjen e tyre demografike. Mirëpo rezultatet paraqitën
një tjetër tablo, që pasqyrohet në këtë libër. Vdekje dhe dëbim është historia e internimit dhe vdekjes së
miliona muslimanëve në shekullin XIX dhe fillimin e shekullit XX nga zona që kanë mbetur qendra
konflikti – Ballkani, Lindja e Mesme dhe ai që ishte Bashkimi Sovjetik – dhe tregon se si u zhvilluan këto
konflikte etnike dhe fetare.
Historia e ekspansionit të Perandorisë Ruse dhe e krijimit të shteteve të reja në Ballkan, tradicionalisht
është treguar nga këndvështrimi i kombeve të krishtera që dolën nga Perandoria Osmane. Vdekje dhe
dëbim e tregon historinë nga pozita e turqve dhe muslimanëve të tjerë, të cilët pësuan vdekje dhe
dëbim, si pasojë e imperializmit, nacionalizmit dhe konfliktit etnik.
Libri ndryshon rrënjësisht këndvështrimin tonë rreth historisë së popujve të Lindjes së Mesme dhe
Ballkanit. Ai paraqet një kornizë të re për të kuptuar mosmarrëveshjet që vijojnë edhe sot e kësaj dite.
Justin McCarthy është Profesor i Historisë në Universitetin e Louisville (SHBA), gjithashtu dhe demograf, i
cili ka shkruar gjerësisht për historinë e popujve të Ballkanit dhe Lindjes së Mesme. Ai është autor i
librave të spikatur mbi këtë subjekt, si: “Bota arabe, Turqia dhe Ballkani (1878–1914)”, “Popullsia e
Palestinës: Historia e popullsisë dhe statistikat e periudhës së vonë osmane dhe të Mandatit”, apo librit
tjetër të përkthyer në gjuhën shqipe nga Botimet ALSAR “Popujt osmanë dhe fundi i Perandorisë”.

Vijon publikimi i botimive. Fondacioni ‘ALSAR’ vjen me titullin ‘Kosova- idealet, iluzionet, dhe realiteti me autor Hysen Matoshi.

Fondacioni ‘ALSAR’ vijon me botimet me karakter historik. Së fundmi, për lexuesin shqiptar publikohet vepra me titull ‘Kosova- idealet, iluzionet, dhe realiteti’ me autor Hysen Matoshi.

Vepra në fjalë trajton periudhën historike të pasluftës në Kosovë, për zhvillimet në kohë historike, për dukuri shoqërore, për data e për personalitete të Kosovës, për idealet e brezave të lirisë, për përballjen ndërmjet iluzioneve dhe realitetit.

Libri përmban disa nga reagimet publike të autorit, Hysen Matoshi, lidhur me zhvillimet në Kosovën e pasluftës. Në këto kohë dimanike dhe zhvillimesh shumëplanëshe ka pasur ndodhi që kanë zgjuar vëmendjen e opinionit të gjerë kombëtar e ndërkombëtar, ndaj të cilave autori ka shprehur mendimin e tij

Një dorë shkrimesh kanë marrë shtysë edhe nga leximi i veprave, burimeve të ndryshme, por edhe si trajtim i dukurive historike, të shkruara në një sens kritik dhe polemizues.
Përgjithësisht vëllimi “Kosova – idealet, iluzionet dhe realiteti”, me autor Hysen Matoshin, është një vepër që hedh dritë mbi ngjarjet me tepër rëndësi në rrugën drejtë shtetformimit të Kosovës por edhe përtej

Fondacioni’ALSAR’ vjen me një botim të ri me titull ‘Kisha e Sherrit’ me autor Hajrudin S. Muja

Fondacioni ‘ALSAR’ vijon me botimin e librave me përmbajtje studimore historike. Për apasionuarit dhe për studiuesit e historisë rajonale ballkanike sapo doli nga shtypi vepra “Kisha e sherrit” me autor Hajrudin S. Muja.

Në këtë libër, studimi i autorit Hajrudin S. Muja trajton çështjen e ngritjes së Kishës Serbe në majën e Rumisë me tjetërsimin etno-kulturor dhe uzurpimin e kishës së vjetër të Krajës dhe kishave në ishujt e liqenit të Shkodrës.

Autori përcejell për lexuesin rrezikun që buron nga ideologjizimi i Kishës Serbe si protagoniste dhe propagandiste kryesore e politikave gjenocidale për rajonin në përgjithësi dhe për shqiptarët në veçanti si dhe forma se si institucioni i Kishës Serbe me të gjithë fuqinë e saj propagandistike tenton në çdo rast të tjetërsojë e të manipulojë historinë reale të këtyre territoreve.

Botimi i kësaj vepre studimore nga Fondacioni ‘ALSAR’ vjen për lexuesin në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbo-kroate.

Fondacioni ‘ALSAR’ vjen me një botim të ri me titull “Histori rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve” me autor Ali Galip.

Fondacioni ‘ALSAR’ vijon me botimin e librave me përmbajtje historike. Për apasionuarit dhe për studiuesit e historisë sapo doli nga shtypi vepra “Histori rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve” me autori Ali Galip.

Autori Ali Galip me origjinë nga Korça, në vitin 1901, me porosi të Sulltan Abdulhamidit II ka ndërrmarë një shëtitje në trevat shqipfolëse të Ballkanit dhe ka përgatitur një raport të detajuar për Sulltan Abdulhamidin prej 78 faqesh .

Pasi Sulltan Abdulhamidi e ka lexuar raportin historik rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve e ka dërguar të lidhet si liber dhe më pas ka urdhëruar të dërgohet në bibliotekën e sendeve të rralla të Perandorisë Osmane.

Ky libër i botuar nga Fondacioni ‘ALSAR’ është botuar në katër gjuhë: osmanisht, turqisht, shqip dhe anglisht së bashku në libër

soap 2 day